Dokumenti/ “Tetë viktima në një ditë”- Takimi i fshehtë i Enver Hoxhës me Hajredin Çelikun në 29 prill ’82! Ish-diktatori: Ja zullumet e Mehmet Shehut në Metalurgjik! Ishte koka e…

Aug 24, 2023 | 15:05
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

“Zullumet e Mehmet Shehut në Metalurgjik kanë qenë të tmerrshme e me kosto të jashtëzakonshme. Vetëm në një ditë janë djegur tetë metalurgë”

mehmet shehu enver hoxha hajredin

I bindur se mund të mësojë shumë nga prapësitë e Mehmet Shehut në Kombinatin Metalurgjik, Enver Hoxha mundohet të hetojë dhe detajin më të vogël nga biseda me Hajredin Çelikun, anëtarin e byrosë Politike, që më së fundi i ishte besuar drejtimi i kombinatit. Interesimi i shefit të Partisë në takimin e 29 prillit ’82, nis me pyetjet për njerëzit që e shoqëronin kryeministrin e vetëvrarë gjatë vizitave të shpeshta që bënte në Elbasan, ku kishte rezervatin e tij të preferuar të gjuetisë dhe vijon me hulumtimin për shkaqet e katastrofave që pasuan njëra-tjetrën në fundin e viteve ’70 në Metalurgjik.

Përveç emrave të përgjegjësve kryesorë të këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, Hoxha kërkon me ngulm të mësojë diçka për lidhjet e tyre me Mehmet Shehun. Çeliku që e njihte mirë “hobin” e shefit për të tilla raste, shpalos para tij ato që ka seleksionuar më parë jo vetëm nga memoria e vet, por dhe nga pohimet e vartësve që më në fund kishin guxuar të hapnin gojën për rolin e njerëzve të Kryeministrit në sabotimet e njëpasnjëshme në Kombinat.

Në narrativën e drejtorit të sakrifikuar nga Byroja Politike për të normalizuar situatën kritike në këtë vepër të rëndësishme të ekonomisë, pasi shpalosen njëra pas tjetrës aksidentet e shumta, ku kanë humbur jetën dhjetëra metalurgë, një moment shpërfaqet emri i njërit prej drejtuesve kryesorë të kombinatit, që sipas tij ka dorë në çdo njërën prej tyre. Këtu Hoxha ndalon gjatë dhe kërkon çdo imtësi mbi profilin e Feruz Matës, drejtorit të montimit, emri i të cilit nuk është i panjohur për të.

Aty për aty, Çeliku rreshton shkeljet e shumta që ka lejuar ai në zbatim të projektit dhe bindjen e pakontestueshme për veprimtari armiqësore. Pjesa në vijim e dokumentit sjell një panoramë të zgjeruar rreth profilit të njërit prej inxhinierëve më në zë të kohës, që me sa duket, tragjedia e papritur e Mehmet Shehut e vuri në syrin e ciklonit…

DOKUMENTI

HAJREDIN ÇELIKU: Të dhënat në drejtim të furrnaltës tregojnë se dhe një inxhiniere që ishte ngarkuar për të drejtuar punimet, ka qëndruar vazhdimisht afër me të dhe përmbi të gjitha aq të fortë e ndjente ajo veten duke pasur mbështetjen e Feruzit, sa që na ka mbajtur edhe pasaportën e furrnaltës. Ky dokument na duhej neve, kurse ajo e ka mbajtur me vete.

ENVER HOXHA: Pse e mban ajo këtë pasaportë?

HAJREDIN ÇELIKU: E quan si një “dhuratë” që kinezët ia paskëshin bërë asaj, kurse ky është një dokumentacion teknik që i vlen shumë kombinatit. ENVER HOXHA: Kujt ia jep kjo, hallës ta mbajë? Ku e ka mbajtur deri tani ajo këtë dokument? Po tani ku është, ku punon kjo vajzë?

HAJREDIN ÇELIKU: Kjo e ka mbajtur këtë në shtëpi, edhe kur ka pas punuar në furrnaltë. Zaten ishte kjo që e bëri këtë “harresë” në bazamentin e furrnaltës. Dhe ka qenë pastaj shumë afër edhe me kinezët. Më vonë, u lidh ngushtë edhe me specialistin suedez.

ENVER HOXHA: Po ku punon tani ajo?

HAJREDIN ÇELIKU: Në Ministrinë e Ndërtimit.

ENVER HOXHA: Çfarë mban tani tjetër në shtëpi kjo?

HAJREDIN ÇELIKU: Mban pasaportën teknike të furrnaltës, pa të cilën ne, punonjësit e shfrytëzimit, nuk mund të punojmë.

ENVER HOXHA: Dhe nuk e jep këtë?

HAJREDIN ÇELIKU: Nuk na e jep, megjithëse ia kemi kërkuar zyrtarisht, si nëpërmjet drejtorisë, ashtu edhe nëpërmjet ministrisë ku punon. I kemi kapërcyer të gjithakëto instanca me radhë. Tani në fund e proceduam për ndjekje penale.

ENVER HOXHA: Si quhet kjo vajzë?

HAJREDIN ÇELIKU: X….

ENVER HOXHA: Nga është?

HAJREDIN ÇELIKU: Ndofta mund të jetë nga Korça.

ENVER HOXHA: Ku punon tani?

HAJREDIN ÇELIKU: Në Ministrinë e Ndërtimit.

ENVER HOXHA:(Në këtë kohë shoku Enver merr në telefon), Si e the ti emrin e këtij dokumenti?

HAJREDIN ÇELIKU: Pasaportën e furrnaltës. Mosdorëzimin e kësaj ne ia kemi bërë të njohur degës së brendshme të rrethit për ta proceduar për ndjekje penale, si njeri që pengon shfrytëzimin e objektit. Jo vetëm kaq, por edhe suedezi që erdhi tani për remontin e mikserit, ka prurë dy libra për ne. Edhe këto i ka marrë ajo. Bëri ç’bëri me furrnaltën, me bazamentin e saj, tani ajo po përpiqet të na mbajë dhe këto materiale..

ENVER HOXHA: Po ç’donte ajo në kombinat, si erdhi puna që ti e dëbove?

HAJREDIN ÇELIKU: Po ja? Ç’donte? Për këtë arsye dhashë urdhër menjëherë të lërohej andej dhe, në të njëjtën kohë, të kontrollohej një më një remonti i furrnaltës, se mos na ka bërë ndonjë gjë të pabërë. (Bije zilia e telefonit dhe shoku Enver bisedon, si duket, me atë që mori pak më parë) “Alo, mirëmëngjesi, shiko, në Ministrinë e Ndërtimit punon një inxhiniere e quajtur ….e cila mban në shtëpinë e vet materiale që i përkasin Kombinatit Metalurgjik, siç është pasaporta termike e furrnaltës së re, si dhe dy libra që ia ka dërguar një specialist suedez, që ka vajtur atje dhe që kanë të bëjnë me kombinatin. I thuaj të t’i sjellë atje brenda ditës, ndryshe do ta arrestojmë. Ditën e mire”.

ENVER HOXHA: Lëri të tjerat, po përqendrohu një herë këtu te furrnalta. ENVER HOXHA: Tani ku punon Feruz Mataj?

HAJREDIN ÇELIKU: Tani është sjellë si zëvendësministër i komunikacionit. ENVER HOXHA: Zëvendësministër është bërë?

HAJREDIN ÇELIKU: Po, ndërsa ai vetë priste me padurim si e qysh të largohej sa më parë për të vajtur me shërbim në port. Me thënë të drejtën, ëndrra e tij ishte që atje të vente të punonte, në port.

ENVER HOXHA: Po në Durrës sikur ka punuar ai përpara se të shkonte kryetar i komitetit ekzekutiv në Elbasan.

HAJREDIN ÇELIKU: Në Durrës ka punuar, po ëndrra e tij tani është të vejë në port! Unë mendoj se mirë u bë që nuk u çua në port. ENVER HOXHA: Po pse e larguan nga kombinati?

HAJREDIN ÇELIKU: Se e bënë zëvendësministër këtu, në Ministrinë e Komunikacionit, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Për ç’arsye thua ti se u bë mirë që nuk e çuan në port?

HAJREDIN QELLKU: Se dyshoj për personin e tij, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Po ç”mund të bënte ai në port?

HAJREDIN ÇELIKU: Atje mund të krijonte lidhje…

ENVER HOXHA: Me kë, me armikun?

HAJREDIN QELIKU: Po, mund të lidhesh edhe me armikun.

ENVER HOXHA: Pse, kemi armiq të vjetër ne në port?

HAJREDIN ÇELIKU: E kam fjalën për lidhje me të huajt që mund të vijnë aty me anije.

ENVER HOXHA: A, po, me njerëz që shërbejnë dhe vijnë me vapor të huaj, nuk e ke fjalën për lidhjet me armiq brenda vendit.

HAJREDIN ÇELIKU: Jo, e kisha fjalën për vaporët që mund të vijnë në Durrës, nuk e kam për brenda, në port ai mund të lidhej me të huajt që vijnë me vapore nga vendet e tjera.

ENVER HOXHA: Po ai aksidenti tjetër?

HAJREDIN ÇELIKU: Në kohën që do të venim në Uzinën 12, na ndodhi një aksident i madh, na vdiqën tetë veta.

ENVER HOXHA: Në Uzinën 12? Si ndodhi ky aksident?

HAJREDIN ÇELIKU: Ky ndodhi kur po punonim për futur oksigjenin në repartin e gazit. Atje ishin në atë kohë dy teknikë të mesëm, specialistë shumë të mirë, që, pasi kishin mësuar këtu, kishin shkuar për specializim në Kinë, kishin punuar edhe në radiostacion. Tok me ta ishin edhe inxhinierët që do të dorëzonin turnin, si dhe të tjerë që do të mermin punën në dorëzim, pas mbarimit të turnit. Në këtë kohë ndodhi një djegie e menjëhershme,

ENVER HOXHA: Pse ndodhi kështu?

HAJREDIN ÇELIKU: Ndodhi për shkak të përzierjes së oksigjenit me vaj, ndryshe nuk mund të ndodhte. Tani vihet pyetja: Nga doli ky vaj? Nga analiza që iu bë kësaj ngjarjeje, duke filluar nga shqyrtimi i rrethanave para se të vdisnin dy nga ata që u dogjën, na u bë e qartë djegia e atyre 8-vetave. Përpara se të vdisnin, ata kishin thënë se nuk kishin faj kinezët për ketë punë, po punonjësit e ndërtim-montimit, që i kishin lënë tubat pa pastruar, se këta kishin brenda tyre graso, nuk qenë pastruar. Nisur nga kjo, kur po kërkonim të delte përgjegjësia këtij aksidenti të rëndë, shkaku iu faturua kinezëve nga drejtuesit e ndërtim-montimit. Këta, kur u pyetën kush i kish lënë pa pastruar këto vajra, donin ta mbyllnin çështjen, duke ua hedhur fajin kinezëve. Por fakt është që në atë kohë ne bëmë një sondazh në uzinën e petëzimit të mesëm, ku po viheshin tuba të rinj. Mësuam se këta, përpara se të vendosen, lahen mirë për t’u hequr yndyrat, që të mos shkaktohet djegie nga oksigjeni.

ENVER HOXHA: Kush e ka për detyrë t’i lajë këto tuba?

HAJREDIN ÇELIKU: Ketë detyrë e ka ndërtimi, që me parë i lan tubat, pastaj i saldon. Mbasi mbaron këtë proces pune, i provon, pastaj lejohet të kalojë oksigjeni, se po të ketë vaj brenda, ka rreziqe, ndodh si ajo që ndodhi me ata 8 vetat që u dogjën. Kur shkuam dhe pamë, se atë ditë ndodhëm në mbledhje të organizatë: thamë pa t’i provojmë një herë tubat që janë vendosur në uzinën e petëzimit të mesëm? Ngarkuam për këtë çështje dy komunistë nga organizata bazë, të cilët shkuan i panë tubat që gjoja qenë pastruar nga ana e ndërtimit, por ç’të shihnim? Shumica përbrenda ishin akoma me graso. Thirrëm atëherë punonjësin e sigurimit të shtetit.

ENVER HOXHA: Kush ishte në drejtim të sigurimit në atë kohë në kombinat?

HAJREDIN ÇELIKU: Atëherë ishte njëfarë Nikollë Bina, i cili pas pak kohe vdiq. Por, në kohën e Shkëlqim Bumçit ka qenë përgjegjës i sigurimit në kombinat një nga Gjirokastra. Me të kemi bashkëpunuar shumë mirë. Më vonë, nuk e di si, qysh e tek ndodhi, na i hoqën dhe sollën në vend të tij Nikollë Biniakun.

ENVER HOXHA: Ku shkoi ky?

HAJREDIN ÇELIKU: Në hekurudhë e dërguan, shoku Enver, pasi e hoqën nga kombinati.

ENVER HOXHA: E çuan në hekurudhë, gjoja se mos atje ishte më e vështirë gjendja.

HAJREDIN ÇELIKU: Për mendimin tim, kjo nuk ka qenë një lëvizje e drejtë, se Nekiu është njeri shumë i mirë, ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me njeri-tjetrin dhe praktikisht ai e bëri të qartë edhe çështjen e Shkëlqim Bumçit dhe ju e keni të qartë ENVER HOXHA: Kishte faje Shkëlqim Bumçi apo nuk kish?

HAJREDIN ÇELIKU: Kishte dhe të mëdha bile. Nekiu e zbuloi punën e tij. Pastaj, në kohën kur Shkëlqim Bumçi u mor në hetuesi, gjoja për ta forcuar punën në hekurudhë, Nekinë e hoqën nga kombinati dhe prunë në vend të tij Nikollë Bina kun. Ky kur vajti pa tubat, shoku Enver, menduam se do të merreshin masat përkatëse, se e lidhëm këtë ngjarje me vdekjen e atyre 8 vetave. Megjithatë, nuk u ndie asgjë, asnjë veprim nuk u bë nga ana e sigurimit.

ENVER HOXHA: Po ç’u bë për tubat? Nuk u bë, si i thonë, ekspertizë për të nxjerrë se kush kishte faj?

HAJREDIN ÇELIKU: Edhe këtë çështje ua veshën kinezëve, sikur gjoja ata kishin lënë vajra në tubacionet. Mirëpo në kohën para se të vdisnin, dy punonjës, në prani të një instruktori thanë se nuk kishin asnjë faj kinezët për këtë ngjarje.

ENVER HOXHA: Kinezët ishin në ikje e sipër, prandaj si kishin lënë vajra?

HAJREDIN CEILKU: Po, ashtu është, kinezët ishin në ikje dhe ata që përmenda thanë se lënia pa pastruar e vajrave në tubacionet nuk ishte për faj të kinezëve ENVER HOXHA: Kush ishte ngarkuar ta hetonte këtë çështje?

HAJREDIN ÇELIKU: Për hetimin ishin ngarkuar kuadro të degës së brendshme të Elbasanit.

ENVER HOXHA: Po hetuesit çfarë thonë? I kanë vënë kinezët? Përpiqen këta të zbulojnë arsyet pse ka ndodhur kjo gjë?

HAJREDIN ÇELIKU: Ata e mbyllën çështjen me atë që u tha për kinezët, sikur gjoja këta kishin vënë lecka me vaj nëpër tubacionet. Po këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me vendosjen leckash me vaj sipër tubave, po më ekzistencën e grasos brenda tyre, gjë që u vërtetua edhe në aksidentin tjetër që ndodhinë Uzinën 12, ku vdiqën 6 veta. ENVER HOXHA: Pse vdiqën këta?

HAJREDIN ÇELIKU: Mehmet Shehu u përpoq të ma faturonte mua këtë ngjarje, pikërisht në një kohë kur në qeveri unë ngulja këmbë që aty kishte veprimtari sabotuese dhe kërkoja që të ndiqej e të zbuloheshin autorët.

ENVER HOXHA: Po pse vdiqën këta 6 vetat?

HAJREDIN ÇELIKU: Për arsye se u mbytën me gaz në dy rezervuarët e mëdhenj që janë vendosur atje 4 metra afër njëri-tjetrit.

ENVER HOXHA: 6 veta?

HAJREDIN ÇELIKU: I pari, përgjegjësi i turnit, gjoja se po shkonte të kontrollonte rezervuarin tjetër, hipi sipër për të parë nga lart. Ish mëngjes herët e ditës së diel. Përgjegjësi porsa kish ardhur në punë, pa që punëtori Shkëlqim Gripshi u fut në rezervuar, ku u mbyt nga gazi. Pasi përgjegjësi dhe alarmin, shokët, që ishin afër vendosën maska kundërgaz dhe u futën me radhë i pari, i dyti, i treti, i katërti, i pesti, pra, 5 veta të tjerë për të shpëtuar shokun, në vend që ky të ruante dhe të mos lejonte të futej asnjeri në të.

ENVER HOXHA: Tjetër?

HAJREDIN ÇELIKU: Ngjarje të tilla, shoku Enver, kanë ndodhur me ardhjen e Feruz Matajt në kombinat, që gjoja, siç u tha atëherë, u dërgua për të forcuar punën në ndërtimmontim.

ENVER HOXHA: Ne kemi vendosur për dërgimin e tij atje si drejtor të ndërtimeve, po propozimin konkret për të nuk mbaj mend kush na e ka bërë.

HAJREDIN ÇELIKU: Të them të drejtën, në fillim ne nuk e njihnim si, qysh e çfarë njeriu është ky. Po ma do mëndja që ka ardhur me orientim të Mehmet Shehut.

ENVER HOXHA: Diçka kam dëgjuar për këtë njeri…

HAJREDIN ÇELIKU: Ai nuk ka vetëm këto, po ka edhe shumë anë të tjera negative. Po ta marrësh nga përbërja, del që Feruz Mataj është bir federali. Një kjo. E dyta ai ka mbaruar për inxhinier portesh në Poloni. E treta, ka qenë favoriti i Mehmet Shehut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura