Aurel Plasari zbulon “Tragjedinë” e pambaruar të Branko Merxhanit

Apr 23, 2014 | 13:51
SHPËRNDAJE

Branko Merxhani
Studiuesi zbulon një tekst të panjohur të mendimtarit, i vitit 1940

“Tragjedia” e papërfunduar e Branko Merxhanit

“Një minihistori e politikës shqiptare – brenda suazës së viteve 1912 deri në pushtimin e Shqipërisë më 1939”

Një befasi e re i shtohet historisë së mendimit shqiptar: një tekst i papërfunduar i Branko Merxhanit (1894-1981). I lënë në dorëshkrim jashtë Shqipërisë dhe i ruajtur në Arkivin e tij, ai titullohet Tragjedia shqiptare. Nga data e Parathënies kuptohet që është filluar të shkruhet më 1940, pra fill mbas ikjes së tij të detyruar nga Shqipëria e pushtuar prej Italisë fashiste. Ndonjë të dhënë se kur është ndërprerë shkrimi nuk ka. Mund të mendohet që ngjarjet e reja të vitit 1940-1941, d.m.th. agresioni i Italisë fashiste kundër Greqisë nga kufijtë e Shqipërisë duke përdorur dhe/ose keqpërdorur në atë agresion edhe Shqipërinë e shqiptarët, të kenë përbërë një “akt të ri” në Tragjedinë për të cilën Merxhani sa po shkruante. Por mund të kenë qenë edhe angazhime të tjera të tij, përkatësisht interesa të tjerë, që t’ia kenë ndaluar dorën.
Më 1996, kur kam përgatitur për botim përmbledhjen e publicistikës së tij të zgjedhur nën titullin Formula të neoshqiptarizmës, e kam pas vlerësuar Branko Merxhanin si njërin prej atyre mendimtarësh që për historinë e kulturës shqiptare do ta meritonin të quhen “publicistë gjenialë”: si një Faik Konicë i Albania-s, një Gjergj Fishtë i Hyllit të Dritës, një Fan Nol i Diellit të Bostonit. Sepse pasardhës i tyre kronologjikisht, Merxhani u shfaq si një ndër konfiguruesit dhe galvanizuesit më përfaqësimtarë të mendimit social e filozofik të inteligjencies shqiptare të viteve ’30, ndonëse me karakteristika që do ta dallonin prej mjeshtërve paraardhës.
Mirëpo interesi i tij për Shqipërinë politike, veçan për mbrojtjen e çështjes shqiptare, nuk ka reshtur në mërgim. Përkundrazi. E provon jo vetëm Tragjedia shqiptare, e papërfunduar dhe pra e pabotuar, por edhe shkrime të tjera të tij të botuara. Të rëndësishme ndër to duken, për shembull, tri shkrime që përbëjnë një polemikë të vetme, në greqishte, në dhjetor të vitit 1943. Në gazetën Efimeris të Kajros të datave 4, 6 dhe 7 dhjetor. Nën testatën e gazetës “A mund të realizohet një konfederatë greko-shqiptare?” ai u përgjigjet tre artikujve të D. Theodorakit mbi këtë tezë. Në historiografinë shqiptare teza për një “konfederatë greko-shqiptare” njihet si e promovuar in secretis në fillim të vitit 1944 nga Qeveria kuislinge e Tiranës në bashkëpunim me organizatën e Ballit Kombëtar nëpërmjet një vargu bisedimesh dypalëshe greko-shqiptare. Tanimë ajo rezulton e promovuar edhe nga vetë pala greke, së paku qysh në dhjetor 1943, nëpërmjet artikulli të D. Theodorakit. Madje pikërisht në një gazetë greke të Kajros, ku në ato kohë ndodhej qeveria në mërgim e Greqisë. Me ndërhyrjen e tij Merxhani mund të quhet parashikuesi i dështimit të vënies në jetë të kësaj teze: tre artikujt e tij ai i përfundon me formulën më skeptike të mundshme për ç’i përket mundësisë së realizimit të një “konfederate” të atillë, sa pa u plotësuar kushti i barazisë e i respektit të ndërsjellë. Prandaj edhe polemika përfundon me fjalinë prerëse: “Pa këtë, jo”.  
Në krye të ndërhyrjes së Marxhanit botuesi i gazetës ka shënuar: “Z. Branko Merxhani, si ka ndjekur tre artikujt tanë në të cilët paraqitet pikëpamja jonë, ka pasur mirësinë të na dërgojë në përgjigje tre artikuj të tij. I botojmë saktësisht siç i ka shkruar kolegu i shquar shqiptar”. Theksimi “saktësisht” mund të ketë të bëjë me respektimin tekstual të ideve të Merxhanit, por edhe me specifika të greqishtes së tij. Branko Merxhani ishte nga Skoreja, një nga pesë fshatrat greqishtfolës të Pogonit në Shqipëri. Pavarësisht kësaj, gjatë gjithë veprimtarisë së tij në Shqipëri ai e ka quajtur veten vetëm shqiptar. Si shqiptar, sikurse kuptohet, është paraqitur edhe te polemika në gazetën Efimeris gjatë mërgimit, dhe edhe në librin e pabotuar do të shihet që ai vijimisht e përfshin veten ndër “ne shqiptarët”.   
Për t’u kthyer te Tragjedia shqiptare: prej librit në dorë e sipër, të konceptuar në motto-n: “Jam miku i Platonit, por ca më shumë mik i së Vërtetës”, kanë mbetur pjesë kapitujsh të hedhjes në dorë të parë, të papërfunduar ose të parimarrë, 178 faqe dhe 6 faqe shënime. E rëndësishme është që ka mbetur i plotë plani i librit dhe Parathënia (Dy fjalë në krye), e cila ia vlen të riprodhohet për të kuptuar, më së paku, frymën e tekstit dhe shtysën ideore të sipërmarrjes së librit në fjalë nga ana e gazetarit dhe mendimtarit aq të veçantë që Merxhani ishte.
Për nga tipologjia Tragjedia shqiptare përbën një sprovë origjinale, ndoshta të pashoqe në mendimin shqiptar: një minihistori të politikës shqiptare – brenda suazës së viteve 1912 deri në pushtimin e Shqipërisë më 1939 – duke u përqendruar te vitet ’30 të shekullit të cilat Merxhani i përjetoi në Shqipëri. Megjithëkëtë është kujdesur ta quajë më sak “libër të kohës”, në kuptim e ngjarjeve që sapo kanë ndodhur: “ngjarje që nuk u rritën, nuk u rrahën e nuk u vjetruan sa që të quhen “Histori””. Mund të kuptohet edhe nga Parathënia që synimi përfundimtar i një vepre të tillë do të ishte shpjegimi i asaj çfarë ndodhi brendapërbrenda politikës shqiptare dhe që përfundoi me Prillin 1939. Me të tjera fjalë: tregimi i asaj se çfarë bënë vetë Shqiptarët për të përgatitur humbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të shkaktuar pushtimin e saj nga Italia fashiste. E gjitha rezulton si një situatë që ai e trajton mes dy hipostazave: të Tradhtisë dhe të Tragjedisë. Pavarësisht modestisë – së kuptueshme – me të cilën shprehet autori në Parathënie, përvoja e tij vetjake, e tërthortë në politikën shqiptare dhe e drejtpërdrejtë në ideologjinë shqiptare si një nga lavruesit më të spikatur të mendimit social e politik shqiptar të atij dhjetëvjetëshi, e ofron Merxhanin si një dëshmitar historik jo vetëm idesh, por edhe ngjarjesh dhe njerëzish. Pra dëshmitar me vlerë të posaçme.
Libri është parashikuar i kompozuar tri pjesësh. Pjesa që mund të quhet paraprijëse titullohet Parashënime kritike, 29 faqesh. Ç’është për Merxhanin politika shqiptare, me të cilën ai merret pikërisht në këtë pjesë? Na e saktëson qysh në fillim: “një fenomen i çuditshëm”. Trajton disa prej shkaqeve historike se përse, në rastin e saj, roli i saj nuk ka qenë veçse “pasiv”. Mbasi dallon “Shqipërinë e jashtme” nga “Shqipëria e brendshme”, merret me këtë të fundit duke e quajtur “Shqipëri e kompromisit”, koncept më i saktë politikisht nga ai i shpërdoruari “Shqipëri londineze”. Është e pritshme që një ideolog si ai, bashkëthemelues i “neoshqiptarizmës”, fill me krijimin e shtetit të ri shqiptar ta trajtojë si zë më vete “ideologjinë shqiptare”. Por bën së pari ballafaqimin mes ideologjisë së Ismail Qemalit dhe asaj të Esad Toptanit, për të dalë te “ideja e mbretzmit”, term i shqipëruar për monarkizmin. Brenda ideologjisë shqiptare të periudhës dallon katër “bindje ideologjike”, siç i quan: “Osmanllëkun”, “Ilafetin”, “Evropianizmin oriental” dhe “Lirinë e Pavarësinë”. Mbas paragrafëve për Shqipërinë politike në “Luftën e përgjithshme 1914-1914”, i ka dhënë vend vrasjes së Esad Toptanit si ngjarje historike dhe, fill mbas saj, zërit “Ahmet Zogu trashëgimtar i Esadit”. Fan Nolin dhe lëvizjen e tij e trajton nën shenjën “Fillesat e demokracisë shqiptare”, por të shoqëruar me “Gabimet e Fan Nolit”, për të përshkruar mbas tyre atë teposhtje fatale politike që e emërton “Katastrofa”.
Libri vijon me Kujtime, të ndara këto në dy pjesë. Në qendër të pjesës së parë ka vendosur 21 Tetorin 1935, që shënjon formimin e qeverisë së kryesuar nga Mehdi Frashëri ose, siç njihet ndryshe të histori, të “Deutsche qeverisë”. Kësaj ngjarjeje Merxhani duket që i jep peshë më të madhe nga sa i është dhënë deri më sot në historinë politike të Shqipërisë. Madje edhe duke i përdorur ato si një pivot përreth të cilit analizon sa ngjarjet që e paraprinë, aq edhe ato që e ndoqën. Fillon me analizën e gazetës me emër “Illyria” (nr. 1) për të vijuar me përshkrimin e situatës së Pallatit (mbretëror) si institucion dhe të “Djalërisë”, sikundër quhej në shtypin shqiptar të atyre dhjetëvjetëshave rinia. Për Merxhanin “Illyria” rezulton “organ i Pallatit”. Mbas saj merr në objektiv figurën e Ahmet Zogut, tanimë si mbret, dhe krizën e parë të regjimit, kulmimin e së cilës e trajton si “Një kryengritje që nuk plasi”. E kuptueshme që nuk mund të kalojë në heshtje Gjyqin politik të Tiranës të vitit 1932 të “Organizatës së fshehtë të Vlorës”, të ballafaquar me portretet e disa personazheve të Pallatit që për të nuk e meritojnë as emërtesën “figura”: i  trajton thjesht si “tertipe”. Ndër personazhet kërshërorë të politikës dallojnë dy portrete: ai i Mirash Ivanajt, ministër i Arsimit, dhe i Ismet Totos. Nën shenjën “Illyria” nr. 2 analizon marrëveshjet e reja, pra të vitit 1935, të Zogut me Mussolinin, një letër të Ismet Totos dhe posaçërisht shkrimin “Erë djalërie”, për të përfunduar me Kryengritjen e Fierit në marrëdhënie me “Illyria”-n (nr.2) dhe personazhin e Asim Jakovës.
Gjithnjë duke lëvizur në rrafshin e shtypit shqiptar të atyre viteve zhvendoset kronologjikisht te revista “Koha e re” duke trajtuar gjendjen politike në fillim të vitit 1935 dhe veçan kërkesat e reja të Italisë fashiste ndaj Zogut. Për të ngjarjet e Kryengritjes së vëllezërve Toto lidhen me “Tragjikomedinë e 21 Tetorit”. Po lidhur me të, por edhe më gjerë me prirjet diverguese të mendimit politik, trajton dy rrymat e përkundërta: nga njëra anë “Liberalizmin”, nga tjetra “Diktaturën e ndritur”. Duke përshkruar qëndrimin e “Djalërisë” ndaj këtyre dy rrymave, u kundërvë atyre atë që e quan “Kultura në kolltuk” duke trajtuar si një “përjashtim” figurën e Suad Allanit. Idetë e grupit të mbledhur rreth “Kohës së Re” dhe qëndrimet e saj i ballafaqon me disa nga idetë politike të Mehdi Frashërit, në atë kohë krye i kabinetit të njohur si “Deusche qeveri”, për të përfunduar me dështimin e “Kohës së Re”.
Mbas dështimit të saj i vjen radha analizës së politikës shqiptare duke u nisur nga idetë dhe përkatësisht qëndrimet e organit më të rëndësishëm që vetë Merxhani themeloi dhe drejtoi, revistës “Përpjekja shqiptare”. Në suazën e saj analiza e politikës shqiptare bart nota edhe më të rënda: Merxhani përshkruan “përrallën e zgjedhjeve” duke spikatur brenda saj minihistorinë që e quan “Peripecia tragjike e Skënder Luarasit”. I kthehet Ismet Totos duke përshkruar një “shëtitje” me të dhe duke bërë një sintezë të ideve të tij të atij momenti historik. Vend të veçantë i kushton po aty incidentit politik që provokoi gazeta “Besa” duke shkaktuar krizën qeveritare. Jep dëshminë – ndoshta unikale – të një “skene tragjike” midis Zogut dhe ministrit të Brendshëm Et’hem Toto, për të përfunduar me rrëzimin e Kabinetit Mehdi Frashëri.
Pjesa e dytë e “Kujtimeve” i kushtohet procesit mbrapakthehu të politikës së Pallatit duke e dhënë nëpërmjet paradigmës së kthimit në pushtet të Musa Jukës. “Gogol të regjimit” e quan këtë, posaçërisht me  politikën e tij kundër lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit veçan, duke zbritur me analizën e zanafillës së censurës deri te Neni 83 i Statutit të Shtetit Shqiptar të vitit 1928. Skënder Luarasin, në këtë kontekst, e quan “theror i parë i tragjikomedisë së 21 Tetorit”. Kur i kthehet kryengritjes së dështuar, e quan atë thjesht “Vetëvrasje e familjes Toto”. Për të dy vëllezërit Toto shkruan specifikisht duke skicuar nga njëra anë personalitetin e Et’hem Totos dhe duke riprodhuar nga tjetra “një bisedim romantik” me Ismet Toton. Shtypjen e saj nga qeveria e mbretit Zog e cilëson “Një barbarizmë e padëgjuar”.  
 Ndonëse e papërfunduar e e lënë në dorëshkrim, Tragjedia shqiptare e Branko Merxhanit do të paraqite interes të posaçëm si sprovë origjinale për minihistorinë e politikës shqiptare të viteve ’30 të shekullit të kaluar. Koncepte dhe nocione të përdoruar prej tij, si “Shqipëria e kompromisit”, “politika pasive” e shtetit shqiptar “Osmanllëku”, “Evropianizmi oriental” etj., do ta pasuronin aparatin konceptual të studimit të historisë politike të shtetit shqiptar. Përtej këtyre, dëshmitë e përfshirjes së tij gjatë viteve të mërgimit në debatet për Shqipërinë politike – veçan për mbrojtjen e çështjes shqiptare – do të plotësonin portretin e këtij lavruesi të spikatur të mendimit social e politik shqiptar si dëshmitar historik jo vetëm idesh, por edhe ngjarjesh dhe njerëzish. Pra dëshmitar me vlerë të posaçme.
AUREL PLASARI

Faksimile e fleteve te “Tragjedise Shqiptare”
Faksimile e faqes së parë të veprës së Branko Merxhanit

Në parathënie, Branko Merxhani shpjegon synimet e veprës së tij
“Pse shqiptarët e humbën pavarësinë”
Që të plotësohej më mirë përmbajtja e sidomos qëllimi që ndjekin këto dy vëllime të vogla, duhej ta kisha filluar përshkrimin tim që nga fillesat e para të interesimit politik që shfaqi bota italiane përkundrejt Shqipërisë pasi Italia vetë u bashkua politikisht dhe u shpall si shtet më vete, d.m.th. nga mesi i shek. XIX. Një e këtillë nisje do të më rrokulliste, krejt padashur, mû në thelbin e marrëdhënieve italo-shqiptare përpara e pas shpalljes së Shqipërisë si shtet i pavarur, d.m.th. do të më shtrëngonte të merrem me historinë diplomatike në kuptimin më të plotë të fjalës. Mirëpo dëshira ime këtu është të kallëzoj vetëm disa ngjaje të jetës, ngjarjet që i kemi parë e jetuar gjithë së bashku, – çdokush simbas shkallës së interesimit ose simbas dritës së ndërgjegjes së vet, – ngjarje që ndodhen ende në zhvillim e sipër, që s’kanë marrë edhé sot një zgjidhje përfundimtare, shkurt: ngjarje që nuk u rritën, nuk u rrahën e nuk u vjetruan sa që të quhen “Histori”.
Sa për qëllimin tim, edhe ky është shumë i kufizuar, i thjeshtë e i ultë (modest): Dua t’i dorëzoj Djalërisë sonë disa nga kujtimet e jetës, si edhe diçka nga materialet e eksperiencës sime, që t’i përdorë jo si burim frymëzimi, por vetëm si një lëndë gjykimi e kritike.
Me një fjalë mund të them se këto faqe përbëjnë një libër të kohës, një kronikë të ditëve tona e të njerëzve me të cilët punova së bashku ose i kam vërejtur e njohur, si edhe të atyre ngjarjeve në të cilat mora pjesë, qoftë vetëm si vëzhgimtar, qoftë si bashkëveprimtar. Megjithëkëtë nuk pretendoj se kam për të bërë një punë të madhe, as se kam për të thënë shumë gjëra; e vetmja punë që dua të bëj është t’i njoftoj e t’i ruaj për brezat që vijnë disa nga lajmet e epokës sonë, të cilat ndryshe mund të harrohen e të humbasin përgjithmonë. Dhe, ndonëse s’kam për të thënë shumë gjëra, prapë se prapë mbi njerëz që i kam njohur dhe mbi gjëra që i kam parë diç kam për të thënë.
Një herë që e përcaktova me një mënyrë kaq të kufizuar e të qartë detyrën time, nuk më është gjë e vështirë të caktoj edhe pikën nga e cila duhet të filloj nga puna. Në të shkuarën tonë politike të njomë kemi një datë e cila shkaktoi një bujë të madhe dhe u përdor nga një anë si një rast madhimi e shtytjeje, nga ana tjetër si një vegël mashtrimi e shtypjeje pro et contra Djalërisë sonë: 21 tetor 1935.
Kjo ngjarje tragjikomike ka një lidhje të ngushtë me ngjarjen thjesht tragjike të 7 Prillit 1939; që të dyja na kanë ardhur krejt papritur dhe na kanë gjetur krejt të papërgatitur. Ngjarja e 21 Tetorit 1935 ka një rëndësi të posaçme për sjelljen politike të Djalërisë sonë për gjithë epokën shqiptare, që përfundoi dhe u mbyll me sulmimin e fundit. Në Tetor 1935 Djalërisë shqiptare iu dha rasti të provojë shkallën e pjekmënisë e të gjykimit kundrejt Fatit të Shqipërisë. Gjer në ç’shkallë mundi vallë Djalëria e kohës, e papërgatitur dhe e paorganizuar fare, të qëndrojë në lartësinë e rrethanave?
Ja këtu, rreth e rrotull kësaj përpjekjeje përmblidhet gjithë barra e punës që i ngarkova vetes kur nisa t’i shkruaj këto faqe. Këtu brenda do ta gjeni përgjigjen time, të përpiluar në një mënyrë të thjeshtë, të hapët, pa lajka e pajka, pa marrë parasysh as miq as armiq dhe pa fshehur asgjë. Çdokush prej nesh le të gjykojë këto përshkrime e kujtime të miat simbas së drejtës e shijes së vet. Unë do të dëshiroja që këndonjësit e mi të jenë të pajosur me shumë shije për gjykim, por me më shumë etje për studim dhe të mos jenë nga ata që nuk munden të mësojnë më sepse dinë shumë. Njeriu është i gjallë gjer sa është në gjendje të mësojë.
Por këtu dua të shënoj edhe një tjetër pikëpamje të tërë problemit: Ngjarja tragjike e Prillit 1939 nuk përbën aspak provën – siç na akuzuan disa të huaj – se shqiptarët janë të pazotë të mbajnë pavarësinë e tyre. Një epokë vetëqeverimi vetëm njëzetepesëvjeçare nuk është një afat kohe i mjaftueshëm për të dënuar një cilindo komb. Gjithashtu edhe ngjarja e hidhur e Tetorit 1935 nuk është e drejtë të merret si dokument për të provuar paaftësinë mendore të Djalërisë shqiptare, sidomos kur kemi për të marrë parasysh se kjo Djalëri gjendej atëherë në fazën e parë vetëm të formimit si një grupëzim politik mendonjës e vepronjës. Por, sidokudo, këto dy ngjarje është mirë që të merren të paktën si shembëlla, që mund të na japin një tok mësime jashtëzakonisht të vlefshme për të Ardhmen.
Veç kësaj Djalëria shqiptare e epokës zogiste, megjithëse nuk pati asnjë përfillje e përkrahje nga ana e atyre që sunduan në Shqipëri gjer në vitin 1939, prapë se prapë mundi ta mbajë lart flamurin e shqiptarizmit dhe, me kundërshtimin e saj të fortë e të patundur kundrejt ushtrisë e administratës fashiste, provoi me një mënyrë të ndritshme  e me theroria patriotizmën e vet. Brenda në kaosin e prishjes shpirtërore e lëndore, në të cilin e lanë vendin qeveritarët e arratisur dhe në një Shqipëri ku i shkatërrua\n të gjithë dhe të gjitha, vetëm një gjë mbeti më këmbë e pacenuar: hovi djaloshar. Nga stuhia fashiste vetëm Djalëria doli me faqe të bardhë. Pa Djalërinë nuk do të kishim sy e faqe të dilnim përpara botës. Nuk them se brezi ynë ka plotësuar detyrën e vet ashtu siç duhej, mirëpo ky qëndrim kryelartë i i djemve tanë na dha të drejtën të mburremi me shqiptarizmën tonë dhe na ka ringjallur shpresën për një Fat më të mirë të kombit. Midis një të shkuare të brengosur dhe një ët ardhmeje të rrethuar prej mjegulle, në qiellin shqiptar një yll vetëm lëshon prej së largu njëfarë drite të dridhur: Djalëria.
  Në krye në vend të fjalës “Tragjedi” në titull desha të përdor fjalën “Tradhti”. Por më vonë, duke e menduar punën më shtruar dhe veçanërisht duke mos dashur të influencoj gjykimin e askujt, preferova fjalën “Tragjedi”.
Mua më duket sikur midis këtyre dy fjalëve ka njëfarë lidhjeje që jo shpesh bie në sy të njeriut. Kjo lidhje është e njëanshme: në çdo tradhti fshihet edhe diçka tragjike, por çdo tragjedi nuk është medoemos edhe një tradhti. Tradhtia është një vepër e poshtër, e shëmtuar, banale, kurse tragjedia, që në vetveten e saj përmban një kuptim të lartë, shpesh shumë të lartë, nuk është kurdoherë e zhveshur fare nga çdo gjurmë poshtërsie. Ka tragjedi që janë më të poshtra, më të shëmtuara, më banale e sidomos më katastrofale nga tradhtitë.
Dhe kështu merreni titullin tim ashtu siç ju dëshiron zemra. Sa për llogarinë time, unë preferoj ta le vendimin e fundit në gjykimin e historisë, gjykim i cili mund të vonojë, bilé për ne shqiptarët mund të bëhet i tepruar dhe i vonuar fare – në qoftë se nuk ndërrojmë rrugën! – por është qind për qind i sigurt dhe nuk gabion kurrë. Sa për gjithë ata, qoftë këndej, qoftë andej, për të cilët jam i bindur dhe kam fakte se bashkëpunuan me armikun e pavarësisë kombëtare me dashje dhe duke ditur mir’ e bukur se ç’bëjnë, i dënoj nga zemra pa më të voglin dyshim a ndrojtje: Janë tradhtarë të Atdheut dhe në Tragjedinë shqiptare kanë lojtur rolin e njeriut të shitur në të huajt. Perëndia e Shqipërisë na ruajttë nga të këtillë njerëz në të ardhmen!
BRANKO MERXHANI
Istanbul, dhjetor 1940.
(Parathënia e tragjedisë: DY FJALË NË KRYE)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura