“Barleti i hershëm”, magjepsja e re Nadin-Plasari!

Feb 4, 2023 | 10:38
SHPËRNDAJE

Agron-Gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Luçia Nadin e Aurel Pla sari kanë krijuar një ngjarje kulturore, e cila të fut në shtjella krenarie e kurioziteti të pamat. “Barleti i hershem”, një libër i ri, zbulim i pakontestueshëm, një magjepsje e re për botën arbërore, për shqiptaret paraosmanë e në përballje me ta. Aty i ndien ato inde që herë u dobësuan në atdhe, por u ruajtën në Europë, e tjetër herë pulsuan në atdhe dhe u rikonfirmuan në Europë.

Luçia Nadin është një dhuratë nga Zoti për albanologjinë dhe studimet historike shqiptare. Profesoreshë në Venecia, ka zbuluar kaq shumë: “Statutet e Shkodrës”, “Statutet e Drishtit”, rrugëtimin e shkodranëve në Venedik me librin “Migrazioni e integrazione. Il caso degli albanesi a Venezia (1479- 1552)”, gjurmët e lidhjet e Skënderbeut me Republikan, shenjat shqiptare kudo, intelektualët Barletin e Beçikemin, shtypshkruesin arbëror, De Vitali e kontributin e tij për “Mesharin” e Buzukut e shumë të tjetra befasi kulturore. Aurel Plasari, dendi i madh i dijeve shqiptare në luftë me kohën për të zbuluar sa më shumë, për ta shkruar sa më bukur të gjeturën, larg çdo tautologjie vanitoze, autori i shumëçkaje cilësore e të patjetërsueshme, të dobishme e të pazëvendësueshme, mbi të gjitha i “SkënderbeuNjë histori politike” ka bashkuar pendën, pasionin dhe dijet me zonjën Nadin për të sanksionuar pozicionin e Marin Barletit në kontekstin europian të kohës dhe po kaq fuqinë e tij themeluese në kontekstin e vijueshëm të kohës arbërore e shqiptare.

Libri

E thotë Prof. Mandalà-u në parathënie: Ky libër i shkruar bukur shërben për ngjitjen e Barletit në vendin parësor, që e meriton dhe që pas këtij studimi nuk mund t’i diskutohet më…! Njëkohshëm vjen e plotë hedhja dritë mbi ngritjen dhe shkëlqimin e një humanisti tanimë europian.

Një zbulim i paralajmëruar qysh në vitin 2018 u bë realitet. Në Bibliotekën Kombëtare të Francës, departamenti i dorëshkrimeve u gjet një tekst i bërë me dorë në latinisht “De Bello Scodrensi brevissimus libellus”!

Shumë herë e shumëkush ndër shekuj e epoka në mënyrë analitike e legjendare pat hedhur shpoti e mohime mbi autorësinë e kësaj vepre, mbi aftësinë e nderin intelektual të Marin Barletit për qëllime të ndryshme!

Nuk munguan as ata që i vunë në diskutim të qenit a luftëtar, a dëshmitar në betejën e madhe të Shkodrës, që Venecia nuk e harroi kurrë e shumë më tepër pasi e humben s’kishin si ta harronin shqiptarët.

Zbulimi i Nadin dhe Plasarit stabilizon raportin mes Barletit dhe Beçikemit, duke provuar se vepra e të parit ishte botuar para “panagjerikut” dhe se nuk ishte Barleti që ka huazuar nga i pari po Beçikemi nga Marin Barleti.

Në vepra të tilla përfundimet janë ato që i imponohen kujtesës, teksteve të historisë, katedrave a më gjerë.

Por do të ishte një mëkat ta përtypesh atë pa shijuar rrugën, analizën, stilin atë botë arbërore të ngarkuar në anije emigrantësh e të mbërritur në piacën e “Shën Markut”!

Gjithaq nëse nuk merresh me detajet e përpjekjeve që arbërorët si Barleti apo Beçikemi bënë për të rrëfyer gjithësa si identitet e autenticitet, si kujtesë e mbijetesë, si përkatësi, por edhe si kontribut të shqiptarëve në luftën që Europa bënte për t’u mbrojtur e konservuar qytetërimin e vet nën kërcënim.

Nadin dhe Plasari me atë stilin që të ndjell e të bën të biesh në dashuri me librin që s’të lë të ikësh ia dalin të na përkufizojnë, mendjen, dorën dhe shpatullat e Marin Barletit, fuqinë e tyre për të mbajtur mbi të kujtimin e një bote që nuk është më, të asaj arbërore, me zulmën e vajet e veta që prifti shkodran e ruajti e bashkë me të edhe Gjergjin – Skënderbeun duke i bërë më të madhin shërbim pasardhësve duke u treguar se kush ishin, por mbi të gjitha të drejtën për të qenë përsëri, një e drejtë kjo sa historike, po aq hyjnore, një e drejtë për të cilën është luftuar, e cila është shkruar e dokumentuar, një e drejtë që na dha mundësinë të bëhemi komb e shtet e të rikthehemi në Europë pas shekujsh.

Merret me mend sa falënderues e mirënjohës duhet të jemi ndaj Luçia Nadin e Aurel Plasarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura