Debate në Komisionin Hetimor për “TIMS”, socialistët kërkojnë që dëshmia e ministrit Balla të jetë me dyer të mbyllura. Zbardhet shkresa

May 15, 2024 | 18:33
SHPËRNDAJE

Deputetët e Partisë Socialiste mes debateve kanë braktisur për disa minuta komisionin hetimor parlamentar për ndërhyrjen në të dhënat e sistemit TIMS.

Shkak i debatetit ishte kërkesa e komisionit për të thirrur ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Bazuar në shkresën e ministrit Balla, socialistët kërkuan që mbledhja të zhvillohej me dyer të mbyllura me pretendimin se ministri dispononte informacione sekrete për të cilat Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime.

Kryetari i Komisionit Ervin Salianji kërkoi që Taulant Balla të paraqitet të dëshmojë e jo të fshihet.

“Gjejeni se ku është futur”, iu drejtua ai anëtarëve socialistë të cilët mbrojtën mungesën e Ministrit.

“Çojini sms Edi Ramës që të nisë Ministrin në Komision se po lini nam e po turpëroheni. Do dal e do ta gjej vetë e do t’i them, pse fshihesh? tha Salianji.

SHKRESA E MINISTRIT BALLA

Të nderuar,

Në vijim të thirrjes për dhënien e dëshmisë në Komisionin Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS”, sot më datë 15.05.2024, ora 17:00, ju informoj se, si Ministër i Brendshëm, informacionet që disponoj lidhur me çështjen e “TIMS”, bazohen në dokumentacion dhe të dhëna që janë përcjellë nga agjencitë ligjzbatuese kompetente, konkretisht nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Duke qenë se informacionet e marra nga institucionet e sipërcituara përbëjnë informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror”, bazuar në nenin 12 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, i ndryshuar me ligjin nr. 106/2023, dhe në ligjin nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar”, vlerësoj se anëtarët e nderuar të këtij Komisioni, duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP) dhe mbledhja e Komisionit të zhvillohet me dyer të mbyllura, në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni.

Gjithashtu, rezulton se çështja e “TIMS” është objekt hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e për pasojë, të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.

Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin,

MINISTRI

Taulant Balla

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura