EKSKLUZIVE/ Merkato e dështuar, ikin edhe dy lojtarë të tjerë nga Skënderbeu

Nov 19, 2021 | 8:19
SHPËRNDAJE

Skënderbeut i dështon plotësisht merkatoja e verës, pasi i janë larguar edhe dy afrime të tjera. Nëse në të shkuarën Skënderbeu merrte më të mirët dhe kë dëshironte, në këtë sezon, ende pa u mbyllur pjesa e parë e kampionatit, korçarët e shohin veten të “braktisur” nga afrimet e merkatos duke mbetur kryesisht me lojtarët që ishin pjesë e Skënderbeut në sezonin e kaluar.

Bismark

Nga të gjitha afrimet e bujshme që bënë bardhekuqtë në verë, kanë mbetur si pjesë e ekipit vetëm Nikaj dhe Vrapi nga shqiptarët, si dhe Moraesh nga të huajt që ka ardhur para disa javësh, ndërsa të gjithë të tjerët janë larguar. Të larguarit e fundit janë dy ganezët e afruar me shumë bujë, Ngisah Bismark dhe Jozef Asante.

Asante ishte një lojtar plotësues, ku pas rikthimit të Meksit nuk gjeti hapësira. Goditja nga këto largime vjen nga ana e Ngisah Bismarkut, i cili iu bashkua ekipit në limitet e merkatos. Ai ndiqej edhe nga Vllaznia, por zgjodhi Korçën.

Disa orë para ndeshjes së Kupës me Bylisin të dy lojtarët kanë marrë gjithçka nga klubi duke mbyllur kështu bashkëpunimin që zgjati vetëm pak javë.

Burime të sigurta pranë lojtarëve bëjnë me dije se hapësirat e pakta për të luajtur te Skënderbeu, por edhe problemet e lindura me financat kanë qenë faktorët që çuan të dy ganezët të braktisnin ekipin dhe të kërkonin dokumentacionin e plotë nga klubi.

Kujtojmë se Bismark ka luajtur vetëm 249 minuta të shpërndara në 8 takime, shumicën e të cilave në Kupën e Shqipërisë. Kjo ka qenë pikërisht ajo që ka sjellë irritimin e lojtarit dhe vendimin drastik më pas.

ASANTE

TË LARGUARIT – Bismark dhe Asante janë të larguarit e fundit nga Skënderbeu gjatë këtij sezoni. Më herët, edhe dy brazilianë ndoqën të njëjtën rrugë duke mos u bërë pjesë e ekipit në asnjë ndeshje zyrtare. I pari ishte Murillo Rosa, afrimi i parë.

Mesfushori shkatërrues nuk ka mundur të lërë shenjë te klubi bardhekuq. Pas disa miqësoresh të zhvilluara është larguar për t’ia lënë vendin një tjetër braziliani, Bruno Riter.

Ndryshe nga Rosa, për Riter aventura zgjat vetëm disa ditë. Lojtari e kupton shumë shpejt se përshtatja ishte e pamundur në Korçë për të, duke shtuar edhe problemet familjare kërkon largimin nga klubi.

Me gjithë këto largime tashmë Skënderbeu ka mbetur zbuluar në disa reparte. Do të duhet një ndërhyrje me çdo kusht në merkaton e janarit për të rregulluar balancat, por edhe kjo ndërhyrje duhet bërë me kujdes që të mos sjellë të tjera largime nga klubi.

BISMARK

ASANTE 1

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura