Disa mendime mbi një opinion të prof. Tarifës

Apr 18, 2024 | 8:34
SHPËRNDAJE

NGA AGRON LOCIAGRON LOCI

I ndjek me shumë interes angazhimet mediatike të prof. Fatos Tarifës. Kjo për disa arsye.

Së pari, për shkak të informacionit që ai përçon, falë kombinimit të njohurive personale me referencat e shumta nga studiues të ndryshëm, për të shpjeguar dukuritë shoqërore që analizon.

Së dyti, është ndër penat e pakta në shtypin e përditshëm që i jep udhë me kurajë përballjes së ideve dhe debatit në nivel akademik.

Së treti, kam qenë student i tij diku nga mesi i viteve ‘80. Ishte ndër pedagogët e rinj që lektonte me pasion sociologjinë, një disiplinë që atëkohë e konsideroja “të guximshme”, si diçka të ndryshme nga lëndët e kurrikulës. Aty analizoheshin teoritë e idetë e disa prej filozofëve e sociologëve më të njohur postmarksistë e bashkëkohorë, të cilët ishin të pozicionuar hapur kundër marksizmit, materializmit historik, apo disa prej dogmave që ne studionim në universitet. Atë lëndë e konsideroja si “trendy”, por brenda së lejuarës. Sigurisht që edhe Tarifa nuk mund të dilte jashtë kornizës dhe kufizimeve të kohës, teksa pikëpamjet e tyre i vlerësonte gjithnjë në lupën e kritikës zyrtare.

Personalisht do ta vlerësoja prof.. Tarifën si sinonim të studiuesit skrupuloz që lidh dy epoka dhe si shembull i akademikut të spikatur.

DISA MENDIME MBI OPINIONIN E TIJ TË FUNDIT

Para pak ditësh, prof. Tarifa botoi një shkrim me titullin “Albamericans dhe Trump”. Ai është në vijim të qëndrimeve të tij të njohura mbi preferencën për lidershipin amerikan.

Nga kontaktet që kish pasur me emigrantët tanë në SHBA, i interesuar për të ditur se cilin nga të dy kandidatët ata preferojnë, për habinë e tij, “një numër i madh emigrantësh” janë deklaruar se ata janë mbështetës të ish-presidentit Trump. Kjo preferencë, siç shkruan, “e ka çuditur”, madje ai “nuk arrin ta kuptojë” atë duke përfunduar se e konsideron si tërësisht “iracionale dhe të pashpjegueshme”.

Konstatimi i Tarifës nga pikëpamja formale është i drejtë dhe logjik, teksa vë në dukje inkoherencën mes asaj që përfaqëson Trump si ideologji, si eksperiencë e përjetuar dhe si projeksion qeverisjeje ndaj të “emigrantit” dhe pozicionimit të një pjese jo të vogël të emigrantëve shqiptarë pro tij në zgjedhjet e ardhshme në nëntor. Nisur nga ky arsyetim i tij do të përpiqem të analizoj dhe të jap shkurt disa argumente, që mendoj se në një farë mase mund t’u jepnin sadopak përgjigje çështjeve se përse një pjesë e emigrantëve shqiptarë preferojnë ishpresidentin, qasje të cilën Tarifa thotë se e vlerëson si “të çuditshme”, “të pakuptueshme” madje dhe “iracionale”.

Së pari, mendoj se përgjigja e këtyre çështjeve kërkon analizën e historisë së emigracionit shqiptar, strukturën e tij, si dhe pozicionin aktual në shoqërinë amerikane.

Historiku i emigracionit shqiptar në SHBA daton rreth viteve 1880. Fillimisht si emigracion ekonomik dhe pas ardhjes në pushtet të komunizmit, kemi edhe një kontingjent emigrantësh politikë. Në kontingjentin ekonomik bën pjesë edhe një numër i konsiderueshëm emigrantësh me kombësi shqiptare nga ish-Jugosllavia. Këta mund të konsiderohen si “emigrantët e hershëm shqiptarë”, që sipas statistikave, sot numërojnë rreth 900 mijë veta të vendosur kryesisht në Bregun Lindor.

Pas rënies së komunizmit, kemi një valë tjetër emigracioni në pjesën më të madhe emigrantë ekonomikë shkuar atje nga përzgjedhjet algoritmike të programeve të emigracionit ofruar nga qeveria amerikane. Këta mendohet se janë afërsisht 100 mijë veta. Gjithashtu, gjatë këtyre tri dekadave të fundit kanë emigruar edhe individë të shumtë, numri i saktë i të cilëve nuk njihet, të cilët ose kanë shkuar ilegalisht përmes shteteve të treta, ose pasi janë pajisur me vizë kanë qëndruar atje për të ndërtuar të ardhmen. Ky është kontingjenti që në pjesën më të madhe në fjalorin e përditshëm njihen si “emigrantë në të zezë” ose “ilegal”, të cilët përpiqen që qëndrimin dhe dokumentet amerikane t’i sigurojnë përmes hapësirave që të ofron legjislacioni amerikan. Këta dy grupe të fundit mund të konsiderohen si “emigracioni i vonë”.

Për të vazhduar më tej me pyetjen e Tarifës se përse duhet që komuniteti i emigrantëve të mbështesë Trumpin. Kësaj çështjeje mendoj se mund t’i përgjigjemi duke i dhënë përgjigje dy pyetjeve të mëposhtme: a e ndjejnë ata vërtetë veten emigrantë? A ndjehen të rrezikuar nga Trump për të mos e mbështetur?

Në fakt, Trampizmi si ideologji dhe formë qeverisje është fenomen i vonë me fillesa diku nga mesi i 2010, kohë kur sistemi ndërkombëtar po formatohej si shumë polar. Forcimi ekonomik dhe ushtarak i Kinës, ringjallja e Rusisë, dalja në skenë e fuqive të mëdha rajonale, shoqëruar me konflikte të shumta në shumë anë të globit shtronte pyetjet: a do të ishin në gjendje SHBA të vazhdonin të luanin rolin e arbitrit për zgjidhjen e konflikteve? A ia vlente dhe a mundej ekonomia amerikane të vazhdonte të përballonte kosto shumë të larta financiare dhe njerëzore në angazhimet jashtë vendit? Çfarë duhej bërë me numrin gjithnjë e më lartë të emigrantëve që largoheshin nga vendet e tyre për shkak të luftërave apo kushteve ekonomike drejt vendeve të BE dhe SHBA?

Është momenti kur del në skenë të Trump. Janë të njohura qëndrimet e tij për një politikë të jashtme izolacioniste, për të tërhequr trupat, uljen e kostove të mbrojtjes, por edhe qëndrimet radikale ndaj çështjes së emigracionit. Për herë të parë, përfaqësuesi më i lartë i politikës amerikane, simbol i unitetit të një kombi krijuar dhe ndërtuar nga emigrantët ofron zgjidhje aq radikale dhe ekstreme, duke përdorur një retorikë që ngjason me ato të përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga drejtuesit fashistë. Paradoksi është se ai del hapur kundër historisë së krijimit të SHBA dhe nëse ato do të ishin udhëhequr që në fillimet e tyre nga politikanë me qëndrime dhe ideologji të ngjashme, ne sot nuk do të flisnim për SHBA si shteti model i lindjes dhe funksionimit të demokracisë. Për më tepër, ne sot nuk do të flisnim për “emigrantë shqiptarë”.

Me interes për të shkuar më tej në analizën e çështjes është të njihet statusi i emigrantëve shqiptarë.

Nga të dhënat referuar familjeve të emigracionit të hershëm dhe atyre të programeve të emigrimit të pas ’90, rezulton se ata janë të pajisur me dokumente amerikane. Tek ky kontingjent me kalimin e kohës ashtu si për shumë komunitete të tjera, emigrantësh nocioni “emigrant” fillon të zbëhet duke u zëvendësuar nga “shtetas amerikanë” me origjinë “shqiptare, italiane etj.”, ose si “shqiptaro-amerikan”.

Ndërkohë që këtë status përpiqen ta fitojnë dhe grupi i emigrantëve pa dokumente. Nëse për grupin e parë “rreziku Trump” nuk përbën asnjë problem, madje shumë prej tyre mund të votojnë po aq Trumpin sa edhe Biden, një rizgjedhje e tij për grupin e dytë do të përbënte rrezik, por ata vetë nuk kanë mundësi ta minimizojnë sa kohë që nuk kanë të drejtë vote.

Shumë syresh nga grupi i parë mbështesin Trump edhe kur ai flet kundër emigracionit, pasi në qasjen e tij antiemigracion, ai nuk i fut të gjithë emigrantët en-block. Në fund të fundit, edhe ai vetë rrjedh nga një familje emigrantësh gjermanë, që shkuan në Amerikë rreth 140 vite më parë. Fokusin kryesor të premtimeve të tij, Trump e ka të drejtuar në radhë të parë kundër emigracionit ilegal, një çështje altualisht mjaft e nxehtë në SHBA dhe që Trump premton ta zgjidhë në mënyrë ekstreme dhe radikale. Domosdoshmërinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje për arsye kryesisht të faktorëve ekonomikë apo të sigurisë e mirëpret edhe një pjesë e konsiderueshme e “shqiptaro-amerikanëve”, ndaj nuk kemi se pse çuditemi që ata të mbështesin Trump. Në fund të fundit, në një masë të madhe Trump është sot alternativë qeverisjeje për shkak të paaftësisë së politikës amerikane, që prej dekadash nuk ka qenë e aftë t’i jepte zgjidhje kësaj çështjeje.

Së dyti, komuniteti shqiptar-amerikan që jeton në SHBA, ashtu si pjesa më e madhe e bashkëkombësve të tyre janë shumë të interesuar për çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, sidomos me inflacionin që sipas sondazheve të ditëve të fundit, janë çështjet më të rëndësishme në fushatë. Presidenti aktual Biden ka një bilanc katërvjeçar qeverisjeje, ku pavarësisht ecurisë shumë pozitive të ekonomisë në dy vitet e fundit, perceptimi i publikut për ekonominë vazhdon të jetë negativ.

Ndërkohë që sfidanti Trump qysh në fillim e ka luajtur dhe po e luan fort kartën e ekonomisë. Qasja e tij “nacionaliste” e shtrirë edhe në premtimin për një ekonomi të fortë amerikane është ndër elementet më të rëndësishme në kuadër të lëvizjes dhe sloganit të tij “make America great again” ose “America first”. Duke premtuar “forcimin e ekonomisë amerikane në tërësi e për rrjedhojë ekonominë e të gjitha shtresave të qytetarit amerikan” ai ia ka arritur të fitojë mbështetjen e një pjese jo të vogël të elektoratit dhe kjo mund të jetë një tjetër ndër arsyet kryesore që i jep në një masë të konsiderueshme përgjigje pyetjes se përse një numër i “emigrantëve shqiptarë” mund të mbështesin një politikan të tillë si Trump.

SI KONKLUZION

Deklaratat ekstreme, raciste të Trump që arrijnë deri tek etiketimi i emigrantëve si “rrezik për helmimin e gjakut të SHBA” janë kritikuar dhe vazhdojnë të kritikohen ashpër nga politikanë të shumtë jo vetëm në SHBA, por edhe në shumë vende demokratike në botë. Ai flet dhe premton deportime masive, madje shumë më të mëdha sesa ato që kreu ish-presidenti Eisenhower në vitet ‘50, megjithatë jo gjithçka ai premton mund ta realizojë duke pasur parasysh kuadrin ligjor kushtetues amerikan në mbrojtje të emigrantëve.

Në fakt, Trump nuk është për zgjidhje radikale vetëm të çështjes së emigracionit. Ai është për zgjidhje radikale, populiste edhe për çështje të tjera të rëndësishme që lidhen me ekonominë, sigurinë, politikën, legjislacionin. Si ideologji, ai mund të konsiderohet si largimin nga qasja liberale, institucionale, që për gati tetë dekada kish qenë bazamenti mbi të cilën është ndërtuar realiteti amerikan, ai përbën largimin nga politikat që kanë përqafuar dhe zbatuar në praktikë të gjithë presidentët amerikanë të pas Luftës së Dytë Botërore, qofshin këta demokratë apo republikanë, por edhe largim nga roli dhe përgjegjësia e SHBA në sistemin ndërkombëtar, të cilin ato jo vetëm që e formësuan sipas idealit të tyre multikulturalist dhe tolerant, por që njëkohësisht kanë qenë promotorë dhe mbështetës të vlerave të demokracisë liberale, të sigurisë, të ekonomisë së tregut si dhe respektimit të të drejtave e lirive të njeriut, pavarësisht kombësisë kudo në botë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura