Çfarë na zbulon artikulli i Ing. Carl Hoffer/ Pse bashkëpunimi preferencial me gjermanët e kishte zanafillën që në 1923, nuk nisi më 1987 me Shtrausin

Nov 17, 2022 | 14:36
SHPËRNDAJE

Armand Plaka studimiNGA ARMAND PLAKA

Çfarë shkruante shtypi bavarez në vitin 1923, një vit pas (ri) vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve? Cilat ishin pasuritë e Shqipërisë dhe perspektiva e zhvillimit ekonomik të saj, të cilat mund t’i bënin sipërmarrësit gjermanë të lëviznin drejt “të panjohurës”?

-Cila ishte situata politike e brendshme dhe e jashtme në dhe rreth shtetit të ri shqiptar? – Kush ishin njerëzit, me të cilët do të duhej të punonin specialistët gjermanë, austriakë dhe zviceranë? Çfarë prisnin të përfitonin shqiptarët nga ky bashkëpunim i rinovuar me “nemcet”.

Shqiptarët dhe gjermanët kishin vendosur tashmë qysh më 19 maj 1922 të lidhnin (si për ironi të fatit edhe në atë moment, sikurse dhe në 1987, mund të cilësohen rivendosje, pasi në Oborrin e Princ Vidit në Durrës, Rajhu gjerman kishte pasur një përfaqësues të vetin) marrëdhëniet diplomatike, falë përgjigjes që ministri i Jashtëm, Valter Rathenau, ia kishte dërguar tashmë homologut Fan Noli, i cili në emër të qeverisë shqiptare i kishte dërguar qysh më 28 janar të atij viti një notë zyrtare Berlinit për njohjen e qeverisë së shtetit shqiptar nga “Rajhu” i rifomartuar gjerman.

Kështu, viti 1922 dhe 1923 shënoi një përpjekje të ethshme, sidomos të palës shqiptare, për të çelur edhe përfaqësitë e tyre diplomatike në vendet respektive, edhe pse kjo ndodhi në mënyrë të pabarabartë e aspak të njëkohshme. Sidoqoftë, kjo nuk përbën objektin e prurjes së sotme, e cila mëton të sjellë më pranë jo vetëm atmosferën e kohës dhe përpjekjen e dyanshme e sidomos asaj gjermane në lidhje me këto marrëdhënie, por sjell në mënyrë të detajuar perspektivën konkrete të kohës në lidhje me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku shihej qartë edhe përpjekja për të zgjuar sa më shumë interesin e vakët, por edhe hedhur tej çdo dyshim e skepticizëm që hasej në atë kohë për Shqipërinë në Gjermani (në fakt në mbarë Europën e kohës).

Shtysë primare e kësaj prurjeje u bë një artikull i shkruar në një suplement ekonomik të një të përditshmeje gjermane, nga Presidenti i parë i asaj që sot mund të cilësohej si “Shoqata Ekonomike Shqiptaro-Gjermane”, inxhinieri austriak Carl Hoffer, emri i të cilit për kohën rezulton të ketë qenë i njohur për qarqet politike e ekonomike (pan)gjermane. Kjo del më se e qartë nga një buletin i datës 24 maj 1923 (shih: 24 maj 1923, fq. 5, Nr. 21 – Gazeta “Ost und Süd”), ku shkruhej se: Mbledhja e Shoqatës Ekonomike Gjermane “Lindja dhe Juglindja” që u mbajt më 24 prill në Nuremberg, ku morën pjesë edhe një numër i madh personash të interesuar për eksportet në Shqipëri, vendosi të formonte një “Komitet Shqiptar” dhe e zgjodhi me këtë rast ekspertin e mirënjohur për Shqipërinë, Ing. Hoffer, pronar tokash në Freisitz Tschingen (Austria e Epërme) dhe Durach në krahinën e Allgäu, si kryetar të këtij komiteti.

Interesimi dhe kontributet nga Bavaria, sikurse edhe në fillimvitet ’80 të shekullit të shkuar, kur u shënuan vizitat e famshme të ish-Kryeministrit bavarez, Franc Jozef Shtraus, duket se do të bënin diferencën me pjesën tjetër të Gjermanisë edhe në atë kohë. Kjo, sepse pikërisht në shtypin e Mynihut të vitit 1923 regjistrohet botimi i disa raporteve të detajuara rreth Shqipërisë e perspektivës së saj ekonomike e politike, leverdisë së këmbimeve me të dhe forcimit të faktorit gjerman për të zënë vendin që kishte lënë bosh tashmë largimi i austro-hungarezëve, shfrytëzimi i imazhit tejet pozitiv gjerman në sytë e shqiptarëve dhe lufta (brenda principeve) për të shmangur konkurrencën e Italisë e vendeve fqinje, të cilët në aspektin ekonomik, sipas gjermanëve, nuk kishin shans as t’i konkurronin, pasi qysh në atë kohë diheshin përparësitë e teknologjisë e industrisë gjermane që ishin kësisoj shumë të kërkuara në Shqipëri, rajon e mbarë botën.

Gjithashtu, po nga këto raporte mësojmë se tashmë qeveria shqiptare ishte e vendosur për të çuar përpara jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe dinjitetin shtetëror, duke refuzuar forma të mbikëqyrjes ndërkombëtare me kompetenca ekzekutive e ftuar në këtë mes ekspertizën më të mirë nga vendet më të përparuara të Europës, duke parë me avantazh të dukshëm atë nga bota gjermanike, si specialistë të aftë e të shumë të besueshëm për ndërtimin e shtetit të ri shqiptar drejt rrugës për konsolidim

Në këtë kontekst na jepen shumë detaje edhe rreth situatës politike e ekonomike të kohës, ku nuk mungojnë lëvdatat për kreun e atëhershëm të ekzekutivit shqiptar, Ahmet Zogu, ministrave të qeverisë, por edhe të legjislativit e Regjencës, e cila shihej si një gjetje shumë efektive në kushtet e Shqipërisë. Diku aty shkruhet: Ndërsa qeveria e Ahmed Bej Zogut ka tashmë tre vite në detyrë, mund të thuhet pa ekzagjerim se Shqipëria është mjaft e organizuar, e konsoliduar nga brenda dhe e njohur ndërkombëtarisht dhe se gjendet në fillesat e një zhvillimi të shkëlqyer ekonomik. Lëvdohen në këtë mes edhe marrëdhëniet e relaksuara me fqinjët dhe njohja e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ku si hap madhor padyshim se shihej anëtarësimi i Tiranës në Lidhjen e Kombeve dhe prezenca e disa shteteve me përfaqësitë e tyre në Shqipëri. Paraqitjet me detaje të asaj çfarë ofronte Shqipëria e kohës (edhe pse vlerësohej akoma si e varfër), por me mundësi të mëdha zhvillimi, të bëjnë të mendosh se edhe sot e kësaj dite shumë gjëra s’kanë ndryshuar aspak dhe paralelizmat me kohët që jetojmë në shumë aspekte janë shumë evidente.

Autori i shkrimit në fund bën edhe një thirrje për median e politikën në Gjermani duke këmbëngulur se: Prandaj… nuk duhet të mashtrohemi nga raportet periodike të përsëritura të kryengritjeve tendencioze politike, të cilat deri më tani kanë qenë gjithmonë fiktive, por ta studiojnë atë (d.m.th. Shqipërinë) me zell. Është për t’u vlerësuar dashamirësia dhe pozitiviteti i palës gjermane të kohës, sikurse dhe zelli e besimi që pala shqiptare kishte investuar e shihte në marrëdhëniet e rinovuara me Gjermaninë (tashmë republikane e demokratike, të dalë pas Luftës së Parë).

Falë edhe situatës ndërkombëtare dhe konstelacioneve të kohës, ku Italia akoma s’e kishte marrë akoma rolin e vet thuajse kolonizues ndaj Shqipërisë, të krijohet padyshim përshtypja se qysh në atë kohë, ne paskemi pasur një tjetër “shan të humbur” e kjo, aspak për fajin tonë. Gjermania të paktën në aspektin ekonomik mund të kishte qenë prezenca Nr. 1 në këtë vend para Luftës së Dytë Botërore, shumë e dëshiruar nga vetë shqiptarët. Por kohët që do vinin më vonë, shumë shpejt do të sillnin të tjera zhvillime e vetë Gjermania do të tregohej tejet e tërhequr në ndërmarrjet e saj në Shqipëri, për të mos korrur turivarjen e hatërmbetjen e Romës, me të cilën vite më vonë do të nënshkruante një pakt aleance e partneriteti strategjik.

Nga ana tjetër, se çfarë prisnin shqiptarët nga ky bashkëpunim e bën më të qartë edhe një shkrim i botuar po në platformën në fjalë më datë 8 nëntor 1923, nga ai që mund të ketë qenë me siguri njëri nga djemtë a nipat e patriotit të shquar Vaso Pasha, pasi e shohim të firmosë nën emrin: S.L. Vassa, Shkodrani (sidoqoftë, kjo nuk duhet marrë e mirëqenë e kërkon hetim të të thelluar). Më poshtë artikulli i plotë i Ing. Hoffer, më 19 prill 1923.

Zhvillimi i Shqipërisë Nga inxhinieri Carl Hoffer në Leonding (Austri)
Sado që çështja shqiptare ishte në ballë të interesit të Europës Qendrore dhe të shtypit në periudhën e paraluftës, ajo është lënë sot pas dore në të dy aspektet. Shumë gabim. Sikurse sot mund të arrish në Shqipëri në një udhëtim 36-orësh me tren apo me dhe me një udhëtim 14-orësh me anije (ndërsa udhëtimi dikur zgjaste pothuajse një javë), situata e saj e brendshme dhe e jashtme është përmirësuar që atëherë në një raport të ngjashëm, sikurse dhe zhvillimi i saj shtetëror dhe ekonomik ka bërë përparim.

Ndërsa qeveria e Ahmet Bej Zogut ka tashmë tre vite në detyrë, mund të thuhet pa ekzagjerim se Shqipëria është mjaft e organizuar, e konsoliduar nga brenda dhe e njohur ndërkombëtarisht dhe se gjendet në fillesat e një zhvillimi të shkëlqyer ekonomik. Ky fakt përftohet kryesisht për shkak të inteligjencës dhe zellit patriotik të Asamblesë së saj Kombëtare dhe Regjencës së emëruar prej saj, por shumë më tepër për shkak të energjisë mbresëlënëse dhe zgjuarsisë burrërore të Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit aktual Ahmed Zogu, i cili kishte një mazhorancë prej 60 deputetësh kundër një opozite prej 18 syresh, e cila jo vetëm kontrollon plotësisht situatën, por edhe sepse ka kuptuar e ditur se si të vendosë marrëdhënie të mira paqësore me të gjithë fqinjët e Shqipërisë.

Ai mbështetet me sukses nga gjashtë kolegët e tij ministra, të cilët të gjithë janë njerëz të rinj, kreativë e me një nivel të lartë inteligjence dhe të pajisur me arsim perëndimor. Autoriteti shtetëror është njohur kudo, pushteti qendror (qeveritar) është i organizuar deri në bartësin e tij të fundit, jeta ligjore është e kodifikuar, paqja, rendi dhe siguria në vend mbrohen dhe garantohen nga një ushtri e vogël e disiplinuar dhe një trupë xhandarmërie dhe policie e trajnuar, e besueshme. Një sërë organizatorësh dhe specialistësh – kryesisht austriakë, gjermanë dhe zviceranë u caktuan nga qeveria shqiptare për të organizuar shërbimin administrativ shtetëror dhe mbi të gjitha, për të hedhur themelet e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ndonëse ende mungon shumë në këtë drejtim, bashkëpunimi mirëkuptues i ekspertëve të huaj me trupën inteligjente të shërbimit civil vendas, ka sjellë tashmë një progres të konsiderueshëm, rezultatet e të cilit gradualisht po sjellin një ndikim ekonomik. Në veçanti, arsimi, komunikimi dhe transporti, shëndeti publik, siguria dhe menaxhimi financiar, si dhe shtypi kanë bërë përparime të mëdha në këto dy vitet e fundit. Po kështu, tregtia dhe transporti (Shqipëria deri më tani numëron rreth 1100 km rrugë dhe rreth 250 km hekurudha fushore, postë, telegraf, telefon) përjetoi një rritje të ndjeshme për shkak të rritjes së sigurisë dhe kërkesës/nevojave, si dhe importeve.

Masat energjike kursimtare të kombinuara me ato po aq të forta në legjislacionin tatimor dhe nxitjen e prodhimit, e kanë sjellë buxhetin në ekuilibër brenda tre viteve, pa qenë kësisoj e detyruar që qeveria të marrë borxhe ose të emetojë kartëmonedha, ndërsa Korona (d.m.th. monedha) e argjendtë dhe Napoleoni i artë sot ende gjenden në normë. Vendburimet e konsiderueshme të naftës, qymyrit, hekurit, bakrit dhe squfurit, të cilat tashmë janë përcaktuar me ekspertizë në sasi, janë drejt rrugës për shfrytëzim dhe do t’i sigurojnë shtetit të ardhura të mëdha në të ardhmen.

Kripa, letra e cigares dhe shkrepëset janë të monopolizuara dhe të dhëna me qira. Fillesat u regjistruan nga një kompani gjermane nga Gdansku (në atë kohë i përkiste akoma Gjermanisë dhe njihej me emrin Danzig; shën. i përkthyesit) duke përdorur pyjet e mëdha shtetërore. Megjithatë, pronësia jashtëzakonisht e gjerë shtetërore dhe private mbi tokën pjellore është ende plotësisht e pashfrytëzuar, nga të cilat rreth 50,000 hektarë janë ende në pritje për t’u kultivuar, gjë që mund të realizohet vetëm me ndihmën e qiramarrësve dhe kolonëve evropianë që përdorin makineri bujqësore. Edhe këtu disa zviceranë kanë tentuar tashmë një fillim të suksesshëm duke dhënë me qira pronat shtetërore.

Duhet të jetë një nga detyrat më të rëndësishme kulturore të Evropës Qendrore të mbështesë Shqipërinë në investime kapitale, teknikisht dhe me potencialin për emigracion për t’i mundësuar asaj sa më shpejt të jetë e mundur të zhvillojë burimet e saj të pasura të prodhimit – tokën, klimën dhe burimet natyrore – në interes të vendit, si dhe t’i bashkëngjitet rrjetit të furnizimit për Europën. Fatmirësisht, Shqipëria e sotme, e cila nuk ka më asgjë të përbashkët me atë të Paraluftës dhe viteve të Luftës, gjen mbështetjen e të gjitha Fuqive të Mëdha, si dhe të Lidhjes së Kombeve të cilës tashmë i përket. Ato të gjithë kanë tashmë ministra apo të dërguar të plotfuqishëm në Shqipëri, sikurse përfaqësohen aty edhe një sërë shtetesh të vogla.

Marrëdhëniet me Italinë, e cila ka hequr dorë nga aspiratat e saj ekspansioniste në Shqipëri qëkurse Musolini erdhi në pushtet, mund të cilësohen si miqësore, ato me Jugosllavinë si të sjellshme, ndërsa Greqia është e preokupuar me hallet e veta dhe përpiqet të mbajë marrëdhënie korrekte. Përkundër këtyre miqësive ndërkombëtare, ekziston një tipar i padyshimtë që lidh Shqipërinë me rrethet e kulturës gjermanike, që i detyrohet jo vetëm marrëdhënieve të vjetra kulturore me Gjermaninë dhe Austrinë, por edhe situatës në Shqipëri dhe karakterit të popullsisë së saj. Një simptomë domethënëse e kësaj është fakti se krahas frëngjishtes, gjuha gjermane është bërë shumë më e përhapur si “lingua franca” dhe qindra të rinj shqiptarë tashmë studiojnë në Austri dhe Gjermani. Për sa i përket politikës së brendshme dhe asaj të jashtme, situata aktuale në Shqipëri mund të cilësohet si e favorshme.

Marrëdhëniet midis popullsisë, e cila përbëhet nga muhamedanë, katolikë dhe ortodoksë grekë, nuk është dëmtuar nga asgjë, dhe gjithashtu nuk ka asnjë gjurmë ksenofobie. Prandaj, tregtia industria dhe emigracioni nga Evropa Qendrore gjermanike duhet t’i ofrojnë këtij vendi më shumë interes se më parë, qoftë edhe për shkak të pozicionit gjeografik në kontinent që zë Shqipëria dhe potencialit të saj të madh zhvillimor, dhe nuk duhet të mashtrohemi nga raportet periodike të përsëritura të kryengritjeve tendencioze politike, të cilat deri më tani kanë qenë gjithmonë fiktive, por ta studiojnë atë me zell. Botuar në:
Gazeta “Ost und Süd”, (Mynih), Nr. 16, 19 prill 1923, fq. 3

Gjermania dhe Shqipëria Nga S. L VASSA SHKODRANI, Shkodër, Shqipëri

Interesimi i ringjallur në këtë moment nga të gjitha anët dhe veçanërisht nga Gjermania nën drejtimin e “Shoqatës Ekonomike Gjermane për Lindjen dhe Juglindjen” rreth Shqipërisë, do të sjellë si pasojë që errësira e deritanishme, nga e cila ka vuajtur Shqipëria dhe sundimi i së cilës e ka penguar shqiptarin të përshtatet me botën moderne, gradualisht t’i lerë vendin një epoke më të gjallë ekonomike. Pavarësisht kësaj, Shqipëria është përpjekur vazhdimisht. Për të arritur dhe realizuar progres në të gjitha fushat, ajo deri më tani nuk ka pasur organizimin e nevojshëm dhe veçanërisht i ka munguar mbështetja nga vendet e huaja mike që mbështesin organizatën. Shqiptari është sigurisht i zgjuar dhe punëtor, ai ka dhe shpirt iniciative, por në fund ka nevojë për mbështetjen e frytshme të një të huaji të përgatitur për punë praktike ekonomike.

Fusha që po i çelet Gjermanisë këtu është e madhe dhe nuk ka dyshim se simpatia e gjallë që ekziston përgjithësisht për Gjermaninë, është garancia më e mirë për një komunitet intensiv dhe të suksesshëm pune midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Duke pasur parasysh sugjerimet dhe inkurajimet e qeverisë shqiptare që burojnë nga Gjermania për bashkëpunim ekonomik aktiv me Gjermaninë dhe duke pasur parasysh vullnetin e ringjallur fuqishëm të popullit shqiptar për t’iu përgjigjur atyre, sigurisht se mund të shpresohet tashmë se vendi, zhvillimi progresiv i të cilit dëshirohet me padurim në të gjitha rrethet, do të arrijë një rezultat të kënaqshëm.

Ajo që u mungon shqiptarëve janë shembujt ndriçues dhe modelet për t’u ndjekur që mund t’i lejojnë ata të përdorin avantazhet që ofron teknologjia dhe shkenca moderne, si dhe një frymë praktike biznesi, çka e bëjnë atë të shfrytëzueshme edhe për zhvillimin e vendit të tyre. Shqipëria ka nevojë për forca të të kualifikuara të klasit të parë, për njerëz të vendosur që punojnë krah për krah me vendasit me zell dhe përkushtim për të ndihmuar në realizimin e idealit në punën e përbashkët. Ne shqiptarët jo vetëm që duam t’i tregojmë botës se duam të jetojmë, por se jemi gjithashtu të aftë të konkurrojmë gradualisht me kombet e tjera dhe se kur bëhet fjalë për forcën tonë, mund të arrijmë edhe disa gjëra që ndoshta nuk kemi mundur të shpresohej se mund t’i kryenim më parë. Për shkak të cilësisë së fuqisë sonë punëtore, për shkak të pjellorisë së vendit tonë, për shkak të pasurisë së vendit tonë në burime minerale të të gjitha llojeve, ne sigurisht ofrojmë kësisoj parakushtet që janë garancitë më të mira për aktivitetin dhe shfrytëzimin ekonomik.

Të gjitha degët e industrisë dhe tregtisë do të gjejnë një fushë të madhe për t’u zgjeruar dhe suksesin tek ne. Shqipëria është një territor i ri dhe aty mund të bëhet gjithçka dhe do të haset në një konsensus të arsyeshëm, nëse bëhen propozime të dobishme për vendin. Unë jam i bindur se synimi i lartë që Gjermania dhe Shqipëria i kanë vënë vetes, sigurisht se do të arrihet për suksesin e të dy vendeve përmes përqendrimit të plotë të të gjitha forcave gjermane të interesuara për Shqipërinë dhe në veçanti, përmes punës së gjallë dhe intensive të organizatave përgjegjëse për nxitjen e këmbimeve ekonomike.
Marrë nga gazeta bavareze “Ost und Süd”, (Mynih), fq 3. 8 nëntor 1923

****

Gjermanët: Vetëm ne mund t’i ofrojmë Shqipërisë mallrat e teknologjinë e duhur.

Italia nuk e bën dot, pasi ajo edhe vetë importon nga ne! Nga letra e një biznesmeni gjerman të vendosur në Shqipëri e që e njeh vendin dhe njerëzit falë përvojës së tij shumëvjeçare, po sjellim detajet e mëposhtme, të cilat sigurisht janë me interes për botën gjermane të biznesit: Shqipëria është ende në një gjendje shumë primitive: është një vend në të cilin duhet të ndërtohen rrugë, kanalizime, të shfrytëzohet energjia e ujit, në të cilin, përveç një sasie të vogël të industrisë vendase, ende nuk ka kurrfarë industrie, ku bujqësia dhe blegtoria ende gjenden në nivelin më të ulët. Prandaj, vendi ka nevojë urgjente për të gjitha produktet industriale që mund të sjellin dhe nxisin zhvillimin e shtetit: nga ana tjetër, mund të marrë udhë një tregti e gjallë shkëmbimi me produktet e papërpunuara dhe mineralet shqiptare, të cilat janë mjaftueshëm të disponueshme në atë vend.

Për të nxjerrë minerale si qymyri, asfalti, grafiti, kromi, bakri, plumbi dhe, siç thuhet, petroli/vajguri (dmth, nafta), lipsen të gjitha instrumentet e nevojshme të kërkimit; makinat e shpimit, etj., për shfrytëzimin e pyjeve të shumta, sharrave, pritave etj. Shqipëria mund të importojë me shumë leverdi të gjitha pajisjet mekanike nga Gjermania, pasi Italia, pavarësisht afërsisë së saj si vend fqinje, nuk bëhet fjalë ta bëjë diçka të tillë, pasi dhe vetë kjo e fundit madje çdo gjë e importon po nga Gjermania; përveç kësaj, dihet mirë se në ditët e sotme, fitimet që vijnë nga ndërmjetësimi nuk janë aq të parëndësishme.

Edhe vendet e ish-monarkisë austriake (në fakt austro-hungareze; shën. i përkthyesit) nuk janë më të përshtatshme për import. Një fushë e paimagjinuar po hapet për eksportet gjermane në Shqipëri. Gjermania mund të furnizojë vendin me të gjitha llojet e makinerive, me prodhime hekuri të të gjitha llojeve, makina bujqësore dhe teknike, motorë, instalime elektrike për ujin, ekskavatorë, produkte të industrisë kimike, veçanërisht bojëra, mallra porcelani, esenca, ilaçe, pajisje zyre, letër për shtyp dhe karton, makineri printimi, pajisje elektrike, aparate telefonike dhe telegrafike, ora dhe instalime fabrikash si makineri për prodhim/përpunim duhani, akulli, tjegullash dhe tullash etj. Rruga më e lirë dhe më e besueshme është transporti përmes Portit të Hamburgut; Kjo rrugë do të jetë më e mira për importin e ardhshëm të produkteve industriale gjermane në portet e Adriatikut. Me pak propagandë, Shqipëria do të bëhet një zonë e besueshme dhe e mirë për shitjen e produkteve industriale gjermane.
Marrë nga gazeta “Export – Nachrichten” (Mynih),

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura