Dokumenti sekret/ “Thyen zinë për vdekjen e Stalinit”, raporti me emrat e të dënuarve nga Partia: Kur mbarë bota qante për humbjen e madhe, ata morën pjesë në gosti me këngë e pije

Sep 12, 2023 | 14:12
SHPËRNDAJE

dokumenti sekret

AFRIM IMAJ

Jehona që pati shkaktuar në Shqipëri vdekja e Stalinit në vitin e largët 1953, është fashitur tërësisht nga kujtesa e bashkëkohësve. Të vetmit që e kujtojnë me dhimbje janë 127 ish-anëtarë të Partisë së Punës, që ai moment dramatik u ka shënjuar fatin e keq të jetës.

Një dokument sekret i Komitetit Qendror, i fundmarsit të atij viti, ku listohen emrat e tyre, bën me dije motivin për të cilin janë “pushkatuar” politikisht viktimat e radhës të Partisë-shtet. Anëtari i Partisë Sali Verdha, drejtor i shfrytëzimit të hekurudhave, pi e dehet me disa shokë të tjerë të Ministrisë së Kontrollit dhe kështu i dehur shkoi në mbledhjen e kolektivit ku bëri një figurë të ulët. Ky shok ato ditë ka dashtë me festu edhe ditëlindjen e fëmijës së tij, por i këshilluar nga shokët nuk e bëri “Të gjithë këta, shkruan e zeza në të bardhë Sadik Bocaj, asokohe drejtor i Drejtorisë së Organizimit të KQ, kanë thyer zinë kombëtare për vdekjen e Stalinit të madh”. “Mëkati” i jashtëzakonshëm i 127 komunistëve, i zbuluar rishtazi nga “syri vigjilent” i Partisë, ishte sa absurd, aq dhe banal. “Kur populli ynë nën udhëheqjen e Partisë dhe mbarë bota paqedashëse qante për humbjen e madhe, ata morën pjesë në gosti me këngë e pije”, sqaron në vijim dokumenti në fjalë, që, me sa duket, përmbyll procedurat zyrtare të fushatës së spastrimeve në Parti për “aktet e turpshme dhe armiqësore të demonstruara nga komunistë të veçantë në ditët e zisë të Stalinit të madh”.

Paradoksi i aksionit famëkeq shfaqet akoma më qartë në grupin e relacioneve që merrte ato ditë Komiteti Qendror nga strukturat e vartësisë nëpër rrethe e institucione. Nga dosja përkatëse publikojmë sot dy të tilla: një informacion “për disa qëndrime të shëmtuara të disa komunistëve të rrethit Tiranë e Durrës në ditën e zisë të shokut Stalin” dhe një raport të Sekretarit të Parë të rrethit të Gjirokastrës, Mustafa Pajenga, “për sjelljen poshtronjëse të disa anëtarëve të Partisë që e kthyen ditën e zisë të shokut Stalin në ditë gëzimi dhe qejfi”. Pjesa më e madhe e atyre që kanë shkelur vijën e kuqe, sipas këtyre materialeve zyrtare, ditën e funeralit të “Babait të revolucionit” kanë marrë pjesë në dasma familjarësh e miqsh dhe kanë kënduar e janë dehur me pije. Nuk kanë shpëtuar nga ky “mëkat” as zyrtarë të lartë të Partisë, siç ka qenë rasti i Reiz Maliles, i cili ditën e mortit ka marrë nusen me orkestër, apo rasti i Sali Verdhës, drejtor i shfrytëzimit të hekurudhave, i cili ditën e zisë pi e dehet me shokë të Ministrisë së Kontrollit dhe i dehur shkoi në mbledhjen e kolektivit ku bëri një figurë të ulët. Njëherazi me dasmorët që kanë harruar për një moment “humbjen e madhe”, vigjilencës së Partisë s’i kanë shpëtuar as komunistë të tillë si Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti, që ditën e betimit para bustit të Stalinit zgërdhiheshin duke qeshur…

DOKUMENTI I INFORMACION

Mbi disa qëndrime të shëmtuara të disa komunistëve në ditën e zisë të shokut Stalin në Durrës: 1-Kandidati i Komitetit të Partisë së rrethit, Qimo Kushuta, mori pjesë në një dasmë, ku këndon dhe dehet në ditën e funeralit të shokut Stalin. 2-Anëtari i Partisë Sali Verdha, drejtor i shfrytëzimit të hekurudhave, pi e dehet me disa shokë të tjerë të Ministrisë së Kontrollit dhe kështu i dehur shkoi në mbledhjen e kolektivit ku bëri një figurë të ulët. Ky shok ato ditë ka dashtë me festu edhe ditëlindjen e fëmijës së tij, por i këshilluar nga shokët nuk e bëri. 3-Anëtari i Partisë Xhevdet Laze mori pjesë në një dasmë ditën e funeralit të shokut Stalin ku këndon dhe dehet. 4-Anëtari i Partisë Kadri Peku martohet duke marrë dhe orkestër në ato ditë të zisë të shokut Stalin dhe megjithëse u këshillua për një gjë të tillë nga shokët e Degës së Punëve të Brendshme që ta ndërpriste ahengun, ai refuzoi dhe vazhdoi ta çonte deri në fund ceremoninë. 5- Anëtarët e Partisë Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti që të dy vazhdonin kursin pesëmujor të Partisë, nuk u ka bërë përshtypje vdekja e shokut Stalin. Që të dy këta në kohën e betimit kanë qeshur. Në Tiranë: 1-Anëtari i Partisë Reiz Malile në ditën e funeralit të shokut Stalin, më 8.3.1953, është martuar. Çështja e shokëve të sipërpërmendur është shtruar respektivisht në organizatat bazë të Partisë dhe në byro të komiteteve të partisë përkatëse dhe është mbajtur qëndrim. Në Durrës për kandidatin e Komitetit të Partisë së rrethit, Qimo Kushuta, u vendos përjashtimi nga radhët e Plenumit të Partisë dhe vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Për anëtarin e Partisë Sali Verdha u mor vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Për anëtarin e Partisë Xhevdet Laze u mor vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit. Për ish-anëtarin e Partisë Kadri Paku përjashtim nga Partia. Për ish-anëtarët e Partisë Kasëm Bylyku dhe Pandeli Prifti përjashtim nga Partia. Në Tiranë për anëtarin e Partisë Reiz Malile u vendos vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit.

DREJTORI I DREJTORISË SË
ORGANIZIMIT TË KQ-SË SË PARTISË,
SADIK BOCAJ.
TIRANË, MË 31.3.1953
DOKUMENTI II

Informacion Komitetit Qendror të PPSH

Gjatë ditëve të zisë që mbajti Partia dhe gjithë populli shqiptar për humbjen e parakohshme të shokut të madh Stalin, Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit Gjirokastër ka mësuar se disa shokë komunistë dhe anëtarë të Komitetit të Partisë së rrethit, e kanë kthyer ditën e zisë dhe pikërisht ditën e varrimit, më datë 8.3.1953,në ditë gëzimi dhe qejfi.

Konkretisht: Më datë 8.3.1953, familja e anëtarit të Partisë dhe kandidates së Plenumit të Komitetit të Partisë dhe përgjegjëses së organizatës së gruas për rrethin, shoqes Niqi Bashari, bëri dasmën e vëllait – anëtar partie – Risto Bashari. Në këto momente dhimbjeje të papërshkruara që gjendej e gjithë Partia dhe populli e mbarë popujt paqedashës të botës për humbjen e shokut të madh Stalin, shoqja Niqi Bashari pa as më të voglin preokupacion vjen dhe kërkon mendimin e Sekretares së Dytë të Komitetit të Partisë, shoqes Parashqevi Shehu, se si të veprojë, mbasi më datë 8.3.1953 kishte prerë ditën për të marrë nusen. Shoqja Parashqevi Shehu pa e zgjatur i thotë: “Mund të merrni nusen dhe i porosit që të mos bëjnë dasmë!”. Me këtë porosi, shoqja Niqi Bashari nga njëra anë merr nusen dhe nga ana tjetër gjendet dhe në mitingun e zisë e në rojen e nderit para bustit të shokut Stalin. Ky akt, sipas mendimit tim, është shumë i rëndë jo vetëm për shoqen Niqi Bashari, të vëllanë etj., por në radhë të parë, për Sekretaren e Dytë të KP, shoqen Parashqevi Shehu, e cila në vend që të alarmohej dhe ta dënonte shumë rëndë konceptin thellësisht borgjez të shoqes Niqi Bashari, kur i kërkoi asaj si të bëjë, e përkrahë pikpamjen e saj. Për sa sipër, unë dhe Byroja mundëm ta mësojmë këtë gjë vetëm kur i kërkuam aparatit mbi qëndrimin e disa shokëve komunistë për të cilët do të mësoni më poshtë. Tue qenë kështu mendova se kam të bëj me qëndrime të huaja shumë serioze, dhe prandaj i kërkova Byrosë – me qëllim që të konsultohem me ju – ta shtynim dhe e shtymë shqyrtimin e gjykimin mbi qëndrimin e këtyre shokëve. -Siç e thashë, po më datë 8.3.1953, raste të tilla identike që kanë marrë nusen, kanë fejuar motrat, ose janë martuar janë vërtetuar edhe: Në katundin Zervat. Anëtari i Partisë dhe propagandisti i shkollës politike atje, shoku Jani Gjika, bën fejesën e motrës (me dasmë) te kandidati i Partisë Dhimitraq Rafti. Në këtë dasmë marrin pjesë gjithashtu A.P. dhe sekretari i organizatës bazë të Partisë së kooperativës, shoku Mihal Guzhupa, kandidati i Partisë Maqo Guzhupa, KP Panajot Barka, AP Nikollaq Gjika, KP Sokrat Rafti, AP LLambi Qiqi, AP Llambi Rafti, AP Theodhori Jovani, efektiv i organizatës së Partisë së Jorgucatit. Dasma ka qenë e përgatitur, të gjithë komunistët e lartpërmendur kanë bërë këngë, saze, valle etj. Kështu, dita e zisë në këtë qendër është kthyer në ditë qejfi e gëzimi. Kjo situatë u verifikua në vend dhe rezultoi plotësisht kështu. Duhet përmendur se protagonist i përgatitjes së dasmës, shoku Jani Gjika, është pikërisht një komunist që thirret dhe këshillohet në lidhje me thëniet e tij: “Pse Komandanti s’vajti të luftojë në Spanjë si shoku Mehmet”. Sipas mendimit tim, këtu kemi të bëjmë me një njeri të rafinuar, shumë të poshtër, i cili me marifet i futi në grackë gjithë të tjerët dhe bëri të implikojë në këtë poshtërsi gjithë komunistët e tjerë të kooperativës së Zervatit. Po në këtë datë, kandidati i Partisë Petro Paskali, arsimtar nga katundi Selckë i Poliçanit, ka martuar motrën dhe ka bërë dasmë me orkestër. Në këtë dasmë kanë marrë pjesë komunisti Koço Bishaka dhe Qiro Lite të organizatës së Poliçanit. -Po kështu kandidatja e Partisë Sofie Gushi, efektive e organizatës së spitalit, po në këtë datë në qytet ka fejuar vajzën e saj. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë dhe komunisti Vaso Konomi bashkë me vëllezërit e tij, Theodhor Konomi dhe Sokrat Konomi. Edhe këtu ishte i njëjti justifikim se kishim prerë ditën. -Anëtari i Partisë Zabit Hida nga Plesati po në këtë datë u martua vetë me dasmë. -Gjithashtu është për t’u vënë në dijeni se komunisti dhe nëndrejtori i Ndërmarrjes së Grumbullimit, Pandeli Garo, të cilin Konferenca e Partisë për qëndrime oportuniste dhe mungesë të theksuar vigjilence e përjashtoi nga Plenumi i rrethit, ditën e nesërme të vdekjes së shokut Klement Godvald i ka thënë në bisedë instruktorit të seksionit të Agjit-Profit të Komitetit të Partisë, Vangjel Pullës: “Çudi si ngjasin këto gjëra njëra pas tjetrës. Mos vallë u kanë dhënë të dyve ndonjë hapë?!”. Tani në fund kam mësuar që Pandeli Garos i kanë parë një letërnjoftim për qëndrim të përkohshëm në Greqi, të cilën e ka marrë kur ka qenë andej dhe e ruan akoma për raste “eventuale”. Kam bindjen e plotë se ky është shovinist i tërbuar, armik dhe i poshtër. Të gjitha rastet e fejesave dhe martesave janë pothuaj të një kategorie. Mendoj se sado e fortë të jetë te këta shokë forca e zakonit, në asnjë mënyrë, për mendimin tim, nuk mund të arrihej deri këtu. Për mendimin tim, këto akte janë poshtronjëse, armiqësore fund dhe krye. Akoma edhe sot qajnë fëmijët për Stalinin e madh. Është shumë e rëndë që në momentet e pikëllimit dhe hidhërimit të thellë Sekretarja e Dytë shfaq mendimin të bëhet martesa. U bë me dasmë apo pa dasmë, në fakt vetë martesa është një gëzim, një gosti. Unë mendoj: -Qëndrimi i shoqes Niqi Bashari dhe Parashqevi Shehu të dënohet shumë rëndë. -Jani Gjika në Zervat, pasi të bëjmë analizën, ta përjashtojmë nga Partia dhe kooperativa. -Koço Qiqin, kryetar i kooperativës së Nepravishtës, ta shkarkojmë nga përgjegjësia. – Pandeli Garon ta hedhim jashtë Partisë, ta shkarkojmë nga detyra që mban dhe sipas rrezikshmërisë t’u jepet organeve të ndjekjes; ai është i vjetër si partizan, por është i poshtër dhe unë gjykoj se ai me kohë do të jetë rekrutuar nga agjentura greke.

Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, Mustafa Pajenga.

Kronika e kohës: 730 mijë shqiptarë betohen para Stalinit

Është 9 marsi i vitit 1953, dita e funeralit të Stalinit. Mijëra shqiptarë, të prirë nga Enver Hoxha dhe udhëheqësit e tjerë të Partisë dhe të shtetit, bien në gjunjë përpara përmendores së bronztë në qendër të Tiranës. Në ekranet e vendosura rreth e qark sheshit “Skënderbej”, shfaqet Kremlini, shpërthime artilerie në shenjë zije, flamuj të ulur gjysmështizë. Enver Hoxha i ulur në gjunjë para monumentit, bën betimin e popullit shqiptar para Stalinit. “Për ne, kumton ai, Stalini nuk ka vdekur dhe nuk do të vdesë kurrë. Betohem se do ta mbaj lart flamurin e internacionalizmit proletar”. “Betohem!”, thërrasin sakaq anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror. “Betohem!”, brohoret turma e madhe e paparë ndonjëherë në shesh. Pas vendosjes së kurorave me lule para monumentit, fillojnë të nënëshkruajnë teksin e betimit udhëheqësit e Partisë dhe të pranishmit e tjerë. Nënshkruan i pari Enveri, i pasuar nga udhëheqëit e tjerë. Në vijim afrohen për të nëshkruar punonjësit e Kombinatit të Tekstileve “Stalin”, ata të fabrikes së çimentos në Shkodër, të SMT-së Korçë, fshatarë të Ndroqit, të Gllaboçishit të Maqellarës, të Shishtavecit të Kukësit. Më pas gratë, studentët e Instituteve të Larta, nxënësit e shkollave të ulëta dhe në fund recitohen vargje kushtuar Stalinit nga shkrimtari Llazar Siliqi. Nga ky moment, bën të ditur një tjetër kronikë, 730 mijë shqiptarë, kur popullsia e vendit shënon 1. 3 milionë banorë, firmosën “Betimin e popullit shqiptar para Stalinit të Madh”, dokument i cili më 2 korrik iu përcoll Moskës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura