Enveri- gjermanëve: Na jepni lekët, ju quajeni kredi, ne dëmshpërblim

Oct 6, 2015 | 14:30
SHPËRNDAJE

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Gjermaninë kishte qenë gjithnjë një proces pezull. Vetë Enver Hoxha ishte marrë personalisht me këtë çështje, por atëherë kur gjithçka ishte e mundur, dilnin pengesa që në pamje të parë dukeshin thjesht çështje terminologjie. Dukej sikur çështja e reparacioneve të Luftës së Dytë Botërore ishte thelbi i gjithçkaje, por në të vërtetë ishte politika e izoluar e Shqipërisë, e cila dogji disa shanse në këtë drejtim.

Nga takimi ne Tirane  Franz Jozef Shtrausit me Ramiz Aline
Nga takimi ne Tirane Franz Jozef Shtrausit me Ramiz Aline

“Edhe një herë për shansin gjerman” (Marrëdhëniet e Shqipërisë me Gjermaninë 1944- 1987. Reparacionet e Luftës së Dytë Botërore). Kështu titullohet libri i ambasadorit të parë në Gjermani, në vitin 1987, diplomatit Shpëtim Çaushi, që promovohet sot në Universitetin Europian të Tiranës. Duke analizuar ecurinë e marrëdhënieve në distancë të dy vendeve, qysh pas Luftës së Dytë Botërore, Çaushi ndalet në veçanti në shansin e humbur gjerman, që lidhet me refuzimin nga ana e Ramiz Alisë të ndihmës financiare gjermane në vitin 1985.

Çaushi e quan këtë shans të humbur jo vetëm nga ana financiare, por dhe si humbja e një mundësie më të hershme për t’u hapur me botën. Ndërkohë ai i konsideron një shans të dytë për Shqipërinë marrëdhëniet e tanishme me Gjermaninë pas vizitës së Kancelares Merkel. Një shans që, sipas Çaushit, duhet shfrytëzuar nga vendi ynë për të thithur investimet gjermane.

“Në bisedimet e viteve ’85-’87, pala shqiptare insistonte të merrte reparacionet e Luftës së Dytë Botërore, që ishin mbi 2 miliardë dollarë, pa përfshirë këtu edhe interesat përkatëse. Nga pala shqiptare u parashtrua varianti që këto reparacione të mos cilësoheshin si kredi, për shkak se ajo ishte e ndaluar me kushtetutë, por insistoi në variantin që gjermanët u kishin dhënë Jugosllavisë dhe Polonisë, pra, të ashtuquajturën ‘Formulë të Brionit’, që nga ana shqiptare mendohej se ishte tepër favorizuese për këto dy vende.

Përfaqësuesit gjermanë shpjeguan se Jugosllavisë dhe Polonisë nuk u kishin dhënë reparacione, por thjesht kredi. Pas insistimit pa takt të shefit të delegacionit shqiptar, kryenegociatori gjerman iu përgjigj hapur se po të kërkonim të njëjtën formulë si për Jugosllavinë dhe Poloninë, atëherë përse nuk vepruam si ato, duke i vendosur 15 vite më parë marrëdhëniet diplomatike me Gjermaninë. Sigurisht, kjo përgjigje gjermane përbën, në fakt, edhe një element tjetër, të shansit historik që humbëm…

Periudha e Alisë dha përshtypjen e një hapjeje të politikës së jashtme të vendit tonë, por, mendoj, dhe këtë e argumentoj edhe në libër, që ishte thjesht një hap fiktiv, përpjekje për të fituar kohë për mbijetesën e sistemit të kalbur, që po përfundonte pa kthim ekzistencën e tij gjysmë shekullore”, thotë Çaushi për bisedimet e atyre viteve. Ndërsa për situatën ku gjendet sot Shqipëria në raport me Gjermaninë, Çaushi e sheh si një mundësi të artë bashkëpunimin financiar, por ai thekson se gjermanët kërkojnë siguri për investimet.

BISEDIMET ZYRTARE MIDIS TË DYJA VENDEVE

Takimi i Bonit, më 27 prill 1984, përbën evenimentin më të rëndësishëm midis të dyja palëve drejt arritjes së synimit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe sheshimit përfundimtar të problemeve të mbetura pezull midis të dyja vendeve. Ky takim mbetet i rëndësishëm edhe për faktin se ai përbën fundin e një faze bisedimesh të lodhshme dhe të tejzgjatura, të cilat, edhe pse u cilësuan si një komplet testues taktikash të qëndrimeve të secilës palë, shërbeu në ballafaqimin e dy botëve të ndryshme filozofike dhe të mentaliteteve politike krejt të kundërta.

Periudha “jo zyrtare” e kontakteve ndikoi në axhustimin e interesave të palëve, të cilat, edhe pse ende qëndronin shumë larg njëratjetrës pothuaj në pozicionet e tyre fillestare, kishin arritur së paku të linjëzonin dëshirën për kapërcimin e anakronizmit që mbisundonte në marrëdhëniet midis të dyja vendeve për më shumë se një gjysmë shekulli. Në Bon, delegacioni ynë shkonte në një periudhë delikate për Shqipërinë.

Enver Hoxha me albanologun Maks Lamberc në Gjermani
Enver Hoxha me albanologun Maks Lamberc në Gjermani

Në planin politik, Shqipëria përgatitej të mbyllte një epokë të një drejtimi 40-vjeçar nga një dorë e hekurt, e një udhëheqësi që e kishte drejtuar vendin me një sistem unikal autokratik në politikën e brendshme dhe të një qëndrimi izolacionist me botën e jashtme. Ishte viti i fundit i qënies në pushtet i Enver Hoxhës, i cili, plot një vit më vonë, do të largohej fizikisht nga skena politike shqiptare, për t’ia lënë përfundimisht drejtimin e vendit Ramiz Alisë, i cili kishte demonstruar, qoftë edhe në aparencë, dëshirë hapjeje në planin e jashtëm.

Nuk mund të ishte e rastit që në krye të delegacionit të Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare, që zhvilloi bisedimet në Bon, u vendos Sofokli Lazri, anëtar i KQ të PPSH-së dhe ndihmës i afërt i Ramiz Alisë, në atë kohë President i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Nga ana tjetër, brenda vendit, duke parë fillimin e krizës ekonomike, shenjat e para të së cilës ishin dukur qysh në fillim të viteve ’80, me sa duket kërkohej përfundimi i odisesë së “çështjes gjermane” dhe zhbllokimi i marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

Pala shqiptare u përgatit seriozisht për këtë takim. Ajo e quante një fitore diplomatike propozimin e qeverisë gjermano-perëndimore për të vijuar, në kryeqytetin e Gjermanisë Perëndimore, në një stad të ri bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve. Në hartimin e platformës së bisedimeve, sipas një protokoll – takimi konfidencial, që ndodhet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, u angazhua udhëheqja më e lartë e vendit.

Baza e instruktazhit politik dhe diplomatik për përfaqësuesit shqiptarë në takimin e Bonit janë idetë e parashtruara nga E.Hoxha në bisedë me R.Alinë, në prag të këtij evenimenti.

Enver Hoxha kundër Enver Hoxhës – mund të marrim kredi!

E.Hoxha, në këtë bisedë, parashtron: Faza e parë dhe qendrore e deklaratës dhe bisedimeve zyrtare duhej të ishte thellësisht politike. Promemoria shqiptare, e cila duhej t’i parashtrohej delegacionit gjerman, duhej të shprehte në esencë dy momente kryesore:

Enver Hoxha midis delegacioneve të partive marksiste-leniniste që morën pjesë në Kongresin VII të PPSH-së, nëntor 1976
Enver Hoxha midis delegacioneve të partive marksiste-leniniste që morën pjesë në Kongresin VII të PPSH-së, nëntor 1976

Së pari, shqiptari dhe Shqipëria kanë vuajtur nga fuqitë e mëdha dhe ato të mesme fqinje, se ato “kanë luftuar me diplomaci kundër ‘diplomacisë së madhe’ që e ka marrë nëpër këmbë”. Ky duhej të ishte “pozicioni i nisjes” i bisedës politike me gjermanët, rekomandonte E.Hoxha. Ajo, gjithashtu, do të përbënte jo vetëm shpjegimin, por edhe justifikimin e linjës së deriatëhershme luftarake dhe vetëizoluese në plan ndërkombëtar, që kishte aplikuar Tirana.

“Pra, politika e fuqive të mëdha dhe e fqinjëve tanë kurdoherë ka synuar, dhe kjo është vërtetuar, likuidimin e Shqipërisë, por nuk e likuiduan dot, megjithatë e copëtuan, e dogjën, e vranë dhe asnjë shpërblim nuk i dhanë”, thekson Hoxha.

Së dyti, të synohej t’u shpjegohej edhe një herë gjermanëve qëndrimi i Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe bllokut të Lindjes, në tërësi. Me këtë tentohej t’u injektohej gjermanëve ideja që Shqipëria kishte si rrezik eminent Moskën “socialimperialiste” dhe se në Tiranë nuk mendohej më me mentalitetin evropianolindor.

“Populli shqiptar besoi se te Bashkimi Sovjetik kishte një mik, por doli se edhe ai ishte armik. Qëllimi i socialimperializmit sovjetik, vijon Hoxha, ishte ta bënte Shqipërinë placdarmë të saj në Ballkan dhe Mesdhe”, se “ky pozicion që mbajmë ne i leverdis NATO-s”. Pra, faza e parë e bisedimeve, që përmbante vetëm vlerësime tepër politike, me anë të së cilës “ne i bëjmë të njohur Republikës Federale të Gjermanisë që vazhdon të mendojë e të mbajë një qëndrim ndaj nesh si në kohërat e kaluara”.

Faza e dytë: “T’u lëmë të kuptojnë që ne jemi për miqësinë”. “Nënkuptohet, se në këto kushte, ne jemi gati të kemi marrëdhënie të mira me ju. Mundet, këtu t’u bëjmë edhe një kompliment, t’u themi që ne kemi besim te populli gjerman, pavarësisht se na ka bërë të këqija, bile shumë të rënda, por ata gjermanë që na i kanë bërë këto ishin hitlerianë. Por thamë se kemi besim te populli gjerman, sepse dimë që ai atë që thotë, e bën. Me fjalë të tjera, ne kemi besim në fjalën që jep populli gjerman, më tepër se ata që janë me dy faqe”.

Faza e tretë: “Mënyrat e rrugët konkrete të zgjidhjes se problemeve”. Jepet ideja për një skemë veprimi me dy amplituda – maksimale dhe minimale: rruga e parë do të ishte insistimi për marrjen e reparacioneve, ndërsa “rruga e fundit” duhej të ishte tregtia. “Po para se të vijmë te tregtia, thekson Hoxha, duhet të caktohen sa fonde do të na jepen, kur dhe në ç’forma”.

“Këto mallra të futen në rrugën e shkëmbimeve tregtare me njëfarë modus – vivendi në çështjen e çmimit, me një të tretën a gjysmën e çmimit…”. Për formën e ndihmës apo kredisë, e cila ishte e ndaluar me ligjin themelor shqiptar – kushtetutën, duke iu drejtuar gjermanëve, E.Hoxha arsyeton: “E dini vetë ju si të bëni. Ne dhamë një mendim. Ju për veten tuaj bëni çfarë të doni, ne ja, asgjë nuk firmosim. Ju në arshivat tuaja shkruani si të doni, shkruani që i dhatë ndihmë Shqipërisë. Neve kjo s’na hyn në punë, sepse ndonjë firmë të ndonjë përfaqësuesi të shtetit shqiptar nuk ka që të vërtetojë se Shqipëria ka marrë ndihmë nga Gjermania. Pra, për vehten tuaj, ju thoni po të doni se i keni dhënë Shqipërisë një kredi prej kaq qindra milionë markash, në një datë të papërcaktuar, futeni një dokument të tillë në arshivat tuaja, por në arshivat ndërkombëtare nuk do të ketë një dokument të tillë. Shqipëria nuk mund ta nënshkruajë një dokument të kësaj natyre. Prandaj gjeni një mënyrë tjetër veprimi, në qoftë se dëshironi të lidhim marrëdhënie diplomatike”.

Në mënyrë konkludive ky monolog direktiv theksonte: “Pra, ne do të luftojmë politikisht me ta. Ekonomikisht mund të mos marrim gjë fare… Le të mendojnë ata, le të mendojë edhe NATO-ja për ato që do t’u themi. Le ta dinë të gjithë që me Bashkimin Sovjetik ne nuk bashkohemi kurrë, që Jugosllavia dhe Serbia nuk do të jenë në gjendje kurrë të dëmtojnë Shqipërinë…”.

“Me këtë platformë, konkludon E.Hoxha, ne riafirmojmë politikën tonë të drejtë e të pavarur dhe këtë e bëjmë me një vend të rëndësishëm të NATO-s, e cila duhet të dalë në një konkluzion për sa u përket dëmshpërblimeve të luftës”.

* * *

Takimi i Bonit i 27 prillit 1984 u shoqërua me dorëzimin nga secila palë të deklaratave zyrtare paraprake, para fillimit të bisedimeve. Deklarata gjermane, pasi përshëndeste zhvillimin e bisedimeve në kryeqytetin e Republikës Federale të Gjermanisë, në Bon, vlerësonte lart kontaktin e parë direkt midis dy qeverive, “si një formulim i përpjekjeve të të dyja palëve, për të arritur përparime në marrëdhëniet midis vendeve tona”.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Në priambolën politike të deklaratës jepen parimet themelore të politikës së jashtme gjermane, theksohet përgjegjësia e saj në dhënien e “kontributit për ruajtjen e forcimin e paqes në Evropë dhe në Botë”. “Ne e dimë se çfarë vlere ka paqja, vijon deklarata, nuk i kemi harruar tmerret e luftës, e cila u shkaktoi popujve të tjerë vuajtje të mëdha dhe që populli gjerman edhe sot ndien pasojat e saj. Sot në Republikën Federale drejtimin e ka marrë një gjeneratë e re. Ne kemi mësuar nga historia. Detyrimin, që nga toka gjermane, sot dhe në të ardhmen, të dalin impulse të paqes, të kuptimit dhe të stabilitetit, ne i shikojmë me seriozitet”.

Pasi vlerëson dëshirën e dialogut, i cili kontribuon në ruajtjen e paqes në kontinentin evropian, deklarata thekson: “Ne ndjekim me respekt përpjekjet konseguente të Shqipërisë për një politikë të jashtme të pavarur. Në vlerësimin e qëllimit për ruajtjen e pavarësisë, për mbrojtjen e interesave të popullit të vet dhe të interesave të popujve të tjerë, për mbrojtjen e paqes dhe për krijimin e sigurimit të vërtetë ndërkombëtar (siç i ka thënë edhe ambasadori juaj ambasadorit tonë në Vjenë), ne jemi me ju në unitet”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura