Dilema hamletiane e Gjergj Fishtës! “Metamorphosis” me 268 vargje kapërcyen pragun e poezisë së shkurtër, ku pulsojnë ndjesitë zemërake të kundërshtimit të realitetit mjeran

Apr 10, 2024 | 12:08
SHPËRNDAJE

1571895342_GjergjFishtafotoemireBEHAR GJOKA

Poezia “METAMORPHOSIS” gjendet te vëllimi poetik “Arnzat e Parnasit”, njërit prej librave nga më cilësorët të Fishtës qoftë për frymën e përcjellë, qoftë për shkathtësinë e mjeteve shprehëse.

Ajo, poezi ka gjithsej 268 vargje, pra duke e kapërcyer pragun e një poezie të shkurtër, ku pulsojnë ndjesitë zemërake të kundërshtimit të realitetit mjeran, jo vetëm të vitit 1907, që i përket kohës shkrimore. Më tepër të rrudhjes dhe ndrydhjes së karakterit, të përshtatjes nënshtruese, të mbytjes së identitetit, deri në shndërrim total, të prishjes së natyrës së shqiptarit, ku shpalohet mllefi dhe zhgënjimi, toni dhe gjuha sarkastike, për t’i vënë barriera frenuese këtij mjedisi, që rrëshqet drejt rrokopujës. Duke u skeletuar kështu si një poemth sarkazëm, që ta ndërmend kohën, por që ndërkomunikon edhe me këndej kohën…

GJURMË TË UNIT POETIK

Frymëmarrja e vargjeve të kësaj poezie, ashtu si edhe ato të “Lahutës” apo te “Gomari i Babatasit” etj, ruan dhe shpërfaq tiparet e poetikës fishtiane: komunikimin e drejtpërdrejtë, bisedën e hapur, kur prek nër plagët tjetërsuese të botës shqiptare, si dhe gërshetimi i poezisë me retorikën. Pra, poezia “Metamorphosis” edhe njëherë formaton artin ku poeti shkrihet me bariun shpirtëror, çka në këtë rast ravizon një përmasë specifike të unit poetik:

– të lirikës së kulmeve dëshpërimore;
– të lirikës së zemëratës së fundme;
– të lirikës së shpresave të fikuna, që djegin dhe përvëlojnë

Tonaliteti mbizotërues sarkastik i një mallkimi sipranie, kur është mbushur kupa e durimit, i përthyerjeve të trefishuara të unit poetik, por megjithatë asgjëkundi doravet padre Gjergj Fishta, ndikojnë për të shpërndarë mjegullën rozë, endur me pe të zi mbi poetikën e bardhë fishtiane…

HERO LIRIK I SHUMËFISHUAR

Pavarësisht ndërkomunikimit konkret dhe disaplanor, që e bartin vargjet e kësaj poezie, përthyerja e heroit lirik, madje paraqitja e tij si shumësi, i japin lirikës zemërake temporitëm dhe shprehësi të mirëfilltë artistike.

Së pari: Hero i kundërvënies ndaj realitetit rretheqarkues, që dita ditës zhbëhet, shpërfytyrohet dhe rrudhet si ndërgjegje, që na prezanton poetin e njohur, me ndjenja të përndezura, që, vazhdueshëm rezbitet nër plagët e pyllishtës, ku noton përditshmërinë shqiptari.

Së dyti: Hero lirik që grish në ndihmë të vetë historinë, faktet e njohura dhe të pranuara si të tilla, si ndër vargjet:

“Por n’dashtë: le të thohet
Se dredhoi Leka,
Veç kurr mos t’thohet,
Se ka mbet Leka (1990: 27),
si një deklamim i hapur i cilësisë që mbart”

Së treti: Hero lirik i ngashënjyer për të rrëmuar dhe kërkuar edhe përtejhistorie, kur i thërret Orfeut, “poetit më të shquar që jetoi para Homerit” (1987: 182), formulim që e hasim tek “Fjalori Mitologjik”, që vjen si i tillë, posaçërisht:

“E ka me e gjetun
Ndo’i farë Orfeut
Qi lavdet-t’ua

T’i a kndojë dheut” (1990: 31), që ta sjell ndërmend piskamën, që ia drejton vetë Homerit, në poezinë “Ditën e të Shuemvet”, tek libri “Mrizi i Zanave”, vëllimit poetik që gdhend portretin e lirikut të vibracioneve këndellëse poetike dhe të një vokabulari farfuritës, sidomos kur thoshte:

“Qi për liri t’Shqypnis’ u bane flie:
Namin e tyre për m’e kndue si duhet,
Omiri lypet, lypet Iliada!” (1999: 24),

si dhe pasthirrmat buçimtare, që Fishta ua përthekon, hera-herës, orëve dhe zanave tek “Lahuta”. Materia e përthyer në këto forma, përveç se dëshmon tipin e poezisë klasike, madje që ngandonjëherë të përkujton Ovidin dhe metamorfozat e tij, veçse këtu me një funksion dhe semantikë të përmbysur, shpërfaqin dimensionin moral dhe artistik të poetit moskokëçarës si shprehësi, veçmas si kod i përplotësimit, kundërshtues i realitetit të atëhershëm, por edhe më gjerë se kaq…

KONTRASTI NDJENJOR

Poezia “Metamorphosis” duke qenë një dëshmi e dhimbcave sipërore, për atë farë shkërbimi që ka ndodhur dhe do të ngjante pa shkëputje me bashkëkombasit, faktikisht shënon një staturë të re poetike, në sendërtimin me nota sarkastike, të realitetit belban dhe shurdhmemec. Në njëfarë kuptimi, më së shumti ajo është poezi e kontrastit ndjenjor. Vargjet nistore:

“Qe besa, or burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sod derri dajë…
Me armiq t’Shqypnis
Un’pa u frigue
Mjaft jam i mjeri
Kacagjelue.
Po e kam pasë thanun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet

Për atme t’vetë” (1990: 24), të cilat vetëm sa parashtrojnë vorbullën ndjesore, përhumbjen shpirtërore ku ka ra tashmë poeti. Më së fundi, kjo moçalishte përthithëse e jetës dhe oksigjenit, mund të përballet, nëse është e mundur, me ballëvëniet totale. Ndërkohë që antivlerat gëzojnë qytetari dhe nderim, vesi shpërblehet për virtyt, amoraliteti shpërndan mandate morali, hapësira e dinjitetit njerëzor ngushtohet çmendurisht dhe zhytet, pa përvuajtje nëpër zgafellat e pluhurosura dhe gjithë të gënies. Pozicioni sfidant, aspak lakmues dhe famësjellës, përkundrazi si shkak për ta keqkuptuar dhe lançuar, i Fishtës, shpaluar gjithkund në krijimtarinë e tij letrare, tek poezia “Metamorphosis” ka më tepër gjasë, të posedojë tepri qytetarie dhe sakrifice autoriale, në emër të përndritjes dhe shpëtimit të shqiptarit prej dangave dhe përllomjes. Poeti rreket të shpëtojë sa të mundet nga llumhania, ndonëse, për hir të së vërtetës filtrit të zemërimit nuk i shpëton gjësend, për të mbërritur tek përmbyllja fundore:

“Njata qi zhaben
N’këtë jetë t’a rrasën
Kështu kanë me t’shkrue
Mbi vorr ty rrasën:
Ktu njaj fatbardhi
Asht t’ue pushue
Për Fe e për Atme

Qi pat jetue. ” (1990: 32), ku poeti raporton logjikën e ftohtë, bash si akulli, si dhe vlimin zemrak kundërvënës, ka gjetur shesh prehjeje në përvojën e lashtë, si gjurmë e qytetërimit që aderojmë ta përqafim sa më parë…

RITMIKA E PESËRROKËSHIT

Ajo çfarë e veçon poezinë, mbase me të gjithë veprën autoriale, që përbën vatra ku gjëmon tetërrokëshi tradicional i poetikës së shqipes, është kadenca ritmike e përshpejtuar e vargjeve, që përftohet nga lëvrimi i vargut me pesë rrokje. Ky lloj vargu, promovuar nga N. Frashëri me “Fjalët e qiririt’, si dhe nga A. Z. Çajupi në poezinë “Shqipëtar”, natyrisht, tek ky i fundit, duke përthyer tetërrokëshin karakteristik në dy formante, përkatësisht, në një njësi me pesë rrokje dhe në një njësi tjetër me trerrokësh, çka u ka dhënë vargjeve ritmin e trumbetës së alarmit luftarak.

Kurse Fishta, ashtu si Naimi mbart vetëm vargun me pesë rrokje, sepse aspiron të japë shumëfishin e ndjesive. Natyra specifike e vargjeve:

– të ritmit të kulmimeve trazimsjellëse,

– të dendurisë dhe densitetit ndjenjor,

– të përplasjes kozmogonike të antitezave kundërshtuese, ka bërë që ky krijim të funksionalizohet edhe si artthënie, madje nga më të fuqishmit e këtij poeti.

Ritmika e ndërrimit të kahjeve, e përmbysjes së ndjesive të zemëratës, e kontrapunkteve të unit poetik, përpos përftesës autoriale në vjeshërimin me pesërrokësh, gjithsesi vatër e poetikës së shqipes, si dhe e bashkëngjitur kjo cilësi edhe me aktin e përzgjedhjes së fjalës që tenton qenien njerëzore shqiptare, të qarkëzuar prej theqafjeve të pafundme, e bëjnë të fuqishme artistikisht. Pra, “mëkati” pa një grimë mëkatimi, i vargjeve të poemthit “Metamorphosis”, një satirë e mprehtë dhe përplot polemika, një klithmë e mëdyshjes hamletiane të shkrimtarit, në fakt realisht shenjon gjurmë shprehësie letrare e jo “njolla” biografike të sajuara për ta përzënë nga panteoni i letrave shqipe.

1. Fishta, Gjergj: “Arnzat e Parnasit”, Sh. B. “Rilindja”, Prishtinë 1990.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura