DOKUMENTI/ “Tirana ka burgje çnjerëzore”, dëshmitë e të huajve që u riatdhesuan në vitin ’55! Relacioni i kreut të Sigurimit të Shtetit: Robërit e të dënuarit i kemi torturuar, por…

Sep 15, 2023 | 13:20
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Ikën nga Shqipëria kur nuk e prisnin. Një marrëveshje ndërkombëtare i liroi nga prangat e burgjeve dhe u riatdhesuan. Kur po pajtoheshin me ditët në liri, nuk harruan t’u kthehen tmerreve që kishin përjetuar në ferrin e burgjeve shqiptare. Gjithçka nga reagimet e tyre edhe pas kësaj mbetej në interesin e autoriteteve të Tiranës.

burgjet

Të detyruar për të raportuar gjithçka për mënyrën e sjelljes me ta, krerët e Policisë Sekrete, siç dëshmohet në dokument, pohojnë ndërkaq torturat e përdorura ndaj tyre. Erna Shubert, Irmgart Tennius dhe Hans Troschel, tre përfituesit e parë të marrëveshjes Hrushov-Adenaur, që parashikonte veç riatdhesimit të robërve edhe lirimin e shtetasve të huaj që nuk rezultonin kriminelë lufte, vuanin dënimin në Shqipëri prej vitesh.

Procesi për riatdhesimin e tyre nisi me vizitën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë Lindore në nëntor të vitit 1953 në Tiranë dhe vijoi me zyrtarizmin e çështjes nga autoritetet përkatëse. Kreu i diplomacisë shqiptare, Behar Shtylla, ishte i pari që vuri në lëvizje mekanizmin për riatdhesimin e tre gjermanëve të dënuar, duke iu drejtuar fillimisht organeve të Policisë Sekrete. “Të dënuarit që po riatdhesojmë janë torturuar pa masë, por nuk kanë pranuar akuzat”. Relacioni i Sigurimit të Shtetit që përmban këtë fakt, është pjesë e procedurës zyrtare për faljen e tre gjermanëve të dënuar në Shqipëri në vitet ’50. Përgjigjja e zyrtarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, Rexhep Kolli, që artikulonte profilin biografik të tre shtetasve gjermanëve të burgosur në mesin e viteve ’50, pasi mori bekimin e Mehmet Shehut, ish-ministër i Brendshëm, iu paraqit Presidiumit të Kuvendit Popullor për të mundësuar faljen për Erna Shubert, Irmgart Tennius dhe Hans Troschel. Dokumenti i sigurimit që i parapriu riatdhesimit të tre shtetasve gjerman, pohon torturat në qelitë e burgut dhe dënimet krejtësisht arbitrare të tyre.

DOKUMENTI

RELACION
Tiranë, 1 dhjetor 1953

Në vendin tonë ndodhen tre shtetas gjermanë të internuar, dy prej të cilëve ndodhen në kampin nr. 5 dhe njeri në kampin nr. l.

1-ERNA SHUBERT e bija e Vilhelmit dhe e Margaritës, lindur ne Berlin (Gjermani) në 1921 dhe me banim të përhershëm në Berlin, Chartotbenburg Dalmaustrese 23-V-IV (Republika Demokratike Gjermane), ka mbaruar 8 klasë fillore, din me shkrue gjermanisht dhe italisht, ndërsa anglisht dhe shqip, vetëm me folë. Rrjedh nga një shtrese e mesme qytetare me profesion nëpunës stenografe dhe me kombësi dhe shtetësi gjermane. E përmendura qysh në moshën 15 vjeç, ka filluar punë si stenografe në ndërmarrje dhe firma të ndryshme private, ka qenë anëtare e organizatës së “Rinisë Hitleriane”, (BDM) “Bund Dietch Meil”. Më 1942 mobilizohet nga Sindikatat e Berlinit për shfrytëzimin e vajrave dhe të benzinës RANTIVENTAL YLLY GEZOFSHET dhe në qershor të vitit 1944 vjen në Shqipëri në degën e kësaj shoqërie me qendër në Tiranë. Në këtë degë ka punuar 3 muaj dhe në kohën kur gjermanët po largoheshin prej Shqipërie, kjo, me urdhër të gjeneral Fitzum, përfaqësonjës i Hitlerit në Shqipëri, niset për t’u 1arguar, por autokolona ku kjo udhëtonte, u godit nge forcat partizane të Brigadës V. Në shtator 1944 u zu rob, mbas çlirimit u procedua dhe u dënua me 2 vjet burg dhe mbasi mbaroi afatin e dënimit, lirohet nga burgu në shtator të vitit 1946. Më 31 tetor 1946 arrestohet përsëri për arsye se gjatë kohës së qenies së saj e lirë, ka frekuentuar Misionin Amerikan dhe të UNRRA-s, ka mbajtur kontakte me elemente të dyshimtë dhe ka propaganduar kundra pushtetit popullor, ajo u procedua dhe qëndroi e padënuar 26 muaj në burg, deri në janar të vitit 1949, kohë në të cilën për mungese faktesh nuk i kaloi gjyqit, por u internua në kampin e Kamzës, ku ndodhet edhe sot. Në kampin e internimit nuk ka mbajtur qëndrim të mirë mbas kthesës së Partisë, është pyetur nga ana e organeve të Sigurimit, por nuk ka deponuar se ka qenë agjente e zbulimit gjerman. Në fillim të vitit 1952 i kemi propozuar Komisionit të Dëbimeve dhe Konfiskimeve për lirimin dhe riatdhesimin e të sipërmes dhe më datën 19 maj 1952, komisioni vendosi që kjo të riatdhesohej bashkë me Irmgart Tennius dhe Hary Beneli, por në këtë kohë ky i fundit u implikua në një proces si nëntoger i Policisë së Fshehtë gjermane dhe gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve nga organet tona, Hary u arratis dhe nga kjo arsye u pengua lirimi dhe riatdhesim i saj.

2- IRMGART TENNIUS, e bija e Frederikut dhe e Emilies, lindur më 30 janar 1918 në Voltersdorf pranë Lukenvalde, rrjedh prej një shtrese të mesme, ka kryer 6 klasë lice dhe di gjuhët; anglisht frëngjisht dhe me fol italisht, me kombësi dhe shtetësi gjermane, familja e saj banon në Berlin, katundi Melenx1, rrugë Kosën nr.40 (Republike Demokratike Gjermane). E sipërmja ka punuar në Gjermani në firmë private. Në vitin 1942 është mobilizuar nga sindikata për shfrytëzimin e vajgurit në vendet e okupuara dhe në këtë sindikatë ka punuar në Gjermani deri në vi-tin 1944, ku ka bërë pjesë në organizatën e “Rinisë Naziste Gjermane”. Në qershor të vitit 1944 është transferuar në Shqipëri dhe ka punuar në degën e shoqërisë për shfrytëzimin e vajgurit në Kuçovë e Tiranë. Më 3 shtator 1944 është larguar me autokolonë gjermane nga Shqipëria për në rrugën Kukës-Prizren, u kap se bashku me shoqen e saj Erne nga forcat e Brigadës V. Me çlirimin e Shqipërisë, dënohet me 2 vjet burg si bashkëpunëtore me gjermanet dhe në shtator të vitit 1946 u lirua mbasi plotësoi afatin e dënimit. Është riarrestuar, liruar dhe internuar në akuzën e së parës, Erna Shubert, gjithashtu edhe përmbi saj nga internimi, por arratisja e Hary Benal përfundoi në kampin e internimit nr.5.

3-HANS TROSCHEL, i biri Ernestit dhe e Elisa, lindur në Berlin më 1899 (zona Demokratike), i martuar, ka një vajzë, me arsim të lartë, profesor gjimnazi, gjuhë të huaja di të flasë frëngjisht dhe anglisht. Hansi ka ardhur në Shqipëri në mars të vitit 1938 (sipas deponimeve të tij si emigrant), por mundet që të ketë ardhur dhe me që-llim spiunazhi si agjent i zbulimit gjerman, mbasi ardhja e të sipërmit në Shqipëri ka qenë pak kohë përpara se Gjermania hitleriane të lëshohej në luftën e saj imperialiste për skllavërinë e popujve. Nga koha e sipërme dhe deri në ardhjen e okupacionit gjerman në Shqipëri i sipërmi ka punuar pranë Ministrisë së Arsimit si piktor. Mbas kësaj kohe, mobilizohet ushtar nga komanda Gjermane me gradën tetar, ku gjatë kësaj kohe ka punuar në shtypshkronjën Tiranë. Me largimin e forcave gjermane nga Tirana, i sipërmi, nga frika se po arrestohet, qëndron i fshehur deri më 28 nëntor 1944, kohë në të cilën u arrestua dhe në vitin 1945 dënohet nga Gjykata Ushtarake në Tiranë me 20 vjet burg, si bashkëpunëtor me okupatorin gjerman. Është për t’u theksuar se Hansin në hetuesi, para kthesës, është torturuar shumë, por me gjithë këtë, ai nuk ka pranuar asgjë. Ky qëndron në kampin e internimit nr.1, ku punon si pikturist. Qëndrimi i tij është indiferent.

Austriakja Edith Ndroqi: Hansi nuk është spiun

I gjithë procesi ndaj piktorit gjerman është mbështetur vetëm mbi dy dëshmi, njëra që e penalizon si spiun të okupatorit dhe tjetra që përjashton veprimtarinë e tij në bashkëpunim të nazistëve. Pavarësisht kësaj, trupi gjykues ka formuluar një verdikt disi ndryshe, duke e kryqëzuar Hans Troschilën si “vegël të okupatorëve të huaj”. Nga aq sa përmban dosja e tij, të bën përshtypje guximi i austriakes Edith Ndroqi, dëshmitares së thirrur me forcë në sallën e gjyqit, e cila hedh poshtë çdo akuzë ndaj piktorit gjerman. Për të, Hans Troschila jo vetëm nuk ka bashkëpunuar me gjermanët, por ka qenë një simpatizantë i Shqipërisë dhe shqiptarëve, madje ka punuar me shpirt për ta. Dëshmia e saj e zbardhur më poshtë sipas dokumenteve të kohës, konfirmon absurdin e dënimeve arbitrare të gjykatave komuniste. Po çfarë rrëfen Edith Ndroqi…

DËSHMIA

U thirr për t’u pyetur si dëshmitare e quajtura Edith Ndroqi, e bija e Fritzit dhe bashkëshortja e Ahmet Ndroqit, vjeç 28, lindur në Austri dhe banuese në Tiranë. Në përgjigje të pyetjeve ajo deklaroi: “Hans Troschelin e kam njoftun përpara se të vinte këtu Italia. Në atë kohë ka ardhur në shtëpinë tonë dhe ka kërkuar burrin tim Ahmet Ndroqi. Në atë periudhë, i përmenduri Hans mirresh me studime të shkencave natyrale. Kishte vajtur për të studiuar në rrethet e Shkodrës, gjithashtu ka shkue edhe në Divjakë, në pyllin e atjeshëm dhe në vende të tjera. Më duket se një vit pas ardhjes së italianëve këtu ka ikur që këtej dhe ka shkuar në Gjermani. Me ardhjen e ushtrisë gjermane në Shqipëri, ka ardhur edhe Hans Troscheli dhe ka shkuar për vizitë te burri im, në një kohë që unë nuk isha këtu, por në çifligun e kunatit tim, pranë Shijakut. Gjatë periudhës që kanë qëndruar gjermanët në Shqipëri, ky ka ardhur disa herë në shtëpinë tonë për vizita të thjeshta, herë i veshur me uniformë ushtarake dhe herë civil, por asnjëherë nuk ka kërkuar informata dhe nuk besoj që të ketë qenë spiun. Tre-katër muaj para se të largohej ushtria gjermane nga Shqipëria, Hans Troschil, i veshur civil, ka ardhur në çifligun tonë afër Shijakut ku ishte informuar se ndodhesha edhe unë dhe më ka thënë se dëshironte të qëndronte atje për shkak se Gjermania e kishte humbur luftën dhe atij i pëlqente të rrinte në Shqipëri. Nuk besoj se kishte llafosur me burrin tim para se të vinte në çiflig. Aty ka jetuar bashkë me familjen e kunatit tim dhe me mua dhe qëndronte i fshehur prej ushtarëve gjerman. Mbas ikjes së gjermanëve nga Tirana asht kthyer në Tiranë dhe kishte qëllim të paraqitesh me kërkue punë. Tjetër gjë nuk kam. Këto thënie i vërtetoj edhe me nënshkrimin tim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura