Ekskluzive/ Elbasani nis merkaton “Superiore”, ka akord me mbrojtësin e Tiranës

May 18, 2024 | 9:15
SHPËRNDAJE

Elbasani – Lulaj, e treta e vërteta. Duket se goditja e parë në merkato për Elbasanin do të jetë ajo e qendërmbrojtësit të Tiranës, Bruno Lulaj. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë për gazetën se midis palëve ka një akord paraprak dhe duket se gjithçka është gati për të bërë edhe zyrtarizimin. 29- vjeçari ka qenë një ndër emrat më të lakuar në dy sesionet e kaluara të merkatos, në atë të verës dhe të dimrit, ku dukej se do t’i bashkohej elbasanasve në Kategorinë e Parë.

Lulaj Bruno

Mirëpo, fakti që ishte nën kontratë me Tiranën dhe bllokimi i merkatos së saj, bëri që mbrojtësi të mos i linte në baltë bardheblutë dhe të mbyllte sezonin. Me përfundimin e këtij edicioni ai është një futbollist i lirë dhe është i gatshëm të veshë fanellën verdheblu. Mirëpo, fakti që kryeqytetasit janë kualifikuar në Kupat e Europës për edicionin e ardhshëm, mund të bëjë që lojtari të qëndrojë edhe për këtë kompeticion dhe më pas të vishet verdheblu. Gjithsesi, bëhet fjalë për detaje të vogla, pasi rëndësi për momentin ka që Lulaj pritet t’i bashkohet Elbasanit, duke u konsideruar edhe si një goditje, sepse bëhet fjalë për një lojtar me mjaft eksperiencë. Sezonin që lamë pas me Tiranën, 29-vjeçari u aktivizua në plot 25 takime dhe qenë një titullar me këtë skuadër, ndërsa arriti të shënojë edhe dy gola, një ndaj Teutës dhe tjetrin ndaj Egnatias.

MERKATO – Me ngritjen një kategori më lart, kërkohet edhe më shumë cilësi. Për më tepër për një skuadër si Elbasani që i ka shfaqur hapur ambiciet për t’u radhitur në rangun e pretendentëve që në vitin e parë, duke mos u kënaqur thjesht me mbijetesën në elitë. Mësohet se klubi është duke negociuar me shumë futbollistë aktualisht, nga porta në sulm, pasi shihen si imediate ndërhyrjet në të gjitha repartet e fushës. Tregu më adapt shihet ai i Superiores, me lojtarë që janë në skadencë kontrate, siç është edhe rasti. Megjithatë, nuk përjashtohet edhe tregu i huaj, duke marrë parasysh edhe sezonin që lamë pas. Në skuadër ishin plot pesë futbollistë të huaj, tre brazilianë, një nigerian dhe një sllovak dhe të gjithë në një mënyrë apo tjetër kanë qenë protagonistë me skuadrën.

LARGIMET – Mirëpo, përpara se të bëhen afrimet, klubi është duke përpiluar edhe listën e atyre që nuk janë më pjesë e projektit në elitë, me të cilët do të shtrëngohen duart dhe do të lihen të lirë. Titullarët thuajse në bllok do të qëndrojnë të gjithë, ndërsa më të rrezikuarit janë ata që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion. Gjithsesi, për momentin në klub nuk kanë përcaktuar se cilët do të largohen, pasi janë në fazën e analizimit të situatave. Fakti që kampionati sapo është mbyllur dhe ka ende kohë për të riun, ka bërë që gjërat të merrem me qetësi në kampin verdheblu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura