Buxheti 2024/ Kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave, qeveria ndan 113 milion lekë për komunitetet fetare, ja si ndahen

May 2, 2024 | 17:45
SHPËRNDAJE

Qeveria shqiptare ka vendosur të ndajë më shumë 113 milion lekë të reja për katër komunitetet kryesore fetare në vend.

kisha-780x439

Vendimi i Këshillit të Ministrave është firmosur këtë të enjte (2 prill), për të hyrë në fuqi mënjeherë.

Pjesën më të madhe të financimit e merr Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, me 33,840,000 lekë, më pas Kisha Ortodokse Autoqefale me 26,400,000 lekë, e ndjekur nga Kisha Katolike përfiton shumën 26,400,000 lekë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane me 26,360,000 lekë.

Ashtu si edhe një vit më parë, Dëshmitarët e Jahovait janë përjashtuar nga kjo mbështetje financiare e qeverisë shqiptare.

 

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT NË BUXHETIN E VITIT 2024 PËR BASHKËSITË FETARE, QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, dhe të ligjit nr.97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2024, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:

a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 840 000 (tridhjetë e tre milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekë, të ndarë në:

i. 17 040 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e dyzet mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 71 (shtatëdhjetë e një) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e mijë) lekë, të ndarë në:

i. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 200 000 (trembëdhjetë milionë e dyqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 55 (pesëdhjetë e pesë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 400 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekë, të ndarë në:

i. 9 600 000 (nëntë milionë e gjashtëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 (dyzet) punonjës të administratës;
ii. 16 800 000 (gjashtëmbëdhjetë milionë e tetëqind mijë) lekë për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 70 (shtatëdhjetë) punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.

ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 360 000 (njëzet e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:

i. 6 000 000 (gjashtë milionë) lekë për financimin, deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 25 (njëzet e pesë) punonjës të administratës;
ii. 13 360 000 (trembëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, si kontribut në ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër;
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, për shkak të pozitës së veçantë, si Kryegjyshatë Botërore, me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoret për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesëpreventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2024, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.

2. Kalimi i fondit, përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj, të vitit 2024.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura