Dita E

May 23, 2024 | 9:04
SHPËRNDAJE

LEONARD-DEMILEONARD DEMI

Ne do të pranojmë vetëm Fitore të plotë!
Dwight D. Eisenhower

Më 8 dhjetor 1990, me ëndrrën shekullore më të bukur të të gjithë shqiptarëve: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” filluam udhëtimin e zemrës për në Bruksel. Sot, kur europianët, në të dyja anët e Kanalit, përgatiten të nderojnë 80-vjetorin e “Ditës D”, qeveria jonë po bëhet ‘gati të paraqesë një projektrezolutë për të bashkëpunuar me opozitën’, me atë opozitë, që shkatërroi diktaturën më të egër të Europës për të ngritur flamurin kuq e zi në Boulevard Léopold III dhe në Place Schuman.

QEVERISJA E SOTME SOCIALISTE

Partia Socialiste (PS), me qeverisjen e vet shkel parimin e ndarjes së pushteteve dhe po ndryshon natyrën e pushtetit shtetëror demokratik nga poshtë-lart me një qeverisje nga lart-poshtë: me kryeministrin në krye, që ka marrë të gjithë autoritetin dhe pushtetin shtetëror për të përvetësuar të gjitha vendimet e rëndësishme politike. Kjo prirje godet shtetin e së drejtës, mënjanon pushtetin vendimmarrës nga mbikëqyrja legjislative, dmth., mënjanon Kuvendin si institucioni kryesor shtetëror dhe dëmton të drejtat dhe liritë kushtetuese (Heller, Somek).

Kryesia e PS dhe Grupi i saj Parlamentar po kthehen në një mjet të fuqishëm politik, që vendos institucionet demokratike të shtetit kushtetues nën qeverisjen autoritare, të cilën disa studiues e kanë quajtur sistem hibrid, autoritarizëm konkurrues apo autoritarizëm demokratik. Kësisoj, kjo forcë politike në pushtet po e kthen Kuvendin në predhë ideologjike kundër opozitës. Shembulli më i qartë është shkelja e Kushtetutës dhe Rregullores të Kuvendit për të bllokuar ngritjen e Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, duke pështjelluar punimet e Kuvendit për një periudhë të gjatë, që përfundoi me amendimin e ligjit ekzistues në të mirë të qëndrimeve autoritariste të qeverisë. Pas miratimit të amendamenteve, mazhoranca ra dakord për ngritjen e vetëm dy komisioneve hetimore nga tetë të kërkuar nga opozita, ndërsa në tubime politike qesëndia e kryeministrit shpreh: “… të mos e lëmë progresin e drejtësisë jashtë vëmendjes dhe kujdesit të Parlamenti, i cili duhet të përfshihet shumë më tepër në betejën për këtë progres…. (Shqipëria në BE…, Kongresi i PS, 8 dhjetor 2023. Të gjitha citimet e përdorura në këtë artikull janë të kryeministrit Edi Rama.).

NJË PIRAMIDË KUNDËR KUVENDIT

Në veprimtarinë e përditshme, PS dhe Grupi i vet Parlamentar mbështet piramidën e pushtetit, që i lejon kryeministrit të mos respektojë detyrimet dhe kufizimet kushtetuese dhe të refuzojë rëndom kërkesat e opozitës për interpelanca parlamentare. Është ironi e dhimbshme kur e dëgjon të thotë:”… është Kuvendi qendra e gravitetit, nuk është qeveria, është kuvendi…” (idem); apo “Duhet rritur më shumë transparenca, llogaridhënia, kontrolli, duke harmonizuar … veprimtarinë e të tria pushteteve të pavarura kushtetuese… dhe sundimi i ligjit të arrijnë nivelin e një vendi anëtar të Bashkimit Europian”. (Mbledhje me kabinetin qeveritar dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, 7 maj 2024.) Por, herëherë, kryeministri pranon përgjegjësi vetëm para popullit, i cili nuk është subjekt juridik, por shoqëror: “Ju kërkoj ndjesë për çdo gabim, që ju mendoni s’e kam bërë, por kurrë, në asnjë rast nuk i kam tradhtuar ata që ma kanë besuar qoftë dhe njëherë me votën e tyre…”. Unë nuk kam si ta hap zemrën dhe trurin tim që ju të hyni dhe të shikoni vetë se çfarë ka brenda… (Krenarë për Shqipërinë, Athinë, 12 maj 2024).

Këto qasje i kundërvihen demokracisë dhe konstitucionalizmit dhe është pasojë e pashmangshme e rënies së kushtetutshmërisë. Demokracia e tipit perëndimor, të cilën kemi adoptuar edhe ne, është kombinim i dy traditave të dallueshme: njëra është demokracia, që do të thotë votim universal, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sundim i shumicës (nga poshtë-lart); tjetra është liberalizmi kushtetues, që do të thotë shtet i së drejtës, ndarja e pushteteve dhe mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore individuale. Studiuesit e kësaj pikëpamjeje, theksojnë se konstitucionalizmi i jep demokracisë thelbin e saj liberal. Këto dy tradita kanë qenë gjithmonë në kundërshtim me njëra-tjetrën dhe ajo, që shohim të ligjërohet sot në vendin tonë është demokraci joliberale apo pushtet individual: “Që unë të shqyhem dysh ditënatë në krye të punëve… Unë kam pasur detyrën të punoj në këta dhjetë vjet me dyzetë e ca ministra… Unë shkoja nga Kancelarja gjermane, në zyrat e Brukselit, në zyrat në Uashington dhe u thosha… ne duhet të bëjmë tërmet” (Mbledhje me…, 7 maj 2024.) “… dua t’ju them shumë sinqerisht se… do të kthehem më i vendosur… për ta bërë gati Shqipërinë për BE-në edhe më përpara akoma… Unë do t’ua lë si kartolinë të Vitit të Ri… të gjithë liderëve të Bashkimit Europian rezultatin e testit të suksesshëm të modelit shqiptar…”. (Kongresi i PS, 8 dhjetor 2023).

POLITIKA FISNORE E PARTISË SOCIALISTE

Sa më shumë që trumbetohet një parti politike, në rastin tonë Partia Socialist, aq më shumë kontrollohet anëtarësia e saj dhe aq më shumë vështirësohet bashkëpunimi me ata që nuk janë anëtarë të vet, dmth., ata “të gropës së gjarpërinjve” (Pukë, 19 shkurt 2019), gjë që krijon pështjellime deri në ndarje e mosbesim dhe vështirësojnë komunikimin konstruktiv.

Studiues të ndryshëm venë në dukje se palët, që kundërshtojnë njëra-tjetrën, në rastin tonë mazhoranca dhe opozita e kanë pasur pothuajse të pamundur të kapërcejnë ndarjet fisnore kur udhëheqësit e tyre kundërshtarë nuk janë angazhuar ta bëjnë këtë. Anasjellas, udhëheqësit e fortë dhe parimorë mund të tejkalojnë ndarjet partizane, të ulin tensionet dhe pështjellimet politike dhe të gjejnë një bazë të përbashkët për të përcaktuar rrugën drejt një të ardhmeje europiane. Vetëm kur opozita dhe mazhoranca bashkëpunojnë për të zgjidhur një problem të përbashkët afrohen. Përparimin do ta arrijmë kur do të përdorim arsyen dhe argumentin për të kapërcyer ndarjet politike dhe kualifikimet luftënxitëse, si: “… fitoret elektorale të radhës me disa kundërshtarë as të gjallë dhe as të vdekur…” (Kongresi i PS, 8 dhjetor 2023). “Kemi në dorë shumicën e parlamentit dhe drejtimin e pushtetit ekzekutiv, pa qenë të detyruar t’i themi dajë asnjë derri, për të qeverisur…” (Mbledhje me…, 7 maj 2024.)

KOMISIONET E KUVENDIT

Demokracia politike moderne është një sistem qeverisës në të cilin qeveritarët, për veprimet e tyre, mbajnë përgjegjësi publike para qytetarëve, të cilët përfaqësohen me të zgjedhurit e tyre. Një shembull tjetër domethënës i shkatërrimit të parimit të ndërtimit të pushtetit nga poshtë-lart është qëndrimi ndaj komisioneve kuvendore.

Sipas Rregullores së Kuvendit (Neni 1826, 1927, 3640), Komisioni i Sigurisë Kombëtare (KSK) ka te drejte te therrasë ne c’do kohe per te dhene shpjegime dhe sqarime per c’eshtje te fushave te pergjegjesise se tyre: ministrin e Brendshëm, ministrin e Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror (dhe të gjithë shërbimeve informative), shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, drejtorin e Policisë së Shtetit, drejtorin e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar… deri tek autoritetet e mbrojtjes kibernitike.

Rëndom drejtuesit e këtyre institucioneve shkelin hapur Kushtetutën e Shqipërisë dhe Rregulloren e Kuvendit, duke mos pranuar ftesat e Komisionit për t’u paraqitur. Rastet më flagrante janë ai i ministrit të Brendshëm, 16 dhjetor 2020 – 8 korrik 2023 dhe i drejtorit të sotëm të Policisë së Shtetit, të cilët kanë refuzuar të gjitha ftesat e Komisionit, edhe pse kryetari i qeverisë thotë: “… Është Kuvendi qendra e gravitetit, nuk është qeveria, është Kuvendi. (Kongresi i PS, 8 dhjetor 2023). Kjo prirje godet shtetin e së drejtës, mënjanon pushtetin vendimmarrës nga mbikëqyrja legjislative e Kuvendit.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare, në traditën e vet, pos të gjithë autoriteteve të sigurisë të vendit, për nga rëndësia që ngërthen, ka pritur personalitete të larta shtetërore nga të dy anët e Atlantikut, përfshirë Komandantin Suprem të Forcave Aleate të NATO-s dhe, njëkohësisht, Komandant i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara. Kurse qeveritarët dhe të emëruarit tanë jo vetëm që nuk duan t’ia dinë për ligjet themelore të shtetit demokratik, por me qëndrimin e tyre dëmtojnë rritjen dhe forcimin e sigurisë kombëtare të vendit, pengojnë mënjanimin e veprimtarive kontradiktore institucionale, analizën dhe planifikimin, thellimin e bashkëpunimit të vendit tonë me partnerët tanë strategjikë dhe NATO-n; si dhe rritjen e aftësisë të vendimmarrësve për të udhëhequr e realizuar politikat dhe çështjet e sigurisë kombëtare në nivel vendor, rajonal dhe në kuadër të Aleancës dhe Bashkimit Europian.

KUVENDI DHE SHËRBIMI INFORMATIV SHTETËROR

Një nga dukuritë më të rëndësishme të forcimit të sistemit demokratik të një vendi është informimi i rregullt i Kuvendit për aktivitetin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) jo vetëm sepse Kuvendi është përgjegjës për veprimtarinë e SHISH, por edhe për vetë faktin se Kuvendi ndodhet midis SHISH dhe publikut të gjerë. Lidhja e ngushtë e Shërbimit Informativ me politikën mund t’i dëmtojë atij funksionin e mbledhjes dhe të analizës së informacionit dhe ta kthejë në një vegël, që do të përdorej nga liderët politikë për të ruajtur pushtetin e tyre. Kësisoj, drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, emëruar më 3 prill 2023, është paraqitur në Komisionin e Sigurisë Kombëtare vetëm një herë. Ajo nuk e kreu detyrën kushtetuese me pretendimin se deputetët nuk kishin certifikatë sigurie. Këtu kemi të bëjmë me një çështje parimore: “Asnjë strukturë, që nuk është e zgjedhur, nuk ka autoritet mbi të zgjedhurit me votë popullore”. Sidoqoftë, ka shtete, ku Kuvendi i pajis anëtarët e KSK me dokumentin përkatës. Deri më sot, Kuvendi ynë nuk i ka certifikuar këta deputetë se i del jashtë politikës lart-poshtë dhe drejtoresha e SHISH ende vazhdon t’i qëndrojë larg tempullit të demokracisë.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka gjithashtu autoritetin të mbikëqyrë politikat e sigurisë kombëtare, zbatimin e legjislacionit përkatës dhe shpenzimet buxhetore të gjithë institucioneve të sigurisë kombëtare (Neni 3640 dhe 10288). Publiku i gjerë do të ishte shumë dyshues dhe i shqetësuar nëse të zgjedhurit e vet nuk do të kishin autoritetin ta mbikëqyrnin Shërbimin Informativ dhe, në një farë mase, t’ua bënin të njohur veprimtarinë e tij zgjedhësve të vet, sidomos, në drejtim të respektimit të drejtave dhe lirive themelore. Mbikëqyrja e buxhetit ngërthen edhe një problem tjetër: Kuvendi nuk mund të marrë vendim të arsyeshëm për fondet, që u nevojiten institucioneve të sigurisë, përfshirë SHISH pa pasur njohuri mbi ta dhe mënyrën se si vepron sistemi.

ROLI I BASHKIMIT EUROPIAN DHE SHTETEVE TË BASHKUARA

Demokracitë joliberale fitojnë legjitimitet dhe rrjedhimisht pushtet nga fakti se ato janë të pranueshme nga pikëpamja demokratike. Sot, përballë këtij virusi që po hedh rrënjë në vendin tonë, roli më i dobishëm që mund të luajnë Bashkimi Europian dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara është të përpiqen të konsolidojnë demokracinë në Shqipëri dhe të inkurajojnë forcimin e kushtetutshmërisë. Demokracia pa liberalizëm kushtetues nuk është thjesht e pamjaftueshme, por e rrezikshme, se gërryen lirinë, abuzon me pushtetin, thellon ndarjet, madje sjell edhe pështjellime të rrezikshme thonë ekspertët. Këtë, besoj ka ndërmend edhe kryeministri kur thotë: “… le ta krijojmë një vend pune të përbashkët, me aleatët tanë strategjikë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara… për të adresuar… procesin e mëtejshëm të shtetbërjes europiane të Shqipërisë…” (Mbledhje më… 7 maj 2024.).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura