Deputetë të PD vizitojnë Mziun tek burgu 302, Bumçi: Arrestim politik. Fushatë denigruese ndaj familjes

Dec 30, 2013 | 17:50
SHPËRNDAJE

TIRANE- Deputetë të Partisë Demokratike kanë vizituar sot në ambjentet e burgut 302, kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Duke folur për mediat, deputeti i PD-së Aldo Bumçi tha se vizita e tyre nuk synon të ndërhyjë në çështjet e drejtësisë, por theksoi ai, PD shpreh shqetësimin e saj që në krye të herës së ky proces ka treguar dëshmi për ndërhyrje politike, për të manipuluar drejtësinë.

“E para, ka qenë një shkelje flagrante e ligjit me masën e sigurisë për burgim me arrest dhënë në mungesë, kur z Mziu ishte në zyrën e tij. Normalisht duhej të thirrej në gjykatë kur trajtohej çështja. Pra ky proces ka nisur me një shkelje të rëndë të ligjit sepse personi nuk ka qënë i thirrur në gjykatë kur u vendos masa e sigurisë. Kjo është shkelja e parë e rëndë.  E dyta, kemi vendosjen e një mase të skajshme. Arrest me burg është një masë ekstreme. Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat, fakti që z Mziu është i zgjedhur për të dytën herë radhazi, nga qytetarët e Bashkisë Kamëz, por edhe nga rrethana të tjera, pra kemi të bëjmë me një masë aspak proporcionale. Fakti i tretë, për raste të tjera të ngjashme për kryetar bashkish apo kryetar komunash kemi masa të tjera sigurie si hetim në gjendje të lirë. Për z Mziu kemi një masë tjetër. Pse ligji nuk zbatohet me të njëjtin standard ?! pse kemi dy standarde ?! Dy standarde ka vetëm ku ka vullnet për ndërhyrje politike.”- tha Bumçi.

Bumçi vuru theksin edhe tek ajo që ai e quajti një fushatë denigruese në ngarkim të familjes Mziu, duke sjellë në vëmendje bashkëshorten e kryebashkiakut, për të cilën gjithashtu pati disa akuza në media. 

“Kjo na kujton kohët e errëta të diktaturës kur ndërmerrej një fushatë denigruese kundër një familje, në mungesë të respektit të çdo ligji dhe morali. Pra e ngjashme me kohët më të errëta të Shqipërisë. Partia Demokratike është e vendosur të respektojë shtetin ligjor dhe do të kërkojë që të gjithë ata që kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin të dalin para drejtësisë. Drejtësia mund të vonojë por drejtësia do të vendoset. Ata që kanë orkestruar dhe frymëzuar këtë fushatë të paprecedentë që do të shkatërrojë një familje, individë e të manipulojë opinionin publik, po luajnë me zjarrin.”- përfundon deklarata e Bumçit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura