“Dua të shkolloj djalin jashtë, po s`më mjafton rroga”, “Çelësi” i ankohet “Rezidentit”/ Trondit SHISH: Ja si rekrutohen zyrtarët shqiptarë në spiunazh

Jun 25, 2022 | 7:58
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ “Me rrogën që marr unë nuk mund ta shkolloj tim bir”. Kështu i ankohej “Çelësi”, një zyrtar i lartë në vendin tonë, “Rezidentit”, një të huaji që kishte ardhur në Shqipëri për të marrë informacionet që i duheshin.

SHISH

Pas një takimi në zyrën e “Çelësit”, një ftese për kafe, “Rezidenti” e fton shqiptarin për drekë jashtë Tirane në një restorant që frekuentohej nga pak klientë. Aty hyjnë në bisedën konkrete dhe “Rezidenti” i bën propozimin “Çelësit”, i cili e pranon: Në këmbim të bursës së të birit, duhej të jepte informacionin që i duhej “Rezidentit”.

Ky i fundit i jep “Çelësit” herë pas here zarfe me para dhe më pas lënë edhe një darkë, në një tjetër restorant, i të njëjtit mekanizëm fshehtësie! Kështu e ilustron SHISH, në raportin e tij vjetor për 2021-shin, ndërhyrjen e shërbimeve sekrete në vendin tonë, duke bërë pjesë të saj jo vetëm zyrtarë e administratë, por deri në rang akademikësh, shoqëri civile dhe gazetarë në mënyrë masive.

Raporti i plotë i botuar ditën e djeshme në faqen zyrtare të Shërbimeve Informative hedh dritë mbi një sërë fenomenesh që janë kërcënime reale për sigurinë dhe stabilitetin e vendit, si pastrimi i parave, krimet kibernetike, terrorizmi, mosndëshkueshmëria dhe, mbi të gjitha, aktiviteti i inteligjencës së huaj në Shqipëri dhe rajon.

Raporti sjell të pjesshëm ndërveprimin e kundërspiunazhit me dy protagonistë, “Rezidentin” që është shtetasi i huaj dhe “Çelësin”, që është zyrtari shqiptar! Por SHISH e përfundon historinë pa e treguar se deri ku shkoi bashkëpunimi mes tyre, pasi sipas tyre, është sekret shtetëror dhe nuk mund të publikohej. Më poshtë sjellim historinë e plotë dhe tronditëse që SHISH e publikoi si demonstrimin e mënyrës se si operojnë shërbimet e huaja në vendin tonë dhe “shërbëtorët” e gatshëm që gjenden këtu për t`iu ofruar çfarëdo që iu duhet të huajve në këmbim të ndonjë nderi!

REKRUTIMI I ZYRTARIT TË LARTË, HISTORIA

“Gjatë monitorimit të aktivitetit të një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jo mik dhe me mbulesë diplomatike që, në këtë rast, po e quajmë me nofkën ‘Rezidenti’, u evidentua aktivitet i ngjeshur në kontakte me qytetarë të ndryshëm të vendit tonë, midis të cilëve edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale, për shkak të funksionit diplomatik që përdorte si mbulesë.

Përparësia i këtij operativi është njohja e gjuhës shqipe dhe zhdërvjelltësia në krijimin e kontakteve. Është vënë re prirje e tij për të pasur qasje dhe për të mundësuar takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, si dhe veprime për të shmangur mbikëqyrjen nga struktura të sigurisë.

Dyshimet e para se ‘Rezidenti’ kishte nisur një operacion të mundshëm rekrutimi, erdhën pas frekuentimit të disa kabinave publike telefonike, në orare të përafërta në ditë të caktuara të muajit, të cilat realizoheshin pas lëvizjeve në rrugët e qytetit në këmbë dhe me automjet, për t’u siguruar që të ishte jashtë rrezes së monitorimit të strukturave të specializuara. Pritësi i thirrjeve telefonike ishte një shtetas shqiptar, punonjës në institucionin qendror A. Punonjësin këtu po e quajmë me emrin ‘Çelësi’”.

TAKIMI

“Në një rast, në vigjilje të Vitit të Ri, ‘Rezidenti’ komuikon me ‘Çelësin’ dhe i kërkon një takim për ta uruar për festat e fundvitit. Nisur nga kjo situatë, u ndërmorën disa veprime të kualifikuara për të dokumentuar takimin dhe për të vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes tyre. Duke e vlerësuar ‘Rezidentin’ si profesionist, i cili kishte mundësi të vogla për të gabuar, u planifikuan detyra operative për verifikimin e figurës dhe monitorimin e aktivitetit të ‘Çelësit’.

Po ashtu, u morën masa për të verifikuar qasjen e ‘Çelësit’ në informacion të klasifikuar ‘Sekret Shtetëror’ si dhe të dhëna për ndryshimin e sjelljes së tij në rutinën e përditshme të punës. Të dhënat e para treguan se ‘Rezidenti’ i kishte frekuentuar shumë rrallë ambientet e zyrës ku punonte ‘Çelësi’ dhe, në dukje, nuk kishte shprehur ndonjë interes të veçantë në drejtim të ‘Çelësit’.

SHISH-i mësoi se ‘Çelësi’ ishte njohur me ‘Rezidentin’ në një nga aktivitetet e zhvilluara nga një përfaqësi diplomatike, ku shkëmbyen numrat e telefonit pas takimit të rastësishëm. Kohë më vonë, ‘Rezidenti’ ishte shfaqur në zyrën e ‘Çelësit’, i cili për momentin u ndodh i vetëm dhe e kishte pyetur për vendndodhjen e përfaqësuesit të marrëdhënieve me jashtë të institucionit. Duke përfituar nga kjo situatë, ‘Rezidenti’ e ftoi për kafe në një nga baret me pak frekuentim në afërsi të institucionit”.

FILLIMI I BASHKËPUNIMIT

“’Çelësi’ pranon të konsumojë kafen, por në biseda nuk u vu re ndonjë temë konkrete interesi. Bisedat ishin të karakterit të përgjithshëm, rreth familjes, arsimit, ambientit të punës dhe problematikat e përgjithshme.

Në përfundim, ‘Rezidenti’ e fton për një drekë jashtë qytetit, duke përcaktuar orën dhe ditën, si dhe i kërkon disa të dhëna që, në kontekstin e detyrës së ‘Çelësit’, nuk përbënin ndonjë çështje sekreti. ‘Çelësi’ pranoi të takoheshin për drekë, për t’u njohur më mirë dhe për të shfrytëzuar këtë kontakt ‘diplomatik’ me synim shkollimin me bursë studimi që ofronte shteti i ‘Rezidentit’ për djalin e tij.

Gjatë drekës, ‘Rezidenti’ krijoi një njohje më të plotë të profilit personal dhe të punës, të aksesit të ‘Çelësit’ ndaj informacionit të klasifikuar, duke i premtuar se do ta ndihmonte për shkollimin e djalit.

‘Çelësi’ u ankua se, me të ardhurat si nëpunës, e kishte të pamundur shkollimin e djalit jashtë vendit dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar. ‘Rezidenti’ i thotë se asgjë nuk ishte e pamundur nëse ky do të ofronte ndihmë dhe të mblidhte disa informacione që nuk do të cenonin detyrën e tij funksionale.

Pas një ngurrimi të shkurtër, ‘Çelësi’ ra dakord në parim për ta ndihmuar dhe ‘Rezidenti’ i kërkoi disa informacione, duke i siguruar edhe një pajisje elektronike për hedhjen e tyre. ‘Rezidenti’ i përcaktoi edhe takimin e radhës për darkë, në një zonë dhe lokal tjetër, jashtë qytetit.

Në takimet e radhës, të organizuara në mënyrë të paracaktuar apo nëpërmjet telefonatave nga kabina të telefonave publikë, ‘Rezidenti’ i ka dhënë zarfe me shuma të ndryshme të hollash ‘Çelësit’. Gjithashtu, ka paguar gjithmonë faturat e shpenzimeve.

Fshehtësinë e takimeve të tilla ‘Rezidenti’ e ka justifikuar me arsyetimin se e bën për të mbrojtur ‘Çelësin’ dhe prandaj i ka dhënë edhe një numër tjetër telefoni, ku ai të komunikonte në raste urgjente”.

RAPORTI

SHISH, në fund të historisë së treguar për bashkëpunimin mes “Çelësit” dhe “Rezidentit”, shpjegon faktin se: Për arsye të mbrojtjes së aktivitetit, burimeve dhe ngjashmërisë me një rast specifik, SHISH-i nuk mund të publikojë të plotë vijimin dhe përfundimin e kësaj situate.

Por në parashtrimin e kërcënimeve që vijnë nga kjo pikë e raportit, theksohet se në fakt “Propaganda dhe dezinformacioni janë instrumentet më të përdorura nga shërbimet e huaja të inteligjencës jomiqësore për të promovuar interesat strategjikë të politikës së jashtme, për të ndikuar në perceptimin e opinionit publik lidhur me rolin e tyre në çështjet ndërkombëtare në fushën e sigurisë, dhe për t’u prezantuar si alternativa të besueshme kundrejt aktorëve perëndimorë në rajon.

Në këtë aspekt, segmente të caktuara nga shoqëria civile dhe akademikë, qendra gjuhe e kulture, gazetarë, media e shkruar, vizive dhe online, si dhe rrjetet sociale, janë nga kategoritë që përdoren dhe shfrytëzohen nga këta aktorë për arritjen e objektivave të tyre”, thuhet në raportin e vitit 2021.

© Panorama.al

Te lidhura