Aurela Gaçe: Jam e shokuar, nuk ishte faji im

May 12, 2011 | 9:18
SHPËRNDAJE

“Jam e shokuar”. Kështu është shprehur Aurela Gaçe në mbyllje të natës gjysmëfinale të Festivalit Europian të këngës, që po zhvillohet në Dyseldorf të Gjermanisë. Këngëtarja shqiptare, e cila u ngjit në skenën e Eurosongut me këngën “Feel the passion”, me muzikë të Shpëtim Saraçit dhe tekst të Sokol Marsit, nuk arriti të ishte mes 10 finalistëve të përzgjedhur nga 19 garuesit e parë. E pyetur nga gazetarët e atashuar pranë këtij aktiviteti, Gaçe është shprehur e habitur për rezultatin, i cili i ka ardhur tërësisht i papritur. “Pata një pritjeje mjaft të mirë nga të gjithë dhe një performance gjithashtu të mirë, ndaj edhe jam e  surprizuar. Performanca u ndie mirë. Mendoj se nuk ka qenë faji i këngëtarit. Nuk e di se çfarë ishte”, është shprehur ajo. Dhe në fakt, nuk ka qenë një surprizë vetëm për Aurela Gaçen dhe grupin që e shoqëronte atë. Ndërsa kishte kohë që e kishim harruar ndjesinë e skualifikimit, të prezantuar me Aurela Gaçen, një këngëtare me eksperiencë dhe potente, siguria ishte edhe më e madhe. Teksa ia kishim dalë me këngëtarë fare fillestarë, pavarësisht se zëra të bukur, duke filluar që nga Anjeza Shahini, e para që ka arritur edhe renditjen më të mirë në 8 vitet e përfaqësimit të Shqipërisë në Eurosong, për të vazhduar me Olta Bokën e Kejsi Tolën, nuk mund të mendohej se Aurela Gaçe do të skualifikohej. Po ta lëmë mënjanë këngën, do të mjaftonte zëri dhe zotërimi që ajo i bën skenës, për ta pasur të paktën hyrjen në finale më të lehtë. Aq më tepër, që këtë vit, pritshmëria ishte edhe më e madhe. Promovimi që i është bërë këngës ka qenë edhe më i madh se herët e tjera. Kënga u prezantua në disa vende të Europës, duke i dhënë mundësi të prezantuar e pse jo të krijonte edhe lobingje votash. Këtë vit TVSH-ja ia bëri hyzmetin pjesëmarrjes në Eurosong. Por fatkeqësisht pa rezultat. Tanimë dihet se votimi i këngëve në këtë aktivitet është shumë gjeopolitik, megjithatë kjo lloj tendence është vënë re më së shumti gjatë netëve finale. Këtë e vërteton fakti që Shqipëria mban gjithnjë të njëjtën renditje, pavarësisht nivelit të këngës dhe këngëtarit, megjithatë, nëse edhe për hyrjen në finale alibia është ajo e votimit, atëherë si do t’i quanim 5 hyrjet e mëparshme në finale? Shumë thonë se Festivali Europian nuk është aktivitet i ndonjë rëndësie të madhe, por për një vend si Shqipëria, e cila nuk ka shumë hapësira për të treguar “resurset” e veta, është një mundësi e mirë, e cila duhet shfrytëzuar me zgjuarsi dhe jo me patetizëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura