Cindy Marina rrëfen emocionet e fitores së “Miss Universe”: Bukuria është relative, por unë e jetoj jetën si Princesha në pritje të Princit

SHPËRNDAJE

KLOTILDA HARKA/ Cindy Marina erdhi në jetë kur Cindy Crawford ishte në kulmin e karrierës, ndaj nunët e saj vendosën ta pagëzonin me këtë emër që fati i “yllit” ta ndiqte gjithë jetën. Sot është 21 vjeçe dhe fiton kurorën e “Miss Universe Albania” për të përfaqësuar Shqipërinë në garën ndërkombëtare që do të mbahet në Kore, në fund të dhjetorit.

Për volejbollisten shkodrane të Kombëtares shqiptare që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkroi edhe “Los Angeles Times”, duke e bërë publikun ndërkombëtar të kthejë sytë nga ajo. Po si e rrëfen veten përtej bukurisë së Princeshës që beson te Princi i kaltër, zbulojeni në këtë intervistë të saj të parë për “Panorama Plus”.

Cindy Marina1

Cindy Marina, një vajzë me origjinë nga Shkodra vjen nga SHBA për të konkurruar e fituar në “Miss Universe”. Çfarë të joshi për të marrë pjesë në një event bukurie?

Unë edhe pse jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam lidhje të forta me Shqipërinë, sepse ky është viti i katërt që unë përfaqësoj denjësisht fanellën e Kombëtares së Volejbollit kuqezi. Dashurinë dhe lidhjen me Shqipërinë e kam falë gjakut dhe prindërve të mi të mrekullueshëm. Një vit më parë unë isha një spektatore e thjeshtë e “Miss Universe” dhe dëshira për të njohur më shumë vetveten dhe ndoshta edhe një sfidë e imja në skenën e madhe do të ishte eksperiencë në vetvete.

Si u ndieve kur kalove të gjitha etapat e garës dhe në fund ishe ti fatlumja që rrëmbeve kurorën?

Fitorja pa diskutim ishte shpërblim i angazhimit tim total për të bërë më të mirën time, ndihmuar nga mbështetja shumë e madhe që më dhanë familja, të afërmit dhe sporti. U ndieva shumë e lumtur për një titull kaq prestigjioz.

Cindy Marina

Mendon se ke tërhequr vëmendjen e jurisë me fizikun e sportistes, apo sekreti yt qëndron diku tjetër?

Mendoj se fiziku duhet të jetë faktor në përzgjedhjen e një Miss-i, por unë besoj se bëra më të mirën time në këtë kompeticion, dhe sido që të ishte rezultati, unë do të ikja me mendimin se kisha fituar shumë eksperiencë dhe konfidencë, që mund të më shërbente kudo në jetë.

Duke qenë se je volejbolliste e Kombëtares shqiptare, çfarë shpirti fshihet pas karakterit luftarak, buzëqeshjes së bukur dhe natyrës së qetë në të njëjtën kohë?

Shpirti garues dhe besimi deri në fund për fitoren.

Cindy Marina3

Gjatë kohës që përgatiteshit për finale, cilave prej vajzave në garë ua kishe me shumë frikën dhe pse?

Konkurrimin e bëra me 19 vajza të tjera dhe patjetër të gjitha shumë të bukura dhe të talentuara. Kështu garova me gjithsecilën prej tyre.

Të marrësh pjesë në një konkurs bukurie ku spikat eleganca, sot kur vajzat bëjnë garë me format e rrumbullakosura në rrjetet sociale, mendon se është e duhura?

Unë mendoj se gjithsecili prej nesh duhet të jetë i kënaqur me vetveten, por gjithashtu mendoj se çdo konkurs duhet të përcjellë mesazhe pozitive.

Cindy Marina2

Ç’mund të zbulosh me shumë për hobet e një missi me pamjen e Princeshës si ty, çfarë të pëlqen të bësh për të dalë nga kornizat?

Unë për tani e kam jetën shumë të ngarkuar me sportin, studimet dhe detyrat që më presin për një përfaqësim dinjitoz në “Miss Universe” dhe as që mendoj për të dalë nga kornizat.

Çfarë do të bësh ndryshe nga miss-et e tjera për të përfaqësuar si duhet Shqipërinë në garën e “Miss Universe”, që do të mbahet në Kore?

Do të angazhohem me gjithë shpirt të bëj një prezantim dinjitoz siç u ka hije shqiponjave.

cindy marina

Si ndryshoi jeta jote pas fitores, more shumë mesazhe private dhe kishte nga ata që kërkojnë njohje me ty?

Deri tani kam qenë shumë e ngarkuar me angazhime humanitare dhe intervista. Mesazhet që kam marrë, kanë qenë të gjitha shumë pozitive dhe me urime për fitoren e merituar!

Një Miss që dëshiron paqen në botë, si mund ta trazojë botën në mënyrën më të paparashikueshme të mundshme?

Një Miss duhet gjithmonë të jetë ambasadori më i mirë i paqes, dhe mbi të gjitha të jetë pasqyrë për rininë.

cindy marina2

E ardhmja jote cilës fushe i takon, pra, cili do të jetë profesioni yt i jetës?

Unë jam mendjehapur për të ardhmem, por përfundimisht “College Degree” është i rëndësishëm.

Je një princeshë e dashuruar, apo pas kësaj kurore pret dhe Princin e kaltër?

Angazhimi im është shumë i madh dhe, tani për tani, nuk është ai fokusi im. The Princ will arrive one day… (Princi do të vijë një ditë!”

cindy marina4

Një mbretëreshë e shpallur bukurie si ty është e bindur se ka bukuri të pakontestueshme, dhe ti çfarë nuk pëlqen te vetja?

Unë besoj se bukuria është relative dhe ne duhet të respektojmë shijet e gjithsecilit, por nga vetja ime nuk do të kisha ndryshuar asgjë sepse pastaj s’do të isha vetja.

KLOTILDA HARKA/ PANORAMA PLUS

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.