Dy aksidente me dy të plagosur në Tiranë

Dec 30, 2013 | 10:33
SHPËRNDAJE

TIRANE – Dy aksidente me pasojë plagosjen e dy personave ndodhën paraditen e djeshme në dy zona të ndryshme të Tiranës. Një vajzë 18-vjeçare mësohet se ka mbetur e plagosur rëndë në mesditë, pasi është përplasur nga nja motor, që lëvizte me shpejtësi në zonën e Kombinatit. Vajza ka qenë duke kaluar nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është aksidentuar duke mbetur pa ndjenja në mes të rrugës. Ndërsa autori që ka shkaktuar aksidentin, i cili sipas dëshmitarëve dyshohet të jetë një djalë rreth 25 vjeç, nuk ka ndaluar për t’i dhënë ndihmën e parë. Madje, ai nuk e ka ulur as shpejtësinë e motorit, por ka vazhduar rrugën duke devijuar më pas në rrugën që të çon në fshatin Yzberisht, për t’iu shmangur forcave të Policisë. Vajza është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se vazhdon të jetë në gjendje kritike për jetën. Policia e Komisariatit Nr.6 dhe efektivët e Qarkullimit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes duke pyetur dëshmitarët dhe kanë nisur hetimet për aksidentin. Ndërsa janë sinjalizuar të gjitha patrullat e kryeqytetit për ndalimin e motorit, pas përshkrimeve që kanë marrë nga dëshmitarët. Ndërsa para këtij aksidenti, një tjetër ngjarje ndodhi në afërsi të kryqëzimit të “21 Dhjetorit”. Dy automjete tip “Benz” dhe “Golf 4” u përplasën me njëra-tjetrën e, për pasojë, mbeti i dëmtuar me disa plagë të lehta drejtuesi i mjetit tip “Golf”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura