“Ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme i lë për…”- Zbardhet testamenti i Mit’hat Frashërit! Shkrimtari dhe diplomati kishte një bibliotekë me 18 mijë libra

Mar 26, 2024 | 9:57
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje, në 144-vjetorin e lindjes, politikanin, shkrimtarin e diplomatin shqiptar, Mit’hat Frashëri. Mit’hat Frashëri (i njohur dhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka), lindi më 25 mars 1880 në Janinë.

mithatfrasheri

Pasi u vendos familjarisht në Stamboll dhe pas vdekjes së të atit, Abdyl Frashëri, në vitin 1892, për arsimimin e tij u kujdesën Naim e Sami Frashëri, që u bënë dhe mësuesit e tij. Në vitin 1908, fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik e më pas më 1909, revistën “Diturija”. Mit’hat Frashëri mori pjesë në Kongresin e Manastirit në nëntor 1908, ku u zgjodh kryetar dhe u caktua në Komisionin e Alfabetit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në qeverinë e Ismalit Qemalit, zgjidhet ministër për Punët Botore.

Më 1920, emërohet kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në janar 1923, zgjidhet ambasador i Shqipërisë në Greqi, detyrë të cilën e kreu deri më 1926. Ai kishte një bibliotekë të tijën mjaft të pasur, ku numri i librave arrinte deri në 18.000 copë. Mit’hat Frashëri shkroi jetëshkrimin për Naim Frashërin me titull “Naim be Frashëri” më 1901, më 1915 novelat “Hi dhe shpuzë”, “Plagët tona” më 1924 etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger” (1919), “Albanis et Slaves” (1919). Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte në krye të “Organizatës së Ballit Kombëtar”. Mit’hat Frashëri në testamentin e tij shkroi: “Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj., i lë për krijimin e një ‘Institut Albanologjie’ që të jetë një qendër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe shqipëtarëtë”.

VEPRIMTARIA

Mit’had Frasheri lindi në Janinë më 25 mars 1880, u rrit në Stamboll dhe më pas gjithë jetën ia kushtoi çështjes shqiptare. Është i biri i të mirënjohurit Abdyl Frashëri. Gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij u shqua si patriot i flaktë, politikan i zellshëm, administrator i drejtë, publicist penëmprehtë, botues skrupuloz, bibliofil i papërsëdytshëm. Prej shumë shkrimeve që la pas, shkëpusim dy fjali ende të rëndësishme për shqiptarët sot dhe nesër: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan” (pjesë e promemories së tij dejtuar konferencës së posaçme që parapriu krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene) dhe “Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë”. I përndjekur nga regjimi komunist, i anatemuar si themelues i Organizatës së Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mit’hat Frashëri ndërroi jetë në Nju Jork më 3 nëntor 1949, ku edhe ishte varrosur. Eshtrat e rilindësit, shkrimtarit dhe patriotit të madh mbërritën në atdhe pikërisht në javën e përkujtimit të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, që u drejtua prej tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura