Depozitat në euro rriten ndjeshëm në gusht, por jo vetëm nga individët, më pak kursime në lekë

Sep 29, 2022 | 11:54
SHPËRNDAJE

Muaji gusht ka shënuar një rritje të ndjeshme të depozitave në sistemin bankar. Ky është një efekt sezonal ky që ndodh gjithnjë, për shkak të ardhjes së emigrantëve për pushimet e verës, por këtë muaj kanë ndikuar dhe korporatat e tjera jo financiare.

depozitat ne euro

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në fund të muajit gusht stoku i depozitave në vend u rrit me 1.95, ose 24 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm. Kjo është rritja më e madhe mujore që prej dhjetorit të vitit 2020.

I gjithë zgjerimi i kursimeve në sistemin bankar ka ardhur nga euro. Depozitat në valutë u rritën me 3.8% në krahasim me muajin e mëparshëm, të ndikuara në pjesën më të madhe nga korporatat jo financiare, kursimet pa afat të të cilave u shtuan me gati 8%. Ndërsa kursimet pa afat të individëve në valutë u zgjeruan me 3.6%. rritja e depozitave në valutë është më e lartë për shkak se të dhënat raportohen në lekë dhe shifra rezulton më e ulët për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të euros këtë vit.

Në të kundërt, kursimet në lekë kanë shënuar rënie me 0.5% në raport me muajin e mëparshëm, duke reflektuar vështirësitë në kursimin në monedhën vendase pas rritjes së ndjeshme të çmimeve në krahasim me të ardhurat.

Me bazë vjetore (gusht 2022/gusht 2021), depozitat në total janë rritur me 7.5%, të ndikuara në pjesën më të madhe nga valuta (+11.6%) dhe më pak nga monedha vendase (+2.4%).

Gjatë dy viteve të fundit, kursimet janë rritur të orientuara nga valuta, ndryshe nga viti pandemik kur u zgjeruan depozitat në lekë për shkak të pamundësisë për të shpenzuar.

Ndërsa vitin e fundit kursimi në lekë po bëhet më i vështirë, pasi familjet duhet të shpenzojnë më shumë për të ushqyer, teksa inflacioni në gusht arriti në 8%, nivelet më të larta që nga koha e piramidave.

Në fund të gushtit, pesha e kursimeve në valutë ishte 57.2%, nga 55.2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor


Burimi: Banka e Shqipërisë

Burimi: Banka e Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura