“Do përfitojnë mbi 41 mijë biznese”/ Këlliçi: Nga heqja e taksës së infrastrukturës arsimore tek tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit, ja vendimet që do marr si kryebashkiak

Mar 27, 2023 | 18:43
SHPËRNDAJE

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka prezantuar sot programin e tij për mbështetjen ndaj biznesit të vogël dhe të mesëm përmes reduktimit të taksave dhe tarifave.

belindkellici

Në një takim me përfaqësues të bizneseve, Këlliçi premtoi se nëse do të zgjidhet kryebashkiak, do të heqë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore.

Sipas tij, kjo taksë u ka vjelur qytetarëve 42 milionë euro që prej vitit 2016, dhe një pjesë e konsiderueshme ka përfunduar në xhepat e pushtetarëve.

Më pas, Këlliçi premtoi se do të ulë me 50% tarifën për pastrimin dhe gjelbërimin.

Belind Këlliçi: Nuk e kemi parë asnjëherë mbledhjen e këshillit bashkiakë, asnjë diskutim mbi hallet e qytetarëve apo bizneseve. Bizneset janë përballur me një rritje me 10 fish të taksave. Historia e këtyre 10 viteve ka qenë histori persekutimi për 54 mijë biznese në kryeqytet. Kjo kohë do marrë fund sepse deklaroj se biznesi i vogël dhe i mesëm do jenë prioriteti im si kryebashkiak i ardhshëm.

Bashkarisht do reduktojmë taksat dhe tarifat vendore, jo vetëm se kredoja jonë si forcë politike është për taksa të ulëta. Tek unë do gjeni një aleat tejet i besuar.

  1. Taksa e shumëpërfolur që është taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore. Me Belind Këlliçin si kryetar bashkie nesër, do bëhet zero. Është antikushteteuese. U proklamua si taksë e përkohshme. U ka marrë qytetarëve tanë nga 1 janari i 2016-ës deri më siot, 42 mln euro. Me 42 mln euro pretendohet se janë bërë 17 shkolla. Në raport me çmimin dhe kostot e ndërtimit, s’ka logjikë racionale se si në BE të ndërtohet një shkollë me 600 mijë euro, ndërsa në Shqipëri me 2 mln euro. Gjykoj se pas 14 majit, kjo taksë do zërohet.
  2. Taksa e tokës bujqësore do të bëhet zero për pjesën që i takon bashkisë.
  3. Taksa e fjetjes në hotel do reduktohet me 30%.
  4. Taksa e tabelës informuese do reduktohet me 30%.
  5. Taksa e truallit do reduktohet me 30%
  6. Taksa mbi ndërtesën do reduktohet me 30%.

TARIFAT

  1. Tarifa e pastrimit dhe e gjelbërimit do reduktohet me 50%
  2. Tarifa e zënies së hapësirës publike do reduktohet me 50%

Janë mbi 41 mijë biznese të vogla dhe të mesme që do përfitojnë nga kjo paketë reduktimesh. Edhe bizneset e mëdha do përfitojnë.

Ulja e taksave, do të rrisë në fund të ditës të hyrat në arkën e bashkisë, sepse taksat e ulëta bëjnë që bizneset t’i paguajnë ato. Bashkia e Tiranës ka buxhet afro 240 mln euro.  

taksat

Nga ana tjetër, Këlliçi i është përgjigjur edhe kritikave të shumta për premtimin e tij për transportin publik falas. Sipas Këlliçit, kjo nuk është një shpikje e tij, por një praktikë që ndiqet nga shumë qytete në të gjithë botën.

Këlliçi: Në raport me premtimin për transportin publik. Se çuditërisht janë ngritur shumë pikëpyetje nga mediat që janë proqeveritare dhe pro bashkisë. Mund të jemi i vetmi vend në botë që bashkia ka më shumë media se qeveria.

Në lidhje me transportin publik, nuk po bëj ndonjë shkencë apo shpikje. Është një model që është adaptuar në shumë qytete të botës. Në kryeqytete, si në Tallinin e Estonisë në vitin 2013. Në Belgjikë që nga 96-a, në Luksenburg, në Maltë, në Baltimorë të Amerikës ku kam qenë student. Është një qytet pak a shumë sa Tirana me 1 milionë banorë.

Janë praktika që s’i kanë bërë kot vendet e huaja. Janë praktika të realizueshme, janë sprovuar. Edhe Greqia madje i ka, ka një zonë të Athinës që e kanë shërbimin e transportit publik falas. Është çështje prioritetesh. Prioriteti im është shërbimi ndaj qytetarëve, nuk është as inceneratori dhe as korrupsioni.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura