Bushatllinjtë dhe Ali Pasha thyen ligjet e Portës së Lartë

Nov 23, 2015 | 16:18
SHPËRNDAJE

Nga të krishterë, të konvertuar në myslimanë. Me po kaq lehtësi do të ktheheshin sërish në të krishterë, qoftë katolikë apo ortodoksë, vetëm për hir të pushtetit. Kur vinte puna te ky i fundit, sundimtarët shqiptarë, nën Perandorinë Osmane, ishin tepër elastikë. Me sa duket, feja për ta nuk kishte ndonjë rëndësi shumë të madhe, mjaft që të ishin zotër. Këto fakte na i sjell historiani Dritan Egro në një shkrim për “çështjen shqiptare”, në prag të festës së Pavarësisë.

rr-euml-fimi-i-mjekut-anglez-q-euml-takoi-ali-pash-euml-tepelen-euml-n_hd

Mes një dokumentacioni të pasur, Egro na tregon se si Bushatllinjtë apo Ali Pashë Tepelena po hidhnin hapat e parë për t’u shkëputur nga sundimi i sulltanit dhe Perandorisë Osmane. Të dy pashallarët, njëri në veri e tjetri në jug të Shqipërisë, prenë monedhat e tyre, çka u prit me zemërim nga sulltani. Ata nuk tregoheshin fanatikë kundrejt feve të tjera. Katolicizmi lulëzonte nën Bushatllinjtë, ndërsa ortodoksët ishin njerëz të besuar të Pashait të Janinës…

Shekulli XVIII përcaktoi përfundimisht përkatësinë fetare të popullsisë shqiptare, e cila më së shumti vazhdon të ruhet edhe sot. Në fakt, konvertimi në fenë islame ishte akti që shënonte përmbushjen e parakushtit për t’u integruar në të gjitha nivelet e strukturave civile dhe ushtarake të shtetit osman. Që nga ky moment, shqiptarët myslimanë arritën në një pozitë të tillë drejtuese që asnjë popull tjetër ballkanik nuk e arriti; madje, konvertimi masiv në fenë islame shqiptarëve u siguroi superioritet ndaj fqinjëve me të cilët tashmë ishin të ndryshëm fetarisht. Ndryshe nga fqinjët që i rezistuan procesit të islamizimit, duke filluar nga gjysma e parë e shek. XV, elita e re myslimane shqiptare u shndërrua në kolonën kryesore mbështetëse të sundimit osman në Ballkan. Një realitet i tillë i hapi udhë procesit të krijimit të familjeve të mëdha shqiptare, natyrisht myslimane, të cilat gradualisht do të gëzonin autoritet përtej viseve shqiptare.

Një rast par excellance përbën familja Vlora, anëtarë të së cilës arritën në poste drejtuese në viset ballkanike, por edhe si kryeministra të Perandorisë Osmane. Në shek. XVIII, elita myslimane shqiptare dominonte skenën politike ballkanike. Por kjo kohë ceku fundin e saj në dekadat e para të shek. XIX, kur ranë pashallëqet, ai i Ali Pashë Tepelenës (1822) dhe ai i Bushatllinjve të Shkodrës (1831). Duke filluar nga shek. XVIII shqiptarët do t’i përjetonin fort edhe pasojat që lidheshin direkt me identitetin e tyre të ri fetar. Nga Fuqitë e Mëdha të kohës ata filluan të identifikoheshin si popullsi myslimane, pavarësisht pranisë së shqiptarëve ortodoksë e katolikë që i rezistuan islamizimit. Pra, fetarisht shqiptarët u identifikuan si të njëjtë me turqit osmanë.

Ky identifikim i ri mbi baza fetare përcaktoi në masë dërrmuese pozitën e mëtejshme të shqiptarëve në raportet e tyre me Fuqitë e Mëdha, por edhe me fqinjët e krishterë. Po në shek. XVIII, pikërisht kur në masë dërrmuese kishin zgjedhur besimin islam, shqiptarët lanë pas përdorimin e emrit të tyre mesjetar arbër dhe filluan të përdorin gjithnjë e më shumë emrin shqiptar.

Pra, ky ndryshim rrënjësor në besim fetar solli me vete edhe ndryshimin e emrit identifikues me të cilin shqiptarët thërrisnin njëri-tjetrin. Emri i ri – shqiptar – me kalimin e kohës u përhap si emër kombëtar. PASHALLËQET Ndryshe nga familjet shqiptare, siç ishte rasti i Vlorajve, e cila ishte e lidhur fort me dinastinë osmane, familjet Bushati dhe ajo e Ali Pashës u ngritën në rangje të larta të hierarkisë shtetërore osmane, duke e bërë fakt të kryer pozicionin e tyre të ri në provincë; ata vërtet vinin nga familje të njohura lokale shqiptare, po nuk ishin produkt i trajnimit në shkollat e Sarajit Osman.

Ata shfrytëzuan dobësimin e autoritetit perandorak në rivendosjen e rendit dhe paqes sociale, por, në këtë mënyrë, e detyruan pushtetin qendror të legalizonte njohjen e pushtetit të tyre. Përmes akordimit të titujve nga sulltani, ata i hapën rrugë atij procesi që si objektiv final do të kishte shkëputjen përfundimtare nga shteti osman.

Ky realitet i hapi udhë procesit të krijimit të pashallëqeve. Çdo përpjekje e mëtejshme e tyre, që do të thoshte shkëputje nga Perandoria Osmane, për Portën e Lartë parakuptonte fundin e sundimit të saj në Ballkan, e shkaktuar nga krerë myslimanë dhe një popullsi me dominancë myslimane me të cilën Shteti Osman ndante të njëjtin besim fetar. Po a u shkëputën nga shteti osman Bushatllinjtë dhe Ali Pasha? Konsulli rus i Dalmacisë, më 30 prill 1787, i bënte me dije Këshillit të Punëve të Jashtme të Rusisë se: “Kokëkrisuri pashai shkodran [Mahmut Pashë Bushati] priste pará në emrin e tij”. Kurse më 4 shkurt 1810, kryeministri osman konfirmon marrjen e informacionit mbi prerjen e një kartëmonedhe nga ana e Ali Pashë Tepelenës.

Madje, Ali Pasha shkon edhe më tej, kur përmbush edhe të dytin kusht, sipas Ligjit Islam, atë që në hytben që mbahej para besimtarëve gjatë faljes së të Premtes, në vend të emrit të sulltanit, përmendte emrin e Ali Pashës.

Një veprim i tillë gjatë këtij rituali fetar ishte i rëndësishëm, pasi tregon se kush sundonte de facto dhe de jure territoret e Pashallëkut të Janinës, pra, e legjitimonte emrin e Ali Pashës si sundimtar i ligjshëm i asaj hapësire. Këto dokumente dëshmojnë se Mahmut Pashë Bushatlliu dhe Ali Pashë Tepelena kishin hedhur të gjithë hapat e kërkuar ligjorë për shkëputje nga Perandoria Osmane. Pashallarët shqiptarë formuluan edhe politika pragmatiste që u shkonin për shtat qëllimeve të tyre, por që binin ndesh me Ligjin Islam. Vetë peshkopi i Shkodrës, më 1 tetor 1793, i shkruante Vatikanit se: “Feja katolike lulëzonte nën sundimin e Kara Mahmutit”.

Madje, po ky autoritet i lartë katolik nënvizonte se fati i besimit katolik në Shqipëri varej nga mbrojtja që i ofronte pashai shkodran. Për qëndrimin e Bushatlliut ndaj elementit katolik shqiptar, peshkopi i Shkodrës kërkonte përkrahjen ndaj tij të vetë Papatit dhe Spanjës. Sipas Pukëvilit, [perandori] Jozefi II, që gjatë vitit 1787 kishte vendosur pjesëtimin e Perandorisë Osmane me careshën ruse, Katerinën II, shikimin e tij e drejtoi te Mahmut Pasha i Shkodrës. Ky i fundit u tha të dërguarve të Austrisë të besonin se ai nuk kishte ndonjë vështirësi të përqafonte besimin e krishterë, me kusht që atij t’i premtohej principata e Shqipërisë. Kurse Ali Pashë Tepelena përfaqësues të klerit ortodoks i përdorte si misionarë diplomatikë për negociata dhe marrëveshje me Fuqitë e Mëdha. W. M. Leake, misionari ushtarak britanik pranë Ali Pashës, dëshmon se baballarët bektashinj ishin miq të afërt me Ali Pashën dhe ai e favorizonte shumë këtë tarikat, madje edhe me ndërtime teqesh.

Më këto qëndrime siç nuk e dëshironin sulltanët, ata synonin të fitonin mbështetjen e grupeve të ndryshme fetare vendase kur të tentonin shkëputjen nga shteti osman dhe në krye të qëndronin vetë apo trashëgimtarët e tyre. Interesant është fakti që, ndërsa Kara Mahmutit iu premtua mbështetje politike nga perandori austriak nëse do të konvertohej në Katolicizëm, Ali Pashë Tepelenës iu premtua mbështetje nga kryengritësit grekë me kusht që ai të konvertohej në Ortodoksi.

Territoret nën zotërim të Bushatllinjve fillonin nga lumi Shkumbin në jug dhe deri në Shpuzë në veri, e nga deti Adriatik deri në Prishtinë, Shkup dhe Manastir në lindje. Konsulli venedikas në Durrës thotë se, në shkurt 1792, Mahmuti e quan veten dhe nënshkruan në të gjitha letrat si princ i gjithë Shqipërisë. Në relacionet e konsullit francez dhe atij rus në Raguzë (prill 1787), thuhet që Kara Mahmuti “e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet haptas se do ta imitojë atë në të gjitha”. Territoret nën zotërim të Bushatllinjve gjeografikisht përkonin me hapësirën gjeografike ku jetoi dhe veproi Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. Duket se kjo është edhe arsyeja se pse ai veten e përngjasonte me Skënderbeun. Rezistenca e vendosur antiosmane, ndonëse në kushte krejt të ndryshme historike, ishte arsyeja e dytë e këtij përngjasimi. Për herë të parë qysh prej shek. XV një pjesë e shqiptarëve po bashkohej në një territor kompakt nën sundimin e një sundimtari shqiptar.

Nga ana tjetër, përdorimi politik i emrit dhe i figurës së Skënderbeut nga Mahmut Pashë Bushatlliu shënon të parin rast në historinë moderne shqiptare kur një udhëheqës vendas përdor figurën e Skënderbeut për qëllime të mirëfillta politike, duke i paraprirë kështu procesit të përdorimit politik nga ana e nacionalistëve dhe letrarëve shqiptarë të shek. XIX për ta bërë Skënderbeun heroin kombëtar të shqiptarëve.

Në vitet ’80 të shek. XVIII, termi Shqipëri ishte bërë pjesë e ligjërimit të popullsisë shqiptare, përderisa për herë të parë këtë emërtim territorial e përdor poeti Hasan Zyko Kamberi: Këtë devlet që ke tinë/inshalla t’ja lësh djalit/po të blethç Shqipërinë/t’i vinç hak Nemce Kralit! Kjo Shqipëri e Ali Pashës, që edhe sipas poetit ishte projektuar për të qenë një formacion politik dinastik, shkonte deri shumë më poshtë se Gjiri i Ambrakisë. Historiani osman, Xhevdet Paºa, thotë që kufiri verior i shtetit grek, i negociuar mes Ali Pashës dhe krerëve të kryengritjes greke, mbërrinte deri në veri të Patras, çka në fakt përkon me kufirin verior të fiksuar në protokollin e 3 shkurtit 1830, që i dha Greqisë pavarësinë.

Kjo shtrirje territoriale bëri që Ali Pasha ta njëjtësonte veten me Pirron e Epirit. Shqipërinë e tij dhe atë të Bushatllinjve kishte parasysh Ali Pasha kur, në 1799, përmend ekzistencën e Shqipërive, që ai parashikonte se do t’i mbijetonin shembjes së Perandorisë Osmane dhe projekteve për ribërjen e rajonit nga Franca dhe Rusia. Këto dy Shqipëri, në 1830, Mustafa Pashë Bushatlliu i quan Gegëri dhe Toskëri, dhe të gjithën bashkë Shqipëri. Dokumentet ruse bëjnë me dije se në vitin 1792, sulltani nuk ia dha Ali Pashës detyrën për eliminimin fizik të Mahmut Pashës Bushatlliut, ndonëse ai e kërkoi me insistim, pasi, nëse Ali Pasha do të vinte në sundim të drejtpërdrejtë territoret e Bushatlliut, ai realisht do të bashkonte të gjitha territoret kompakte, që banoheshin me shqiptarë. Eliminimi fizik i Ali Pashës (1822), në plan ndërkombëtar pati një efekt domino, pasi përshpejtoi suksesin e Kryengritjes Greke për Pavarësi; kurse kjo e fundit përgatiti kryengritjen kundër Stambollit të Mehmet Ali Pashës në Egjipt.

Në gjysmën e dytë e shek. XVIII, në kohën e pashallëqeve, vërejmë disa elementë të hershëm formëzues të vetëdijes nacionale shqiptare, që në fakt shërbejnë si truall ngjizës i Lëvizjes së mëpasshme Nacionale Shqiptare. Pra, gjysma e dytë e shek. XVIII shfaqet jo vetëm si koha kur i kishte ardhur fundi rendit politik ekzistues, por edhe si koha e një mbarsjeje të re, brenda së cilës po mbinte fara e nacionalizmit shqiptar, por që gjendej në fazën e vet embrionale. Me Rusinë cariste vendosën lidhje si venomet e krishtera, katolike dhe ortodokse (Malësia e Shkodrës, Mali i Zi, Himara, Suli etj.), ashtu edhe pashallarët myslimanë shqiptarë.

Qasjet dhe natyra e veprimeve të tyre ishin të ndryshme dhe të pakoordinuara me njëra-tjetrën; veçse, është për t’u nënvizuar fakti që si himarjotët, shqiptarë të krishterë, ashtu edhe pashallarët, shqiptarë myslimanë, në letërkëmbimet e tyre u referohen të njëjtave figura historike: Pirros së Epirit dhe Gjergj Kastrioti, Skënderbeut.

Ndonëse nuk veprojnë bashkë, madje kanë luftuar me njëri-tjetrin, në këtë aspekt ata konvergojnë tërësisht. Krerët shqiptarë të pashallëqeve politikisht ishin shtetas të Perandorisë Osmane, por me fuqinë që krijuan, i imponuan Stambollit emrin e tyre; gjeografikisht, sundonin në territore që ata vetë i thërrisnin “Shqipëri”; etnikisht, ishin shqiptarë dhe u referoheshin personaliteteve historike vendëse, shqiptare; fetarisht, ishin myslimanë, por që nga osmanët identifikoheshin si “Arnavud”.

Veçse, formacionet politike që ata krijuan, identifikoheshin me emrin e tyre personal dhe jo me emrin kombëtar “shqiptar”. Nisur prej elementëve të sipërcituar, pashallëqet shqiptare mund t’i konsiderojmë si formacione politike parakombëtare shqiptare. Largimi nga skena e historisë së këtyre sundimtarëve shqiptarë shënoi edhe rrudhjen e parë të viseve ballkanike që krerët shqiptarë kishin në zotërim. Misioni i Reshit Mehmet Pashës në 1830-1 (Masakra e Manastirit dhe dhënia fund Pashallëkut të Shkodrës) konsistonte në shkuljen me rrënjë të familjeve të pashallarëve shqiptarë dhe në shpartallimin përfundimtar të Shqipërisë.

Pashallëqet e Janinës dhe Shkodrës ishin një problem i madh për shtetin osman që, nëse nuk do të vihej nën kontroll, në çdo moment mund të çonte në rënien e sundimit osman në Ballkan, pra të largimit të osmanëve përfundimisht nga rajoni qysh në fund të shek. XVIII. Për vetë pozicionin gjeopolitik në rajon, çështja shqiptare edhe më pas do të shfaqej me fuqi të tillë sa do të rrezikonte vetë ekzistencën e sundimit osman në rajon dhe me pasoja për vetë ekzistencën e Perandorisë Osmane.

ÇËSHTJA LINDORE DHE SHQIPTARËT

Avancimi ushtarak osman në zemër të Europës (rrethimi i dytë i Vjenës, 1683-1699) shënoi një kërcënim të drejtpërdrejtë për të ardhmen politike të Europës dhe për vetë ekzistencën e qytetërimit europian. Përballë këtij kërcënimi, Europa u bashkua dhe krijoi më 1684 Ligën e Shenjtë (Perandoria Habsburge, Polonia, Venediku). Aderimi i Rusisë në këtë aleancë (prill 1686) ndryshoi balancën e fuqisë në rajonin euro-aziatik.

Ky zhvillim shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për historinë e Ballkanit, pasi ai më pas do t’i hapte udhë procesit të ndryshimit të status quo-së gjeopolitike në territoret ballkanike të Perandorisë Osmane, që fundin e pati me dy luftërat ballkanike (1912-14). Ky proces historik do të njihet me emrin Çështja Lindore. Rusia e Pjetrit të Madh (1682-1725), në projektin e saj ekspansionist për të zbritur në ujërat e ngrohta të Mesdheut, për objektiv përfundimtar kishte rigjallërimin e Ortodoksisë dhe ringjalljen e Perandorisë III Romake. Në këtë linjë, qysh në vitin 1710, Pjetri I u bëri thirrje popujve të krishterë të Ballkanit të ngriheshin për t’u çliruar nga sundimi osman.

Në vijim të kësaj politike ishin malësorët malazezë (1756), shkodranët katolikë e ortodoksë (1759), por edhe himarjotët (tetor, nëntor 1759), që iu drejtuan për ndihmë careshës ruse, Elisabeta Petrovna. Me këto veprime të karakterit separatist shënohen hapat e parë politikë të popujve ortodoksë të Ballkanit për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Vatrat e para, të gatshme për t’u ngritur kundër sundimit osman në Ballkan, ishin rajonet e krishtera, të cilave shteti osman për shekuj u kishte njohur autonomi fiskale. Qysh në kohën e Pjetrit të Madh (fillimi i shek. XVIII), Rusia tentoi që duke u marrë vesh me princërit e principatave të Vllahisë dhe Transilvanisë, të zbriste në Danub. Po nuk ia doli.

Më pas, diplomacia ruse u tregua e aftë të bindte disa nga anëtarët e dinastisë sunduese në Krime që në vitin 1770 të firmosnin një “traktat miqësie dhe aleance,”, e cila më shumë ishte deklaratë pavarësie nga Perandoria Osmane, sesa një aleancë me Rusinë. Përgjatë negociatave mes të dërguarve rusë dhe osmanë në Küçük Kaynarca (1774), rusët ia bënë fakt të kryer shtetit osman shtetin e pavarur të Krimesë, kurse në 1783, caresha Katerina formalisht deklaroi aneksimin e plotë të Krimesë, duke e shndërruar atë në pjesë të Perandorisë Ruse. Kjo skemë veprimi diplomatik do të aplikohet gjerësisht nga Rusia më pas edhe për shkëputjen e territoreve osmane në Ballkan. Me aneksimin e Krimesë, Rusia zbriti në Detin e Zi.

Tashmë Stambolli gjendej nën kërcënim. Paralelisht me zhvillimet në Krime, në vitin 1768, agjentë rusë u dërguan me mision (1768) në gadishullin e Peloponezit (Papazogllu) dhe në Shqipërinë e Jugut (Ivan Petushin), çka synonte shkëputjen e tokave “greke” nga Perandoria Osmane. Kjo nismë e pasuksesshme, shënon tentativën e parë, që sfidoi hapur sundimin osman në tokat ballkanike në jug të Danubit. Sipas shtetarëve të lartë anglezë, Rusia avancoi aq shumë në planet e saj, sa qysh në këtë kohë mund t’i kishte dhënë fund sundimit osman në Ballkan. Planet ambicioze të careshës Katerina II përfshinin shpërbërjen përfundimtare të Perandorisë Osmane dhe copëtimin e territoreve të saj europiane mes Rusisë dhe Perandorisë Habsburge. Ky hap u ndërmor nga perandori Jozefi II kur vizitoi Rusinë, në 1787. Me këtë marrëveshje Rusia realizoi njohjen e kontrollit të saj mbi Krimenë, tokat buzë Detit të Zi deri në lumin Dnjestër dhe Kaukazin.

Perandoria Habsburge do të merrte një pjesë të Serbisë, Bosnjën, Hercegovinën, Istrian dhe Dalmacinë. Venediku nga ana e tij do të kompensohej me marrjen e Peloponezit, Kretës dhe Qipros. Territoret e mbetura osmane në Ballkan do të ndaheshin në dy shtete të pavarura. I pari, do të përfshinte shtetin e pavarur të Moldavisë dhe Vllahisë, i banuar nga kombi dak (rumun), dhe do të sundohej nga një princ rus; kurse i dyti, do të ishte një Perandori Greko-Bizantine, që do të përfshinte Bullgarinë, Maqedoninë dhe Greqinë, froni i së cilës parashikohej të mos kishte lidhje me Rusinë. vijon…

Dritan Egro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura