EKSKLUZIVE/ “Nuk jam kalama, jam burrë!”- Zbardhet procesverbali, Enveri zbulon bisedën mes Shehut dhe Turdiut: Qazimi të kërkoi të prishësh fejesën! Ti i the; kur dashurohen fëmijët të tjera…

Nov 12, 2021 | 13:20
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha -Mehmet-Shehu1Gazeta Panorama.al publikon në botimin e sotëm pjesën e katër të procesverbalit të përplasjes në Byronë Politike, e mbledhur pas fejesës së ‘gabuar’ të djalit të kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu, me vajzën e Qazim Turdiut.

Në këtë mbledhje të posaçme, Kadri Hazbiu, Ramiz Alia dhe disa anëtarë të tjerë të Byrosë, nuk u përpoqën të kuptojnë autokritikën e Mehmetit. Në të kundërtën, ato e thelluan më tej goditjen karshi tij, duke shfaqur si një gabim të rëndë politik, fejesën e djalit të Mehmetit me vajzën e Turdive. Në numrin e sotëm, dialogët e zbardhur për herë të parë nga gazeta, tregojnë se Mehmeti është vënë në pozicionin mbrojtës. Në mbledhjen e datës 17-18 dhjetor 1981, edhe Enveri, ai që e pa dhe korrektoi autokritikën, ka shumë gjëra të fshehta për ish-kryeministrin.

Sot do të publikohet akuza e parë direkte që e vë Mehmetin në rolin e një personi që e ka bërë me qëllim fejesën. Në numrin e sotëm do të zbulohen fjalët e Enverit, i cili i tregon se familja e Turdive nuk e kishte dashur fejesën, se vajza Silva, e kishte paralajmëruar djalin e Mehmetit për biografinë, se Skënderi e kishte siguruar, Qazim Turdiun se nuk do të kishte pasoja fejesa.

Të gjitha këto të thëna nga Enveri, e bëjnë pozicionin e Mehmetit shumë më të disfavorshëm . Akuzat e Enverit vijnë pasi disa anëtarë të Byrosë e kishin akuzuar Mehmetin se sentimentalizmat e kishin bërë të ndryshojë vijën e Partisë. Akuzat e Kadri Hazbiut për fshehje të fejesës së djalit me një vajzë nga familja Turdiu, dhe pse Mehmeti nuk pyeti Enverin, Ramizin, dhe Kadriun për të marrë mendim para fejesës me Turditë.

 Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

…Shoku Mehmet Shehu: Pyetëm: A je çliruar plotësisht nga sentimentalizmi për këtë djalë?

Mua më duket se në reflektimin që kam bërë jam çliruar nga sentimentalizmi dhe djali duhet të kthehet të japë llogari në Parti dhe të dërgohet të punojë atje ku do të caktohet. Tjetër pyetje. Nga cilët shokë duhej të ndihmohesha?

Në radhë të parë duhet të ndihmohesha nga shoku Enver, po nuk kisha vetëm shokun Enver, kisha dhe shokë të tjerë.

Shoku Llambi Gegprifti: Ju shoku Mehmet thoni se, në qoftë se shokët do ta dinin këtë e do të më ndihmonin, nuk do ta kisha bërë këtë veprim. Unë bëj pyetjen: Cilët janë këta shokë që e dinin problemin e fejesës së djalit tënd?

Shoku Mehmet Shehu: Në qoftë se ndonjë shok do më kishte ardhur, do ta kishte marrë vesh e do ta kishte kuptuar, do të më kapte për palltoje e do të më thoshte: Shoku Mehmet e ke gabim! Unë ju siguroj, shokë të Byrosë Politike, se menjëherë do ta korrigjoja.

Shoku Llambi Gegprifti: Po nga ta dinim ne këtë, shoku Mehmet?

Shoku Enver Hoxha: Shiko si të tha ai, nga ta dinim ne? Po cilët ishin ata që e dinin? Kush e dinte që ti kishe fejuar djalin me një vajzë me të tillë përbërje?

Shoku Kadri Hazbiu: Po, cilët e dinin? Ndryshe pse e shtron në autokritikë këtë që, po të më kishin ndihmuar shokët….cilët, kush janë ata shokë, thuaje emrin e tyre këtu, në Byronë Politike!

Shoku Mehmet Shehu: Unë nuk them që shokët e dinin, po në qoftë se ndonjë nga shokët do ta kishte marrë vesh dhe do të ma thoshte…

Shoku Pali Miska: Atëherë si do të të ndihmonim ne kur s’e dinim?

Shoku Kadri Hazbiu: Më fal, shoku Pali, meqenëse tani u kap kjo çështje këtu, unë e kam për ta thënë këtë edhe në diskutim, ai e shtron çështjen që “edhe shokët duhet të më kishin ndihmuar”. Kjo do të thotë se ai aludon sikur dikush e ka ditur dhe nuk e ka ndihmuar. Në autokritikë kështu është shkruar. Atëherë pa na thuaj kush e dinte?

Shoku Mehmet Shehu: Unë nuk them që edhe shokët duhej të më kishin ndihmuar, po të gjithë duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Shoku Kadri Hazbiu: Në autokritikë kështu është shkruar.

Shoku Enver Hoxha: Ashtu është shkruar, prandaj lind pyetja e natyrshme, pse nuk ua the shokëve? Ata nuk e dinin këtë.

Shoku Mehmet Shehu: Dhe pikërisht nuk ua thashë shokëve. Duhej të kisha vajtur, në radhë të parë, tek shoku Enver, por edhe tek shokët e tjerë me të cilët isha në kontakt çdo ditë. Kjo ka ndodhur sepse në atë kohë unë kam gjykuar se kisha vendosur drejt, ndërsa vendimi nuk ishte i drejtë, duhej të kisha vajtur tek shoku Enver.

Shoku Kadri Hazbiu: Po, më fal, po shokun Feçorr Shehu, pse e pyete që çfarë mendonte ai?

Shoku Mehmet Shehu: Sepse prej tij mora të dhënat.

Shoku Kadri Hazbiu: Javash, javash, pse, nga ai e merr vijën ti? Nga ai i merr këshillat për të mbrojtur vijën e Partisë? E diskutove vetë çështjen kur e vure pyetjen? Përse bëre kështu? Kush mungonte këtu? Mungonte Ramiz Alia? Ai gjatë kohës që ju keni bërë krushqinë ishte në Durrës, atje bashkë takoheshim çdo ditë. Unë kam qenë edhe ministër i Brendshëm, pra ishte ndoshta e ligjshme të më thoshe: More Kadri, di ti gjë për këtë familje apo jo? Gjatë kësaj kohe ju keni shkuar edhe në Pogradec, po shokut Enver pse nuk i thatë: More shoku Enver, unë jam përpara kësaj dileme. Prandaj duhet reflektuar drejt, shoku Mehmet, të mos kalojmë ashtu lehtë.

Procesverbali-Mehmet-Shehu-Byroja-Politike-debati-fejesa-djali-Skender-Shehu-fati-vetvrasja-kadri-Hazbiu-Qazim-TUrdiu1

Shoku Mehmet Shehu: Shoku Kadri, unë shokun Feçorr Shehu e pyeta pikërisht sepse djali më informoi që ky kishte dy njerëz të arratisur jashtë shtetit.

Shoku Kadri Hazbiu: Jo vetëm, po kur ju ka dhënë Feçorr Shehu informacionin, ju i keni thënë mos i thuaj njeriu, të mbetet kështu kjo punë.

Shoku Mehmet Shehu: Edhe vajza punonte në Ministrinë e Punëve Brendshme! Jo, nuk i kam thënë mos i thuaj njeriut. I kam thënë se ai ka dy njerëz të arratisur jashtë, siç më tha djali, prandaj të lutem shumë më jep informacion për këtë çështje.

Shoku Enver Hoxha: Nuk qëndrojnë këto, Mehmet. Lidhur me çështjen si nuk më zuri njeri për palltoje, ti Feçorr Shehut përveç të tjerave i bëre pyetjen: Do ta lejoje ti këtë fejesë në familjen tënde po të të ngjiste? Dhe ai të dha përgjigje se do të pyeste Partinë. Atëherë ti përse nuk erdhe të pyesje Partinë? Dhe deri sa nuk erdhe të pyesje Partinë, domethënë një nga shokët e Byrosë, nuk ke të drejtë, e ke gabim të thuash që, po të më kish zënë njeri nga palltoja, do të kisha ndryshuar qëndrim, se kur u muar vesh që ti e bëre këtë fejesë, atëherë përnjëherësh të shkulëm veshin… Po, po ti në fund të autokritikës ke thënë se po të më zinte njeri nga palltoja…

Shoku Mehmet Shehu: Feçorri më tha, që vajzën unë do ta merrja për djalin, për familjen do të pyesja. Në këtë kuptim, në qoftë se shokët do të kishin pasur mundësi ta merrnin vesh… Gabimi im është, dhe unë e pranoj, që duhej të kisha vajtur tek shokët.

Shoku Enver Hoxha: Prapë ky kuptim nuk ka baza, për arsye se edhe sikur ta supozojmë çështjen se njëri nuk e mori guximin të vinte të të thoshte ty, ta pranojmë një situatë të tillë, po ti a ia vure pyetjen vetes se ç’do të bëje kur Feçorri të tha për këtë që do të pyeste më lart, do të të pyesja ty? Ti përnjëherësh duhej të thoshe që edhe unë duhet të vete t’i them për këtë gjë shokut Enver ose shokëve të mi.

Shoku Mehmet Shehu: Duhej ta bëja këtë, po nuk e bëra duke u nisur nga rrethanat që thashë.

Shoku Enver Hoxha: Po pse?

Shoku Kadri Hazbiu: S’e di vetë këtë.

Shoku Adil Çarçani: Se ju e thoni edhe vetë në autokritikë për mendjemadhësinë tënde. Kjo është tamam mendjemadhësi.

Shoku Enver Hoxha: Këtu është çështja.

Shoku Mehmet Shehu: Unë e them edhe vetë në autokritikë atë.

Shoku Enver Hoxha: Këto përgjigje janë shumë normale. Mehmet, po nuk po e thua drejt. Autokritikën merre shikoje, lexoje edhe një herë. Ajo është kështu siç thonë shokët, si themi ne, dhe të gjitha këto pyetje që t’u bënë të ndihmojnë që ta kuptosh thellë gabimin, të largohesh përgjithmonë nga pozitat e vjetra, se, kur thua sentimentalizëm, sentimentalizmi është butësi e në këtë rast është oportunizëm. Mirëpo, oportunizmi ka edhe të kundërtën e vet. Këto gjëra duhet t’i shikosh kur flasin shokët për punën tënde, duhet t’i analizosh një çikë edhe në mënyrë filozofike këto, ndërsa ti i merr si gjëra të rastit. Veç ama mos të harrojmë se rastet e përsëritura bëhen vijë.

Shoku Mehmet Shehu: Po t’i lësh, po të mos i luftosh bëhen vijë.

Shoku Enver Hoxha: Po t’i lësh… Po kështu është çështja që ne me këtë rast po të ndihmojmë ty që të kuptosh se te ti në disa gjëra rastet janë bërë vijë. Vetëm kur ta kuptosh drejt këtë, nuk do t’i përsëritësh më. Ne do të t’i themi këto gjëra se ka pasur shokë që të kanë ardhur, të kanë vënë në dijeni edhe për qëndrime të tjera jo të rregullta të njerëzve të familjes tënde dhe ti i ke pritur me difidencë, me mosbesim, u ke thënë “mos i ekzagjeroni punët”. Këto m’i kanë raportuar mua shokët dhe ata do t’i thonë mendimet e tyre. Kjo çfarë tregon? Kjo tregon përsëri oportunizëm ndaj veprimeve të disa prej fëmijëve të tu, jo të tërëve.

Shoku Ramiz Alia: Edhe besimi në vetvete që unë i di të tëra ç’tregon? Një gjë, shoku Mehmet, ju përmendni sentimentalizmin, por keni edhe mendimin se i dini të tëra dhe shiko sa bukur u përgjigjesh pyetjeve që të bëhen.

Shoku Mehmet Shehu: Jo, unë nuk mendoj që i di të tëra gjërat, shoku Ramiz, po them që ka mendjemadhësi tek unë.

Shoku Ramiz Alia: Po mirë, ja, le të marrim vetëm këtë pse nuk pyete shokët? Kjo s’i përgjigjet sentimentalizmit.

Shoku Adil Çarçani: Po pse nuk pyete, mor shoku Mehmet, ju keni pyetur edhe për gjëra me të vogla, edhe për gjëra më të thjeshta ju jeni konsultuar me shokët. Po për këtë rast pse?

Shoku Mehmet Shehu: Pikërisht këtu është edhe mendjemadhësia, mendimi që për këto çështje unë jam i imunizuar.

Shoku Ramiz Alia: E po e kupton atëherë? Je i imunizuar, por jo vetëm kaq, por jam edhe interpretuesi më i saktë se si duhet bërë lufta e klasave.

Shoku Mehmet Shehu: Unë e them edhe vetë në autokritikë këtë.

Shoku Ramiz Alia: Po unë them ato që thoni ju, nuk po i kundërshtoj. Vetëm po të nisemi këtej, mendoj se do t’i kuptoni më mirë gjërat, se me sentimentalizëm ato nuk shkojnë.

Shoku Mehmet Shehu: Dhe nuk është vetëm sentimentalizmi, unë aty numëroj edhe një seri elementesh të tjerë.

Shoku Kadri Hazbiu: Shoku Mehmet, më fal se ngecëm në një çështje, në atë të sentimentalizmit që ju ka futur juve në veprime. Në qoftë se do ta marrim këtë tani, ti e shikon se këto veprime nuk janë brenda normave të Partisë? Të flasim për këtë.

Shoku Mehmet Shehu: Nuk e kuptoj pyetjen.

Shoku Kadri Hazbiu: Ja po ta them unë edhe në marrëdhëniet e tua me Partinë, edhe në marrëdhëniet e familjes, domethënë ndërtimi i këtyre marrëdhënieve a është bërë nga ju në bazë të të gjitha normave tona?

Shoku Mehmet Shehu: Marrëdhëniet e mia me Partinë në ç’kuptim? Se marrëdhëniet me familjen unë, ato që i ka dëgjuar e marrë vesh….

Shoku Kadri Hazbiu: I ke parë këto nga pozita sentimentale, domethënë ke menduar që në vend që të cënohen interesat e familjes, më mirë të cënohen ato të Partisë, e kam fjalën për pyetjen që të bëri shoku Simon. Shikoje një çikë më gjerë këtë punë, jo vetëm të ngecim te djali dhe te rasti i këtij djali.

Shoku Mehmet Shehu: Dhe unë kam luftuar jo vetëm kundër këtij djali në luftën e klasave që duhet të bëj brenda në familje, po aq sa kam mundur, edhe kundër djalit të vogël e nuses së tij. Pra jo se nuk kam bërë luftë klase me ta, por nuk kam arritur atë shkallën e duhur që puna e bërë të jepte rezultatet e plota.

Shoku Kadri Hazbiu: Po kështu, mbase ju ua keni shpjeguar se si duhet kuptuar lufta e klasave, po çështja është në qëndrimin e tyre konkret.

Shoku Pali Miska: Tani, shoku Mehmet, lidhur me pyetjen që bën shoku Llambi për ndihmën nga shokët. Çështja është që ti në këtë çështje bie në kundërshtim me veten tënde. Ju vetë nuk keni kërkuar ndihmë përpara se të bëhesh kjo fejesë, atëherë kush do t’jua jepte këtë ndihmë? Kjo lidhet edhe me atë, mos vetë ju keni pasur mendimin ta bëni fakt të kryer dhe pastaj keni menduar që s’ka zot nëne që ta kthejë nga rruga këtë punë?

Shoku Mehmet Shehu: Jo, jo, në asnjë mënyrë.

Shoku Pali Miska: Po si qëndron kjo? Pse mos të kërkoje ndihmë, lëre timen, po ke më afër shokun Adil, me të cilin ti lidhesh më shumë.

Shoku Enver Hoxha: Ne nuk i marrim parasysh se ç’thonë jashtë, Mehmet, por ama edhe jashtë thonë që, Qazim Turdiu dy muaj të tëra ka luftuar që të mos bëhesh kjo fejesë. Qazim Turdiu i ka thënë djalit tënd: “Mor djalë, e di ti biografinë time?” “Kalama nuk jam”, iu përgjigj ai, “burrë jam, domethënë se e di”. Këto janë fjalët e atyre. Bile, sipas fjalëve të tyre, se edhe ata flasin, sepse edhe ata u goditën, kur ti e ke thirrur Qazim Turdiun, më parë se të njihje vajzën dhe ke biseduar me të, ai të ka këshilluar edhe ty dhe të ka thënë: More shoku Mehmet, po sikur nuk shkon kjo martesë!

Shoku Mehmet Shehu: Jo, nuk më ka thënë ashtu.

Shoku Enver Hoxha: Mirë ke thënë ti, them ashtu si thotë populli, mua nga populli më ka ardhur kjo. Ti i ke thënë që kur dashurohen fëmijët, të tjerat nuk kanë rëndësi.

Shoku Mehmet Shehu: Jo. Këtë nuk e kam thënë, shoku Enver. Ky muhabet nuk është bërë.

Shoku Enver Hoxha: Tash këto, jo se këtë e thotë në popull, por vetë fakti që ti e bëre këtë krushqi me këta elementë dhe nuk vure njeri në dijeni, të paktën një nga shokët më të afërt, mund edhe të besohen këto. Ti edhe në autokritikën tënde shkruan që djali të ka thënë edhe po të mos bëhet kjo fejesë, baba, nuk prish ndonjë punë. Këtu bie e gjithë trauma e djalit. S’ka traumë këtu.

Shoku Mehmet Shehu: Ishte frika ime për traumë.

Shoku Enver Hoxha: Djali këtu tregohet më i arsyeshëm, pse atij sigurisht i ka thënë ose ajo vetë ose dikush tjetër që ky, Qazim Turdiu dhe e ëma e vajzës, kanë të gjitha këto gjëra. Eshtë pra e rrugës që të pranohen këto mendime, pavarësisht se neve nuk duam t’i pranojmë, ne do të të besojmë ty, po këto ama thuhen dhe e shpjegojnë këtë situatë të vështirë…

vijon

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO EDHE:  

EKSKLUZIVE/ Zbardhet debati i fortë mes Ramiz Alisë, Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut pas ‘skandalit’ me Turditë: Skënderi të kthehet nga Suedia, s’meriton të bëjë provime, të punojë në uzinë se është komunist! (Pjesa 3)

EKSKLUZIVE/ “O burra, merrni vajzat e kulakëve e ballistëve!”- Zbardhet përplasja e fortë mes Mehmet Shehut dhe Ramiz Alisës: E bëre me qëllim fejesën me Turditë! Hoxha: E kam këshilluar shokun…(Pjesa 2)

EKSKLUZIVE/ Fejesa e djalit të Mehmetit me vajzën e Qazim Turdiut/ Zbardhet debati në Byron Politike: Ti ve djalin para partisë?! Shehu: Skënderi kaloi traumë psikologjike! Enveri: Janë punë agjenturale…(PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura