Ditët e Studimeve Shqiptare në UET dhe debati mbi procesin e integrimit bëjnë bashkë Ditmir Bushatin dhe Besnik Mustafajin

Apr 29, 2023 | 15:39
SHPËRNDAJE

Dy ish-ministra të Punëve të Jashtme, të dy forcave politike u bënë bashkë në panelin e konferencën ndërkombëtare shkencore Ditët e Studimeve Shqiptare në UET. Fokusi ishte mbi hapin e fundit, në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

WhatsApp Image 2023-04-29 at 3.36.57 PM

Zoti Mustafaj e vuri gishtin tek përplasjet politike, si një prej faktorëve kryesorë të vonesave në këtë proces. Bushati foli me nota realiste rreth procesit të integrimit të vendit në BE. Ai tha se jemi larg hapit të fundit , rikujtoi idenë e tij të hershme  për një pakt për Europën, mes maxhorancës dhe opozitës, si edhe nuk i kurseu tonet e ashpra edhe për vetë unionin, që sipas tij po e kthen zgjerimin në një proces hipokrit.

Zëvendësimi monetar, i monedhës shqiptare me euron , do të ishte hapi i fundit i procesit të integrimit, mendon ekonomisti dhe presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa.

E megjithatë, ai vendosi të hedhë sërish në qarkullim tezën e tij të para 20 viteve, kur ishte në Bankën e Shqipërisë, duke e cilësuar si një provokim.

Gjatë seancës plenare të konferencës shkencore ndërkombëtare, “Ditët e Studimeve Shqiptare, UET”, ai tha se zëvendësimi sa më i shpejtë i lekut me euron,  do t’i vinte në ndihmë ekonomisë dhe do t’i jepte një fytyrë dhe pasaportë europiane vendit.

“Mund të bëjmë një zgjedhje alternative, që në vend të përdornim një monedhë, që e përdor një segment shumë i vogël i popullatës, mundet të përdorim një monedhë e cila sot dominon 30 përqind të tregtisë botërore, faturime të tregtisë globale, që është rezervë globale për 25 përqind të rezervave valutore në shkallë globale. Pra, mund të zgjedhim një fytyrë më të rëndësishme të identiteti tonë monetar ,sesa thjesht monedhën tonë”, do të shprehej presidenti i UET gjatë punimeve të edicionit të dhjetë të kësaj konference, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës ,ku marrin pjesë kërkues shkencorë vendas dhe të huaj.

Diskutimi i hapur nga ekonomisti i njohur nuk ishte larg temës qendrore të kësaj konference, me fokus debatin “Hapi i fundit: Përgatitja e vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian”?

Tetë vite pas statusit të vendit kandidat për Shqipërinë filloi një rrugëtim i ri hapja e negociatave që kërkon angazhimin maksimal të të gjithë institucioneve shtetërore në vend, përfshirjen e shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit, akademisë si dhe informimin e vazhdueshëm të qytetarëve.

“Është hap i fundit në procesin e  integrimit europian, meqë ra fjala. Por një gjë është e rëndësishme; përderisa zgjedhja jonë tashmë është bërë, që do të shkojmë drejt Europës dhe çështja nuk është nëse do ta adoptojmë apo jo, çështja është kur dhe në gjykimin tim, mund t’i japim ndihmë të madhe ekonomisë nëse e përshpejtojmë këtë lloj procesi”, shtoi presidenti Xhepa. Ai tha se, edhe për shkak të emigracionit në nivele të larta, euro është de facto monedhë kombëtare, duke qenë se është e pranishme pothuajse në çdo familje shqiptare.

“Sot që kanë kaluar 20 vjet, nuk është problem për Bankën Qendrore Europiane që Shqipëria të mund të kërkojë ta përdorë këtë monedhë, duke marrë pasaportë dhe fytyrë europiane për vendin. Dhe pastaj, gradualisht Shqipëria në procesin e integrimit europian do t’i anëtarësohet sistemet të bankave qendrore europiane dhe të bëhet aksionere e Bankës Qendrore Europiane , duke marrë pjesë në të famshmin senior reach, që merret nga emetimi monetar”, sugjeroi ai.

Ndërsa, si ekonomist zoti Xhepa bëri një parashikim për të ardhmen, ish-ministri i Jashtëm demokrat, Besnik Mustafaj u ndal tek vonesat që i kanë ardhur procesit të integrimit të vendit, për shkak të klasës politike shqiptare.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme ndau tre episode nga  përvoja e tij, me marrëdhënie ndërkombëtare dhe sesi klasa politike shqiptare e ka penguar procesin e integrimit në BE.

Takimet  me Javier Solanën në 2005 dhe 2006, çështja e “açugeve” si pengesë për firmosjen e Stabilizim-Asociimit, skepticizmi i europianëve ndaj Shqipërisë pas debatit në parlament për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe çështja e Këshillit të Qarkut, Fier, më 2012, që rrezikoi marrjen e statusit kandidat.  Ai kujtoi edhe një takim me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fyle,  në Munih. “Unë isha larguar tashmë nga politika prej pesë vjetësh për të bërë jetën time të shkrimtarit…Fyle më çeli bisedën e Kryetarit të Këshillit, të Qarkut Fier. Unë nuk dija shumë hollësira dhe i thashë se,  as Berishës dhe as Ramës nuk i bënte asnjë punë ai kryetar dhe se, ishte vetëm një pretekst si për njërin edhe për tjetrin,  për ta rritur tensionin politik në vend. Komisioneri më tregoi se ky pretekst po e rrezikonte megjithatë shumë seriozisht marrjen së afërmi të statusit të kandidatit për Shqipërinë”, kujtoi ish-ministri Mustafaj. Sipas Mustafajit, përplasjet mes Ramës e Berishës e vonuan me  10 vite, marrjen e statusit.

“Viktima e kësaj përplasjeje dinozaurësh ishte Shqipëria, e cila nuk e mori statusin e vendit kandidat as atë vit, as vitin pasues, kur në qeveri erdhën socialistët. Ky status u mor në vitin 2022. Pra, aspirata jonë europiane humbi saktësisht 10 vjet vetëm për  t’i shpëtuar nderin Kryetarit të Këshillit të Qarkut Fier”, tha ai, duke ironizuar me vargjet e njohura “Ku ta dija unë i varfri / se armiku ishim ne?”

Edhe ish-ministri i Jashtëm socialist, Ditmir Bushati, i cili e mbajti këtë dikaster për gjashtë vite, i dha të drejtë pararendësit të tij demokrat mbi fajet e politikës shqiptare në vonesat e procesit të integrimit.

“Fatkeqësisht jemi vendi që kemi vuajtur më shumë në tryezën e bisedimeve me BE-në. Jo se kemi negociuar ndonjë gjë të madhe, por për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike. Nuk kemi probleme në kuptimin etnik e fetar, nuk jemi shtet i papërfunduar , siç ka shtete të tjerë në rajonin tonë, por problemin kryesor kemi problemin politik”, tha ish-ministri Bushati.

Në konferencën shkencore ndërkombëtare, që u zhvillua në UET, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati foli me nota realiste rreth procesit të integrimit të vendit në BE. Ai tha se jemi larg hapit të fundit.

“… kam frikë se titull i konferencës së sotshme ka nevojë për një reflektim. Personalisht, nuk besoj se jemi në fazën e fundit të anëtarësimit në BE dhe dua të jem realist me njerëzit që janë këtu, në audiencë, pse e them këtë”, tha ish-kreu i diplomacisë shqiptare.

Ai lëshoi disa kritika për klasën politike e cila e ka vonuar ecurinë.

“Por sot, nëse do të pyesnit drejtuesit kryesorë të klasës politike në pushtet, kryeministrin e vendit, liderin e opozitës – pavarësisht se ka diskutime se cila është opozita dhe ka disa opozita- cili është interesi ekonomik i Shqipërisë, cili është avantazhi i krahasuar që do të duhet të mbrojë ekonominë shqiptare, në një situatë hipotetike në anëtarësimin në BE, cilat janë fashat kryesore të shoqërisë shqiptare që do të duhet të mbrohen nga ky proces, kam frikë se ende e nuk e kemi këtë përgjigje dhe kam frikë se, dominohemi nga mungesa e pronësisë mbi reformat”, shtoi ai.

Bushati rikujtoi idenë e tij të hershme  për një pakt për Europën, mes maxhorancës dhe opozitës, që sipas tij do ta ndihmonte këtë proces, siç edhe ka pasur precedentë pozitivë në anëtarësimin në NATO apo Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“Duhet ta pranojmë polarizimin e tejskajshëm dhe mosmarrëveshjet e mëdha, që na pengojnë për të ecur përpara. Flas për ato fusha kryesore, ku duhet ndarë mendja se, pavarësisht kush e ka pushtetin, vendi duhet të ecë përpara. Spanjollët kanë bërë një pakt për Europën, sllovenët kanë bërë një pakt për Europën, kroatët kanë bërë një pakt për Europën. Ky ka qenë një propozim që jam përpjekur të bëj edhe kur isha në opozitë, edhe kur isha në pushtet. Nuk ka funksionuar, ndoshta nuk ka qenë propozimi i duhur, por e sigurt është që pa një lloj marrëveshjeje politike, vendi nuk e çliron dot atë energjinë pozitive që duhet ta çlirojë”.

Bushati nuk i kurseu tonet e ashpra edhe për vetë unionin, që sipas tij po e kthen zgjerimin në një proces hipokrit.

“Ku shihet hipokrizia? Në mënyrën sesi vetë BE po e trajton këtë proces. Nga njerëz si Solana, Verheugen, komisioner i Zgjerimit – një nga luanët e social-demokracisë gjermane- ishte vendosur në krye të procesit të zgjerimit. Pse? Sepse gjermanët kishin një interes të madh për Gjermaninë. Për fat të keq, Komisioneri i sotëm i Zgjerimit vjen nga Hungaria. Dhe të gjithë i kanë ndjekur debatet, mënyrën sesi u shpërndanë portofolet në Komisionin Europian dhe siç shpesh kthehet portofoli i Integrimit në Shqipëri- në një portofol të dorës së dytë apo të dorës së tretë- e njëjta gjë po ndodh edhe me Komisionin Europian, edhe me BE-në”.

Ai tha gjatë seancës plenare në Ditët e Studimeve Shqiptare se emigrimi masiv i profesionistëve, paratë e krimit të organizuar, si edhe mospërfshirja reale e diasporës shqiptare rrezikojnë vonesa të mëtejshme dhe ta lënë rajonin pas, krahasuar edhe me fqinjët lindorë, anëtarë të BE.

“Kam frikë se, nëse nuk i adresojmë këta tre elementë sëbashku, për të përfshirë në ciklin buxhetor  7  vjeçar vendet e rajonit, nëse nuk pritet të jenë pjesë e fondeve strukturore, zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimin e sektorëve strategjikë, tranzicionin energjetik, zhvillimin e burimeve njerëzore, për të motivuar që shumica e njerëzve të shohin të ardhmen e tyre me vendin, do diskutojmë e ndoshta do të themi se është hapi i fundit i anëtarësimit në BE”, përfundoi ish-ministri Bushati.

Ndryshe e mendoi miku i veçantë i kësaj konference, gazetari i njohur britanik, Xan Smiley.

I nderuar me titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës dhe i ftuar si një folës kyç në konferencën ndërkombëtare shkencore “Ditët e Studimeve Shqiptare”, mbi çështjet e integrimit të Shqipërisë në BE, gazetari i shquar i revistës “The Economist” gjykoi se Shqipëria po ecën mirë me  politikën e jashtme.

“Është mirë, këtu në Shqipëri, të shohësh që një vend i vogël në Ballkanin Perëndimor po ecën mirë me politikën e tij të jashtme. Është i vetmi vend në rajon pa dallime serioze me fqinjët. Është një anëtar aktiv i NATO-s. Ka kryesuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Është një anëtar i vlerësuar i bllokut pro-ukrainas. Po shkon shumë ngadalë,  por në mënyrë të qëndrueshme,  drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian (të cilin Britania, meqë ra fjala, e la shumë marrëzisht). Nëse babai im do të ishte këtu sot, saktësisht 80 vjet që kur ai doli mbi malet e bukur e të thyer në këmbë dhe mbi një gomar, ai do të ishte i habitur dhe i kënaqur nga ndryshimet’, u shpreh zoti Smiley.

Me Shqipërinë, të cilën e ka vizutuar për herë të parë më 1993-shin, gazetarin e lidh historia e të atit, kolonelit britanik David Smiley, i cili udhëhoqi rezistencën ushtarake të Forcave Aleate  në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa libri i tij me kujtime “Vitet Shqiptare ‘43-‘45”, është botuar nga UET PRESS, më 2012-n.

Gazetari, i cili prej 42 vitesh jep kontributin e tij për prestigjiozen “The Economist”, ndau mendimet e tij mbi zhvillimin e vendit, në tri dekada,  si edhe bëri një panoramë globale të politikës së jashtme, çështje që i mbulon gjerëisht revista e përjavshme britanike dhe veçanërisht,rubrikat e krijuara prej tij si “Large” apo “Charlemagne’.

Zoti Smiley ndau edhe disa nga kujtimet e të atit në Shqipëri dhe vizionin e ndryshëm që ushtaraku britnaik kishte përballë Enver Hoxhës, që pas luftës do të udhëhiqte nën diktaturë vendin për gati gjysmë shekulli. Ditët e studimeve shqiptare është një logo që UET krijoi në vitin 2014, si një konferencë shkencore e përvitshme drejtuar jo vetëm akademikëve shqiptarë, por dhe studiuesve dhe akademikëve shqiptar që studiojnë dhe punojnë në universitete e qendra kërkimore në shumë vende të botës, veçanërisht në universitete e institute shkencore perëndimore në BE, vende të OECD, etj.

“Ky aktivitet është gjithashtu një zë i fuqishëm në shoqërinë shqiptare, pasi kërkimi fokusohet drejt impaktit mbi shoqërinë dhe ekonominë nëpërmjet transferimit të dijes përtej komunitetit akademik, tek institucionet publike e private dhe grupet e interesit”, do të shprehej zv’rektorja për kërkimin Shkencor në UET, Drita Kruja. Ajo e cilësoi rrugëtimin e  DSSH-së ka qenë sa sfidues aq edhe të suksesshëm,  me  pjesëmarrje të  më shumë se 1000 studiuesve të huaj dhe shqiptarë  dhe nga temat e trajtuara, të lidhura me çështje të zhvillimit ekonomik, politik dhe social dhe integrimit të Shqipërisë.

Duke e vendosur fokusin e konferencës së këtij viti mbi debatin  “Hapi i fundit: Përgatitja e vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian”?, konferenca synon të reflektojë, debatojë dhe përgjigjet pyetjeve se, sa afër apo larg anëtarësimit me të drejta të plota në BE ndodhet Shqipëria? Cilat janë përvojat e fqinjëve ballkanas  dhe cilat janë modelet e suksesit ?, etj.

Konferenca pati  pesë  panele ndërdisiplinare të lidhura me Projektet e Mëdha Kërkimore që përbëjnë shtyllën e kërkimit shkencor në UET: Integrimi Europian: sfidat ekonomike për Shqipërinë;  Drejtësia, politika dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në dritën e negociatave të BE-së;  Identitetet shqiptare dhe evropiane: perspektiva të reja në humanitete, arsim, art dhe kulturë;

Teknologjia dhe inovacioni në ekonomi;  Sfidat në praktikën klinike sipas standardeve të BE-së.

“Një nga fushat kryesore që Shqipëria duhet të zhvillojë është inovacioni dhe kërkimi, të cilat janë thelbësore për rritjen e qëndrueshme ekonomike, inovacionin dhe zhvillimin social.

Kapitulli 25 i acquis të BE-së mbulon fushën e shkencës, kërkimit dhe inovacionit.

Ai synon të promovojë përsosmërinë shkencore, bashkëpunimin dhe lëvizshmërinë brenda BE-së, si dhe të mbështesë zhvillimin e sistemeve kombëtare të kërkimit që janë në përputhje me politikat dhe standardet e BE-së”, mendon zv/rektorja Kruja.

Kjo konferencë u zhvillua  në përmbyllje të Javës Ndërkombëtare “Europa në auditorët e UET” me pjesëmarrjen e afro 50  kërkuesve dhe lektorëve, si dhe  studentëve  nga  disa universitete partnere, si Holanda, Spanja, Italia, Rumania dhe Polonia.

Në këtë konferencë u referuan rreth 60 punime,  me pjesëmarrjen e 110 kërkuesve  vendas dhe universiteteve  partnere me UET. Punimet më të mira të konferencës do të botohen në çështje speciale të 5 Revistave shkencore të UET: Polis, Economicus, Medicus, Jus&Justicia dhe Ingenious, të cilat janë instrumenti kryesor nëpërmjet të cilit UET ‘komunikon’ me botën akademike dhe më gjerë.  Po kështu një pjesë e tyre do të botohen në formën e “policy paper” dhe do u ofrohen institucioneve publike dhe jo publike si dokumente bazë për një politikëbërje më të mirë dhe eficiente, në shërbim të qytetarit dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.

 

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura