Debati për dinarin/ Zv.kryeministri i Kosovës akuza të dërguarit të BE: Lajçak shkeli parimet që i vendosi vetë, caktoi temë diskutimi pa u dakordësuar

Feb 21, 2024 | 16:34
SHPËRNDAJE

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se nga Brukseli ka pasur kërkesë që për çështjen e dinarit të ketë takim mes Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme, por ai ka theksuar se nuk do të shkojë në këtë takim duke deklaruar se “çështja e dinarit s’është pjesë e dialogut”.

lajcak bislimi

Ai ka thënë se i dërguari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, i ka shkelur parimet “që i ka vendosur vetë”, duke thënë se është hera e parë që ka caktuar takim pa koordinim me palët.

“Zoti Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkel parimet të cilat i ka vendosur vet për arsye që është hera e parë që ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve. Por, ftesa ka ardhur në adresën time”, është shprehur ai të mërkurën pas tryezës “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë”, të organizuar në Çagllavicë nga Qendra për Dialog Humanitar.

Sipas zv.kryeministrit, kur Lajçak është pyetur se kush mund të jetë përfaqësuesi i Qeverisë për këtë çështje, ai ka thënë “kur të caktojmë ju informojmë”.

“S’ka kurrfarë zhvillimi. Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do të shohim se kush mund të shkojë që të bisedojë për çështjen e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, ka thënë Bislimi, raporton Koha.

Ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës në ditët në vijim do të dalë me listë prej 10 masave, me të cilën do të tregojë se si do të kujdeset që qytetarët të mos dëmtohen në fazën kalimtare deri te zbatimi i plotë i Rregullores së re të BQK-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura