Eksperti i Ekonomisë: “Pako e Madhe” e qeverisë, një lëmoshë. Të ardhurat për frymë 5 mijë dollarë, më të ulëtat në rajon

Jan 24, 2023 | 8:08
SHPËRNDAJE

Eksperti i Ekonomisë, Enriko Ceko, e ka cilësuar lëmoshë të qeverisë për kategoritë në nevojë ‘Pakon e Madhe’ të ndihmës.

enrikoceko

Në një intervistë për ‘Panorama TV’, ai u shpreh se kjo ndihmë ishte e pamjaftueshme për të mbuluar rritjen e kostove të jetesës për qytetarët. Sipas tij, ‘Pakoja e Madhe’ nuk mbulonte shtresat më në nevojë të shoqërisë. Ceko tha se mënyra më e mirë që qeveria të ndihmonte qytetarët, është t’u japë mundësinë atyre të ingranohen në jetën ekonomike për të investuar.

“Pjesa e paketës së fundit, që ishte për të kaluar festën e vitit të ri, por edhe ndihmë për familjet, u fokusua te pensionistët, tek ato që janë shtresa që nuk e kanë marrë veten. Por u fokusua edhe tek punonjësit e administratës. Edhe pse e kanë pagesën mesatarisht 450 euro, ata u përfshinë në paketa. Ne kemi shumë persona që janë të papunë, por vetëm një pjesë e vogël marrin pagesë papunësie”, tha Ceko.

BORXHI

Eksperti i Ekonomisë, Enriko Ceko, tha se Shqipëria nuk ka përmbushur dy standardet kyçe të Bashkimit Europian nga ana ekonomike, që sipas tij janë që borxhi publik të mos jetë më shumë se 60 % dhe deficiti buxhetor të mos jetë më shumë se 3 %. “Borxhi është 10 miliardë dollarë. 40 % është borxhi i jashtëm, por është edhe borxhi i brendshëm me bonot e thesarit.

Bankat i japin qeverisë bono thesari dhe kanë vështirësuar kredidhënien për shqiptarët. Kërkohet një mënyrë tjetër e bërjes së gjërave. Unë do të thosha që vetëm nga akciza e karburantit qeveria merr deri në 18 milionë euro. Që kur ka nisur lufta, është kjo shuma prej 500 milionë euro, pra rreth 55-56 milionë euro në muaj. Pra, lind pyetja se cili është roli i bordit të transparencës te ky 56 milionë euro. Ne mund të flasim për buxhetin e shtetit të Shqipërisë që është rreth 5 miliardë euro. Përveçse kemi një borxh të madh publik dhe një deficit buxhetor, që me rregullat e BE-së borxhi publik nuk duhet të jetë më shumë se 60 % dhe deficiti buxhetor duhet të jetë më i ulët se 3 %. Ai të ka vënë kusht me traktatin e Mastrihtit, që ti nuk hyn dot në Europë pa këto dy kushte.

Shqipëria duhet të menaxhonte vendin me 90 mijë punonjës të administratës publike kur ishim 3.4 milionë banorë. Tani me 2.8 milionë banorë, numërohen 130 mijë punonjës në administratën publike dhe të tjerë që marrin rrogën kot. Nga ana tjetër, reforma e premtuar në 2015 për sigurimet shoqërore nuk u realizua dhe ne paguajmë shuma të mëdha nga buxheti i shtetit për pensionet. Ku janë skemat private të sigurimeve shoqërore, pse pengohen? Janë dhënë disa licenca, por nuk i është mundësuar rritja e aktivitetit. Ikin 2 miliardë e gjysmë euro nga buxheti i shtetit. Pjesa tjetër janë koncesione.

Marrim koncesionin e fundit që kemi një kompani që kishte marrë përsipër që të realizonte dokumentet e identifikimit të shqiptarëve. Kompania punoi, realizoi diçka dhe tani po largohet me fitime shumë të mëdha. Nuk mund të largohet një kompani për 10 vite me një fitim prej gjysmë miliard eurosh. Duhet llogaritur gjithçka. PBB i Shqipërisë aty ka ngelur. 13-14 miliard euro. Marrim Bosnjë-Hercegovinën që është e ndarë dhe ka konflikte. Pse Bosnja e ka buxhetin vjetor 9 miliardë euro dhe PBB e ka dyfish me Shqipërinë. 3 milionë banorë janë edhe ata. Si numër biznesesh ata janë më pak se ne. Kjo tregon se një pjesë e mirë e ekonomisë shqiptare është ilegale.

Rumania dhe Bullgaria në ‘90-tën si Shqipëria ishin. Në vitet e para të demokracisë, diferenca e tyre me ne ishte në 10-20 dollarë për frymë. Pse sot ata i kanë 18 mijë dollarë për frymë dhe ne kemi ngelur tek 5 mijë dollarë për frymë?! Nëse ne ndryshojmë mënyrën sesi vilen paratë, atëherë GDP e Shqipërisë ka për të qenë jo 14 miliardë, por 28 miliardë dollarë. Do kesh edhe një buxhet prej 9 miliardë dollarësh. Në Shqipëri mungojnë kontrollet”, u shpreh Ceko.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura