“Eksplozivët ‘Made in Albania’ dërgoheshin në SHBA”- Rrëfimi i inxhinierit: Kërkesa nga tregjet e Perëndimit ishin për tritol dhe ekzogjen! Konfliktet e Sigurimsave me inxhinierët e “Bofors”

Sep 5, 2023 | 15:01
SHPËRNDAJE

NGA AFRIM IMAJ

Kur ende nuk ishte shuar jehona e zërave për mundësinë e prodhimit të lëndëve bërthamore në vendin tonë, një lajm tjetër do të zgjonte interesin e bosëve të biznesit: Shqipëria eksporton eksplozivë të cilësive të larta.

dossier uzina e armeve granit leka 1

Mjeksi këtë radhë do të kapërcente dyshimin e shërbimeve të fshehta dhe do të regjistrohej ndër të parët në listën e prodhuesve të lëndëve plasëse me destinacion ekonominë dhe arsenalet luftarake. Sipas statistikave të kohës prodhimet e kombinatit të Mjeksit u eksportuan në dhjetëra vende duke filluar nga ato të rajonit e deri në SHBA.

Teknologjia e eksploziveve e ndërtuar në Shqipëri nga specialistët e Nobelit të Suedisë, do ta përligjte investimin e rëndësishëm me prodhimet e standardeve bashkëkohore. Në vijim të intervistës për gazetën “Panorama”, ish-kryeinxhinieri i kombinatit, Granit Leka, pohon se ajo në një kohë të shkurtër do të përballonte nevojat e vendit për eksplozivet e nevojshme, madje do të eksportonte me shumicë edhe në mjaft vende që e preferonin cilësinë e produkteve të Mjeksit…

Zoti Granit. Thatë se zbulimet e huaja artikuluan informacione alarmuese kur nisi të ndërtohej Kombinati i Mjeksit. Në një farë mënyre kjo përligjet për nga vetë teknologjia e cilësisë së lartë të eksploziveve që ofronte kompania suedeze e njohur në gjithë botën…

Padyshim që ndërtimi në kushte të fshehta i një kompleksi për eksplozive të cilësive të larta në një vend të izoluar si Shqipëria e asaj periudhe, përbënte një lajm që duhej vlerësuar seriozisht. Ishte vetë shkalla e rrezikut që ofrojnë teknologji të tilla, ajo që vinte në lëvizje instrumentet e zbulimit të vendeve fqinje.

Vërtet që gjithçka e bënim në kushte të fshehta e brenda një territori të thurur e të ruajtur me ushtar, po ndërkaq harronim që impiantet e importuara vinin nga qindra kilometra rrugë e nga dhjetëra e dhjetëra kontrolle në porte të ndryshme. Pastaj fakti që protagonistë të ngritjes së këtij kompleksi ishin specialistët e huaj, të një kompanie të njohur e me emër në botë, e bënte më të ekspozuar para të huajve atë që ndërtonim në Mjeks. Gjithsesi, kjo për ne, ca më tepër për inxhinierët e “Bofors-it”, nuk kishte shumë rëndësi…

A paraqiste vështirësi për specialistët suedezë fakti që ata po instalonin në vendin tonë një teknologjie me destinim luftarak?

Kompania “Bofors” që është pjesë e Nobelit të famshëm, në tërë historikun e saj është shquar për prodhimin e produkteve të ndryshme me profil eksploziv, të destinuara për ekonominë në tërësi. Në të gjitha rastet, misioni i saj mbetet përdorimi i tyre në shërbim të qytetarëve. Në lajtmotivin e vet, kjo “perandori” teknologjike ka qëdrimin e prërë kundër përdorimit të produkteve të saj në dëm të njerëzve.

Në këtë kuptim, kontributi i specialistëve të Nobelit, gjatë instalimit të kësaj teknologjie në vendin tonë, mbetej pjesë e kësaj filozofie që “Bofors” e kishte institucionalizuar në biografinë e vet. Ata, në fund të fundit, i përgjigjeshin një marrëveshje me shtetin tonë, konform standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga të dyja palët. Për ta, Kombinati i Mjeksit ishte një vepër legale dhe nuk përbënte asnjë shqetësim që ndërtohej në infrastrukturën e një garnizoni ushtarak. Të tilla ata kishin ndërtuar disa në mbarë globin.

A kishte vështirësi komunikimi me ta?

Specialistët suedezë vinin nga një vend perëndimor, i hapur për botën. Ata nuk vuanin komplekse, siç kishte ndodhur rëndom me specialistët e mëparshëm rusë e kinezë, me të cilët kishim operuar për vepra të tjera me karakter ushtarak. Çudia më e madhe për ta ishte ndrydhja jonë në bisedat e lira.

Një lloj stepje në formën e tërheqjes që ne bënim gjatë komunikimit me ta kur binte fjala për faktorët politikë, për fenë, për të drejtat e njeriut, për izolimin etj., për inxhinierët suedezë ishte diçka e pakuptimtë. Sidoqoftë, puna e përbashkët në montimin e impianteve dhe linjave të prodhimit, na bënte miq e shokë të afërt me ta.

A u kujtohen inxhinierët e Nobelit që punuan në Mjekës?

Ata ishin një staf i mrekullueshëm. Specialistë të niveleve të larta dhe mjeshtra të profesioneve të ngushta për të cilat ishin aftësuar. Më kujtohet sidomos shefi i tyre, inxhinieri Bertil Karlsson, i kudondodhur, i papërtuar, i komunikueshëm dhe shumë xhentil. Po kështu mund të thosha për Bengt Nilsson, një inxhinier kimist ky, që çuditërisht mësoi shqip qysh muajt e parë dhe çdo komunikim me ne e bënte në gjuhën tonë. Një mjeshtër i përsosur i punës në laborator dhe në impiantet e ndryshme, ishte inxhinieri kimist Ulf Aneheim. Të njëjtat fjalë mund të thosha edhe për Karl Arkeliusin e të tjerë…

Gjithsesi, sigurimi i shtetit, siç del nga disa dokumente që ka zbuluar së fundi gazeta, i ka anatemuar si agjent të zbulimeve të huaja që deshën të përmbysnin pushtetin popullor…

Ky është një kapitull marrëzie i njerëzve të sigurimit të shtetit, të cilët, siç del tani, paskan kërkuar te këta mjeshtra agjentët që do të përmbysnin pushtetin e partisë së punës. Ata vinin nga Suedia, një vend me standarde shumë të larta. Nga një vend që nuk e njihte komunizmin dhe padyshim nuk kishte si mos t’u bënte përshtypje mënyra si funksiononin gjërat te ne në atë kohë. E vërteta është se ata për këtë shpreheshin pa kurrfarë kompleksi. Kjo shpeshherë do të bëhej edhe shkaku i incidenteve të ndryshme dhe ngjarjeve të padëshiruara që do t’i revoltonte specialistët suedezë.

A mbani mend ndonjë rast të tillë?

Më kujtohet si tani rasti i ndalimit arbitrar në degën e punëve të brendshme të Elbasanit të inxhinierit që udhëhoqi montimin e impiantit të Nikoglicerinës. Një pasdite kur po relaksohej në zonën e ullishteve të qytetit me një aparat fotografik në dorë, do të binte pre e operativit të zonës, i cili në mënyrë brutale do ta thërriste në raport në zyrën e tij, duke e akuzuar se po fotografonte bunkerët për tua shitur imperialistëve. Një polic i rëndomtë do të shpallte kështu të padëshirueshëm një nga inxhinierët më të famshëm të botës. Kjo do ta xhindoste pamasë “mysafirin” dhe do të kërkonte që atë mbrëmje për t’u larguar urgjent nga ky ferr siç u shpreh ai pasi doli nga zyra e parandalimit të komisariatit të Elbasanit.

Le të kthehemi te prodhimet e Mjeksit. Çfarë problemesh zgjidhnin ato për mbrojtjen dhe ekonominë e vendit?

Të marrim fillimisht problemet që zgjidhte Mjeksi për ekonominë. Eksplozivi për të ka qenë dhe është një mjet i nevojshëm, sidomos për minierat, guroret, rrugët, tunelet, fortifikimet etj. Në atë periudhë nevojat e ekonomisë kërkonin rreth 800 tonë eksploziv në vit. Sigurimi i tyre në vend bëhej i domosdoshëm jo vetëm se importi ishte i vështirë e me kosto shumë të lartë, por edhe për faktin se ekzistonin në Shqipëri lëndët e para te nevojshme. Shkurt, prodhimi i eksplozivit të tipave të ndryshme për ekonominë, ka qenë shumë rentabël.

Eksplozivi dhe barutet për qëllime mbrojtjeje d.m.th për prodhim municionesh, bëhej edhe më i domosdoshëm në kushtet e një vendi të izoluar dhe pa asnjë aleat, siç ishte në atë periudhë Shqipëria. Shto këtu edhe anën psikologjike të popullit tonë për ëndrrën historike për barutet dhe armët. Asokohe, ndjeheshim krenarë që merreshim me këtë punë dhe e vlerësonim seriozisht atë. Në Shqipëri në ato vite prodhohej municion i kalibrave e tipave të ndryshme, për të cilat nevojitej eksplozivi e baruti.

Kombinati i Mjeksit u bë një nga më modernët jo vetëm në rajon, por edhe në Europë. Për vite me radhë ai iu përgjigj kërkesave të ekonomisë dhe atyre të mbrojtjes me prodhime të standardeve shumë të larta. Madje, një sasi të madhe eksplozivash edhe e eksportonim.

Cilat ishin tregjet ku eksportoheshin prodhimet e Mjeksit dhe si realizohej ky proces në atë kohë kur vendi ynë përjetonte një bllokadë të jashtëzakonshme nga Lindja dhe Perëndimi?

Ne që punonim aty, e dinim se një pjesë e mirë e produkteve të kombinatit eksportohej jashtë shtetit, por se në cilat destinacione askush nuk na sqaroi ndonjëherë. Mbaj mend se për këtë shteti i asaj periudhe kishte një ndërmarrje të specializuar që quhej “Makina-Import” dhe nën siglën e saj mallrat shqiptare lëviznin në tregje legale, por edhe ato informate. Me sa më kujtohet, prodhimet e kombinatit të Mjeksit eksportoheshin nëpërmjet kësaj ndërmarrje, e cila i merrte ato në distributorët përkatës dhe nëpërmjet linjave të saj e adresonte për te porositësi.

Cilat shtete i kërkonin më shumë prodhimet e Mjeksit dhe përse i përdornin ato?

Gjeografia e eksportit me prodhimet e Mjeksit përfshinte shumë shtete të Europës, por edhe më tej. Eksplozivet “Made In Albania”, ishin nga më të kërkuarat nga tregje të ndryshme në SHBA. Kryesisht kërkesa e tyre ishte për tritol dhe ekzogjen, dy eksplozive të cilësive shumë të larta këto që përdoreshin për municionin e predhave dhe raketave. Nga sa mësonim atëherë eksportimi i tyre bëhej nëpërmjet një kompanie holandeze. Po kështu, Spanja ka qenë shumë e interesuar për prodhimet e kombinatit tonë dhe vazhdimisht merrte ngarkesa të ndryshme.

Zoti Granit. Gazeta ka mundur të zbulojë disa dokumente të sigurimit të shtetit që i anatemojnë specialistët suedezë si agjentë të perëndimit…

Nuk e di për çfarë dokumentesh e keni fjalën, por desha të them se specialistët suedezë punonin bashkë me ne pa kurrfarë kompleksi. Kuptohet ata nuk i përkisnin një shoqërie komuniste siç ishte jona në atë periudhë, prandaj flisnin pa ndroje, për çka konstatonin dhe këto në shumë raste bëheshin objekt i njerëzve hije të sigurimit të shtetit, të cilët as që mund ta mendonin se çfarë ishte teknologjia që montonim. Për ta kishte rëndësi kush shante sistemin, kush hynte klasikët e marksizmit, kush dëgjonte muzikë të huaj etj. Ata vinin nga perëndimi, si mund t’i quaje agjentë të perëndimit…

Gjithsesi, sipas dokumenteve del se gjithçka gjatë ndërtimit të kompleksit është bërë nën një monitorim të rreptë të sigurimit të shtetit…

Ky kompleks industrial ka qenë një nga më të mëdhenjtë që grupi Suedes Bofors ka realizuar jashtë shtetit. Ai u përdor me kapacitete të plota nga viti 1983 deri 1988. Shumëkush në rrjetin e prodhuesve te eksplozivit në Europë priste aksidente fatale në uzinën e shqiptarëve, ashtu siç kishte ndodhur edhe në vende të tjera. Theksoj se aksidente të frikshme në atë kohë i kanë ndodhur edhe grupit Bofors, si p.sh eksplozioni në impiantin e prodhimit të Nitroglicerines etj. Ne Shqipëri nuk ndodhi. Ishte krejt normale që shteti ynë të organizonte rrjetin e sigurimit për një investim të tillë të rëndësishëm, të rrezikshëm dhe të shtrenjtë, ashtu si kudo. Por mbarëvajtja e punëve nuk ishte meritë vetëm e partisë, drejtuesve apo e Sigurimit të Shtetit.

Ajo ishte meritë edhe e atyre “superagjenteve” suedeze, të cilët përveç teknologjisë së shkruar (te kontraktuar) lanë edhe eksperiencat e tyre personale shumë të shtrenjta tek inxhinierët shqiptarë, sidomos tek ata të “infektuarit” me psikologji perëndimore. Këto njohuri bënë të mundur mbijetesën e mëvonshme në kushtet e menaxhimit indipendent ose më mirë të themi të izoluar.

Këtë e dinë më mirë ata që punonin e rrezikonit direkt. Unë personalisht e justifikoj kujdesin e veçantë të shtetit për këtë objekt. Them kështu duke pasur parasysh pasojat që mund të sillte një punë e papërgjegjshme në prodhimin, transportin dhe magazinimin e sasirave të mëdha të eksplozivave të fuqishëm. Në këtë kuptim angazhimi i strukturave të shtetit për ta patur në qendër të vëmendjes dinamikën për ngritjen dhe shfrytëzimin e këtij kompleksi ishte i përligjur. Por e keqja ndodhte gjetkë…

Për cilën të keqe e keni fjalën?

Kam mendimin se stafi i administrimit dhe sigurimit ka qenë fillimisht i papërgatitur për t’u përballur me teknologji dhe personalitete të tillë, dhe shpesh duke mos pasur as idenë e lirisë së individit, dyshimi ka qenë i pabazë, madje shpesh shumë i dëmshëm. Në objektin e stafit të Sigurimit u shenjëzuan marrëdhëniet e specialistëve perëndimor, qëndrimet e tyre, sjelljet private e deri te lidhjet intime të tyre, për të cilat me sa dukej operativët e caktuar ja kishin marrë dorën dhe ishin bërë mjeshtra.

Ishte koha kur edhe organizatat e partisë së punës ishin të një niveli të ulët intelektual. Në këtë kohë inxhinierët e institutit Nobel nga Suedia ishin në një farë mënyre iluministe si për anën teknike ashtu edhe për sjelljet sociale. Unë mendoj se inxhinierët suedeze kanë qenë të kontraktuar e te kontrolluar nga kompania Bofors për të vënë në punë e për të dorëzuar impiantet teknologjike dhe shpesh kane qenë ata që kanë diktuar ritmin e shpejtë të punimeve.

Ata nuk mund të dënoheshin se kishin kulturë tjetër sociale dhe politike dhe sepse dëshironin të shprehnin mendimin e tyre. E vërteta është se ata e kanë vlerësuar njeriun shqiptar dhe janë suprizuar me aftësinë thithëse të stafit tonë inxhiniero – teknik. Ata punonin pjesën më të madhe të kohës jashtë shtetit dhe kishin nevojë për marrëdhënie shoqërore kudo shkonin e pse jo edhe me shqiptarët, të cilëve i vlerësonin në shumë aspekte. Keqkuptimet ndodhnin shpesh për shkak të punëve, përgjegjësive dhe rreziqeve të mëdha në një marrëdhënie partnerësh me ndryshime të mëdha kulturore që buronin nga ndryshimi rrënjësor i sistemeve politike dhe i historisë së zhvillimit midis Shqipërisë e Suedisë.

Cili është vlerësimi juaj për specialistët suedezë që akuzohen në raportin e Ministrisë së Brendshme?

Pa u ndikuar nga letrat që dalin së fundi, unë kam pasur mendimin se Bertil Karksson ishte një personalitet kompleks. Ai kishte punuar e jetuar në shumë vende të botës me sisteme të ndryshme politike. Ishte i aftë profesionalisht, shumë aktiv për moshën që kishte dhe jo i kursyer në informacione. Njëkohësisht ai ishte kritik me sistemin tonë politik dhe jo indiferent.

Ai fliste hapur dhe shkoqur si për problemet e punës ashtu edhe për çështje sociale dhe politike si këto që përmenden në raport. Mua këto nuk më duken zbulime. Puna ishte mbahej apo nuk mbahej kompleksi në punë sipas standardeve dhe kapaciteteve të kontraktuara, punonin apo jo sistemet automatike të kontrollit të parametrave për evitimin e aksidenteve të mundshme. Ne kemi mësuar prej tij dhe inxhiniereve të tjerë të përmendur. Për ta akuzuar atë për mungesë eficience për problemet e punës duhej bërë mirë bilanci kush kishte më shumë përgjegjësi për probleme që haseshin, ne apo ata. Zotërinjtë e tjerë të përmendur kishin më pak eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare e veçanërisht me shtete si ne e vetëm se flisnin më pak se ky i pari. Në problemet e punës ata ishin unik dhe të mirëkordinuar me njeritjetrin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura