Enver Hoxha, interes për ekzekutimin e kolonjarëve dhe fjalët e tyre të fundit

May 23, 2011 | 9:43
SHPËRNDAJE

Sot duket e çuditshme se si kreu më i lartë i një shteti të interesohet personalisht për dënimin e ca të akuzuarve në një krahinë të Shqipërisë.Bëhej fjalë për Kolonjën, ku, me vendosjen e diktaturës komuniste, u dënuan dhjetëra nacionalistë me pushkatim apo burgosje. Dhe ishte vetë Enver Hoxha, që jo vetëm firmoste, por ishte i interesuar që ekzekutimi të shkonte deri në fund. Madje ishte i interesuar edhe për fjalët e fundit që do të thoshin para togës së pushkatimit. Të gjitha këto fakte rrëqethëse vijnë përmes librit “Qëndresë dhe krenari” të autorëve petrit Zeneli dhe Teki Iljazi,

Faksimile e Radiogramës dërguar Këshillit Gjyqësor Ushtarak të Kolonjës nga Enver Hoxha

promovuar dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar me rastin e 65-vjetorit të dënimit të dhjetëra kolonjarëve të pafajshëm në gjyqet e viteve ’45-’46. Në ceremoni merrnin pjesë familjarë e dëshmitarë të kohës. “Qëndresë dhe krenari” është një libër i pasur me materiale arkivore të nxjerra nga arkiva e Ministrisë së Brendshme, apo nga Arkivi Qendror i Shtetit. Por nuk bëhet fjalë vetëm për dokumente të ftohta. Autorët janë kujdesur të japin anën më njerëzore dhe të dhimbshme të këtyre ngjarjeve. Janë vetë të mbijetuarit e burgjeve komuniste, apo familjarët e tyre, që tregojnë pjesë nga tragjedia e madhe, që i gjithë populli shqiptar përjetoi për një periudhë 45-vjeçare. “Libri ka për objekt studimi kryesisht, periudhën pas ardhjes sëkomunizmit në fuqi (vitet’45-90), flet për dhunën dhe ashpërsinë me të cilën diktatura komuniste e sapoinstaluar goditi në Kolonjë kundërshtarët e vet politikë. Libri evidenton nëpërkëmbjen e familjeve nacionaliste kolonjare, të cilat patën kontribuar aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, por që u anatemuan vetëm pse morën pjesë me Ballin Kombëtar gjatë luftës, i cili kishte si program idealet e rilindasve tanë. Materiali i parashtruar në këtë botim i ngjan më tepër një drame tronditëse njerëzore, e cila përjetohet me dhimbje nga cilido që e lexon me vëmendje. Çka thuhet aty është me vlerë për të gjithë, por më shumë do të ngjallë interes te ajo kategori njerëzish, të cilët, edhe pa qenë të kompromentuar nga komunizmi, nuk e pësuan aq keq prej tij e, për pasojë, nuk e dinë se çfarë ndodhi në Shqipëri për 50 vjet komunizëm. Studiues të historisë gjithashtu do të gjejnë fakte e dokumente që nuk janë përmendur deri më sot, siç është rasti i gjyqeve të viteve 1945-1946 në Kolonjë etj.”, thotë historiani Petrit Zeneli. Ai shton se për etikë nuk janë përmendur emra të përveçëm dëshmitarësh, apo ekzekutorësh, ndonëse ata janë të pranishëm në faksimilet e dokumenteve arkivore që shoqërojnë librin.
Burgosjet dhe gjyqet politike në Kolonjë ’45-‘46
Sipas autorëve të librit, për shkak të së kaluarës patriotike, Kolonja e përjetoi ndoshta më rëndë se kushdo tjetër persekutimin komunist. Gjyqe të sajuara të pas luftës, burgime dhe internime të shumta. “Regjimi i Hoxhës i trembej Kolonjës dhe kolonjarëve trima e rebelë. Bilanci i përgjakshëm i dhjetëra kolonjarëve të pushkatuar me gjyq e pa gjyq, i njëqind e ca të burgosurve politikë dhe 66 familjeve të internuara në atë trevë, e provon më së miri këtë fakt”. Për të vërtetuar këtë, autorët e librit vënë në dispozicion një numër të madh dokumentesh arkivore. Një ndër to është “Akt-gjykimi i Këshillit Gjyqësor Ushtarak, Kolonjë (vend Nr. 3) 18 korrik 1945. A.M.P.B”. Në këtë dokument, i cili mban mbi krye parullën “Vdekje Fashizmit-Liri e Popullit”, dëshmohet akt-gjykimi i 14 kolonjarëve. Mosha e tyre është nga 16 në 60 vjeç. Shumë janë bujq, por ka mes tyre edhe ndonjë pronar, apo student. Sipas këtij dokumenti, ata akuzoheshin “si kriminelë lufte dhe armiq të popullit, sipas neneve 14 dhe 15 të Ligjit mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake, sepse gjatë okupacionit armik italo-gjerman dhe zhvillimit e vazhdimit të Luftës Nacional-Çlirimtare, kanë qëndruar deri në fund me Ballin Kombëtar…
Trupi gjykues i Këshillit Gjyqësor Ushtarak i Kolonjës, me kryetar Idriz Seiti: “Tue marrë parasysh se nga procesverbalet e Komisionit hetues, nga deklaratat dhe denoncimet e paraqitura nga persona të ndryshëm, nga dokumentet, shkresat dhe letrat që u lidhën dosjeve relative, nga pohimet e të pandehurve, për pjesëmarrjen e tyre në organizatën tradhtare të “Ballit Kombëtar”, nga pohimet indirekte ose të tërthorta të të pandehurve, si dhe nga dëshmia e kjartë e dëshmitarëve të akuzës, të ndëgjuar me betim para gjyqit dhe përgjithësisht nga gjithë rrjedhimi i gjykimit, u provua plotësisht dhe në mënyrë bindëse, se janë fajtorë… për këto arsye, trupi Gjykues me vota të përbashkëta tue pranue mendimin e Prokurorit të Popullit… dënon: Xhafer Ibrahim Butkën, Muharem Isuf Selenicën, Ali Ramazan Blushin, Dajlan Iljaz Radovickën, Lije Riza Gostivishtin, Sefer Tajar Gostivishtin, Xhelal Qenam Vishanjin, Estref Taullah Shkurtin, Mehdi Alush Bejkovën- ‘me vdekje’; Ali Zylfo Agalliu ‘101 vjet burgim’, Skënder Ali Blushin me ‘15 vjet burgim’, Zalo Ali Fama, Ramo Nasip Bome, Hysen Fehim Novosela, ndëshkohen secili me nga ‘5 vjet burgim’…”
E njëjta procedurë ndiqet edhe në 22 shtator të vitit 1945. Me të njëjtën akuzë janë 8 kolonjarë të tjerë ( Fejzulla Haki Doko, Medi Bektash Mbreshtani, Zehni Selfo Jakupi, Avdyl Hysen Myrtesa, Faik Vesel Bako, Seit Islam Dosti, Zalo Rustem Dalipi, Syrja Zalo Dalipi), që dënohen me vdekje dhe dy të tjerë me dënim të përjetshëm (Jakup Vesel Bako dhe Qemal Bektash Hyseni). Është interesant fakti që Komandanti i Përgjithshëm i UKSH, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, në një radiogram të datës 21.9.1945 aprovon ndëshkimin me vdekje të personave të mësipërm dhe njëkohësisht kërkon të njoftohet për datën e ekzekutimit dhe fjalën e tyre të fundit. Autorët e librit ofrojnë edhe faksimilet përkatëse, ku shquhet qartë firma e Enver Hoxhës. Po sipas dokumenteve të ofruara, mësohet se të dënuarit me vdekje “u ekzekutuan në mbrëmjen e darës 2 tetor 1945, prej forcave të Kompanisë III të Mb. Popullit të N/Prefekturës së Kolonjës” dhe më poshtë vijon me fjalët e fundit të secilit prej tyre. Dikush deklarohej i pafajshëm, një tjetër se e kish përzier dikush tjetër apo i ati, dikush linte amanet fëmijët, kishte ndonjë që të fundit fjalë thoshte “Rroftë Shqipëri e flamuri”, apo “S’më vjen keq që vritem për ide” (Zalo Rustemi). E ky radiogram i shkonte direkt shokut Enver.
“Komiteti Shqiptar Kolonja”, një sajesë e Sigurimit të Shtetit
“Bazuar në të dhënat kontradiktore të dokumenteve të kohës si dhe dëshmive të lëna nga disa ish-të përndjekur politikë kolonjarë, të mbijetuar deri vonë, del qartë se nuk ka ekzistuar fare një “Komitet Shqiptar Kolonja” për të përmbysur demek pushtetin e atëhershëm me dhunë. Akuzat e ngritura nga regjimi komunist u bënë për të përligjur goditjet e planifikuara qysh më parë ndaj tyre. Po ashtu, në aktet dhe vendimet e gjyqeve të asaj kohe, vihen re se përdoren tre terma në të njëjtën kohë, herë “Komiteti Shqiptar Kolonja”, herë “Komiteti Krahinor Kolonja” dhe herë “Bashkimi Shqiptar”. Kjo tregon qartë sa false ka qenë akuza. Megjithatë, edhe në to kishte një të vërtetë: Kolonjarët e dënuar nga këto gjyqe nuk ishin dakord me regjimin komunist. Ata brenda rrethit të tyre, ku hapur, ku fshehur, në kafene a në shtëpi, e patën shprehur merakun se si do t’i vinte filli Shqipërisë. Shqetësimin që ata patën shprehur gjatë luftës se mos vinte komunizmi në Shqipëri, e shprehnin edhe mbasi komunizmi erdhi…”, thonë autorët e librit.

Dëshmia e Ahmet Kasës, ish-punonjës operativ

… Deri në vitet ’51, për të burgosurit politikë përdorej gjerësisht tortura madje edhe eliminimi fizik. Çdo gjë kryhej përmes kombinacioneve operative, si shpifja, falsifikimi, dëshmia e rreme, inskenimi i provave, presionet, materialet shtrënguese etj. Këto ishin metodat bazë të punës. Nëpërmjet tyre krijoheshin dosjet agjenturore që mbartnin të dhënat e sajuara, dosje që më vonë u klasifikuan si dosje përpunimi dhe që vonë i emërtuan dosje gjurmimi. Kushtet lehtësuese për realizimin e të gjithë këtyre i krijonte vetë sistemi. Sigurimi i Shtetit vepronte jashtë kontrollit gjyqësor, jashtë kontrollit të Prokurorisë. Normat procedurale nuk njiheshin fare. Ata të survejonin me rrjetin e tyre informativ, të përgjonin bisedat, bënin kontrolle banesash e ambientesh, të mbanin në vende të caktuara, merrnin dëshmi të rreme e të arrestonin. Për shkak se sistemi ishte i tipit inkuizitor, provat i krijonin nëpër zyra dhe në gjyq nuk bëhej më fjalë për vërtetim provash. Aty njeriu formalisht deklarohej fajtor dhe, kuptohet, dënimet ishin kapitale. Një nga të këqijat e shumta ishte edhe mungesa e dokumentacionit. Arkivat qenë tepër sekret dhe mbi to veprohej sipas udhëzimeve. Ndodhte që dosjet zhdukeshin dhe askush nuk dinte gjë, sikundër ndodhte e kundërta, plotësoheshin ato e shtoheshin. Procedurat për gjurmimin e dikujt fillonin me grumbullimin e informacioneve pak e nga pak, ku në fashikuj futeshin informatat nga shumë burime: Policia, Sigurimi, gjykatat, Prokuroria, organe të kontroll-revizionit, qytetarë të ndryshëm, letra ankesa etj. Pastaj fillonte përpunimi paraprak. Detyrat për realizimin e përpunimit ndiqeshin nga vetë punonjësit operativë nën kontrollin e shefave të tyre. Format e kontrollit operativ ishin të shumta, siç qenë ato me agjenturë paralele, ku shfrytëzohej edhe denoncuesi edhe informatori; përdoreshin edhe ato pak mjete të teknikës së përgjimit, të cilat sot konsiderohen shumë primitive. Për shkak të politikave klasore që vinin nga lart, u arrit deri aty sa u vunë objektiva të detyrueshme. Kriteri i vlerësimit të një punonjësi operativ ishte midis të tjerash edhe fakti se sa njerëz kishte futur në burg. Nga kjo pikëpamje, goditja doli jashtë kontrollit dhe në gjithë këtë veprimtari nuk bëhej fjalë për njohje apo respektim të të drejtave të njeriut. Informatori i sigurimit ishte, në kuptimin e plotë të fjalës, provokator, pasi ai kështu edukohej edhe nga shefat e vet. Ai të provokonte për të folur diçka, për të shprehur pakënaqësi e urrejtje dhe pastaj raportonte që “kështu tha filani”! në të shumtën e rasteve, të dhënat shfrytëzoheshin për qëllime shtrëngimi: ose të bëheshe informator, ose të dilje në gjyq kundra tjetrit. Kjo ishte dhe baza e të provuarit nëpër gjyqe.
Muharrem Boshanji ka qenë element antiparti, ka qenë kundra pushtetit e kjo ishte e mjaftueshme për ta arrestuar. Madje dhe fshatrat qenë të piketuara p.sh: Boshanji, Psarri i Zi, lagjja e “Malit” në Luaras, Kurtesi etj., ishin vendosur atëherë në hartë si strehues të diversantëve. Në vitet ’77-’78 u hodhën fletushka kundra regjimit. Ato të linin përshtypjen se qenë hedhur nga bandat në kalim, por prapë u arrestuan njerëz, të cilët ndonëse nuk iu vërtetua fajësia, u dënuan.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura