Çmimi “Pjetër Gaci” në edicionin e tij të XXIII! Interpretuesit e rinj të muzikës klasike treguan aftësitë e tyre në skenë

May 30, 2024 | 11:34
SHPËRNDAJE

NGA PROF. LORENC RADOVANI*/ Bashkia Shkodër dhe Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”, në datat 23-26 maj 2024, organizuan edicionin e XXIII-të të konkursit ndërkombëtar të interpretuesve të rinj të muzikës klasike “Pjetër Gaci”.

6s

Ky aktivitet ishte i hapur për interpretues me aftësi solistike nga Shqipëria dhe jashtë saj, nga mosha 7-23 vjeç. Interpretuesit treguan aftësitë e tyre në skenën e Teatrit “Migjeni”, Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” dhe Bibliotekës “Marin Barleti” të qytetit. Vlerësimi i konkurrentëve iu besua tre Jurive: 1. Juria Piano / Fizarmonikë (Nikola Vu?kovi?, Etleva Kolnikaj dhe Amir Xhakoviq) 2. Juria Harqe / Kitarë (Bujar Sykja, Anton Kaftalli, Gjulian Bytyçi) dhe 3. Juria Instrumentet e drunjta dhe të tunxhit / Kanto (Sokol Saraçi, Rita Ranko, Fatbardh Gashi).

Për ta bërë sa më të thjeshte regjistrimin dhe për të sqaruar rregulloren, kërkesat e repertorit si dhe rregullat e gjykimit dhe të vlerësimit, me mbështetjen e Xhulio Gjeçaj, u ndërtua një faqe-web me adresën www.pjetergaci.al përmes së cilës kalonin informacionet në kohë reale. Konkurrimi u organizua mbi bazën e specialiteteve (piano, harqe, instrumentet e drunjta dhe të tunxhit, kitarë, fizarmonikë dhe kanto) të ndara në kategori sipas grup-moshave (A: 7-9 vjeç, B: 10-12 vjeç, C: 13- 15 vjeç, D: 16-18 vjeç, E: 19- 21 vjeç dhe F: 22-23 vjeç).

Grupi realizues i konkursit ishte i përbërë nga Lorenc Radovani (drejtor artistik), Bardhyl Hysa (konsulent artistik), Dritan Mlika (drejtor organizativ), Kristi Ndoja (moderatore dhe mbështesë logjistike), pianistët shoqërues Mimoza Kongo dhe Gjon Shllaku si dhe dy koordinatorët Gjovalin Ndoja e Agron Grami. Në konkurrim morën pjesë mbi 200 interpretues të rinj me këtë ndarje gjeografike: Tiranë 58; Kosovë 45; Mali i Zi 32; Shkodër 25; Lezhë 23; Durrës 6; Fier 3; Korçë 2; Elbasan 2; si dhe individë nga Kruja, Berati, Maqedonia e Veriut, Austria, Gjermania e Italia. Me interes u konsiderua edhe numri i interpretuesve sipas specialiteteve në konkurrim: Harqe 87 (Violinë 67, Violonçel 19, Viola 1); Piano 68; Kitare 14; Kanto 11; Fizarmonike 6; Flaut 6; Klarinetë 5; Saksofon 3; Oboe 1; Trombon 1. Pasi për secilën nga gjashtë kategoritë garuese u ndanë çmimet (Irë, IItë dhe IIItë), në mbrëmjen e së dielës u zhvillua koncerti final me më të mirët, në përfundim të së cilës u shpallën fituesit e çmimeve të mëdha.

Çmimin e parë e meritoi Marla Hoxha (violinë, Tiranë), çmimi i dytë shkoi për Lis Mustafa (kitarë, Prizren) dhe me çmime të treta u vlerësuan Albana Bajraktari (kanto, Tiranë) dhe Rron Rustemi (saksofon, Gjilan). Një tjetër çmim, ai i publikut, shkoi për pianisten 16-vjeçare Irem Krasniqi nga Prizreni, e cila elektrizoi sallën me interpretimin dhe përkushtimin e saj. Së fundmi, do doja të vlerësoja mbështetjen që Bashkia Shkodër në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci” prej 23 vitesh i jep këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm edukativ dhe artistik. Duke falënderuar gatishmërinë dhe mikpritjen e Teatrit “Migjeni”, Shkollës Artistike “Prenkë Jakova” dhe Bibliotekës “Marin Barleti”, dua të falënderoj fondacionin ALBITSOL kryesuar nga Vasenka Rangu dhe një grup sipërmarrësish nga Milano (që kanë si qëllim promovimin e aktiviteteve kulturore e artistike mes dy vendeve), të cilët dhuruan bluza me logon e aktivitetit për të gjithë konkurrentët.

Gjithashtu mirënjohje edhe për dyqanin “Lule tek Çinari” i cili na zbukuroi skenën e koncertit si dhe për familjen Kolnikaj që mbështeti çmimin e publikut i cili shkoi për Irem, vajzën nga Prizreni e cila fitoi zemrat e publikut dhe na emocionoi aq shumë të gjithëve. Shkodra është vendi i artit e kulturës dhe si e tillë u bë vëmendje dhe “tingëlloi” këto ditë.

Është vendi i operës së parë, i krijuesve dhe interpretuesve të shquar, qyteti i bandave muzikore, koreve cilësore e grupeve të tjera muzikore. Qyteti që ka orkestër simfonike, të cilën duhet t’ia bashkojmë këtij aktiviteti, për ta kthyer çmimin “Pjetër Gaci” në një ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare. U përpoqëm të bënim ashtu siç thotë edhe Nënë Tereza: “…të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Urime fituesve dhe të gjithë pjesëmarrësve për shfaqjen e talentit të tyre të jashtëzakonshëm. Përgëzime të gjithë artisteve të rinj pjesëmarrës për suksesin e tyre.

Autori: Drejtor Artistik i edicionit XXIII-të të çmimit “Pjetër Gaci”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura