BE: Mali i Zi duhet të dalë nga kriza e thellë politike dhe institucionale

Jan 23, 2023 | 21:34
SHPËRNDAJE

Në takimin e ministrave të punëve të jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të hënën, u konstatua se trysnia ndaj Malit të Zi duhet të vazhdojë dhe t’i kërkohet vendit që të përfundojë zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe në këtë mënyrë. të dalë nga “kjo krizë e thellë politike dhe institucionale”, tha shefja e diplomacisë sllovene, Tanja Fajon.

bashkimieuropian

Ajo theksoi se votimi pritet në shkurt, pasi zgjedhjet presidenciale do të mbahen në mars dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Tanja Fajon raportoi para ministrave të jashtëm të BE-së për vizitën në Mal të Zi. Në fund të takimit, ajo u tha gazetarëve se përpjekja e gjashtë për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese duhet të ketë sukses sepse në të kundërtën Mali i Zi do të “devijojë nga rruga europiane”. “Mali i Zi mbetet një plagë e tillë kancerogjene nga një vend që ishte më i suksesshmi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, tani një vend që po bëhet problem, ndaj ne jemi angazhuar për të ndihmuar më tej Malin e Zi”, tha Fajon.

Përkatësisht, ministrja sllovene e Punëve të Jashtme Tanja Fajon foli fillimisht për mundësinë e ndërprerjes së negociatave për anëtarësim në mes të Brukselit dhe Podgoricës për shkak të krizës institucionale në Mal të Zi.

Në konferencën për shtyp në Podgoricë në janar, ajo tha se ekziston një kërcënim i madh për të ndalur negociatat për anëtarësim të Malit të Zi me Bashkimin Europian, nëse përpjekja e gjashtë për zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese dështon.

Edhe i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor , Gabriel Escobar , paralajmëroi për ” pasoja të mundshme” nëse Mali i Zi nuk zgjidh krizën e thellë politike dhe institucionale.

” Mali i Zi është në një krizë shumë të thellë. Është afër një kolapsi institucional që nuk e kam parë pothuajse në asnjë vend. Nuk ka qeveri. Dy qeveri kanë rënë dhe nuk ka pasur përparim në formimin e një tjetër. Ato nuk kanë një kuorum në Gjykatën Kushtetuese që mund të konfirmojë zgjedhjet e reja”, tha Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Mali i Zi konsiderohej udhëheqës në rajon në procesin e anëtarësimit në BE. Që nga viti 2012, kur filloi negociatat për anëtarësim, ka arritur të hapë 33 kapituj dhe të mbyllë vetëm tre. Që nga viti 2020, nuk ka pasur progres të mëtejshëm në procesin e negociatave të ngushta për shkak të rezultateve të pamjaftueshme në procesin e reformës.

Mali i Zi aktualisht është në një krizë të rëndë institucionale. Që nga shtatori i vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi është bllokuar, sepse nga shtatë gjyqtarë janë vetëm tre, prandaj nuk mund të vendosë për ankesat kushtetuese dhe as proceset zgjedhore nuk mund të përfundojnë pa vendimet e asaj gjykate. Për muaj të tërë, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë perëndimorë u kanë bërë thirrje subjekteve politike në Mal të Zi që të bien dakord për zhbllokimin e institucioneve, në radhë të parë të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, në Parlamentin e Malit të Zi ka nisur procedura e re për zgjedhjen e katër gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi në konkurs kanë aplikuar 27 avokatë. Gjyqtarët zgjidhen nga parlamenti me dy të tretat, që do të thotë se kandidatët duhet të votojnë përveç shumicës parlamentare edhe një pjesë e opozitës./ Marrë nga VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura