Duka: Në kombëtare vijnë ata që luajnë. Europiani? S’jemi favoritë

Jan 14, 2016 | 10:31
SHPËRNDAJE

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka beson te forca e grupit të kuqezinjëve për të marrë rezultate pozitive në Europian.

Në një intervistë për gazetën “Mapo”, kreu i FSHF-së tha se Shqipëria do të ballafaqohet si e barabartë me çdo kundërshtar.

“Të gjithë, e kuptojmë se sa e vështirë është arritja e një objektivi të tillë. Besoj se të 24 skuadrat pjesëmarrëse në Francë e dëshirojnë një gjë të tillë dhe kjo shikohet si një objektiv parësor për pretendentët dhe synimi kryesor për skuadra më të vogla. Unë them se Shqipëria, gjatë kualifikueseve ka dhënë prova se mund të ballafaqohet si e barabartë me çdo lloj kundërshtari. Rritja e skuadrës është evidente dhe ne jemi të bindur, se në këtë pjesëmarrje të parë në këto finale, ne do të japim maksimumin. Nuk jemi skuadër favorite por do të luajmë të gjitha shanset tona për të dhënë maksimumin në Francë”- tha Duka.

duka

Ndër të tjera ai tregon se grupi i De Biazit së shpejti do të njihet dhe me vendin ku do të akomodohet në Francë.

Përsa i përket afrimit të futbollistëve në Kombëtare, Duka theksoi që vetëm ata që shkëlqejnë në fushën e lojës e meritojnë një vend në grupin kuqezi.

“Vështirë të thuhet që gjatë një periudhe 10-12 vjeçare, vëzhgimit të specialistëve të FSHF, t’i ketë shpëtuar ndonjë futbollist, që është formuar dhe luan në Shqipëri. Po ju përmend Salihin, Shkëmbin e shumë të tjerë në 2005 për të vazhduar më pas me Bakajn, Hykën, Muzakën Vilën etj, apo me Lilën e Agollin, të gjithë të dalë nga kampionati shqiptar. Pa përmendur lojtarët aktualë të Shqipërisë, Balaj, Roshi, Vajushi dhe veçanërisht Hysaj, që kanë luajtur herët me të gjitha seleksionet e moshave. Në këndvështrimin tonë si FSHF, nuk ka ndarje mes lojtarëve që luajnë brenda apo jashtë Shqipërisë. I vetmi kriter është forma sportive dhe ajo që japin në fushën e lojës. Pra e meritojnë apo jo, të jenë në skuadrën kombëtare. Natyrisht duke qenë të ndërgjegjshëm, se duke u aktivizuar në kampionate të niveleve të larta, ata rriten më shumë profesionalisht dhe ky është një test i padiskutueshëm.

Një përgjigje më e drejtpërdrejtë për pyetjen tuaj, do të ishte kjo: Klubet shqiptare të futbollit duhet të punojnë më shumë nëpërmjet akademive të tyre që talentet, të përpunohen sa më mirë profesionalisht. Nëpërmjet mekanizmave tona, ne po ndërhyjmë për t’i ndërgjegjësuar sa më shumë ata, për t’i kushtuar talenteve sa më shumë vëmendje”.

Stadiumi “Loro Boriçi”

“Vonesat në përfundimin e punimeve të stadiumit “Loro Boriçi”, kanë ardhur për një seri arsyesh. Kryesorja, ishte përfundimi i kontratës mes Bashkisë së Shkodrës dhe FSHF, gjë që pengoi fondet që ne kishim përfituar nga UEFA, për këtë projekt. Pavarësisht kësaj, mund të them, se futbolli shqiptar do të ketë në dispozicion një tjetër impiant të rëndësishëm dhe modern. Kjo është një tjetër vepër e rëndësishme dhe investim që lë gjurmë në rritjen e cilësisë së futbollit dhe me tepër. Brenda muajit mars çdo gjë do të jetë gati”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura