Enveri, Bërzhinski dhe Irani me Izraelin në dy kohë

Apr 15, 2024 | 8:51
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Shqipëria mbajti qëndrimin e pritshëm zyrtar pas sulmit masiv të Iranit ndaj Izraelit. Ministri i Jashtëm Hasani shkroi mesazhin se: “Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Irani ndërmori sulme për pesë orë pa ndërprerje me dronë të ndryshëm dhe “Fattah”, një raketë balistike hipersonike që teorikisht e kap Izraelin për vetëm shtatë minuta, së bashku me një variant të raketës lundruese të së njëjtës familje. Për fat, gati 99% e dronëve dhe raketave të tyre u interceptua ose u eliminua jashtë hapësirës ajrore izraelite, ose mbi Izrael, konfirmoi autoritetet hebreje. Me këtë sulm, Irani përshfaqi sulmet e tij më të mëdha ndonjëherë me dron dhe raketa që mbuluan disa nga distancat e tyre më të gjata në një operacion të vërtetë ushtarak.

Ndërkohë, situata në vend e përcolli aksionin me ngazëllimin patetik të militantëve dhe humbjen e besimit në tregjet ekonomike, por edhe zbythjen taktike të autoriteteve. Riali, monedha kombëtare e Iranit, ra në një nivel të ri më të ulët historik me dollarin amerikan, ashtu si edhe ari dhe indikacione të tjera ekonomike. Ndërkohë, bota ka përcjellë situatën me shqetësim, kurse shumë vende iu bashkuan apeleve për fundin e luftës, sipas politikave të tyre, ku Fuqitë e Mëdha janë kujdesur të përsërisin dhe angazhimet e tyre. SHBA-të, falë ndihmës dhe aleancës historike, kanë treguar se do t’i mbështesin dhe kanë qenë të kënaqur që sistemet e ndryshme mbrojtëse, asistuar prej tyre kanë funksionuar gati 100%, por edhe janë shprehur kundër një hakmarrje, duke ndikuar dhe mbi Tel Avivin zyrtar.

Ky ka qenë dhe lajmi më pozitive i orëve të fundit. Njësoj dhe Mbretëria e Bashkuar, kurse Rusia ka kërkuar mospërfshirjen e SHBA-ve duke theksuar se në rast të kundërt do angazhoheshin, kurse Kina ka zgjedhur diçka më diplomatike: “Përshkallëzimi i situatës tregon se konflikti i Gazës është zgjeruar. Tani detyra e parë është zbatimi i rezolutës Nr.2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të zbutur sa më parë konfliktin në Gazë. Kina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht vendeve me ndikim, të luajnë një rol konstruktiv për mbrojtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal”, – u shpreh zëdhënësi kinez.

Po pse vallë Shqipëria është e ndjeshme, ndaj gjërave që po ndodhin në këtë rajon?! Ka qenë gjithnjë e tillë, por përshtatur me regjimet që e kanë drejtuar, ka pasur qasje të ndryshme. Me Izraelin, Shqipëria ka pasur marrëdhënie të mira historike me realitetet e saj para Luftës së Dytë dhe ndërkohë, si edhe pas viteve ’90 dhe vendi ynë është sot pro shumë politikave të saj, ashtu si Tel Avivi nderon shqiptarët për kontributet e tyre gjatë pogronit ndaj tyre. Përveç kohës së Hoxhës, kur Izraeli etiketohej me të gjitha epitetet më të këqija, që dilnin nga pena e liderit komunist dhe ktheheshin lehtësisht në normë nga të gjitha strukturat, që lidheshin me politikat e jashtme. Në vitin 1970 (16 janar) diktatori Hoxha do të shkruante: “Izraeli, qëndron mbi vendet arabe si skifter: një i vrasin, 20 u vret, një avion i dëmtojnë, 15 avionë u djeg në aerodrome, një rojë kufitare i zënë rob, 22 robër u kap të nesërmen”.

Nga ana tjetër, Tirana zyrtare krijoi qasje të mirë me Iranin pas Revolucionit të vitit 1979 (vetë ishte ateiste), kur mori fund regjimi i Shahut dhe ndryshe nga aksioni, që përfaqësonte pesha fetare, ajo e mënjanonte. Në ditarin e udhëheqësit komunist gjenden të shkruar këto rreshta: “Por, unë mendoj se, pa ekskluduar influencën e sektit shiit dhe të besimit fetar, ky revolucion antiimperialist i popullit iranian kishte karakter klasor, ishte në themel një revolucion shoqëror dhe jo me karakter fetar. Prandaj nga ana jonë nuk mund të konsiderohet si një revolucion islamik. E quajnë revolucion islamik për shumë arsye, por kryesorja është që t’u fshehin masave të gjera të popullit një të vërtetë të madhe: se vetëm me revolucion klasor rrëzohen klasat shfrytëzuese të brendshme të lidhura ngushtë me imperialistët e huaj. Ja përse përpiqen t’i paraqesin këto lloj kryengritjesh, sikur gjoja udhëhiqen nga feja. Pra edhe një here shohim se feja përdoret kurdoherë si një element moderues dhe frenues për hapa revolucionarë, një element idealist.

Përveç kësaj, bota perëndimore, bota kapitaliste përpiqet t’i japë ngjyrën e një lufte joklasore, por fetare revolucionit të popullit iranian, për të krijuar idenë e rreme se ja, bota islame po ngrihet kundër botës kristiane”. Shqipëria kaloi krejt kundër Teheranit pak dekada më vonë në kohën e regjimit demokratik, pasi Irani ndërmori një sulm masiv kibernetik kundër Shqipërisë më 15 korrik të vitit 2022. Dozat e përplasjes u acaruan, kur me kërkesë të Uashingtonit, strehoi komunitetin armik të Iranit ‘Muxhahedinët e Popullit Khalq, MEK’, organizatë, e cila ka luftuar për të rrëzuar regjimin për dekada. Kur sulmet kibernetike (për fat u identifikuan nga inteligjenca amerikane) kaluan caqet, qeveria e Tiranës iu kundërpërgjigj duke i dëbuar diplomatët iranianë dhe pasoi dhe ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike. Teherani humbi me Tiranën një nga rezidencat e saj të pakta diplomatike në Evropë. Kurse Instituti iranian i Kulturës u përfshi në shumë aktivitete, kryesisht të karakterit studimor kulturor në vend dhe mbi të gjitha ishte nga të paktat syresh në Perëndim.

Përplasjet e sotme janë jashtë interesave të Tiranës zyrtare, por duket se e përfshijnë atë për vokacionin tonë mirëfilli properëndimor. Situatat duket se janë paraprirë me kohë nga vizionarët e politikës së jashtme amerikane dhe gjeostrategjistët më të njohur botërorë. Në një shpjegim më të thjeshtë, të gjitha reagimet duket se lidhen në një fakt, që këtë hapësirë e shihnin si vend, ku do përplaseshin interesat e mëdha të Fuqive. Sekretari i Shtetit James R. Schlesinger në shërbim të tre presidentëve (Nikson, Ford dhe Karter) në vitin 1992 u shpreh se:” Rendi botëror i së ardhmes…do të shquhet nga politika e fuqisë, nga rivalitetet kombëtare dhe nga tensionet etnike”…Kurse analisti i shquar Bërzhinski, pasi e tregonte se këto rrjedhime mund të ndodhnin, shtonte mundësinë deri në një farë pike të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë në shakullimën botërore gjeopolitike të dhunës…Madje, Bërzhinski parashikonte me shumë kujdes situatën pas rënies së perandorisë së Bashkimit Sovjetik dhe sesi do ishin reagimet e të ardhmes të Rusisë, Iranit dhe Kinës, ku kuptohet se tashmë hegjemenonia mbikalon mbi interesat e kombeve.

Në kohën tonë, përhapja e armëve të shkatërrimit masiv tani është bërë realitet. Në rrethanat e sotme, kur fuqisë globale të SHBA i mungon autoriteti i duhur, kurse autoritetit botëror të OKB-së i mungon fuqia e nevojshme, vetëm një aksion vonues është i mundshëm, argumentonte Bërzhinski, një realitet, që sot po e jetojmë gati fjalë për fjalë si parashikimi i tij. Analisti i shquar e lidhte një nga aspektet e aksionit vonues me marrëveshjen e përfunduar më Prill 1992 nga njëzetë e shtatë shtete për të kufizuar shitjen e makinerive me përdorin të dyanshëm dhe të materialeve të përshtatshme për prodhimin e armëve bërthamore. Ky është një realitet sot, që duhet t’i frikësohemi, kohë kur autoriteti i Agjencisë Atomike ka rënë, ndërsa bota po përballet me arrogancën e frikshme të Rusisë në Ukrainë dhe më gjerë dhe apatinë e strukturave të Kombeve të Bashkuara që janë gjithnjë e më shumë apatike.

Komunisti Hoxha, në megalomaninë e tij, as nuk ‘e llogariste’ Këshillin e Sigurisë por Bërzhinski e ka një shpresë nëse vendet që janë pjesëmarrëse aty marrin përsipër të veprojnë si një trup i vetëm, jo thjesht kundër përdoruesve por edhe kundër problemeve të tjera. Një gjë, që sot me Luftën e Ukrainës duket e pamundur dhe pothuaj idilike në këtë kohë cinizmi.

Në kohën kur Bërzhinski shkruante “Jashtë kontrollit”, Huntington ende nuk e kishte nxjerrë librin e tij të famshëm “Përplasja e qytetërimeve”. Koha po tregon se në një gjë bashkohen sot të gjithë ata që janë marrë me rajonin, por qoftë dhe personazhet tona të lartpërmendura: se ky rajon nuk do jetë kur i qetë pa Shtetin e Palestinës dhe mbi të gjitha me mundësinë, që t’i mbajë larg aktorët potencialë në Lindjen e Mesme (tashmë tre fuqi të mëdha në rajon). Kurse për Shqipërinë koha do të tregojë qëndrimet e saj, që për fat janë pro Perëndimit, por edhe mësimet që duhet të nxjerrë nga historia, që në dekadat e fundit e ka mikluar jo pak herë.

(Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura