Përfaqësuesit e forcave opozitare nga Serbia, dy javë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në atë vend, e intensifikuan fushatën e tyre në Kosovë.
Forcat e ndryshme të djathta dhe pro-evropiane bien dakord kryesisht për sfidimin e pavarësisë së Kosovës, por edhe për kursin politik që ka marrë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për këtë çështje.
Mirëpo, mesazhet e opozitës dominohen edhe nga ato që kanë të bëjnë me përpjekjet për t’i inkurajuar qytetarët që të dalin në qendrat e votimit, ose siç tha nga Graçanica bartësi i listës “Serbia kundër dhunës”, Mirosllav Alleksiç, “më 17 dhjetor edhe ata [serbët e Kosovës] zgjedhin qeverinë”.
Dhjetë kandidatë për deputetë në Kuvendin e Serbisë nga lista “Serbia kundër dhunës” vizituan më 4 dhjetor Graçanicën – njërën nga dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë – ku, siç thanë, u është dashur të bisedojnë me banorët vendas. Prej atje, ata shkuan në Mitrovicën e Veriut – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Qytetarët nga këtu [Kosova] duhet t’i dërgojnë mesazh Aleksandar Vuçiqit [presidentit të Serbisë] dhe Listës Serbe se nuk e kanë më mbështetjen e tyre”, tha mes tjerash Alleksiq.
Lista Serbe u përgjigj duke thënë se Alleksiç dhe kandidatët e tjerë për deputetë të listës “Serbia kundër dhunës” janë duke shkaktuar “përçarje mes serbëve në këto zona”.
“Megjithatë, më pak se dy javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, kur serbët nga Kosova dhe Metohia do të tregojnë edhe një herë se i besojnë vetëm presidentit Vuçiq. Me votën e tyre, ata do të tregojnë se duan që Serbia të vazhdojë të forcohet, sepse kjo do të thotë siguri dhe mbijetesë e serbëve në këto zona”, tha Lista Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila u udhëhoq nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deri në maj të këtij viti.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al