Detyrimet e prapambetura buxhetore arrijnë në 200 mln euro në 9 mujor, rritje me 57% brenda vitit, tejkalohet objektivi

Nov 17, 2023 | 7:39
SHPËRNDAJE

Teksa buxheti i shtetit ka pasur një situatë të mirë fiskale këtë vit me rritje të arkëtimeve të cilat sollën nevojën e një buxheti suplementar, gjithashtu ka akumuluar një shumë të konsiderueshme si detyrime të pashlyera në koha ndaj bizneseve me të cilat qeveria ka lidhur kontrata për punë dhe shërbime.

Borxh-publik-1-1020

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave detyrimet e prapambetura rritën në 20,4 miliardë lekë në fund të muajit shtator, shifër kjo 57% më e lartë se fillimi i vitit, ku ky tregues ishte 13 miliardë lekë (shiko grafikun e mëposhtëm).

Ministria e financave synon të plotësojë një objektiv sipas të cilit stoku i detyrimeve të prapambetura vjetore nuk kalon 2% të totalit të shpenzimeve, në të paktën dy nga tre vitet e fundit fiskalë.

Objekti i detyrimeve të prapambetura të qeverisë së përgjithshme si përqindje e totalit të shpenzimeve për vitin 2023 është vendosur barazim ose më i vogël se 2.4% (realizim i plotë) ose 2.8% (realizim i pjesshëm).

Për 9 mujorin 2023 niveli i detyrimeve rezultoi 2.85%, më i madh se objektivi i vendosur, por Ministria e Financave ka në plan të shlyejë një pjesë të këtyre detyrimeve në muajt e mbetur të vitit me qëllim për të arritur tragetin më pak se 2.5%.

Siç shihet nga historiku i detyrimeve, akumulimet janë të larta në 6 mujorin e dytë, pasi kompanitë kryejnë punimeve përtej parashikimeve në buxhet. Megjithëse një seri udhëzimesh dhe rregulloresh evitojnë akumulimet e detyrimeve ato po bëhen një zë i pashmangshëm në buxhet.

Ministria e Financave e ka bërë praktikë që një pjesë të këtyre ta shlyeje në fund të vitit, por përgjithësisht një stok prej 100 milionë eurosh mbetet.

Nga totali i detyrimeve të prapambetura deri në shtator 2023 , qeveria qendrore zotëron 12.27 miliardë lekë, nga të cilat, investimet zënë peshën më të madhe të stokut të detyrimit rreth 64.6%, dhe Vendimet Gjyqësore zënë rreth 26.8%.

Totali detyrimeve të prapambetura të qeverisë vendore rreth 7.62 miliardë lekë, nga të cilat investimet zënë peshën më të madhe të stokut të detyrimit me rreth 50.1%, detyrime të prapambetura të tjera me rreth 26.9%, shërbime me rreth 10.1%, vendimet Gjyqësore rreth 7.3%, mallra me rreth 3.1%.

Duke nisur nga muaji dhjetori 2020, monitorimi dhe raportimi i detyrimeve të prapambetura, i cili më parë kryhej mbi bazë tremujore nëpërmjet raportimit shkresor të institucioneve, tashmë gjenerohet automatikisht nga Sistemi informatikë Financiar i Qeverisë (SIFQ)./Monitor

ecc

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura