“Çdo ditë shihuni në pasqyrë. SHBA-të ju mbështesin”- Yuri Kim, thirrje magjistratëve të rinj: Mos u dorëzoni, reforma po jep rezultate

Oct 4, 2022 | 8:16
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Në 25-vjetorin e ceremonisë së Shkollës së Magjistraturës, ambasadorja amerikane Yuri Kim apeloi dje magjistratët e rinj që të mos dorëzohen përballë sfidave, por të bëhen shpresë për vendin.

-640-0-1658513662xkim-575

Ambasadorja Kim i inkurajoi ata se në këtë rrugëtim do të kenë mbështetjen e SHBA-ve. Në fjalën e saj, kryediplomatja amerikane u tha magjistratëve të rinj se i sfidon të jenë të guximshëm për t’u përballur me sfidat që i presin. Kim theksoi se Reforma në Drejtësi është duke dhënë rezultate dhe se sistemi i Drejtësisë në vend është në ndryshim. “Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve.

Ndërsa Shqipëria ndërmerr Reformat në sektorin e drejtësisë, këto duhet të ketë sukses për të mirën e të gjithë shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Puna e shkollës së Magjistraturës kërkon shumë përpjekje. Ju uroj ju të diplomuar, ndërsa zgjohem në mëngjes, përpiqem t’i kujtoj vetes përse jam në këtë punë dhe shpresoj që edhe ju të shiheni çdo mëngjes në pasqyrë dhe t’i thoni vetes:

‘Unë do të jem pjesë e arsyes që populli im të ketë shpresë dhe do të jem pjesë e një Shqipërie më të mirë se tani. Kurrë mos u dorëzoni, SHBA do të mbështesë Shqipërinë’, u shpreh Yuri Kim. Sipas ambasadores së SHBAve, magjistratët e rinj duhet të jenë pjesë e arsyes përse Shqipëria do të bëhet më e mirë.

“Trajnimi i gjyqtarëve e prokurorëve të kualifikuar dhe vetuar është një pjesë kritike e ofrimit të një sistemi drejtësie të besuar për popullin shqiptar. Ndërsa e bëni këtë, Shkolla e Magjistraturës do të ketë nevojë për ndryshime dhe të modernizohet, të mbajë hapin me kërkesat e Reformës në Drejtësi. Sfidat me të cilat po përballemi tani, janë të ndryshme nga sfidat kaluarën. Shpresojmë që Shkolla e Magjistraturës do t’u përgjigjet nevojave të një sistemi drejtësie në ndryshim dhe në përmirësim në këtë vend. Ju sfidoj të jeni të guximshëm në bërjen e ndryshimeve në strukturën dhe praktikat tuaja për t’u përballur me ato sfida.

Të gjithë ne duhet të përmirësohemi, qoftë nëse jemi individë, institucione, vende, ne duhet të ndryshojmë, të modernizohemi, të përshtatemi. Dhe vërtet shpresoj se Shkolla e Magjistraturës do ta bëje këtë. Ka shumë arsye për të qenë optimist për një të ardhme më të mirë, për këtë brez dhe brezat që vijnë. Ndërsa Shqipëria ndërmerr reformat e nevojshme për të zënë vendin e saj në BE”, deklaroi Kim. Ambasadorja amerikane kërkoi që Reforma në Drejtësi, qoftë në Shkollën e Magjistraturës, gjykata, polici e agjenci të tjera duhet të ketë sukses, për të mirën e shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre.

“SHBA do të vazhdojnë të mbështesë Shqipërinë, ndërsa ajo ecën përpara në rrugë e saj drejt integrimit euroatlantik dhe ofron një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët. Puna e Shkollës së Magjistraturës dhe e sektorit gjyqësor të Shqipërisë është thelbësore për këtë përpjekje. Kjo shkollë do të trajnojë edhe gjenerata të tjera dhe do të jetë e nevojshme të miratohen ndryshime e të modernizohet. Sfidat me të cilat po përballemi tani, janë të ndryshme nga çka jemi përballur në të kaluarën. Të gjithë ne duhet të përmirësohemi e të ndryshojmë duke u modernizuar e përshtatur. Edhe Shkolla e Magjistraturës do ta bëje këtë”, tha ambasadorja Yuri Kim.

BE: Magjistratët të mos bien pre e presioneve

Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann, e pranishme dje në ceremoninë e 25-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, e vuri në dukje se Reforma në Drejtësi ka nisur të japë rezultate, duke filluar nga SPAK-u. Por në emër të BE-së ajo kërkoi të njohë rezultatet konkrete të reformës duke përmendur se tashmë SPAK është funksional. “Kjo reformë në Drejtësi përfaqëson një mundësi të re për drejtësinë shqiptare.

Ne duhet t’i njohim rezultatet konkrete që ka sjellë deri tani, ne kemi sot institucione plotësisht funksionale dhe të pavarura. Dhe ne kemi një SPAK funksional që po fillon të japë rezultate të pamenduara deri pak vite më pare”, deklaroi Hohmann. Ambasadorja e BEsë në Shqipëri përmendi se magjistratët e rij kanë sfida të mëdha përpara dhe se nuk duhet të bien pre e presioneve. “Unë i uroj shumë suksese në karrierën e tyre dhe të arrijnë t’i shërbejnë me sukses vendit të tyre”, u shpreh ambasadorja e BE-së. Këto deklarata Christiane Hohmann i bëri gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të shkollës së Magjistraturës.

Begaj, mesazh studentëve të Magjistraturës: Çoni para drejtësinë e re!

Kreu i shtetit, Bajram Begaj, u bëri dje apel studentëve të magjistraturës që të çojnë përpara drejtësinë e re. I pranishëm në ceremoninë e 25-vjetorit të Shkollës së Magjistraturës, Begaj vuri theksin te paanshmëria dhe transparenca e rekrutimit të magjistratëve. “Me ndryshimet kushtetuese, Shkolla e Magjistraturës është përballë sfidave dhe përgjegjësive edhe më të mëdha.

Misioni strategjik i formimit profesional të gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve të shtetit, kancelarëve, ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë në programin e formimit fillestar apo atë të vazhduar, e vendos Shkollën e Magjistraturës në një pozicion shumë të rëndësishëm dhe kritik, duke qenë pragu i hyrjes së tyre në sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye, puna juaj ka një ndikim mjaft përcaktues, në cilësinë e prurjeve në gjithë sistemin e drejtësisë, në formimin e magjistratëve të një niveli të lartë profesional dhe moral, në rritjen e besimit të publikut në figurën e autoriteteve të drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.

Si një institucion i pavarur ndaj pushteteve të tjera, është shumë e rëndësishme që procesi i rekrutimit dhe vlerësimit të kryhet me objektivitet e transparencë, që mësimdhënia të jetë cilësore dhe institucioni të konsolidojë më tej pavarësinë në ushtrimin e funksioneve kushtetuese. Pavarësia dhe paanshmëria në punën tuaj sot, janë çelësi i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve nesër. Pavarësia juaj sot do të thotë vendime të drejta dhe të paanshme nesër”, tha ai. Për Presidentin Begaj, Shkolla e Magjistraturës është institucioni që do çojë përpara drejtësinë e re dhe do të sjellë vendime të drejta në të ardhmen.

“Pavarësisht vështirësive gjatë këtyre 25 viteve, Shkolla e Magjistraturës ka marrë vlerësime mjaft pozitive për punën e saj, të shprehura si nga autoritetet vendase, ashtu edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare, si një institucion elitar akademik për profesionistët e drejtësisë. Gjithashtu është e nevojshme të diskutohet dhe reflektohet mbi vështirësitë, pengesat, rrugët e zgjidhjes, si dhe sfidat në të ardhmen. Dy dekada e gjysmë më parë, Shkolla e Magjistraturës erdhi si nevojë e kohës për të reformuar sistemin e drejtësisë”, tha z.Begaj.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura