Botohet në Kosovë autobiografia e Bekim Fehmiut

May 17, 2011 | 9:28
SHPËRNDAJE

Prishtinë- Aty nuk ka glamur. Ai lë anash famën e tij njësoj si në vitin 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në Teatrin Jugosllav të Dramës. Në librin “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” të Bekim Fehmiut, siç shkruan në parathënie Bardh Rugova, redaktori i botimit në shqip, ka thjeshtësi. Ai është rrëfim “që të bën ta përjetosh dhembjen e goditjes dhe dhimbjen e emocionit. Një përfytyrim i rrugëve ku fëmijët lozin apo një pamje e një personi në berberhane”. “Të gjitha këto ofrohen pa qëndrim, thjesht, duke e ofruar një këndvështrimi në formë të kamerës, e cila kap pamjet si një bërthamë e vetëdijes së rrëfimit”, thotë për “Koha Ditore”, Bardh Rugova, redaktor i librit. Libri i Bekim Fehmiut “E shkëlqyeshme…” do të dalë në shitje në Kosovë nga “Botimet KOHA”, kur të afrohet përvjetori i vdekjes (vetëvrasjes) së aktorit të madh Bekim Fehmiu. Sipas Rugovës, është një përshkrim i mrekullueshëm i jetës qytetare në Kosovë. “Libri na ka ardhur i shkruar në shqip. Nuk e kemi përkthyer”, ka thënë Rugova. “Libri karakterizohet nga një leksik i pasur i jetës qytetare, nga fjali të shkurtra”. “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, është një rrëfim që tregon jetën e aktorit prej kujtimit të parë diku në Sarajevë (ku edhe ka lindur më 1 qershor 1936) e deri në audicionin për t’u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku ai do të niste dhe do të bëhej i famshëm. “Kur shohim librin e shkruar nga Bekim Fehmiu, duket më e pritshme që ai do të tregojë jetën e tij prej aktori të famshëm. Por në librin e tij ai na jep të kundërtën e kësaj. Libri paraqet periudhën e jetës së Bekim Fehmiut para se ai të bëhej ai që e njohim të gjithë”, thotë redaktori, duke shtuar që gjithsesi aktrimi është i pranishëm në gjithë librin. Në rrugëtim e sipër, libri i Fehmiut përshkruan jetën nëpër të gjitha peripecitë, të mirat e të këqijat e saj, gëzimet dhe pikëllimet rreth dështimeve. Tek “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” gjendet edhe një tjetër detaj që lidhet fort me mënyrën e vdekjes së aktorit. “Ai ka një pjesë rrëfimi në të cilën përshkruhet një vetëvrasje që kishte tentuar në fëmijëri. Përshkrimi është me një dozë humori. Natyrisht nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim serioz të vetëvrasjes. Por mund të lidhet me atë që, shumë vjet pasi e ka shkruar dhe botuar për herë të parë, mund ta shohim si një element karakteristik që nuk e kishim vërejtur kur e kemi lexuar librin në vitin 2001”, ka thënë Rugova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura