EKSKLUZIVE/ Iku nga Partizani, reagon Grezda: S’doja të dëmtoja klubin, ju tregoj çfarë i thashë Demit

Dec 6, 2023 | 8:44
SHPËRNDAJE

Eros Grezda dhe Partizani i befasuan të gjithë dje, kur vendosën të ndërpresin kontratën me marrëveshje. Pas kësaj ndarjeje, “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë një prononcim ekskluziv të Grezdës, i cili tregon për arsyen e largimit dhe këtë eksperiencë me kampionët në fuqi. Gjakovari flet për një bisedë me presidentin Demi dhe për dëmtimin e çuditshëm në thembër, të pësuar ndaj Vllaznisë. Sipas 28-vjeçarit, ky është edhe vetë shkaku i kësaj ndarjeje të parakohshme, teksa shton se nuk donte t’i bëhej “barrë” klubit.

grezda

Përse u larguat nga Partizani?

Kur kam ardhur në fillim, presidentit (Gaz Demi) i kam thënë vetë se në momentin që do të pësoj një dëmtim, që më mban gjatë jashtë fushave, atëherë do ta mbyllim bashkëpunimin, sepse nuk kam ardhur për qëllime financiare e gjëra të tilla këtu. Duke parë se isha lojtari më i paguar, nuk doja t’i bëja dëm klubit në momentin që nuk kishte benefite nga unë. Kjo është arsyeja kryesore. Në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Vllaznisë kam pësuar një dëmtim shumë të çuditshëm. Kam çarë muskulin dhe kockën e thembrës për shkak të fushës së fortë sintetike. Pas ekzaminimeve ka rezultuar se rikthimi do të kërkojë shumë kohë.

Si është marrëdhënia juaj me drejtuesit pas kësaj ndarjeje?

Që nga dita e parë të gjithë më kanë pritur shumë mirë. Kam pasur mbështetjen e tyre. Kanë ditur për problemet e mia fizike, më kanë ndenjur afër dhe prandaj e kam marrë këtë vendim shumë lehtë, pa dashur të dëmtoj klubin. Të gjithëve, nga i pari tek i fundit, u jam falënderues! Që nga dita e parë, kanë qenë shumë korrektë dhe shumë të mirë me mua.

Cila do të jetë e ardhmja juaj pas këtij largimi nga Partizani?

Për momentin unë do të shkoj në Kroaci për t’u rikuperuar dhe më pas do të vendos për të ardhmen time, se cili do të jetë hapi i radhës.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”!

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura