Ballafaqimi i platformave, karakter shqiptar apo islamik të Lidhjes! Dispozitat e para, çfarë ndodhi 145 vjet më parë në Prizren

Jun 17, 2023 | 15:06
SHPËRNDAJE

NGA SHAQIR REXHVELAJ

cq5dam.thumbnail.cropped.750.422

Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga të cilët do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga Porta e Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejtë nga Lidhja.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar 145 vjet më parë (10 qershor 1878), përbën pa dyshim një nga ngjarjet e rëndësishme në historinë e kombit tonë. Ajo nuk erdhi rastësisht, por pas përpjekjeve madhore të patriotëve shqiptarë. 145 vite më parë, në viset e 4 vilajeteve u bënë tubime për të përcaktuar delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajeteve të Shkodrës, Manastirit dhe Janinës nuk u caktua si delegatë asnjë partizan nga simpatizantët sulltanistë.

Influencë më të madhe ata patën në disa kaza të vilajetit të Kosovës, ku banonin në mënyrë të përzier popullsi myslimane shqiptare, boshnjake, turke dhe pomake (bullgarë të islamizuar). Portës së Lartë nuk i pëlqeu ky organizim i shqiptarëve dhe thirri në Stamboll në fund të muajit maj 1878 disa personalitete të dëgjuara të jetës politike shqiptare, si Iljaz pashë Dibrën, Ali bej Gucinë, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Ahmet Koronicën dhe disa të tjerë, dhe për disa ditë u bëri presion që të zbatonin platformën e saj islamike. Patriotët shqiptarë nuk iu nënshtruan presioneve të Portës së Lartë dhe pa lejen e saj ata u nisën për në Prizren.

10 QERSHOR 1878, KUVENDI KOMBËTAR FILLOI PUNIMET NË PRIZREN

Më 10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar filloi punimet në Prizren. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur ende të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e Shkodrës, të cilët ishte përpjekur t’i pengonte valiu turk Hysen Pasha. Po ashtu edhe nga vilajeti i Janinës ishin të pranishëm vetëm dy delegatë, njëri prej të cilëve ishte Abdyl Frashëri, të tjerët ishin në udhëtim. Si pasojë shumicën e delegatëve e përbënin pashallarë, bejlerë, ulema shqiptarë.

Bashkë me ta kishin ardhë në Prizren edhe disa feudalë sllavë sulltanistë nga Bosnja, Hercegovina dhe Novipazari. Megjithëse mungonin shumica e “sovranistëve” shqiptarë, Kuvendi i Prizrenit i filloi punimet në ditën e caktuar me qëllim që kërkesat e shqiptarëve t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha para se të mblidhej Kongresi i Berlinit (13 qershor 1878). Qysh në fillim u ballafaquan dy platforma politike rreth karakterit shqiptar apo islamik të Lidhjes, por Lidhja, mbas shumë debatesh mori një orientim me karakter patriotik shqiptar. Platformën patriotike e mbrojti Abdyl Frashëri, kryetar i Komitetit Kombëtar të Stambollit. Ai ftoi të gjithë krahinat shqiptare që të bashkoheshin si një trup i vetëm për të mbrojtur mbarë atdheun nga rreziku i asgjësimit.

Abdyl Frashëri, ndër të tjera tha: “Qëllimi i këtij Kuvendi është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”. Mungesa, ditën e parë e delegacioneve të Shkodrës dhe të Janinës, si dhe prania e delegacioneve boshnjake, hercegovinas dhe të Novipazarit krijoi vështirësi për t’u vendos në favor të platformës së “sovranistëve”. Në favor të tyre ndikoi gjithashtu edhe presioni i autoriteteve qeveritare osmane, të përfaqësuara nga mytesarifi turk i Prizrenit, Qamil beu, i cili ishte i pranishëm në punimet e Kuvendit.

Në këto rrethana, për të mos e vonuar formimin e organizatës së dëshiruar (për të cilën të gjithë ishin në një mendje) u arrit në një farë kompromisi. U vendos themelimi i një organizate me karakter politik dhe ushtarak, me një qendër të vetme drejtuese dhe me degë të saj në të gjitha krahinat e vendit – një “Lidhje” (itifak) pa e cilësuar as shqiptare dhe as islamike – e cila do të merrte përsipër detyrën që të mbronte me çdo mjet interesat e vendit”. Po atë ditë, pra, më 10 qershor 1878, Kuvendi Kombëtar miratoi tekstin e një proteste të propozuar nga Abdyl Frashëri, drejtuar Kongresit të Berlinit, me anën e së cilës ngrihej zëri kundër shkëputjes së krahinave shqiptare në favor të shteteve fqinje.

Sipas traditës, së bashku me formimin e “Lidhjes”, u shpall edhe një “besë” e përgjithshme (edhe për t’i dhënë karakter kombëtar Lidhjes) në bazë të së cilës duhej të pushonin dhe të ndërpriteshin të gjitha ngatërresat që lidheshin me zakonin e gjakmarrjes midis krahinave që ishin të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit. Vendimi i Kuvendit të Prizrenit ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, mbasi me anën e tij iu dha goditja e parë përpjekjeve të Portës së Lartë për ta veshur “Lidhjen” me karakter islamik. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore.

Kryetar i këtij Këshilli u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës (kryetar) të veçantë, dhe konkretisht: Komisioni i punëve të jashtme – Abdyl Frashëri; Komisioni i punëve të brendshme – Haxhi Shabani; Komisioni i të ardhura financiare – Sulejman Vokshi. Krijimi i këtyre funksioneve pushtetore ishte arritja më e madhe që fitoi krahu patriotik “sovranist”, sepse për herë të parë u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë, që do të thoshte se u hodhën “gurët e themelit” të shtetformimit të kombit shqiptar.

Debatet për hartimin e Statutit të Lidhjes në mes rrymës sulltaniste dhe asaj patriotike që kërkonte t’i jepte Lidhjes më shumë karakter kombëtar vazhdoi për një javë rresht dhe megjithë përpjekjet e tyre, varianti përfundimtar i Statutit me emrin “Kararname” (Libri i Vendimeve) u miratua me 17 qershor 1878 vetëm nga anëtarët e rrymës sulltaniste dhe disa nga anëtarët e krahut të “moderuar”, në mes të cilëve edhe Iliaz pashë Dibra. Krahu patriotik dhe një pjesë krahut të moderuar nuk e votuan Statutin. Megjithatë, duhet thënë se platforma fetare islamike dhe disa shprehje të besnikërisë ndaj Perandorisë nuk përfaqësonin karakterin e vërtetë të këtij Statuti, pra “Kararname-së”.

Me këmbënguljen e delegatëve patriotë, u miratuan edhe disa dispozita që nuk pajtoheshin me interesat e Portës së Lartë dhe i shërbenin Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, sidomos në nenet ku bëhej fjalë për mbrojtjen e territoreve shqiptare, (neni 1 me nenin 6) apo ( neni 2 me nenin 14) të cilët lejonin hapësira duke dobësuar kështu autoritetin e Portës së Lartë në Shqipëri. Po atë ditë, Këshilli Qendror miratoi edhe një Urdhëresë (Talimat), ku trajtoheshin aspekte organizative politike dhe ushtarake të Lidhjes. Edhe në këtë urdhëresë, Lidhja nuk cilësohej si një organizatë shqiptare, por ndryshe nga Kararmaneja, ajo këtu ishte zhveshur nga formulimet islamike osmaniste dhe nga deklaratat e besnikërisë ndaj Perandorisë Osmane.

Veç kësaj këtu funksionet pushtetore të saj ishin më të theksuara. Në urdhër flitej haptas se Lidhja do të formonte një administratë qendrore me seli në Prizren, të përbërë nga përfaqësues të çdo sanxhaku, nga të cilët do të vareshin administratat lokale të kazave. Krahas kësaj administrate të veçuar do të krijohej edhe një ushtri e shkëputur nga Porta e Lartë, e cila do të varej drejtpërdrejtë nga Lidhja. Lajmi i formimit të Lidhjes së Prizrenit u përhap menjëherë në mbarë territoret shqiptare dhe pati një jehonë të madhe, por miratimi i “Kararmanesë” një javë më vonë, u prit ftohtë nga masa dërrmuese e shqiptarëve, ndaj së cilës filluan edhe protestat.

Kundër platformës sulltaniste, protestues të shumtë nga krahinat e vendit i shprehën pakënaqësitë e tyre edhe përmes shumë memorandumeve që i dërguan gjatë ditëve që mbahej Kongresi i Berlinit. “Ashtu sikur nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu do të luftojmë me të gjitha forcat tona kundër cilitdo që do të kërkonte të na bënte (të na kthente duke na ndryshuar identitetin tonë) në sllavë, austriakë, apo grekë”, thuhej ndër të tjera në një memorandum drejtuar kryeministrit britanik, lordit Bikonsfilld (Beaconsfield), nënshkruar prej rreth 500 qytetarëve shkodranë, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe formimin e një shteti shqiptar të pavarur. Shumë telegrame iu dërguan Kongresit të Berlinit edhe nga përfaqësuesit e kazave shqiptare të vilajeteve të Shkodrës, Janinës, Kosovës dhe Manastirit, të cilët kërkonin respektimin e tërësisë territoriale të atdheut të tyre, Shqipërisë.

Sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi për mbrojtjen e territoreve ku shqiptarët ishin homogjen po rritej edhe nga shqiptarët e mërguar jashtë, madje edhe nga një grup personalitetesh shqiptare që banonin në Stamboll, pjesëtarë të Komitetit të Stambollit, si Pashko Vasa, Sami Frashëri, Ali Danish Prishtina, Sermedi Seid Toptani, Abedin bej Dino që i derguan një memorandum Ministrave të Fuqive të Mëdha më 20 qershor 1878, ku mbasi protestohej në emër të popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të atdheut të tyre shtronin kërkesën për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë (një formë qeverisje administrative), në bazë të një projekti të hartuar nga një komision i përbërë nga shqiptarë dhe të miratuar nga Porta e Lartë.

KRIJIMI I KOMITETIT KOMBËTAR TË LIDHJES

Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes u mblodh në Prizren, më 1 korrik 1878. Qarqet sulltaniste e mbrojtën me këmbëngulje platformën e “Kararnamesë”, (Akti i vendimeve), por këtë herë nuk patën sukses. Logjika e patriotëve dhe presioni popullor ishin aq të fuqishme sa edhe delegatët e krahut të moderuar, të cilët kishin pranuar më parë tekstin e Kararnamesë, tani u bashkuan me platformën kombëtare “sovraniste”. Pas dy ditë diskutimesh, Kuvendi i Përgjithshëm miratoi me 2 korrik 1878 një Kanun të ri për Lidhjen e Prizrenit. Kanuni i ri e shpalli organizatën e formuar në Prizren si një Lidhje Shqiptare dhe organin e saj qendror e quajti Komitet Kombëtar.

Statuti i ri ishte pastruar krejtësisht nga formulimet fetare islamike dhe nga besnikëria ndaj Perandorisë Osmane. Në tekstin e saj thuhej shprehimisht se: Lidhja do të luftonte për të drejtat kombëtare të Shqipërisë dhe veprimtarinë e saj do ta shtrinte vetëm në trojet shqiptare. Ai i jepte të drejtë Komitetit Kombëtar të formonte nënkomitete të Lidhjes në qendrat e Sanxhakëve të Shqipërisë, të organizonte një ushtri të armatosur për të mbrojtur trojet shqiptare, të shpallte mobilizimin ushtarak të të gjithë burrave të aftë për armë, të vilte për nevojat e veta buxhetore një seri taksash të ndryshme dhe të jepte dënime penale kundër dezertorëve nga Lidhja. Ky qe dhe programi i parë qeveritar i “sovranistëve”, që buronte nga Komiteti Kombëtar, që hidhte themelet e shtetformimit, dhe që ka rëndësi të madhe historike. Në Këshillin e Përgjithshëm u zgjodhën 56 anëtarë nga krahinat shqiptare të katër vilajeteve.

Midis tyre kishte shqiptarë myslimanë, ortodoksë e katolikë – që të gjithë përfaqësues të krahut radikal dhe të rrymës së moderuar. Si kryetar i tij mbeti përsëri Iljaz pashë Dibra, i cili tani ju bashkua linjës patriotike. Tre komisionet e Komitetit, të pajisura me funksione dikasteriale mbeten ashtu siç ishin nën kryesinë e Abdyl Frashërit, Haxhi Shabanit dhe Sulejman Vokshit. Kanuni i miratuar më 2 korrik 1878 shënoi fitoren e plotë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në gjirin e Lidhjes së Prizrenit. Në këtë mënyrë, Lidhja e Prizreni fitoi bazën ligjore për të ngritur shkallë – shkallë një shtet autonom shqiptar brenda brenda shtetit perandorak osman

*Nga libri “Sovranistët” në proces botimi Vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura