Autonom apo autentik, përsiatje mbi identitetin e një demokrati

Jun 7, 2023 | 7:58
SHPËRNDAJE

florian cullhajFLORIAN ÇULLHAJ PHD

Kur bëhet fjalë për diskutimin e identitetit të një demokrati, konceptet e autonomisë dhe autenticitetit mund të jenë subjektive dhe të hapura për interpretim. Demokratët, si anëtarët e çdo partie politike, nuk janë një grup monolit dhe mund të kenë perspektiva dhe vlera të ndryshme njëmend të legjitimuara. Gjegjësisht, është e vështirë të bësh një gjykim të plotë shterues mbi identitetin bazuar vetëm në këto dy koncepte, por përpjekja nuk dëmton.

Këtë dikotomi do të përpiqem ta ilustroj nëpërmjet subjektit në romanin të Rusoit “The New Heloise”. Në shumicën e kohës personazhet në këtë roman veprojnë në mënyrë joautentike, sepse gënjejnë veten për motivet e tyre të vërteta për veprim dhe përpiqen të gënjejnë njëri-tjetrin.

Tema qendrore është dilema morale e Julie, e bija e një fisniku, e cila duhet të zgjedhë midis parimit, të mos shkaktojë pakënaqësi ndaj prindërve të saj, dhe dashurisë që ushqen për zotin SaintPreux, mësuesin e saj, i cili është pa pozitë ekonomike apo sociale. Ajo refuzon dashurinë e saj për zotin Saint-Preux dhe në vend të kësaj pranon dikotominë e vjetër të përmbushjes së detyrës në vend të pasionit. Pas vdekjes së nënës së saj, Xhuli pranon kërkesën e babait të saj që ajo të martohet me zotin Wolmar, një fisnik i moshuar si detyrë dhe e bind veten se ky veprim është i arsyeshëm. Përfundimisht, zoti Saint Preux ftohet të bëhet mësues për fëmijët e saj dhe ai dhe Julie mbajnë një marrëdhënie jo pak të tensionuar. Por, Julie diagnostikohet me pneumoni dhe pak para vdekjes tisi i virtytit të saj dhe identiteti autentik shkërmoqen. Refuzimi i dashurisë për zotin SaintPreux e ka gërryer jetën e saj të brendshme, por pavarësish kësaj ajo ende mendon se ky erozion i identitetit është çmimi që duhet të paguante për ruajtjen e virtytit.

E përthyer në rastin shqiptar, pas votimeve të 14 majit identiteti i një demokrati është nën presion në raport me mbështetjen/mosmbështetjen ndaj liderit të partisë, Sali Berisha. Pavarësisht humbjes së koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, sërish PD-ja e Berishës u klasifikua si forcë e dytë, duke davaritur çdo dyshim se ku qëndron shumica e elektoratit të kësaj partie.

Por, ku konkretisht qëndron dikotomia, autonom apo autentik. Nën shëmbëlltyrën e Julie, të vepruarit në mënyrë autonome i referohet marrjes së vendimeve dhe veprimeve në mënyrë të pavarur, pa presione apo ndikime të jashtme. Në kontekstin e politikës shqiptare, demokrati autonom duhet të veprojë ndryshe nga meanstream-i gjithnjë e në rritje se ‘fajin e ka Saliu’, duke kërkuar dorëheqjen e tij nga udhëheqja e Partisë Demokratike. Domosdoshmëria e momentit politik kërkon mobilizim të të gjitha resurseve opozitare për përballje me këtë regjim dhe kjo kërkesë duhet të limitohet deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025. Kjo, për arsye se çdo goditje ndaj lidershipit të partisë së dytë më të votuar do ta çorientonte edhe më tepër votuesin e djathtë dhe tërë frymën opozitare në tërësi dhe do ta demotivonte përfundimisht rezistencën.

Për të gjithë ata që artikulohen se opozita nuk është Berisha por janë edhe të tjerë, dhe po iku ai shtensionohet situata brenda kampit opozitar, ju përgjigjem se ky është problemi më akut, shtensionim barazi me zhbërje! Kur ky hiperpushtet i Ramës nuk merr në sy peshën e partisë së dytë më të votuar, imagjinoni se çmund të bëjë me filizat e rinj. Kjo mendësi, të kujton atë fabulën me elefantin dhe milingonat, të cilat për hop krijojnë vetëbesim të tepruar dhe vendosin ta sulmojnë dhe e pushtojnë të tërin. Elefanti i bezdisur nga gudulisjet, me një të shkundur i fluturon sa andej këtej milingonat e gjora. Njëra syresh, më e fuqishmja ndër shoqe, qe kapur fort pas fytit të elefantit, ndërsa, kori i simotrave të pashpresa andej pari, dëgjohej teksa brohoriste, mbyte… mbyte!

Në anën tjetër, të vepruarit në mënyrë autentike, nënkupton të veprosh kundër parimeve autonome, të cila përkthehet në mbështetje ndaj Sali Berishës deri në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 si veprim autentik komplementar i identitet demokrat.

Demokratët duhet të kuptojnë se ekziston një ekuilibër midis pretendimeve morale në kuptimin e ndjekjes së parimit/ detyrës dhe identitetit, pra duke u shkëputur nga Berisha ata mohojnë rëndësinë e identitetit duke imituar zgjedhësin e ndërgjegjshëm dhe besnik ndaj parimit të dorëheqjes, por pa identitet dhe bash këtu shfaqet kontradikta. Meqenëse veprimet antiberishë në këtë parti përputhen me parimin e tyre momental si ai është ‘humbësi’, demokratët sigurisht janë të sinqertë me normën e zakonshme … por ata nuk janë autentikë sepse ju mungon emocioni, patosi, ndjenja. Politika përveçse llogaritje është dhe inspirim.

Kjo nënkupton se, zgjedhja morale e demokratëve për momentin duhet të vendosen nga fryma dhe jo parimi etik, për aq kohë sa çështja është mes qëndresës së shumicës brenda demokratëve dhe fragmentimit të saj edhe më të thellë. Demokrati e mohon mbështetjen për Berishën sepse nuk e vlerëson më këtë mbështetje si legjitime, krahasuar me përgjegjësinë e tij ndaj imazhit të ‘ri’ që i imponohet si i moderuari progresist. Demokrati duhet të veprojë jo vetëm në mënyrë autonome kundër pritshmërisë morale të shoqërisë, por mund dhe duhet të veprojë në mënyrë autentike – duke kuptuar domosdoshmërinë e momentit politik – kundër parimeve autonome individuale duke plotësuar identitetin e tij si demokrat në mbështetje të Berishës, deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Si përfundim, zbrazëtia që mund të përjetojë një demokrat kur kërkon dorëheqjen e Berishës vjen nga fakti se ai ka ndjekur një parim i cili nuk e motivon aq sa duhet, duke ja fragmentuar identitetin. Prishja e kontratës me Berishën si lider është e arsyeshme, por emocionalisht e rrafshët dhe jo frymëzuese për angazhime dhe sakrifica të ardhshme pa pasur pritshmëri për shpërblime imediate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura