Bukuritë e qytetit të ngurtë në pikturat e mjekut Sedat Shameti! Peizazhet e realizuara me mjeshtëri të lartë artistike

Dec 8, 2023 | 10:51
SHPËRNDAJE

FITIM ÇAUSHI/ Tashmë janë të njohur disa intelektualë të fushave të ndryshme, sidomos atyre të ekonomisë dhe shkencës, që përveç profesionit, kanë pasur për pasion edhe pikturën.

Sedat Shameti
Sedat Shameti

Disa syresh si Enriko Veizi, Zef Bumçi, Natasha Bega etj., kanë realizuar madje vepra me nivel të lartë artistik, sikur të ishin profesionistë. Në radhët e tyre bën pjesë edhe mjeku Sedat Shameti, banor i Palortosë të Gjirokastrës. Në fëmijëri ishte i apasionuar pas natyrës, e tërhiqnin ngjyrat dhe arkitektura e qytetit deri në mahnitje. U regjistrua në Pallatin e Pionierëve të qytetit në rrethin e pikturës me instruktor piktorin Vaso Lili.

Me gjithë premtimet që jepte në këtë gjini arti, jeta e përcolli në Fakultetin e Mjekësisë, në degën e Stomatologjisë. E teksa bëri emër të mirë në qytetet për shërbimin korrekt e adekuant, nuk u shkëput asnjëherë nga pasioni i vjetër, piktura. E tërhiqte peizazhi, çka tregonte se kishte shije estetike të zhvilluar. Në fondin e tij personal, Shameti ka ruajtur 85 punime, 58 prej të cilave i ka ekspozuar këto ditë në ekspozitën e parë të hapur në hollin e Kino-Teatrit “Zihni Sako” të qytetit Gjirokastër.

Sedat Shameti piktura

Tema e tij e preferuar mbetet natyra dhe peizazhi. Sheh në tablotë e tij impresioniste shtëpi karakteristike gjirokastrite, rrugica e sofate që ngjallin nostalgjinë e aneve kur mblidheshin dhe bisedonin për jetën, peizazhe nga Lunxhëria dhe Çajupi, ura prej guri me harqe tradicionale, peizazhe të gjelbra e plot lule, e deri tek riprodhime të peizazhve më të realizuara artistikisht të impresionistëve evropianë si Van Gog e Mone. Peizazhet e bukura dhe të realizuara me mjeshtëri të lartë artistike të Sedat Shametit, dallohen për vizatimin elegant, thjeshtësinë e formave, pa prirje gjestikolacionesh të ekzagjëruara, veçanërisht për ngrohtësinë e ngjyrave.

Në këto punime, që gati duken si punime të një profesionisti, ndjehet bukuria dhe poezia e natyrës, trajtuar me mjeshtëri e qartësi që të emocionon, ndjehet vlera ideoemocionale dhe artistike, që befason për kombinimin e ngjyrave, bukurinë e tablosë dhe thjeshtësinë e saj. Përmes motiveve të larmishme, punimet elegante të Shametit, mbeten frymëzime romantike. E gjithë krijimtaria e tij flet për shije të zhvilluara estetike.

Sedat Shameti piktura1

Bukurinë e peizazhit, autori e jep me një frymë epiko-lirike, sikurse peizazhet e kalasë së qytetit, plot hapësirë e dritë. Shameti shquhet për linja të shkathëta dhe vërtetësinë e pasqyrimit, si dhe mjeshtërinë e vizatimit. Karakteristika dalluese e punimeve të Sedat Shametit është këndvështrimi i veçantë, si rrjedhojë e përjetimit të gjallë të natyrës. Vizatimet e kësaj ekspozite dallohen për motive të trajtuara me ngrohtësi e lirizëm. Ato janë punuar plot dritë transparente e freski, shprehnin qartë qëndrimin aktiv të autorit ndaj natyrës dhe botës shpirtërore të njeriut.

Mjeku piktor prezantohet si kërkues i përhershëm i detajit artistik dhe kontrasteve të lehta, mbetet vëzhgues i pasionuar i natyrës, ngjyrës dhe formës elegante. Theksat delikatë e të ndjeshëm herëherë kalojnë në tone grafike te lehta me dritën e plotë dhe ngjyrën e qetë. Një veçori dalluese e autorit është përdorimi i një gjuhe artistike dhe stili vetjak me kulturë artistike.

Punimet e tij në këtë ekspozitë të parë të hapur këto ditë në qytetin e Gjirokastrës kanë befasuar edhe piktorët profesionistë Dashamir Çuberi, Stavri Çati, Pëllumb Puci, Perlat Aliu, Llambi Margariti, të cilët vazhdimisht e kanë inkurajuar Sedat Shametin gjatë procesit krijues të punimeve të tij.

Fryma dashamirëse dhe debatet estetike mes tyre e kanë ndihmuar për përmirësimin e disa detajeve që janë ngritur në perfeksion. Frymëzimi i Sedat Shametit është i përhershëm, i mbështetur nga ndjenja e përditshme e punës, vlerë që e karakterizon mjekun e talentuar dhe intelektualin model.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura