“E shëmtuar të shohësh një skuadër të dorëzuar”, Di Biaxho është i sinqertë për problemet e Dinamos: Kemi fituar të vetmen ndeshje që nuk e meritonim

Sep 27, 2023 | 17:00
SHPËRNDAJE

Trajneri i Dinamos, Luixhi Di Biaxho, është shfaqur sot në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Laçit, teksa i ka bërë një analizë shumë të sinqertë situatës së skuadrës. Ai ka pranuar se ekipi i tij kishte bërë pak gjë ne ndeshjet e fundit dhe nuk kishte shfaqur atë që kërkohej në nivele të tilla.

Dinamo Di Biaxho

“Mund të dilet nga kriza me rezultat pozitiv, ne vazhdojmë të punojmë njëlloj, ndoshta më shumë. E vetmja gjë që duhet të bëjmë është të rivihemi në rrugëtim. Është e vërtetë që poziconi nuk është i mirë, por edhe që klasifikimi është i ngjeshur. Ne duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjen e dytë dhe të rinisemi me gjërat që kemi braktisur prej disa ndeshjesh.

Ne kemi gabuar sjelljen në ndeshje. Mund të humbasësh e fitosh, por nuk dua të shoh një skuadër që nuk duket si një skuadër e imja, se skuadrat e mia kanë dhënë gjithmonë gjithçka. Djemtë nuk është se nuk kanë dhënë gjithçka, por duket sikur në një muaj e gjysmë nuk kemi punuar bashkë, një skuadër pasive, që pret të pësojë gol, që nuk dëshironte të provonte të bënte diçka. Kjo ishte ajo që më bezdisi më shumë. Se në dy ndeshjet e para që kemi humbur, isha i lumtur. Sepse mund të humbet në një mënyrë të caktuar por gjëja më e shëmtuar është të shohësh një skuadër të dorëzuar, e cila pret nga një moment në tjetrin që të pësojë gol. Kjo nuk shkon, kjo është ajo për të cilën më vjen keq më shumë. Për pjesën tjetër mund të flasim për mungesë fati, arbitra, përbërje e ekipit. Por nuk do të më dëgjoni të flas ndonjëherë që kam pak lojtarë, që gjyqtarët kanë gabuar. E kanë parë të gjithë atë që ka ndodhur në dy ndeshjet e para. Por nuk mund të ndalem te një gabim i gjyqtarëve, duhet të mendoj se si të zgjidh një problem, si të gjej një zgjidhje dhe pikë.

Ne i ndjekim të gjitha ndeshjet dhe lojtarët. Por përtej kundërshtarëve që janë shumë të vështirë për t’i përballur, se kanë bërë rezultate shumë të mira e luajnë një futboll të mirë, kanë entuziazëm dhe është një fushë e vështirë. Por përtej rezultatit duhet të merrem me skuadrën time, sepse nëse skuadra bën atë që di të bëjë, ne mund të luajmë shanset tona me të gjithë. Nuk kam parë asnjë skuadër superiore ndaj nesh, por që kanë pasur më shumë uri se ne dhe duhet ta ndryshojmë këtë gjë.

Kemi provuar zgjidhje të tjera, të kemi vështirësi të shënojmë dhe pesojmë gola në mënyrë të keqe. Më preokupon më shumë fakti se përtej 3 penalltive të pësuara, kemi dhuruar 3-4 gola. Dhuruar me kuptimin e plotë të fjalës. Ndaj 80% e golave të pësuar nuk ishin me gola me aksione por të dhuruar apo me penallti. Duhet të përmirësojmë fazën mbrojtëse, të kompaktësohemi, në fazën ofensive kemi tentuar gjithmonë shumë dhe kemi gabuar gola. Ndaj kemi për të përmirësuar në të dy fazat.

Hoxha nuk është ende gati të luajë, po përmirësohet. Ai dhe Andoni janë jashtë. Për pjesën tjetër kam bërë stërvitjen e fundit, kam parë indiciet dhe nesër do të zgjedhim formacionin.

Puna psikologjike bëhet gjithmonë, por është normale që nga jashtë, kur gjërat nuk shkojnë, mund të flitet për gjithçka. I pranojmë kritikat dhe vlerësimet. Jam aq ekspert dhe i shëtitur sa për t’ju dëgjuar të gjithëve, por pastaj në fund problematikat janë ato që duhet të bëjmë rezultat, sepse kemi fituar të vetmen ndeshje që nuk e meritonim ta fitonim, edhe pse për ju kemi bërë një hap të madh para. Por unë atë natë isha shumë i shqetësuar.

Sulmin e shoh mirë, pasi jemi një skuadër që kemi bërë shumë tentativa drejt portës, ndoshta jemi skuadra që ka bërë më shumë tentativa drejt portës, nëse rishihni ndeshjet. Ndaj duhet të insistojmë dhe besojmë te ajo që bëjmë, ky është ilaçi i vetëm. E vetmja gjë që duhet të them është se ne 30 metrat e fundit, dhe ua them djemve, duhet të jemi më agresivë”, tha Di Biaxho në konferencën për shtyp.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura