Dokumenti/ “Të privilegjuar e të përkëdhelur!”- Zbardhet vendimi, si trajtoheshin financiarisht ish-liderët e komunizmit edhe pas vdekjes! Përfitimet për familjarët e tyre

Nov 1, 2023 | 20:30
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Të privilegjuar në ngjallje, të përkëdhelur në vdekje! As më pak dhe as më shumë, kjo do t’u shkonte më për shtat liderëve komunistë në Shqipërinë e viteve të socializmit. Të grupuar në oazin e blinduar të quajtur “Blloku i udhëheqjes”, bashkë me familiarët, ata bënin një jetë përrallore.
dokument ceremoni mortore kuota3

Ndërkohë që jashtë mureve të këtij blindi, të tjerët përpëliteshin për ditë e më tepër në kalvarin e mbijetesës. Mirëpo, sikur mos të mjaftonin privilegjet marramënëse në ngjallje për këtë soj “baballarësh”, një fat i tillë ishte rezervuar për ta edhe për pasvdekjen. Nuk është fjala këtu vetëm për shpenzimet e tejskajshme për ceremonitë mortore të papara ku shteti harxhonte milona në përcjelljen e “tribunëve” legjendarë. Një tjetër kuotë të majme buxheti e kishte të destinuar për sigurimin e privilegjeve të familjarëve të liderëve të vdekur.

Çdo gjë për ta duhej të vazhdonte si më parë, që nga shtëpia, alias vila, makinat, trajtimi shëndetësor, rojet e deri tek imuniteti familjar. Që do të thoshte të privilegjuar me babain e ndjerë, të përkëdhelur po njësoj pa të! Ky status i famshëm normohej me akte zyrtare, që mbanin firmën e institucioneve më të larta politike e deri te zyrtari lokal. Luksi i sanksionuar me ligj shkëlqente përball një realiteti të vrazhdë të mbarë shoqërisë që lëngonte nën kthetrat e varfërisë.

Dokumenti që publikon “Panorama” sot, konfirmon konkretisht mekanizmin e këtij paradoksi që mbretëroi për gati gjysmë shekulli në Shqipërinë komuniste. Një fakt të tillë e konfirmojnë dhe dokumente që “Panorama” publikon sot. Është një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit ’65 me firmën e Beqir Ballukut, asokohe zevëndëskryeministër, që zyrtarizon kuotat për shpenzimet e vdekjeve dhe të drejtat që duhen të gëzojnë familjet mbas vdekjes së personaliteteve të partisë dhe të shtetit.

Thënë ndryshe, të “kastës së udhëheqjes komuniste” që fillonte nga anëtarët e Byrosë Politike, ministrat, deputetët, gjeneralët, sekretarët e parë, shefat e gjykatave etj., që nuk kishin menduar vetëm për vitet në detyrë, por dhe më tej.

Fakti që ata gëzonin privilegjet e pushtetit deri në pleqëri, dihej botërisht, por ky dokument tregon se statusi i të privilegjuarit ka vazhduar për familjarët edhe pas vdekjes së tyre, madje i saktësuar në detaje. Akti zyrar në fjalë zbulon shifrat konkrete që buxhetonte shteti komunist për ceremonitë mortore të VIP-ve të politikës shqiptare dhe të drejtat që duhen të gëzonin familjet mbas vdekjes së personaliteteve të partisë dhe të shtetit.

******

dokument ceremoni mortore kuota1

DOKUMENTI

Republika Popullore e Shqipërisë

Këshilli i Ministrave

Udhëzim

Nr. 7, Dt. 17. IV. 1965

Mbi caktimin e kuotave për shpenzimet e vdekjeve dhe të drejtat që duhen të gëzojnë familjet mbas vdekjes së personaliteteve të partisë dhe të shtetit.

Me qëllim që të disiplinohet mënyra e bërjes së shpenzimeve për raste vdekjeje të personaliteteve të partisë dhe të shtetit, si dhe të pjesëtarëve të familjeve të tyre dhe të përcaktohen më mirë të drejtat që duhet të gëzojnë familjet mbas vdekjes së tyre.

Udhëzoj: 1- Shpenzimet e varrimit të jenë si vijon:

a)- Për anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për presidentin e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe zëvendëskryeministrat, sipas urdhrit që do të japë komisioni i posaçëm i krijuar për këtë qëllim.

b)- Për pjesëtarët e familjeve që kanë ligjërisht në ngarkim personalitetet që përmenden në germën “a” të mësipërme:

Për varrim 5.000 lekë

Për ushqime 10.000 lekë

Gjithsej 15.000 lekë

c)- Për anëtarët dhe kandidatët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, për anëtarët e qeverisë, zëvendëspresidentët e Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetarin e Komisionit të Revizionimit në Komitetin Qendror të Partisë dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë:

Për varrim 10.000 lekë

Për ushqim 15.000 lekë

Gjithsej 25.000 lekë

d)- Për deputetët e Kuvendit Popullor

Për varrim 10.000 lekë

Për ushqime 10.000 lekë

Gjithsej 20.000 lekë

e) – Për gjeneralë, zëvendësministra, sekretarë të parë të komiteteve të partisë, kryetarë të komiteteve ekzekutive dhe ambasadorë 10.000 -15.000 lekë, sipas urdhrit të veçantë që do të jepet për çdo rast.

2) Të drejtat që gëzojnë familjet e personaliteteve të partisë dhe të shtetit, të pushojnë tre muaj mbas vdekjes së personalitetit përkatës. Mbas këtij afati, t’u njihen këto të drejta:

a)- Familjeve të anëtarëve dhe kandidatëve të Byrosë Politike, të Presidentit të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe të zëvendëskryeministrave, shpenzimet për një shërbyese, ujë dhe dritë. Gjithashtu, u lihet për banim shtëpia që kanë. Vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe me urdhër të posaçëm mund t’iu ndërrohet ajo me një shtëpi tjetër.

b)- Familjeve të anëtarëve dhe kandidatëve të Komitetit Qendror, anëtarëve të qeverisë, zëvendëspresidentët e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe kryetarit të Komisionit Qendror të Revizionimit, si dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, vetëm shtëpia që banojnë, kur familja është e madhe. Në rast të kundërt, ajo iu ndërrohet me një shtëpi tjetër të përshtatshme.

c) – Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë

Zëvendëskryetari i Parë i Këshillit të Ministrave, Beqir Balluku

dokument ceremoni mortore kuota

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura