“Duhet të kemi kujdes që këtej e tutje, të mos na dalin në ekran njerëz…”- Refleksionet e shkrimtarit të njohur: Todi Lubonja nxori nga xhepi një letër për të na treguar çfarë ka thënë shoku Enver për festivalin e 11-të

Nov 7, 2023 | 7:42
SHPËRNDAJE

fewstivali 11

Është e katërta herë që po shkruaj për Festivalin e 11-të Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (22-25 dhjetor 1972), aq sa ç’kam shkruar para disa kohësh për Konferencën e Tiranës, (16-20 prill, 1956). Edhe këtë radhë për të njëjtën arsye: për mungesën e saktësie historike të disa ngjarjeve që lidhen me këtë festival, të cilat Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i parë i PPSh-së, pas vdekjes së Enver Hoxhës, i përshkruan në librin e tij të fundit “Jeta ime” (2010), ndonëse në të ka pohime objektive, të sinqerta, sidomos  kur ai dëshmon  për gabimet e rënda që sollën në dështimin e sistemit komunist në Shqipëri, të drejtuar nga Enver Hoxha, ku edhe kërkon falje. Por në përshkrimin e figurës së tij, Ramiz Alia është shpesh herë kontradiktor, sidomos në kapitullin; “Lufta kundër liberalizmit”, ku ndalet te Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (22-25 dhjetor 1972).

Si u prit Festivali i 11-të?

Të them të drejtën, unë dhe shokë të mi, gazetarë në RTSh-së, e pëlqyem festivalin, të cilin unë pata mundësi të ndjek vetëm një natë në sallë (netët e tjera në televizor), madje në galeri, më këmbë, sepse biletat ua ndamë kryesisht bashkëpunëtorëve më të ngushtë, figura të shquara në fusha të ndryshme të kulturës, artit dhe shkencës. Veçse na bëri një çikë përshtypje, paraqitja e jashtme! Pati nga ata të cilëve, iu duk pak e tepruar. Edhe tek-tuk në popull, sidomos te ata që ishin konservatorë, u krijua ndonjë opinion ekstrem:

“Pse, ku jemi këtu, në Itali, që këngëtaret të vishen e të këndojnë kësisoj? Por edhe, disi nën zë: “Festivali qe i bukur, me këngë të këndshme… edhe veshjet, sidomos të këngëtareve. Sa mirë që erdhi më së fundi koha e tyre edhe në televizion. Por, mos e dhëntë zoti, të ketë pasoja andej nga lart”! Një gjë është e sigurt: Veshje të ngjashme me to të këngëtareve, kishin filluar të shiheshin rëndom, të paktën tek të rinjtë dhe të rejat e Tiranës.

Më saktë, te fëmijët e udhëheqësve, me përjashtim të fëmijëve të “udhëheqësit të madh”. Pra, si pasojë nga paradat në bulevardin e madh dhe lokalet e njohura të Tiranës, ato ishin ngjitur në skenë e Festivalit të 11-të. Por, gjithsesi, ato veshje përbënin ende befasi, në syrin e pamësuar të teleshikuesit shqiptar.

Edhe publicisti i njohur Marash Hajati, që ka punuar drejtor i RTSh-së dhe më pas drejtor  i përgjithshëm i RTSh-së nga viti 1974 deri  më 1987, në librin e tij “Dera e prapme e shtypit”, lidhur me paraqitjen e jashtme të Festivalit të 11-të, mendime të tilla, të përafërta jep, kur shkruan: “Kudo, në shtëpi, në rrugë, në zyra, të kapte veshi një mori vlerësimesh e mendimesh nga më të ndryshmet: ‘Ishte festival i bukur, u kënaqëm’. ‘E çfarë kishte origjinale’? ‘Imitime banale si në Itali’. ‘Keq’. ‘Nuk na përshtatet neve…’! ‘Dikush do ta pësojë’! ‘I di Partia ato punë”!

Me gjysmë zëri, me gjysmë ndrojtje e, gjysmë vigjilencë, erdhën këto zëra në formë thashethemesh, deri në korridoret e Komitetit Qendror” (faqe 76.) Më poshtë ai vazhdon: “Atë natë në formë zemërimi, diçka ishte thënë në pallatin e pushimit në Vlorë, nga Enver Hoxha…”! Por, lind me të drejtë pyetja: “Kujt ia kishte thënë”?! Pra, edhe Marash Hajati, ndonëse instruktor i shtypit në Komitetin Qendror, në këtë konstatim, mbetet në fushë e hamendësimeve, ashtu si edhe unë në përshkrimin që i kam bërë këtij episodi më sipër, sepse edhe tani, nuk është zbuluar ende vërtetësia e kësaj shprehjeje, të dalë nga goja e diktatorit!

Më mirë se kushdo tjetër, këtë mund ta vërtetojë e shoqja e tij, Nexhmija, që, siç kemi thënë më lart, duhet të ketë qenë e pranishme ato net të festivalit, pranë tij në Vlorë, mbase edhe fëmijët, aq më tepër që, Marash Hajati vazhdon: “Zemërimi i ishte shtuar shumë, kur juria qendrore dhe ato të rretheve, në stilin Italian, komunikonin e bënin vlerësimet e këngëve dhe interpretimeve të atij festivali, që solli aq të papritura”! (Po aty).

Po shkruaj për Festivalin e 11-të dhe e shoh me vend që, për të shuar kureshtjen e lexuesve, sidomos lexuesve që ende nuk kishin lindur në ato vite, ose ishin ende të mitur, të kujtojmë disa nga këngët e tij: Festivali, siç përmenda më sipër, u zhvillua nga 22-25 dhjetori i vitit 1972, në sallën e TOB-it (Teatrit të Operës dhe Baletit). U kënduan 20 këngë, nga 19 këngëtarë, (dy këndoi Sherif Merdani). Këngët u shoqëruan nga orkestra e madhe, me dirigjentë Ferdinand Dedën dhe Eno Koçon, orkestra frymore, e drejtuar nga Gaspër Çurçia dhe orkestra e kitarave, nga Alfons Balliçi, si dhe nga një kompleks, i përbërë nga tri vajza e tre djem.

Veç jurisë qendrore, për vlerësimin e këngëve fituese, ishin krijuar edhe juri në; Korçë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër…! Festivali, siç përmenda më lart, u drejtua nga Bujar Kapexhiu dhe Edi Luarasi, regjisor ishte Mihal Luarasit. Çmimin e parë e fitoi kënga: “Erdhi pranvera” e Pjeter Gacit, kënduar nga Tonin Tërshana, çmimin e dytë kënga “Udhët janë të bukura”, e Agim Krajkës, kënduar nga Lindita Sota, çmimin e tretë, e fitoi kënga “Kush më njeh mua”, e kënduar nga Ema Qazimi.

Nga këngët e tjera po përmend; “Në ekranin e televizorit”, kënduar nga Justina Aliaj, “Mozaik tingujsh e ngjyrash”, kënduar nga Liliana Kondakçi, “Erdhi një djalë në fshatin im”, kënduar nga Dorian Nini, “Kur dëgjojmë zëra nga bota”, kënduar nga Francesk Radi, “Sonte u takoj të gjithëve”, kënduar nga Zija Saraçi, “Nata e fundit”, kënduar nga Besnik Alibali…!

Kështu, pra, pas disa ditësh, që diçka ishte thënë për festivalin, dhe jo për të mirë, edhe ne, punonjësit e RTSh-s e nuhatëm, por tek Todi nuk vumë re asgjë shqetësuese, aq më tepër alarmuese.

Të paktën kështu na u duk. Nuk u bënë mbledhje rrufe të partisë, a të kolektivit, nuk u pa ndonjë figurë e rëndësishme e Komitetit Qendror të PPSh-së, të futej me nxitim në zyrat e Todi Lubonjës, ose ai të thirrej me urgjencë në “selinë e kuqe”. Por është fakt që; “Zëri Popullit”, nuk shkroi asnjë radhë për këtë festival, as për të keq, por as edhe për të mire! Po ashtu edhe gazeta “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë!

“Ato ditë, – shkruan Ramiz Alia, në librin e tij; ‘Jeta ime’,-Enver Hoxha ishte me pushime në Vlorë, kështu që nuk m’u dha rasti, të shkëmbeja ndonjë mendim për festivalin. Pas disa ditëve, më 9 janar të vitit 1973, në një mbledhje të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe pas 5-6 ditëve edhe në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, Enver Hoxha bëri një kritikë të fortë për Festivalin XI-të të Këngës në RTSh, duke e cilësuar atë si shkarje të rëndë, nga vija e partisë, bile armiqësore.

Para se Enveri të fliste në Presidiumin e Kuvendit Popullor, nuk kishim arritur të flitnim bashkë për festivalin. Kështu që kritika e tij për këtë festival, ishte e papritur edhe për mua. Bile nuk më erdhi mirë, që Enveri bënte kritikë publike, pa biseduar fare me mua, që përgjigjesha për këtë sektor veprimtarie”. (faqe 263-264).

Jo, ky pohimi Ramiz Alisë, nuk është i saktë. Ai me sa duket, ngatërron kohët dhe datat. Dhe ja sepse: Më  20 janar të vitit 1973, pra disa javë pas përfundimit të Festivalit të 11-të, (22-25 dhjetor 1973, Todi Lubonja na mblodhi, ne, krijuesit, në një takim që ishte bërë zakon të organizohej, çdo muaj, për të na dhënë orientime për planet tona krijuese, për muajin e ardhshëm. Takim krejt i zakonshëm. Sikur e kishim harruar festivalin. Mendonim se, vërtet Enver Hoxha, nuk e kishte pëlqyer atë, por e kishte mbyllur me kaq.

Mirëpo në fund të mbledhjes, Todi nxori nga xhepi i setrës një broshurë, e na tha: “Tani do t’ju lexoj një fragment të fjalës që shoku Enver, ka mbajtur më 9 janar, në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, me titull, “Zhvillimi i letërsisë dhe arteve, të bëhet në luftë kundër çdo ndikimi të huaj ideologjik”, ku na kritikon edhe ne.

Ishte me të vërtetë për t’u habitur, se përse diktatori, kishte zgjedhur Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe jo Komitetin Qendror, ku në çdo kohë dhe kur t’ia donte qejfi, mund të sajonte mbledhje, si vendin për të mbajtur këtë fjalim, aq më tepër kur në atë mbledhje, shqyrtohej një raport i paraqitur nga Komiteti Ekzekutiv i Këshillit Popullor të rrethit të… Tepelenës?!

Ky diskutim, aq më tepër për artin, ishte si dhia midis dhensh, sepse nuk kishte asnjë lidhje, me problemet ekonomike që trajtoheshin në këtë raport, me siguri të mbushur me shifra e fakte, doemos të fryra, për “sukseset” e rrethit të Tepelenës. Megjithatë, çekani i Enver Hoxhës, rrihte gjetkë.

Pasi lexoi radhët e para të fjalës së “udhëheqësit të madh”, ku mburrte Tepelenën dhe tepelenasit, Todi vazhdoi me zë të qetë, radhët ku populli i kësaj krahine, “tërë jetën e tij, ka kënduar e vallëzuar në mënyra të ndryshme…”, se: “nëpërmjet valleve e këngëve, u këndohej njerëzve, virtyteve e tyre të larta, pra, në të gjitha këto këngë e valle të popullit ka një pasuri të madhe kulture dhe arti që kanë mbajtur gjallë gjatë shekujve traditat luftarake e kulturore të masave të popullit”.

Siç shihet, frazeologjia e Enver Hoxhës në këtë diskutim, është, kaq e shterpët, kaq bajate, kaq e përgjithshme, sa mund t’i kushtohet pasurisë kulturore, të çdo krahine të vendit tonë. Por, kur Todi filloi të lexonte më tej, e kuptuam se ku donte të dilte, ky demagog i pakrahasueshëm: “Një mësuese shkolle, më shkruan se; kur u thotë nxënësve, se si duhet ta kenë paraqitjen e si të vishen, këta u përgjigjen; Ju, shoqja mësuese, na thoni të jeni të sjellshëm, me paraqitje të rregullt, por ne shikojmë në televizor, të dalin njerëz me veshje, me flokë e me paraqitje që ju na i keni kritikuar. Mirëpo ata që shfaqen në televizion janë zyrtare. Jo shokë, këto gjera nuk janë zyrtare, por kontrabandë”! (Enver Hoxha, Vepra 50, 1986, faqe 4-5).

Së pari, duhet të them, se diktatori e tepronte në mënyrë të habitshme! Që kishte pasur të intervistuar, a pjesëmarrës në emisione televizive, me veshje, ose me flokë disi të gjatë, kjo nuk përjashtohej. Por secili redaktor, kishte pasur porosi që të mënjanonte ndonjë dukuri të tillë dhe, si pasojë, asnjëherë nuk mbaj mend që ky problem, të jetë bërë i mprehtë.

Por Enver Hoxha, i mëshonte këtij fakti edhe me shprehjen absurde: “Këto gjëra nuk janë zyrtare, por kontrabandë”, ku fjala e fundit ishte përdorur krejt pa vend. Pastaj, edhe letra duket e stisur prej tij, si shkas për të sulmuar Televizionin e, pas tij, vetë Todin, siç ndodhi më pas.

Pasi lexoi këto radhë, i shpenguar, bile me një dorë të futur në xhepin e pantallonave, Todi hoqi syzet dhe na tha: “Siç e shihni, duhet të kemi kujdes që këtej e tutje, të mos na dalin në ekran njerëz, me të metat që vë në dukje shoku Enver”. Me kaq mbledhja u mbyll. Asnjë fjalë nuk kishte përmendur Enver Hoxha, pas më shumë se dy javësh, për Festivalin e 11-të. A nuk kishte të drejtë Todi Lubonja dhe ne, që i dëgjuam këto vërejtje të diktatorit, se me kaq çdo trazim për pasojat e tij, kishte marrë fund? Kjo është e vërteta. Pra, në fjalën e mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar të vitit 1973, Enver Hoxha, nuk e ka zënë në gojë Festivalin e 11-të.

Madje, kritikën e ashpër ndaj festivalit, nuk e ka bërë ato ditë as në aparatin e Komitetit Qendror. Siç, do të shohim në vazhdim të këtij dossieri, ai këtë e ka bërë më vonë… më 15 mars, sepse, sikur diktatori të kishte sulmuar Festivalin e 11-të, më 9 janar të vitit 1973, Todi Lubonja, nuk do ta kishte lexuar fragmentin e mësipërm, me një dorë në xhep, por do të kishte lexuar ndonjë sulm “alla Enver”, që ishim mësuar të dëgjonim, a lexonim kundër armiqve të Partisë, që i shkonte në thikë…! Sidoqoftë, edhe ky fragment, kishte një domethënie. “I bie pragut, që të dëgjojë dera”, – thotë populli. Me një fjalë, jehonën e tij, do ta dëgjonim më pas.

Të kthehemi te libri i Ramiz Alisë “Jeta ime”. “Themelore, -shkruan ai, – është se unë, nuk e kisha të qartë se përse Enver Hoxha, mbajti atë pozicion aq kritik ndaj festivalit. Në të gjitha kontaktet e bisedat që kam pasur me të, për probleme të arteve dhe kulturës, Enveri, asnjëherë nuk tregohej i ngurtë dhe sektar. Bile, qeshnim kur kujtonim, se sa i rreptë tregohej Mehmeti, ndaj ‘qafëleshëve’ që i kalonin poshtë zyrave të kryeministrisë. Enveri ishte i gjerë, me atë mund të diiskutojë  lirisht”, (faqe 263).

Në këtë pike, Ramiz Alia ka shumë arsye të habitet. Sepse, përderisa pranon një faqe më sipër, se as Mehmet Shehu, as Hysni Kapo, nuk i kishin bërë vërejtje për festivalin, se Enver Hoxha nuk i kishte bërë vërejtje as atij vetë, kuptohet se tërë strategjinë për të sulmuar Festivalin e 11-të, ai e kishte  thurur djallëzisht  në mendjen e tij, ose edhe me pëlqimin e së shoqes, Nexhmijes, duke vërtetuar edhe një herë katërcipërisht se, kishte kohë që nuk rrihte mendime, a dëgjonte vërejtjet e shokëve në Byro, që pastaj të merrte vendime kolegjiale në Byronë  Politike, ose në Komitetin Qendror, ashtu siç shkruan Ramkz Alia, në librin e tij “Jeta ime”! Memorie.al

Nga Skifter Këlliçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura