Dokumenti amerikan në 1950. CIA: Sotir Kozma, agjent i Sigurimit në radhët e mërgatës shqiptare në Romë

Dec 30, 2013 | 10:57
SHPËRNDAJE

Jorgjia Filçe e Sotir Kozmo, në festivalin e entit Kombetar, tirane1930
Dokument i Shërbimit të Fshehtë Amerikan për operacionet sekrete.

CIA: Sotir Kozmo, agjent i Sigurimit në radhët e mërgatës në Romë.

Ish-kolegu i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës, që u arratis pas luftës dhe u gjet i vdekur në brigjet e lumit Tiber.

Ekipi i Sigurimit në Romë të likuidojë krerët e komitetit “Shqipëria e Lirë”

Dokumentet që sjellim sot për botim janë një copëz e vogël informacioni mbi atë që Shërbimi Inteligjent shqiptar po bënte kundër operacioneve amerikane. Në një telegram të shkurtër me shifër, amerikanët njoftojnë se një ekip i Sigurimit shqiptar ishte dërguar në Romë për të likuiduar krerët e komitetit “Shqipëria e Lirë”. Duke pasur parasysh që në këtë periudhë nuk ka pasur vrasje të bujshme në radhët e mërgatës shqiptare, duket se ky mision sekret i interceptuar nga zbulues amerikanë ka dështuar. Megjithatë, të bie në sy fakti se Shërbimi Sekret shqiptar ka pasur mundësi që të organizojë një operacion kaq delikat, sa planifikimi i eliminimit të kundërshtarëve politikë në Romë. Se kush kanë qenë oficerët e dërguar me këtë mision, fatkeqësisht deri tani nuk del në dokumentet amerikane. Ndërkohë, dokumenti i dytë zbulon një ngjarje të panjohur më parë,  veshur me shumë mister. Duket se agjentët amerikanë gjatë monitorimit të legatës shqiptare kanë interceptuar komunikimin e një diplomati shqiptar me një personalitet të njohur të mërgatës së Romës: Nuçi Kota, djali i ish-kryeministrit shqiptar Koço Kota. Se çfarë marrëdhëniesh kanë pasur të dy këta personazhe dhe a është tentuar rekrutimi i Nuçi Kotes nga Shërimi Inteligjent shqiptar, kjo mund të dalë nga dokumentet e Arkivit shqiptar. Por, fakti me më shumë interes për të kuptuar operacionet e Inteligjencës shqiptare është emri i Sotir Kozmos. Sipas këtij dokumenti të botuar sot, amerikanët kishin interceptuar aktivitetin e Sotir Kozmos dhe ishin të bindur se ai ishte një agjent i Inteligjencës shqiptare. Memorandumi mbi aktivitetin e këtij agjenti shqiptar fatkeqësisht nuk është ende i deklasifikuar nga arkivi përkatës. Po çfarë interesi ka për këto operacione emri i Sotir Kozmos?  Sotir Kozmo dhe jeta e tij në Romë janë mbështjellë me një mjegull misteri. Ai u gjet i vdekur një mëngjes në brigjet e lumit Tiber. Zyrtarisht u shpall i mbytur, por autoritetet italiane nuk kanë lëshuar ndonjë dokument zyrtar (të paktën deri më tani nuk gjendet një i tillë) mbi shkaqet e vërteta të vdekjes së profesor Sotir Kozmos. Prof. Kozmo në fakt është një emër i njohur i muzikës shqiptare. I diplomuar në Konservatorin e Arteve të Bukura në Bukuresht, ai shërbeu për vite me radhë në Liceun e Korçës. I njohur si një mjeshtër i muzikës, ai shquhej si përkrahës i jetës kulturore korçare, duke drejtuar edhe grupin muzikor të qytetit të Korçës, i cili më vonë bëri një emër të madh në muzikën shqiptare. Spikatës i talenteve muzikore, ai mbështeti një mori emrash të njohur artistësh të kohës, si p.sh. Tefta Tashko Koço. Çuditërisht, edhe pse zyrtarisht i arratisur dhe pjesë e mërgatës politike shqiptare, përmendet në kujtimet e Enver Hoxhës me respekt. Ai ka qenë profesor në të njëjtën kohë kur edhe Enver Hoxha jepte mësim në Liceun e Korçës, pra e njihte personalisht atë. Kompozitor, dirigjent dhe drejtues muzike, prof. Kozmo pas luftës gjendet papritmas në Romë. Të paktën në dokumentet zyrtare të kohës ai nuk dallohet për ndonjë aktivitet antikomunist. E megjithatë, emri i tij është në listën që amerikanët kanë për themeluesit e komitetit drejtues të Bllokut Kombëtar Indipendent, një organizatë-front e krijuar nga Shërbimi Sekret italian. Ka shumë pak informacion mbi jetën dhe aktivitetin e prof. Kozmos në Romë, por duket se amerikanët e kanë identifikuar si një agjent të Shërbimit Sekret shqiptar në radhët e lidershipit të mërgatës. Në ato pak dokumente të dala nga arkivi shqiptar për kohën, duket qartë se Shërbimi Sekret shqiptar kishte jo vetëm një informacion shumë të saktë se çfarë bëhej në mërgatën e Romës, por nga stili i raportimeve duket se ato dërgoheshin nga një person i cili merrte pjesë në mbledhjet e ngushta të drejtuesve të kësaj mërgate. A janë vallë këto raporte të dërguara nga profesori korçar i muzikës? Fakti që prof. Kozmo u gjet i pajetë në brigjet e Tiberit dhe vdekja e tij u mbyll si aksident, hedh dyshime. Se çfarë kanë shkruar miqtë e tij në Romë për këtë vdekje nuk dihet, por dokumenti i botuar sot për herë të parë hedh dyshime se prof. Kozmo mund të jetë eliminuar si agjent i Shërbimit Sekret shqiptar.  E nëse misioni i oficerëve shqiptarë të Shërbimit Sekret në Romë ka dështuar, nga dokumenti i botuar sot të krijohet përshtypja se kolegët e tyre perëndimorë kanë qenë të suksesshëm në misionin e tyre.

Është viti 1950 dhe operacionet klandestine anglo-amerikane për rrëzimin e Hoxhës kanë mbi një vit që kanë filluar. Grupet e para guerile tashmë kanë hyrë në territorin shqiptar. Të trajnuar në Maltë, këto grupe që operonin nën emrin e komitetit “Shqipëria e Lirë” ishin  shpresa e vetme që britanikët kishin për një rebelim kundër qeverisë Hoxha. Situata politike rajonale ishte në favorin e planeve anglo- amerikane, pasi Jugosllavia e Titos dëshironte një Shqipëri pa Hoxhën. Sovjetikët akoma nuk kishin vendosur se çfarë hapash do të merrnin kundër Jugosllavisë. Edhe pse Stalini po konsideronte një ndërhyrje të mundshme në Jugosllavi, ai i druhej një prishje të ekuilibrave të vendosur pas Luftës me bllokun perëndimor. Analistët e zbulimeve perëndimore mendonin se sovjetikët nuk do të hynin në luftë për një vend të vogël malor. Një vend i varfër larg Bashkimit Sovjetik dhe tashmë në armiqësi të hapur me Jugosllavët, Shqipëria e Hoxhës mund të rrëzohej pa shumë mundim. Kishin kaluar vetëm 6 vjet dhe ishte e pamundur për shqiptarët në krye të vendit që të përballonin Shërbimet Sekrete më të rëndësishme të bllokut perëndimor. Për këtë arsye operacionet klandestine në Shqipëri konsideroheshin si një rast i artë për të provuar teorinë se këto operacione mund të sillnin ndryshimin  e regjimit. Jo më kot, të tilla operacione u organizuan në një sërë vendesh komuniste dhe më vonë në Kubën e Kastros. Por, mund të thuhet me bindje se operacionet klandestine në Shqipëri ishin fillimi i një kapitulli të ri të luftës së shërbimeve sekrete të të dyja kampeve. Edhe pse KGB-ja sovjetike akoma nuk ishte përfshirë gjerësisht në operacionet shqiptare, përsëri Shqipëria e vogël po përplaste emrat më të famshëm të Inteligjencës në të dyja anët e vijës ideologjike. E megjithatë, në shumë analiza dhe shkrime mbi këtë periudhë është nënvlerësuar roli i Shërbimit Sekret shqiptar. Historianët gjithmonë kanë folur mbi rolin e Kim Filbit, apo të oficerëve sovjetikë në dështimin e madh anglo-amerikan. Ky përfundim, ndoshta se shqiptarët vetë nuk i treguan kurrë sekretet e tyre, apo si gjithmonë  shqiptarët nuk ishin asnjëherë të zotët për të shkruar historinë e tyre. Duke ua u lenë në dorë të tjerëve për ta shkruar atë, edhe sot historianët perëndimorë nuk dinë saktësisht se çfarë arriti të bënte Shërbimi Inteligjent shqiptar në atë kohë.

DOKUMENTI
TOP SEKRET
Vetëm për zyrtarët amerikanë
Zyra e operacioneve speciale
 
Uashington D.C.
 
27 janar 1950
 
MEMORANDUM: Asistenti i drejtorit për Politikat Koordinuese
 
Subjekti: Operacioni shqiptar- Kontaktet e Nuçi Kotes dhe Legata Shqiptare në Romë
 
1.[….] (emri i fshirë) ka marrë një raport nga një burim relativisht  i mirëbesuar se Nuçi Kota është në kontakte të ngushta me Filip Koten, sekretar i parë i Legatës Shqiptare në Romë. Të dy ata kontaktojnë vetëm me telefon për të evituar mundësinë e të parit së bashku.
2.  Në lidhje me këtë çështje është me interes të theksohet se Filip Kota është i vetmi pjesëtar i Legatës Shqiptare që nuk është pjesë e Shërbimit Sekret shqiptar. Megjithatë, ka ardhur në vëmendjen tonë fakti se Sotir Kozmo, i identifikuar për Ju si agjent i Shërbimit Sekret shqiptar (shikoni memon top-sekret  O D3-211416a, datë 21 dhjetor 1949, subjekti: Albanian Operation- Aktiviteti i Shërbimit Inteligjent shqiptar në lidhje me komitetin “Shqipëria e Lirë”) ka lënë të kuptohet se ai po tenton që të organizojë arratisjen e Filip Kotes. Në këtë situatë nuk ka asnjë arsye të besohet se thëniet e Kozmos kanë ndonjë vërtetësi.
3.  Ne do t’ju mbajmë të informuar për çdo detaj që mund të mbledhim mbi këtë çështje. Ndërkohë, është urgjente që nga ana e Juaj të mos ndërmerret asnjë aksion, duke pasur parasysh delikatesën e kësaj çështjeje. Po kështu do të ishte një ndihmë e madhe nëse ju na jepni çdo lloj informacioni që keni mbi natyrën e kontakteve të Nuçi Kotes dhe Filip Kotes.
 
SO-DB-21963
 
SE -I Raporti ditor, e premte 27 korrik
 
[…] (emri i fshirë) Oficer i Zyrës së Politikave Koordinuese pranë komitetit “Shqipëria e Lirë” raporton se një ekip prej katër vetash është në Romë me mision vrasjen e zyrtarëve të rëndësishëm të komitetit. Instruksione i janë dhënë Shërbimit Sekret italian për t’u marrë me këta të dërguar të Hoxhës.
 
QKSTAIR, JBEDICT, QEBROIL

Faksimile e telegramit të CIA-s

AURON TARE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura