Autostrada Tiranë-Elbasan, hapen 45 m e parë të tunelit

Aug 10, 2011 | 11:36
SHPËRNDAJE

Megjithëse shpërthimi me ngjyra i Berishës për inaugurimin e punës në dy tunelet e rrugës Tiranë-Elbasan, u bë vetëm 8 ditë para zgjedhjeve të 8 majit, vetëm dje ministri Olldashi inspektoi 45 metrat e parë të gërmuar në mal.Sipas ministrit të Transporteve, firma greke që ka fituar tenderin e punimeve po ecën me ritme të kënaqshme. Bëhet fjalë për tunelet e rrugës më të madhe në ndërtim të këtij mandati të qeverisë. Tunelet e Krrabës janë 4.1 kilometra së bashku dhe, sipas ministrit, do të përfundojnë në vitin 2013.
Inspektimi
Në këto ditë të nxehta gushti, Qafa e Krrabës është shpuar në të dyja anët nga makineritë e mëdha të firmës greke “Actor”. Ministri i Transportit, Olldashi, ishte vetë dje duke inspektuar punimet e pjesës kyçe të autostradës së re Tiranë-Elbasan. Sipas njoftimit të Ministrisë, avancimi i punimeve ka bërë të mundur hapjen e 45 metrave të galerive, në drejtimin nga Elbasani drejt  Tiranës, ndërkohë qe kanë mbaruar të gjith punët përgatitore. Po dje, firma ka filluar është hapjen e galerive të tunelit në drejtimin Tiranë-Elbasan. Ministri vlerësoi ritmin  e lartë të punimeve, si dhe theksoi se tuneli do të jetë operues për trafikun brenda vitin 2013. “Punimet për ndërtimin e tunelit të Elbasanit kanë avancuar dhe aktualisht kanë përfunduar të gjitha rrugët ndihmëse për të arritur deri në pikën e tunelit. Ndërkohë,  janë ezauruar metrat e parë të dy galerive në drejtimin nga Elbasani drejt Tiranës dhe po e njëjta punë po behet nga ana tjetër, nga Tirana drejt Elbasanit”. Duke iu referuar afatit të përfundimit të tunelit, Olldashi nënvizoi se “Tuneli do të jetë operativ brenda vitit 2013, pasi çdo gjë është në përputhje me kalendarin e punimeve dhe me axhendën që kompania ka me Drejtorinë e Rrugëve.”
Rruga
Autostrada Tiranë-Elbasan shkurton mesatarisht 40 minuta kohën që duhet për të shkuar nga Tirana në Elbasan. Distanca mes dy qyteteve bëhet 31.17 km. Rruga do të ketë katër korsi, me 21  viadukte, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime. Me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Por problemi më i madh i rrugës nuk është tuneli, por ndërtimi i segmenteve të tjera deri në hyrje dhe në dalje të tunelit. Segmenti i parë është nga Unaza e Madhe deri te “Natyra e Qetë”, segmenti i dytë nga “Natyra e Qetë” te tuneli dhe segmenti tjetër, nga tuneli në Elbasan. Puna për ndërtimin e këtyre segmenteve do të tregojë a është e aftë qeveria të mbajë premtimin e realizimit të të gjithë veprës deri në vitin 2013. Tunelet janë vetëm 2.1 kilometra, nga 31 që është e gjithë rruga. Pjesa tjetër janë urat, mbikalimet dhe nënkalimet, të cilat duhet të ndjekin në kohë realizimin e tunelit. Kjo është edhe sfida e vërtetë e ndërtimit të këtij segmenti.

18 MUAJ është afati i përfundimit të punimeve për tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan, i cili është i gjatë 2.2 kilometra dhe me një vlerë 83 milionë dollarë, një vlerë kjo e shpallur fituese nga tenderimi i zhvilluar disa muaj me radhë, ku fitoi kompania greke “Actor”.

26.9 KM e gjatë është autostrada Tiranë-Elbasan, sipas projektit që do të zbatohet nga qeveria shqiptare në muajt në vijim. Kjo rrugë është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të, loti i dytë është tuneli dhe loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit

83 MILIONE USD është vlera me të cilën kompania greke “Actor” fitoi tenderin për ndërtimin e tunelit të autostradës. Vlera fillestare ishte parashikuar rreth 150 milionë dollarë pa TVSH. Firma ka nisur punimet dhe ka avancuar për pak kohë në 45 metra nga Elbasani në Tiranë. Dje nisën punimet edhe në anën tjetër të projektit.

Autostrada Tiranë-Elbasan

1. Segmenti nga Unaza e Madhe deri te Natyra e Qetë
Tenderi i zhvilluar më 19 korrik 2010
Fituese, kompania “Albstar & IDK Konstruksion”
Afati i punimeve 24 muaj
Vlera e projektit 15 milionë dollarë

2. Tuneli i autostradës Tiranë-Elbasan
Tenderi i zhvilluar më 3 mars
Fituese kompania greke “Actor”
Afati i punimeve 18 muaj
Vlera e kontratës 83 milionë dollarë

3. Segmenti nga “Natyra e Qetë” te tuneli + segmenti nga tuneli në Elbasan
Është në fazë shprehjeje interesi dhe parakualifikuese
Do të tenderohen në fund të muajit qershor
Vlera nuk është përcaktuar ende

Disa nga parametrat:

Shpejtësia e projektimit është     100-120 km/h
Gjerësia e një vije kalimi është     3.75 m
Gjatësia e rrugës në mbushje     18.5 km
Gjatësia e rrugës në gërmim     17.4 km
Gjatësia totale e viadukteve     4.65 km
Gjatësia totale e tuneli për të dy tubat 4.3 km
Numri i mbikalimeve         7
Numri i nënkalimeve         4
Numri i viadukteve         21
Numri i kryqëzimeve në disnivel     3

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura