“Edip Ohri, terrorist”- Burgosja e Komandantit të Aviacionit, Enver Hoxha: Shikoni akuzë tjetër, po të ishte i tillë, do ta kishte bombarduar Komitetin Qendror! Vajza: Kur doli nga burgu s’gjente dot as shtëpinë

Nov 18, 2023 | 19:20
SHPËRNDAJE

AGUSTIN GJINAJ/ Ka ndodhur në rastin e dënimit të Edip Ohrit që e kanë arrestuar me akuzën e rëndë për terror, se do bombardonte selinë e Komitetit Qendror të Partisë dhe në rrugë e sipër kanë ndërruar mendje, duke i lënë mbi supe vetëm akuzën e agjitacionit dhe propagandës.

Edip Ohri1

Për ironi të fatit këtë herë e ka vënë “dorën në zemër” Enver Hoxha shefi i regjimit, të cilit fillimisht nuk i është mbushur mendja se komandanti i aviacionit mund të arrinte deri te këto akte terroriste dhe aty për aty ka kthyer mbrapsh akuzën që i ka përcjellë në zyrë Feçor Shehu.

“Nuk ka mundësi që Edip Ohri të jetë terrorist, se po t’i shkonte në mendje mund ta hidhte në erë kur të donte bllokun e udhëheqjes dhe selinë e Komitetit Qendror, po shikoni ndonjë akuzë tjetër”.

Siç tregonte vet Edip Ohri, pas këtij debati që e ka liruar nga akuza e përmbysjes së pushtetit popullor me dhunë, mjeshtrit e Sigurimit kanë kaluar menjëherë tek akuza tjetër: Vërtetë që nuk ke patur në mendje plane për aktete terrori, po ke vjellë vrerë kundër partisë dhe pushtetit popullor. Ka mjaftuar kaq dhe ai kreu i armës moderne të aviacionit, ka përfunduar në ferrin e Burrelit për të qëndruar aty jo pak po gati dhjetë vite…

******

NË BIRUCAT E BURRELIT KU ISHTE SHTABI I PËRGJITHSHËM

Në kujtimet nga vitet e burgut, Edip Ohri shprehej se kur shkova unë atje, në ferrin e Burrelit, ishte “vendosur” Shtabi i Përgjithshëm dhe numëronte një nga një bashkëvuajtësit e tij, të kryqëzuar me akuzën “armiq të partisë dhe të pushtetit”.

Në listën e gjatë përmendte gjeneral lejtënant dhe Hero i Popullit Rahman Parllaku; gjeneral lejtënant dhe Hero i Popullit Muhamet Prodani; gjeneral lejtënant dhe Heroi i Popullit Sadik Bekteshi; gjeneral lejtënant Arif Hasko; gjeneral lejtënant Vaskë Gjino; gjeneralmajor Gjin Marku; gjeneralmajor Abaz Fejzo; gjeneralmajor Halim Ramohito; kolonel Edip Ohri; gjeneral lejtënant Mihallq Ziçishti, ministër i Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme, Kiço Ngjela; ministër i Bujqësisë Maqo Çomo; ministër i Jashtëm Nesti Nase; Fadil Paçrami sekretar i Komitetit të Partisë për Tiranën; Todi Lubonja kryeredaktor i “Zërit të popullit” dhe drejtor i Televizionit Shqiptar; Gjergj Titani, ish-shef Shtabi Korpusi; Spartak Ngjela e Fatos Lubonja; Lipe Nashi, drejtor i Përgjithshëm i Naftës; Xhavid Qesja, ish-komisar i Br XXII S; Bardhyl Belishova; Skënder dhe Bashkim Shehu; kolonel Elhami Hado, nënkolonel Shaban Reçi.

Ky grup i Shtabit të Përgjithshëm, së bashku me ministrat, konsideroheshin si më të rrezikshmit për likuidimin e udhëheqjes së vendit dhe Enver Hoxhës. Përpara këtij grupi ishin Kadri Hoxha, Bedri Spahiu, Koço Tashko etj. Nga grupi i gjeneralëve vdiqën, sepse nuk rezistuan dot, Vaskë Gjino, Abaz Fejzo, Gjin Marku, Halim Xhelo. Regjimi i burgut ishte tepër i rëndë, me një ushqim mizerabël, të mbyllur me çelës në qeli gjithë ditën, ku vetëm një orë në mëngjes dhe në darkë kishin mundsi të dilnin në oborr.

Edip Ohri enver hoxha2

U NISA PËR “TERRORIST”, PËRFUNDOVA ELEMENT ANTIPARTI

kishte dalë nga burgu. Periudha e burgut dhe fati i familjes pas kësaj ka qënë një nga brengat e mëdha të tij. Kur e pyeta se si e ka vlerësuar dënimin me burg me ato akuza të rënda, ai më shprehej: Në të gjithë llojet e sistemeve njerëzit dënohen kur thyejnë ligjin. Çdo njeri i dënuar kudo në botë, pas marrjes së vendimit nga gjykata, ka kohë në mjediset e burgut për t’u ballafaquar në një farë mënyrë meditative me arësyet e dënimit, mbase edhe të bëjë pyetjen: “Po mirë se unë e di veten të pafajshëm, pa dale pak të shikoj se mos kam bërë ndonjë veprim që diku ta kem shkelur ligjin? Unë asnjëherë nuk gjeta një mundësi t’i jap sado pak të drejtë persekutorëve të mi”.

Sistemet komuniste e kishin në gen, në rrënjë, në mënyrë drejtimi të shtetit parimin që “revolucioni ha bijtë e tij”.

Pas arrestimit në atë që mund ta quhet “hetuesija e parë” u akuzua se ka dashur të “Përmbysë me dhunë pushtetit popullor”, “të bombardojë bllokun e udhëheqjes me aeroplan”, gjëra të cilat ishin absurde sa edhe të pamundura.

Kohë më vonë kjo akuzë ra, jo nga argumentat e Edipit, por se Enver Hoxha ja kundërshtoi këtë ide ministrisë së Brendëshme. Në një shtet normal, besoj se duhet të jetë llogjike se pavarësisht cilës arësye bien akuzat, atëhere edhe i akuzuari del i pafajshëm.

Por hetuesia vetem e ndërroi akuzën nga “përmbysje” në agjitacion e propagandë” qe do të thoshte se në atë kohë, nëse një njeri ishte planifikuar të dënohej, ajo realizohej medoemos. Aq më tepër me nenin e propagandës, që ishte një nen mbi bazën e të cilit mund të dënohej çdokush i shënjuar për burgim. Komandant Edipi kujtonte: “Ditën që dola nga burgu, para se të hypja në një kamion që do na çonte nga Bureli në Tiranë, e ktheva edhe një herë kokën nga ana e burgut dhe pothuajse me zë, i bera pyetje vetes: ‘Po unë pse isha nënte vjet i burgosur?’. Natyrisht ato mure të trishta rrethuar me tela nuk mund të më përgjigjeshin, por as unë nuk dija t’i jap përgjigje”. Një periudhë shumë të vështirë kaloi edhe familja e tij.

Gruaja e Edip Ohrit ishte Lutfije Ramazan Ohri ( Kubati) dhe rridhte nga një familje tradicionale tiranase, me njerëz të arësimuar, punëtorë dhe besimtarë. Familja e Kubatëve ishte e lidhur me luftën Nacional Çlirimtare. Vetë Lutfija, pas Luftës ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Farmakologjisë në Universitetin “Karlovi Vari” në Pragë të Cekosllovakisë. Në vitin 1953, filloi punë në laboratorin farmaceutik të Spitalit të Tiranës, që më vone u kthye në Ndërmarrjen e Prodhimit të Medikamenteve Mjekësore e njohur si PROFARMA.

Ajo përparoi gradualisht në detyrë deri sa u bë drejtore e kësaj ndërmarrjeje, një nga më të mëdhatë dhe e vetmja e këtij lloji në vend, e drejtoi atë nga viti 1960 deri në vitin 1981, duke dhënë kontribut në rritjen e fuqizimin e saj. Në legjislaturën e V-të Kuvendit Popullor, 1962-1966 ajo u zgjodh edhe deputete, ndërsa për shumë vite ishte anëtare e plenumit të partisë së këtij rrethi.

Pas burgimit të Edip Ohrit, atë e shkarkuan nga detyra, pasi njëkohësisht me bashkëshortin ishin arrestuar edhe dy vëllezër të saj, Ali e Ibrahim Kubati. Mbi të filluan e vazhduan presionet dhe shantazhet. Në organizatën bazë të partisë ku ajo punonte, në plenumin e rrethit të Tiranës ku ishte anëtare prej shumë vitesh, në organizatat e Frontit Demokratik në lagje ajo ka qënë e detyruar të përballet me gjithëfarë presionesh e sjelljesh antinjerëzore.

E përjashtuan nga partia, e shkarkuan nga detyra si drejtoreshë të Profarmës, e caktuan po në atë ndërmarrje të punonte sanitare me qëllim që me cdo kusht ta thyenin, ta fyenin e ta poshtëronin. Megjithëse u gjend e vetme përballë makinës parti-sigurimshtet, megjithëse kaloi periudha tejet të vështira, ajo asnjeherë nuk u përkul, por arriti ta mbajë familjen e bashkuar, t’i rriste të tre vajzat me ideale të larta njerëzore, me dashurinë për atdheun, për Shqipërinë, për babain e burgosur.

Të dyja vajzat e martuara Miriana dhe Arjana i divorcuan, i shkarkuan nga detyra dhe i lanë pa punë e kohë më vonë u sistemuan si punonjëse jashtë kualifikimit universitar që kishin. E gjitha familja kaloi një periudhë të tmerrshme, por qëndrimi me dinjitet i gruas dhe vajzave, dhe mbështetja te njëra tjetra për të përballuar situatën i ka lehtësuar vuajtjen e dënimit edhe kryefamiljarit të tyre. E pyeta një herë komandant Edipin se “Cila nga humbjet që ju ka shkaktuar burgu ka qënë më e dhimbëshmja?”.

Ai u mendua një farë kohe dhe më tha, “secila prej tyre ka lënë gjurmën e vet. Të jesh i burgosur në regjimin komunist është një vuajtje e jashtëzakonshme fizike, pavarësisht se parë në një farë prizmi, të themi filozofik, të gjithë shqiptarët e kishin të mangët lirinë, por natyrisht burgu është krejt tjetër”. Dhe në fund shton: “Por dënimi më i rëndë, më i padurueshëm, ai që më ka goditur tamam në zemër, ishte dënimi i pashpallur, goditja e familjes. Ky ka qënë krimi tipik i sistemit, dënonte një njeri dhe shkatërronte më pas një familje. Krimi më monstruoz që i bënte ai sistem njeriut”.

Edipi doli nga burgu në vitin 1989, kur diktatura e kishte marrë tatëpjetën, ishte në grahmat e fundit, vendi ishte rrënuar ekonomikisht, njerëzit flisnin pothuajse hapur për të metat e sistemit komunist dhe mungesat e mëdha, ndërsa një i burgosur politik nuk konsiderohej më si “armik”, megjithëse nuk konsiderohej as hero. “Shumë njerëz me ndalonin në rrugë, tregonte komandanti, më ofronin të më sajdisnin me një kafe, pije apo thjesht me ndonjë bisedë, ku shumica, ishin njerëz që në këtë mënyrë donin të shprehnin mbështetjen për mua po aq sa urrjetjen për sistemin”.

Edip Ohri

DALJA NGA BURGU I BURRELIT NË SHQIPËRINË BURG

E ndërsa fliste për çaste e daljes nga burgu, Edip Ohri tregonte: Përpara se të nisej kamioni që do vinim në Tiranë, ktheva kokën për herë të fundit dhe pashë kampin e të burgosurve politikë dhe i bëra vetes pyetjen që nuk ia kisha bërë asnjëherë deri në ate ditë: “Pse isha kaq vite në këtë vend?”.

Kamioni ndaloi më së fundi diku afër Laprakës, ku një shoqërues nxori kokën nga dritarja e pasagjerit dhe iu tha “Shkoni nëpër shtëpi”. Nga Lapraka e deri tek ura e Rrugës së Elbasanit e bëri me këmbë, por kur shkoi në lagjen e tij ndjeu t’i “priteshin” gjunjët. Emocionet e forta të përziera edhe me shikimin e dobësuar e bënë të çorientohej, nuk dinte të gjente shtëpinë e tij. Kur arriti në lagje, asnjë nga të rriturit nuk e njohu ose bëri sikur se njohu. Atëherë Edipi iu drejtua një grupi adoleshentësh dhe i pyeti: “Më falni ju lutem, a dini gjë ku banon Edip Ohri”.

Po ju jeni fare afër shtëpisë xhaxhi Edip, i tha njëri prej tyre. Unë jam shok i Mirës, vajzës suaj. Në shtëpinë e tij kishte edhe banorë të tjerë, pasi Shteti kishte “marrë masa” që vendin e lënë bosh nga Edipi në familje, ta zëvëndësonte me komplet një familje tjetër që jetonte së bashku me atë të Edipit. Ndërkohë nëna e tij kishte vdekur pa e patur pranë kokës së saj të birin, ndërsa vajzat ishin ndarë prej burrave për biografi të keqe. Duke parë jo vetëm gjëndjen e krijuar në familje, por në ditët në vazhdim kudo në lagje, Edipi krijoi përshtypjen se edhe këtu jashtë, në “liri” njerëzit ishin pothuajse të gjithë në një burg të hapur.

NË DOSJEN E SIGURMIT, ASNJË AVIATOR NUK KA PADITUR KOMANDANTI

Kohë më parë, më telefonoi Mirjana Ohri, bija e madhe e Edipit, e cila më ftoi për një kafe, pasi kishte marrë nga autoriteti i dosjeve, dokumentet që sipas ligjit i takonin familjarëve për t’u njohur, për t’i ditur apo publikuar, lidhur me burgosjen e babait. Ma zgjati për ta shfletuar, një dosje e madhe ku dalloheshin fshirjet e kryera nga “autoriteti”, por që pa ndonjë vështirësi të madhe, mund të lexoheshin.

Asnjë njeri nga aviacioni nuk ishte marrë me spiunllëqet e asaj kohe. Do të ishte zhgënjyese edhe për mua, e për mënyrën si i kam njohur njerëzit e aviacionit, thotë mendueshëm Mira. Edip Ohri, “legjenda e aviacionit”, ishte një nga ata që ngritën armën e aviacionit me mund dhe sakrifica. Jeta e tij ishte jeta aktive e një partizani, një komunisti, një komandanti dhe e një deputeti të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, që punoi me bindje se bënte më të mirën për vendin e tij. Ishte edhe jeta e njeriut që u burgos për motive politike, me pasoja dramatike për të, e për familjen.

Bijat e shquara të Edip Ohrit, i “dënoi” monizmi edhe ato, në mënyrë direkte dhe indirekte. Mirjana, Arjana dhe Loreta e ndjerë, vajzat fisnike e me dinjitet të Edip Ohrit, nuk deshën as nuk synuan, t’i kthejnë vitet e demokracise në vite të një “lufte të re klasash”, sidomos me veglat e regjimit. Ato nuk u përkulën nga asnjë goditje e marrë nga politika e viteve të monizmit, nga asnjë peripeci e kaluar në jetën e tyre, asgjë nuk mundi t`i largojë nga dashuria dhe respekti për Shqipërinë, Strugën e prejardhjes, Tiranën ku janë lindur e rritur, për shtetin shqiptar, për ushtrinë e mbi të gjitha, për armën e aviacionit dhe njerëzit e kësaj arme.

AVIATORËT QË NUK E HARRUAN KURRË KOMANDANTIN

Kam bërë një libër për Edip Ohrin. Libri “Edip Ohri, legjenda e aviacionit” i botuar në vitin 2014 u promovua në tre qytete, në Tiranë, në Strugë e më pas në Athinë.

Në Tiranë, në përurimin e tij në Muzeun Historik Kombëtar, ku veç aviatorëve të shumtë, morën pjesë edhe shumë personalitete nga fusha të ndryshme u mirëprit fjala përshëndetëse e Arjana Ohrit, bijës së dytë të Edipit.

Në vitet që babai ishte në burg, e ndodhur pa çadër në një ditë që shiu binte me rrebeshe, papritur një autobus i vogël ndaloi te këmbët e mia dhe dikush hapi derën e më tha “Hip”.

Vetëm pas pak e mblodha veten dhe pashë që ishte autobusi i vogël i pilotëve të Rinasit. Fryma po më merrej sapo e mora vesh ku kisha hypur, pasi nuk guxoja të shikoj njeri në fytyrë, dikur aq të njohura e të dashura edhe për mua. Nuk dija se çfarë të thosha, e as u afrova te një vend ku më thanë të ulesha, por diku aty tek ish-Shtëpia e Oficerëve u kërkova të ndalojnë.

Kur u hap dera, mu duk se u mbusha me frymë dhe pa asnjë kujdes, e vura këmbën mu në mes të një pellgu me ujë, vetëm të largohesha sa më parë. Ndërsa pas meje dera po mbyllej ngadalë, një zë i ngrohtë më tha:

-Të fala babait!

Atëherë mbeta krejt pa frymë, u ktheva vrulltaz nga autobuzi, por nuk dallova asnjë fytyrë të njohur, ndoshta nga xhamat e veshur nga frymët e njerëzve, ndoshta nga lotët që më rridhnin faqeve të mia.

Këta janë shokët e babait, thashë me vete, e jo ata, që e çuan në burgjet e diktaturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura