“BE, jo parajsë, por padiskutim është një ferr i gëzueshëm”- Rama: Paketat e mbështetjes për Ukrainën nuk janë hua! Të kërcënuar për të ardhmen

Feb 28, 2024 | 14:36
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi  Rama deklaroi në konferencë me Presidentin e Ukrainës, se paketat e mbështetjes nuk janë hua apo pjesë e ndonjë biznesi.

rama zelensky konferenca

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se vendi ynë do të bëjë gjithçka për të ndihmuar Ukrainën.

Sipas tij, kërcënimi ekzistencial nuk është vetëm për Ukrainën, por është ‘kërcënim ndaj gjithçkaje që ne duam të jetë e ardhmja jonë’.

“Së pari ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetje të cilat nuk janë hua dhe nuk janë pjesë e ndonjë biznesi. Pa asnjë dyshim i kemi bërë dhe do bëjmë gjithçka që mundemi. Ne jemi të vetëdijshëm që për atë front lufte kjo është diçka e vogël.

Ky nuk është kërcënim ekzistencial për Ukrainën, por është kërcënim ndaj gjithçkaje që ne duam të jetë e ardhmja jonë.

Ka pasur shumë sanksione kundër Rusisë, por ne e dimë që varësia nga gazi rus nuk është kaq e thjeshtë. Rritja e çmimeve, rritja e kostos së jetesës në vendet më të pasura janë pjesë e planit për ta bërë opinionin publik që të thotë “nuk duhet të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri u ndal edhe tek integrimi i Shqipërisë duke thënë se “BE nuk është parajsë, por nuk ka asnjë diskutim që është një ferr i gëzueshëm”

“Llogaria është e qartë, për ne ky është kyçi. Ne po kërkojmë të bashkohemi në BE, të kemi bashkëpunim me këtë rajon. Ballkani Perëndimor është i vetmi realitet, ndryshe nga Ukraina. Ne jemi brenda BE fizikisht, por jemi jashtë politikisht. Ndaj duam të integrohemi me këtë trup. Nuk duam të shohim këtë organizëm të shpërtheje. BE nuk është parajsë, por nuk ka asnjë diskutim që është një ferr i gëzueshëm. Nuk është një ferr i përgjakshëm” u shpreh kreu i qeverisë.

Pjese nga deklarata e Rames: 

Ne e kemi mbështetur Ukrainën edhe me paketa mbështetjeje, të cilat nuk janë hua dhe nuk janë as pjesë e ndonjë biznesi. Kurrë  nuk i kemi kërkuar Ukrainës të paguajë mbrapsht nga ato që keni marrë prej nesh. Modeste? Sigurisht, këto janë mundësitë tona, por pa asnjë dyshim kemi bërë e do të bëjmë gjithçka që mundemi. Po, ne jemi absolutisht të vetëdijshëm se për atë front lufte, kjo është diçka shumë e vogël. Pse e them këtë? 

Sepse po e bëjmë për veten tonë, drejtpërdrejtë kështu. Për veten tonë. Ky nuk është kërcënim ekzistencial vetëm për Ukrainën, ky është kërcënim ndaj gjithçkaje që ne mendojmë se duhet të jetë e ardhmja jonë dhe kjo nuk është retorikë.

Nëse duam një të ardhme në BE, duam BE. Nuk duam ta shohim BE të shpërbëhet pasi hyn apo pasi ka hyrë në një luftë të brendshme gërryese të pafundme se ç’lloj rregullash a ç’lloj vlerash apo ç’lloj veprimesh janë të justifikuara apo që nuk justifikohen.

Ka pasur shumë sanksione kundër Rusisë, por sigurisht ne e dimë që varësia nga gazi rus, varësia nga nafta ruse nuk është kaq e thjeshtë. Rritja e çmimeve, rritja e kostos së jetesës në vendet më të pasura janë pjesë e planit për ta bërë opinionin publik që të thotë: “Hë tani, nuk mund të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën. Hë tani na duhet kjo tjetra”.

Problemi në fakt është se nëqoftëse i merr një të varfëri diçka, nuk është se kjo do ta bëjë të ndryshojë mendje, por po t’i marrësh diçka një të pasuri, i pasuri mund të çmendet, mund të humbasë mendjen, kështu që llogaria është shumë e qartë dhe për ne ky është kyçi.

Ne po kërkojmë të bashkohemi me BE, por në të njëjtën kohë po kërkojmë që të bëjmë paqe, të kemi bashkëpunim të plotë me këtë rajon që është në zemër të BE.

Ballkani Perëndimor është i vetmi realitet, ndryshe nga Ukraina që rrethohet në kufijtë të BE, dhe Bashkimi Evropian është i vetmi realitet në histori që ka dy kufinj, një të jashtëm e një të brendshëm. Ne jemi brenda BE fizikisht dhe jemi jashtë BE politikisht, ndaj duam të integrohemi plotësisht në këtë trup se nuk duhet ta shohim këtë organizëm të shpërthejë  sepse po të jetë kështu, do të mbetemi pa një të ardhme. Është shumë e qartë. Bashkimi Europian nuk është parajsë. Përkundrazi. Por nuk ka asnjë dyshim që është një ferr i gëzueshëm. Nuk është një ferr i përgjakshëm. Dhe këtu duam të jemi. Kështu që, çfarë më shumë të kërkojmë? Kjo është gjëja më thelbësore që na duhet të kuptojmë e t’i qëndrojmë Ukrainës në krah, jo për të menduar se çfarë mund të fitojmë, por çfarë mund mund të japim më shumë. Nuk është retorikë. Ju e keni parë në rajon hera-herës se si ndikimi rus ka mbjellë destabilitet në një vend a në një tjetër dhe nëse vazhdojmë të mbetemi bashkë e në këmbë, kjo vjen falë aspiratës së përbashkët për të qenë pjesë e BE, por nëse kjo aspiratë venitet sepse BE humbet drejtimin, humbet integritetin e vet, atëherë duhet të jetë më e lehtë që të kërkohet haviar, shampanjë dhe gjak, në  vend që të kërkohen reforma, demokraci e të drejta të njeriut.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura