Dokumenti/ Shkrimtari që kaloi shtatë vite në ferrin e Spaçit, si doli i tjetërsuar nga qelia dhe akuzat “fantazmë” për tradhti!

Nov 3, 2023 | 18:54
SHPËRNDAJE

Ka qënë 17 nëntori i vitit 1975, kur është arrestuar shkrimtari Halil Laze. Dënimi i tij për agjitacion e propagadë kundër pushtetit popullor, ka qënë një ngjarje e bujshme për kohën. Përveç emrit të mirë si gazetar në shtypin ushtarak, rastin e bënte të veçantë fakti që i prangosuri ishte djalë dëshmori dhe nipi i “Heroit të Popullit”, Asim Zeneli.

dokument shkrimtar Halil Laze2

As më shumë dhe as më pak Halil Laze, akuzohej asokohe se i ishte kundërvënë masave të partisë për dënimin e grupit puçist në ushtri dhe demostronte nostalgji për gjeneralët e shpallur tradhtarë. Me një proces gjyqësor fantazmë, shkrimtari i njohur mori rrugën e ferrit të Spaçit për t’u kthyer prej andej pas shtat vitesh i tjetërsuar e rraskapitur.

I lindur në Golem të Labërisë në vitet e luftës dhe i diplomuar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ai punoi për vite me radhë si redaktor i revistës “10 korriku”, ku spikati për talent e përkushtm në detyrë.

Sakaq, u bë i njohur në opinion për romanet e botuara rishtazi, ku spikaste “Busqeshja e atij viti”, “Vajza e ishullit”, “Arratisja e pamundur” etj. Pas rikthimit nga burgu, bëri punë krahu në disa ndërmarrje pa të drejtën e botimit. Vdiq i braktisur e fatkeq në vitin 2001. Në numrin e sotëm të gazetës sjellim rrëfimin e shokut të tij, shkrimtarit dhe poetit, Zeqir Cama, për ritakimin e tyre pas shtatë vitesh në Tiranë.

******

ZEQIR CAMA ZEQIR CAMA

E PAPRITURA 

Kur pashë se isha 15 minuta para fillimit të punës, ndala për kafen e mëngjesit te “Bar Sahati”, në krah të bashkisë së qytetit. Kështu bëja sa herë dilja shpejt nga shtëpia, ndaloja aty, meqë Ministria e Mbrojtjes ku punoja, prej andej, ishte dy-tri minuta larg.

Jo pse bënin kafe për së mbari se e njejta konsumohej në të gjitha lokalet, po ndihesha më mirë kur ndërroja vend, te bufeja e Ministrisë isha i përditshëm, me të njëjtat fytyra shkëmbehesha, sa që nga njëtrajtshmëria e uniformave, ngjyra e syve po më merrte nuancë jeshile, aq më tepër në mëngjes, grahnin në një kohë të gjithë dhe duhej të prisja në radhë. Nuk e kisha problem t’ia ndieja “lezetin” vetëm, megjithëse thonë që kafeja dhe cigarja të joshin me shokë.

Preva bonon tek arka që ishte afër derës dhe iu drejtova banakut, pa iu përvjedhur shikimit të klientve të tjerë që gjerbnin e tymosnin për hesap të vet. Përpara kisha një mesoburrë që priste si i përhumbur në vitet që i kishin ngrënë rininë. Kaçurelat e grivëra dhe qafa e shkurtër, zere pa hiç, si meksikan i fiseve Maya, me supe paksa të varur, më përqasi portretin e një miku tim të viteve të para, i sapodalë oficer. Ndjeva mornica, ndërsa zemra nisi të më rrihte si asnjëherë. Dyshimin e çastit, e vërtetova qindpërqind, ishte dora vetë ai, kishim mbi 10 vite pa u parë.

E mblodha veten, po për t’u siguruar më mirë iu afrova anash fytyrës pa më ndjerë. Jaka e golfit të errët, që ia kisha parë në vitet e rinisë, m’u duk si tevlik që e mbante ende të robëruar ndonse të jepte përshtypjen se s’donte t’ia dinte ç’ndodhte përreth. Se kisha menduar kurrë një takim të tillë, dhe ku, ngjitur me atë që quhej klubi i Ministrisë së Brendshme. Të mos i flisja dhe të ikja si qen i rrahur, më dukej paburrëri, në fund të fundit, ishte një takim i papritur, në të drejtë të zotit, s’kisha pse t’i bëja bisht. S’qe e paramenduar, ishte rastësi, nuk thonë kot, rastësia nganjëherë të bën mbret. Pastaj, e bëri dënimin një më një për ç’ka e akuzuan se kishte shkelë në dërrasë të kalbur, tani qe i lirë, këtë ia njihnin edhe ligjet e kohës, paçka se në shoqëri e ndiqte “njolla” e burgut, por jo e burgaxhiut, mëkatoje që ta quaje atë burgaxhi, u perkiste atyre burrave qe i nderon ai togfjalësh, “burgu per burra eshte”.

Natyrisht, frika më digjte se dikush, që na njihte të dyve, mund t’ma shkulte veshin deri në gjak, por e mblodha mendjen “top”, të bëhet ç’të bëhet, iu zgjata si hije mbi shpinë, një herë majtas pastaj djathtas dhe me majë të gishtave e preka te supi. Ktheu kokën i qetë dhe sa më pa, sikur të ishim takuar edhe pak më parë, më parapriu me një batutë të zararshme për kohën, nga ato që ai i kishte në majë të gjuhës.

– Bëre mirë që më fole sot, se nesër do të jetë vonë, kushedi si rrokulliset kjo zarbë dynja, dhe, nuk do të flisja unë- dhe ia dha të qeshurit, me atë zërin e ngadaltë e gurgullues si dikur, sa u dëgjua te tavolinat përreth. U sigurova që nuk fshihte asnjë fije qejfmbetje, ndonëse nuk i kisha lënë shkak, por gjithsesi, njeriu që futet në burg në atë mënyrë siç u përgatit dhe u arrestua ai ka të drejtë të dyshojë dhe te vetja.

– Avash, o rrotë- i thashë, se na dëgjojnë- akoma s’ke zënë mend nga gjithë ai kalvar që kalove?- i bindur që s’ma merrte për keq.

– Kush do na dëgjojë? Këta këtu mezi presin- dhe bëri shenjë me dorë në drejtim të tavolinës përballë sikur ata mezi prisnin vërtet ta përmbysnin pushtetin atë çast.

Kot lodhesh, i thashë rradakes time. Ai e ka pasur gjuhën brisk me kohë për gjëra që mua më dukeshin tabu, dhe jo tani, që e ka hakë. Dhe në mendje më erdhi një e vërtetetë nga ato që ia quaja “thashethemnajë”, që merrnin flake pas dopjos se dyte, për një ishdrejtues të lartë në Jug, që ishte përfolur si donzhuan, ndërkohë, ishte transferuar me pozitë në Tiranë. Unë skuqesha pa e besuar tërësisht, sepse më dukej çudi si një drejtues rrethi mund të vepronte ashtu.

-Mos u pataks-më thoshte, se mashkull është edhe ai, me vete i ka, madje më të fuqishme nga tonat se ushqehet mirë…

Mu duk sikur e mbante ende në majë të gjuhës, ndaj për t’ia larguar, e mbështolla si sfungjer, trupi i tij qe pakur shumë nga vuajtjet e burgut dhe u përqafuam të përmalluar. E pashë që s’i vija dot fre ndaj desha s’desha, u futa kokë e këmbë në valle me hapin e tij. Po pija me një të burgosur politik. E harrova petkun e oficerit të Ministrisë së Mbrojtjes. U dhashë i tëri pas ndjesive, harrova arsyetimin e ftohtë, e humba “nuhatjen” politike dhe të këqijat që mund të më vinin më pas. U përqafuam përsëri në qejfin tonë dhe zumë një tavolinë në cep, si dikur në rininë e të dyve që na pëlqente ta pinim kafen me bisht, në këmbë, qosheve, pa u bërë kurioz se kush futej e dilte nga dera.

Duhet të qe viti i parë ose i dytë i vdekjes së “më të madhit”, kështu e epitetonte Enverin edhe kur qe mbarë e mirë, kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu. Siç më tha, pas dënimit të parë prej 8 vjetësh për agjitacion dhe propogandë i ishin shtuar edhe disa për sjellje jo të mira.

Më kishte mbetur merak që nuk u ndodha diku në një cep të sallës, kur i bënë demaskimin “popullorçe”, siç më thanë disa miq të përbashkët, që dhe ata e kishin me të dëgjuar nga të tjerët, para kolektivit ushtarë e oficerë ku shërbente. S’kisha ftesë gjyqësore dhe vajtja ime e paftuar, mund të interpretohej e dyshimtë, me mizën në kësulë. Në ndërgjegje isha i qetë se në asnjë çast nuk e kisha dëgjuar të bënte agjitacion kundër shtetit, barcoletat me dhe pa zarar, ishin bota e tij, të shumtat goditnin në shënjë. Por, mua s’më linin dyshim që mbartnin pakënaqësi, e quaja më të besuar se veten, sepse e kishte biografinë si askush për në majat e piramidës. Këtë do të thoja edhe po t’më flisnin në hetuesi, s’mund të më shkonte mendja se qe kundër pushtetit, ia njihja intelektin, e dinte që pushteti s’rrëzohej me fjalë, talljet dhe rromuzet i kishte me individ, le të ishin në udhëheqje të shtetit, kushdo qofshin ata.

U interesova larg e larg nëpërmjet fjalëve të ndonjë miku, të merrja vesh si shkoi gjyqi. Mësova hiçmosgjë. I kishin kërkuar të shprehte pendesë duke i premtuar falje, por ai nuk e kishte pranuar.

dokument shkrimtar Halil Laze

******

Kishte më shumë se një vit kandidat partie, bënte stazhin në një repart xhenier që merrej me fortifikimet, një nga repartet më të vështira. Nuk qe mësuar me këtë jetë, kishte vite që punonte si sekretar i Kolegjumit në një revistë letrare të ushtrisë. U përball me vështirsi, që s’i kishte shkuar në mendje, por edhe me njerëz të të gjitha tipave. E hëngri çiltërsia, i pandehte njerëzit si vetja, nuk ruhej, mund t’ia bëje mendjen lehtë për të shkëmbyer një cigare dhe pirë një gote raki.

Isha njohur nga fillimi i viteve ’70, na lidhi letërsia, por mbase më vonë u puqëm dhe si krahinor, ishte nga një fshat fqinj me timin paçka se s’kishte ndenjur në fshat, pak a shumë të një brezi.

Të dy ishim pa prokupimtë familjare, beqar dhe na mblidhte klubi i ushtrisë të pinim ndonjë gotë darkave. Hyra natyrshëm në shoqërinë e tij megjithëse kishte një dorë shokësh më të afërt që rrinin gjithnjë bashkë dhe s’kishte nevojë të përzihej me shumë. Megjithatë, më futi në rrethin e vet me qejf.

E dinim që pëlqehej te kupola e Ministrisë së Mbrojtjes, madje njërin nga tre gjeneralët kryesorë të ushtrisë, e kishte mik, jo për lidhje fisnore sesa për temperamentin dhe humorin e tij të këndshëm. Edhe vetë e ndjente por nuk e shfaqte që ishte i preferuar i drejtorit politik të ushtrisë. Kurrë se kishte bërë veten të jetonte në hijen e kësaj preference, madje as të gjakut të babait që e kishte dëshmor. S’priste përkrahje nga asnjë, ishte i zoti që t’u bënte hije edhe të tjerëve. Për vete, kisha një adhurim të veçantë, qe i këndshëm në tavolinë, i lakmueshëm nga shumëkush për ta patur shok. Përpara tij e quaja veten “cërr pule”, i flisnin dhe sytë. Ishte ndër krijuesit e talentuar dhe prodhimtar të atyre viteve jo vetëm në ushtri, por dhe në jetën letrare të vendit. Kishte botuar disa tregime të guximshëm, një libër me tregime, një novelë dhe një roman “Buzëqeshja e atij viti”, libër që më mbeti në kujtesë edhe nga momenti i hidhur që më ndau me të.

Ma kishte dhuruar me autograf në vitin që krijova familje, e mbaja si të veçantë në bibliotekën e varfër të sapokrijuar. U bë sebep një i afërmi im për ta prerë copa-copa. U çudit kur ma pa në bibliotekë.

-Je në terezi më tha- kalit të ngordhur i ruan ende dhëmbët…

Më shumë për t’u dukur, sesa i burrëruar, ia ktheva aty për atyështë ai në burg, jo romani,- e mbrojta veten me mospërfillje dhe një farë arrogance, por në brendësi, e ndjeja që nuk isha ai që i thoshte këto fjalë, paçka se e dija që s’m’i tha me të keq dhe s’më hynte gjemb në këmbë prej tij megjithatë, mizat m’u qepën, “pse dhe si ma tha”, sepse nuk i kisha të qarta ato mekanizma që nesër mund të bëheshin kulari im. Stresi po më brente. E rilexova dhe njëherë për herë të fundit dhe e griva çikla-çikla me gërshërë, në kazanin e plehrave. Por, në mendje më mbeti buzëqeshja e vërtetë e dashurisë së atij viti.

Arrestimi i tij më erdhi krejt papritur, as më shkonte mendja se edhe tek ai fillikat, mbetur bonjak që në vitin e parë të çlirimit, babai i të cilit kishte dhënë jetën për liri, do të gjendeshin yçkla dhe do të hidheshin hije dyshimi për veprimtari armiqsore. U përfol se ruante disa kujtime të gjeneralit Hito Cakos, ndërkoh që ai ishte pushkatuar. Për shumë lexues të shtypit ushtarak të asaj kohe ato kujtime s’përbënin asnjë sekret. Në disa numra radhazi, në dfaqe të një rubrike të veçantë me titull “heronjtë e popullit tregojnë”, revista letrare e ushtisë kishte botuar kujtimet e disa syresh. Akuzat e tjera qenë anësore, në vazhdë provokimi nga njerëz që i hiqeshin si shokë.

-Kemi kohë që s’të kemi lexuar, pse s’shkruan më…?- e kishte ngacmuar dikush. Dhe gjasme ai u qe përgjigjur: “S’është koha për të shkruar…”

E pyetën për këtë akuzë gjatë procesit gjyqësor, duke i premtuar falje nëse shfaqte pendesë, por krenaria e tij ndaj këtyre makinacioneve të ndyra shpërtheu më me indinjatë: -Piqeni siç e keni nisur atë brumë, se unë s’jam si i juaji. Më kanë pyetur “pse nuk shkruan…” dhe u kam thënë “nuk kam kohë për të shkruar!”. Dhe sqaroi më tej. -Nisem në punë në 6 të mëngjesit dhe kthehem në gjashtë të darkës…Prandaj, kam thënë s’kam kohë për të shkruar dhe jo si thoni ju….

dokument shkrimtar Halil Laze1

******

Për kohën që qëndroi në burg s’dija asgjë të saktë. Isha takuar me Safetin, njërin prej miqve më të afërt që kishte, me të shkonim e vinim familjarisht, kishim biseduar në heshtje, por edhe ai s’dinte gjë.

Të gjitha këto më erdhën ndërmend ato momente që ishim ballë përballë, por nuk e hapa atë plagë, në një farë mënyre ndjehesha fajtor, nuk kisha bërë asnjë përpjekje që të takoja ndonjë nga të afërmit e tij, t’i dërgoja qoftë dhe një paketë cigare në burg. Nejse, s’qe koha për t’u shfajësuar, as ai nuk doli në këtë temë, madje as “transit”, ishte realist dhe e kuptonte gjendjen tonë, në ato raste të largoheshin e të mohonin edhe familjarët, megjithatë donim s’donim, ato kujtime të hidhura s’i anashkaluam dot. Nuk thonë kot “gjuha vete ku dhemb dhëmbi”.

-Shyqyr që jemi në Tiranë i thashë dhe Tirana e madhe na bën të vegjël, nuk njihemi kollaj se të ishim në qytet tjetër do t’ia kisha mbathur me bisht në shalë.

-Kam shenjë në ball? unë më tha,- më njohin si kali balash edhe këtu- dhe vuri dorën te një nishan i lindur, si yll në mes të ballit, – por po të kesh këto mendje, mbathja, ik, mua s’më prishet punadhe vazhdoi prapë të qeshurën e tij si gurgullimë,- një shok më pak, do të duroj dhe pa ty- dhe më zgjati gotën e fërnetës për ta bërë gëzuar. Vështirë ta gjeje një çast pa bërë humor, paçka se në zemër qe i dërmuar. Dhëmbët e ngjyrosur nga fërneti dhe nikotina e duhanit, si dhe buzët e trasha, të krisura nga një gjendje e kaluar gripale, ngjanin si një shegë gjysmë e çarë me kokrra që kishin nisur të ndërronin ngjyrë.

E theva një orë më tej orarin e punës, mund të kisha ndenjur edhe më shumë, por dhe ai do të merrte autobusin e linjës “Rrugaura”, ndërmarrje ku qe punësuar si magazinier i lëndëve të ndërtimit. Nuk ia kishin afruar, e kishte gjetur vetë me shokët e tij të njohur dhe s’kishte pretenduar më shumë, jeta e burgut nuk ia kishte ndërruar karakterin, veçse e kishte bërë më të pabindur, por shëndeti i kishte marrë për keq, i ishin shfaqur me bollëk sinjalet e para të sëmundjeve streserënduar.

Në ditët e para të demokracisë, u bë ndër kryesorët e minatorëve në përkrahje të grevës së studentëve dhe drejtoi për shumë vite gazetën “Sindikalisti”. U takuam prapë gjatë atyre kohëve, ishim ulur e kishim pirë, kishte mbetur po i njëjti, “menefrego”, pa ndonjë pikësynim karriere. Nuk shfaqte asnjë ambicie të kërkonte pozicion më të merituar, jo për shkak të vuajtjeve por të aftësive, ndonse e shprehte hapur pakënaqësinë nga rrjedha e ngjarjeve, nga njerëzit që kishte në krye.

-Vazhdoj të shkruaj që të kaloj kohën, më tha, marr një rrogë që të jetoj, pa, nga shiu, ramë në breshër, ishte nur Bejo palla, e kishte fjalën për Enverin, nga ky Bejo rrumpalla. S’na lë radhë të ankohemi ne që i hoqëm në kurriz, kush i hëngri të tharëtat e kujt i janë mpirë dhëmbët…

Ishte prototipi i njerut të lirë, në opozitë edhe me vetveten, s’e qepte kurrë buzën dhe s’ngulte kollaj bythën në një vënd, mykej po të rrinte gjatë . Sipas mënyrës së vet s’i humbte çastet e kenaqjes së vetvetese , le ta kishte litarin në fyt, e gjente kohën të qeshte, të bënte humor. S’ia dalloje dëshpërimin as kur mbetej pa një dyshkë ne xhep, të shumtën e kohës kështu qe, por edhe me pak, dinte të tregonte zotnillëk.

Më pas, nuk u takuam shpesh, iku para kohe si një baba i admirueshëm teqeje. Kur mora vesh m’u kujtua e papritura te kafe “Sahati”, pikërisht te tavolina në këmbë. Atje te porositëm me kënaqësi edhe nga një dopIo fërnetë para se të ndaheshim dhe me merakun se mos i bënte dëm dhe ia nxirrja nga hundët qerasmën që i dhashë, i pëshpërita në vesh: – Mund të rrimë gjithë ditën e të pimë sa të duash, ia vara pafillen punës për sot, por s’të shoh mirë, ruaje shëndetin sa e ke se po u cenose të merr nëpër këmbë.

Me atë stilin e tij metaforik siç e kishte zakon, ma ktheu i kthjelltë:

-E provova një herë rrethin e 9-të të Ferrit- dhe vazhdoi më tej.

Sipas Dantes, atje qenë tradhtarët. Pyeta kur vajta, por s’më tha njeri kë kisha tradhtuar, ende s’po e marr vesh. Të sigurt di kush më ka tradhtuar. Tani po bëj tradhti të vërtetë, por, vetveten dhe familjen time ama, e di, që po i hyj shëndetit dhe familjes në hak, vetëm kjo është tradhti, të tjerat vështirë t’i marrësh vesh, kush tradhton dhe kush është i tradhtuar…

Këto mësova për herë të fundit për tradhtinë nga goja e shkrimtarit Halil Laze, golemasit nga Labëria, që ua shtoi pa cak të qeshurën të tjerëve, duke ngrirë të vetën buzëplasur, qysh “në buzëqeshjen e atij viti” të romanit te tij të parë, dhe ende nuk e kam kuptuar ç’ishte ajo buzeqeshje, mbase ajo e ditës së parë kur lindi, qau, qeshi dhe mbeti aty e ngrirë në pelena, ndër dimrat që erdhën pas.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura