Bomba me telekomandë në makinën e Besnik Dervishit, Policia zbulon gjurmë gishtash

Dec 30, 2013 | 9:06
SHPËRNDAJE

Makina e Besnik Dervishit gjatë kontrollit para Kryeministrisë
Tritoli në mjetin e prefektit të Vlorës, autori pa precedentë penalë.

Dështon krahasimi në polici, kërkohet ndihmë nga ALEAT.

Një gjurmë gishti është gjetur në ngjitësin plastik që është sekuestruar poshtë makinës së prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, pas zbulimit të eksplozivit në oborrin e Kryeministrisë më 13 dhjetor 2013.  Evidentimi i gjurmës së gishtit është bërë nga Policia Shkencore, pas ekzaminimit të kryer nga pjesët e bombës që Krimet e Rënda sekuestruan në vendin e ngjarjes te Kryeministria dy javë më parë. Gjatë këqyrjes me mjete të specializuara, ekspertët e Policisë Shkencore kanë konstatuar një gjurmë papilare në pjesët e ngjitësit plastik me të cilin ishte fiksuar bomba në urën e përparme të makinës së prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Për rreth 48 orë, makina “Peugeot” me targa “TR5066 NN” u ekzaminua me kujdes nga prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët më pas i dërguan provat në Policinë Shkencore për ekzaminim. Menjëherë pas evidentimit të gjurmës së gishtit, shenjat janë veçuar dhe i janë dërguar policisë për krahasim. Policia e Shtetit ka skanuar shenjat papilare dhe i ka ballafaquar ato me bazën e të dhënave të saj. Krahasimi deri tani është bërë vetëm më bazën e të dhënave që ka policia për personat me precedentë, të shoqëruar së paku një herë në organet e rendit, ku janë marrë shenjat dhe janë ruajtur nga policia. Burimet zyrtare nga grupi i hetimit kanë thënë se krahasimi i gjurmëve me bazën e të dhënave të Policisë ka rezultuar negativ, çka do të thotë se personi që ka vënë eksplozivin është pa precedentë penalë të evidentuar. Pas sinjalit negativ të marrë nga ballafaqimi i gjurmëve me shenjat e arkivit të policisë, grupi i hetimit i është drejtuar kompanisë ALEAT, e cila disponon gjithë shenjat e gishtave të shtetasve shqiptarë që kanë aplikuar për karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Një burim nga hetimi ka pohuar se Prokuroria ende nuk ka marrë përgjigje nga kompania në lidhje me krahasimin e gjurmëve të pakos-bombë me bazën e të dhënave të aplikuesve për pasaporta dhe karta identiteti. Policia mësohet se nuk ka akses në këtë bazë të dhënash.
Hetimi
Vendosja e lëndës plasëse të montuar me celular në makinën e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ka mbetur ende pa autor. Karta telefonike rezultoi se i përkiste një qytetari nga Vlora, i cili dëshmoi në Prokurori së kishte së paku një vit që nuk e përdorte numrin, madje e dinte të humbur atë. Ndërkohë telefoni celular, nga verifikimi i kodit 12-shifror, rezultoi në emër të një qytetari nga Tirana, i cili pohoi se më datë 9 dhjetor 2013, katër ditë para zbulimit të bombës, e kishte shitur aparatin në tregun e zi “te dollari” në qendër të Tiranës. Policia e Vlorës dhe Tiranës kanë shoqëruar deri tani së paku 30 persona në lidhje me vendosjen e eksplozivit në makinë, por nuk janë gjetur prova për implikimin e tyre. Pistat kryesore të hetimit të Prokurorisë kanë të bëjnë më detyrën e pronarit të makinës, Besnik Dervishi si prefekt i Vlorës, por edhe me përdoruesin e makinës në të cilën u gjet lënda plasëse. Mësohet se automjeti është përdorur nga një zyrtar i Kryeministrisë në Drejtorinë e Antikorrupsionit deri pak kohë para se të ndodhte ngjarja. Sipas të dhënave të hetimit, automjeti “Peugeot” me targa “TR5066 NN” (tashmë të ndryshuara) kishte vetëm pak ditë që përdorej nga Besnik Dervishi. Ky i fundit ka pasur një defekt në makinën që përdorte zakonisht, tip “Fuoristradë” dhe, për këtë arsye, ka marrë mjetin “Peugeot” gjithashtu në pronësi të tij.                        tr.so

“Bomba” dyshohet se u vendos në Vlorë
Një ditë para se të zbulohej bomba në makinën e tij, prefekti Besnik Dervishi ka qenë në Vlorë. Ai ka pasur një telefonatë më 12 dhjetor pasdite, ku është njoftuar për një takim në Kryeministri, të nesërmen në orën 9:00. Për të qenë në takim, Dervishi ka udhëtuar që atë natë drejt Tiranës me makinën ku u gjet bomba. Dyshimet e hetuesve janë se eksplozivi është montuar në Vlorë në parkingun pranë vendbanimit të prefektit ose në një lavazh ku makina ishte lënë disa orë pak ditë para ngjarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura